Rrëfime Lufte (II)- Rruga e Daljes nga Bllaca

Shumë shpejtë u përhap fjala se po më punonte telefoni, kështu që miqtë filluan të thërrisnin pandalur. Pak më larg ‘tokës së askujt’, në anën e Kosovës ishte një shtëpi bosh, ku ende kishte energjia elektrike kështu që isha në gjendje të karikoj bateritë e telefonit.

Turma e njerëzve veç sa rritej çdo orë. Trenat po sillnin njerëz pa ndalur. Pasdite takova miken time, Flaka Surroi, e cila atehere perfaqesonte UNICEF-in në Kosovë.

Ajo ishte në Maqedoni dhe me distinktivin e UNICEF-it rreth qafës, asaj iu lejua të futej në ‘tokën e askujt’ për të parë se mos gjente familjen e saj, por jo edhe për të sjellë ndonjë ndihmë humanitare.

Flaka më tha se mund të më ndihmojë të dal por i duhej të kthehej pas që të më siguronte një distinktiv të UNICEF-it. Tunduese. Por, pastaj i mendova këta mijëra njerëz të cilët do ti lija prapa në këtë ferr.
Kisha një telefon celular dhe mendova se mund të jem më e dobishme për njerëzit dhe të ndaj informacionin nga këtu, kështu që vendosa të qëndroj.

Gjatë gjithë kohës po binte një shi i imët. Mjaftonte sa për të na lënë të lagur vazhdimisht. Në mbrëmje njerëzit po përpiqeshin të ndiznin pak zjarr sa për tu ngrohur, por rigat e shiut po e fiknin.

Nuk kisha ngrënë tërë ditën, por kisha ujë dhe po i merrja edhe tabletat mulitivitamina. U ndjeva e lumtur që i kisha marr me vete.

Nuk më flihej. Nuk e di a flinte kush ngaqë kishe shume lagështi. U çova dhe u shkoja turmave afër. Bisedoja me ta. Mundohesha tu ipja shpresë se gjërat do të ndryshojnë shumë shpejtë.

Çeli edhe një ditë e re. I mblodha fëmijët që të luanim. Dëshiroja ta kishim një top për të luajtur, por meqë nuk kishim asgjë po bënim gjimanstikë. Fëmijët u gëzuan. Në fytyrat e prindërve po shfaqej një fije buzëqeshje.

Pastaj filluan lajmet tragjike. Dy foshnja të sapolindura vdiqën gjatë natës dhe një plak i cili ishte i sëmurë vdiq sepse nuk kishte asnjë kujdes mjekësor për të. Mendova se tani kështu do ti kishim mëngjeset. Diçka duhej bërë shpejt.

Vazhdimisht po i informoja mediat përmes telefonit për çdo gjë. Ende nuk po lejoheshin mediat ndërkombëtare apo organizatat humanitare. Njerëzit filluan të prisnin me duart e tyre disa drunjë. Kështu ata mund të krijonin tenda të përkohshme me batanije. Ditët ishin gjithmonë të zhurmshme. Njerëzit flisnin me zemërim, duke u pyetur kur do të ndryshonin gjërat. Përpiqeshin të merrnin ca bukë kur vinte kamioni. Por mbrëmjet, mbrëmjet ishin të heshtura. Unë prap në mbrëmje filloja ritualin afër turmave, duke biseduar, duke i ngushëlluar, dukë u dhënë shpresë. Nuk i mendova kurrë nevojat e mia, por nevojat e tyre.

Mëngjesin tjetër, siç edhe ja kisha kisha frikën, dëgjuam për ata që vdiqën gjatë natës.
Ata u varrosën në anën tjetër të lumit të vogël.

Mendova se ne duhet të bëjmë diçka. Nuk mund të rrinim këtu dhe të bënim asgjë kur njerëzit po vdisnin në këto kushte.

Organizimi i protestës

Po më binte telefoni. Ishte partnerja ime Rachel. Para se të fillonin bombardimet, policia serbe kishte urdhëruar të gjithë ndërkombëtarët të largohen nga Kosova. Ajo nuk donte të largohej, të më linte, por më është dashur ta bind që të niset për Budapest. Çdo ditë ajo telefononte për të pyetur se si janë gjërat. Kur ka dëgjuar që ne na detyruan të largohemi nga shtëpia jonë, ajo mori fluturimin e parë për në Greqi, pastaj me tren në Maqedoni, për të më parë. “Igo, ku je?”, pyeti dhe vazhdoi, “Unë jam brenda në Bllace, por është aq shumë e mbushur me njerëz, nuk po mund të të gjej”.

Ajo ishte brenda, në ‘tokën e askujt’! Zemra filloi të më kërcente. Ndërsa ne po flisnim në telefon po i jepnim njëra tjetrës udhëzime se ku të takoheshim. “Shih atë pemën e madhe para lumit? Hajde të ecim në drejtim të saj” i thash.

“Unë kam një çadër” tha ajo. Po ecja në drejtim të pemës, por ende nuk mund ta shihja për shkak të turmës. Pastaj mu shfaq, aty, para meje. Vrapuam drejtë njëra tjetrës dhe u përqafuam gjatë. Pash që edhe mikesha jonë Siobhan ishte me të, duke filmuar çdo gjë me kameran e saj.

Ato kishin arritur të bindin policinë maqedonase ti lejonte të hynin brenda ‘tokës së askujt’, por sigurisht u ishte dashur ta fshihnin kamerën.

Ato sollën shumë ushqime dhe cigare. I shpërndamë të gjitha menjëherë. Ato më kishin sjellë edhe një thes gjumi.

“Duhet të bëjmë diçka këtu” u thash, “ndonjë lloj proteste. Ju mund të na ndihmoni dhe ti informoni të gjitha mediat e pranishme në Maqedoni. Gjithashtu të gjithë liderët politikë”.

Ato qëndruan për katër orë. Ndërsa i shihja tek largoheshin, për herë të parë ndjeva se edhe unë doja të largohesha bashkë me to. Mu duk se mu thye zemra, e megjithatë duhet të qëndroja e ta organizoja protestën.

E formuam një komision për të planifikuar organizimin e protestës. Ramë dakord që ditën e nesërme, në orën 11:00 do të fillojmë paketimin e çantave tona. Pastaj do të rreshtoheshim drejtë përballë me kufirin maqedonas dhe pikërisht në mesditë, te ecnin drejt kufirit ngadalë, por me zë të lartë duke thirrur: HELP (ndihmë)!

Atë mbrëmje i informuam të gjithë njerëzit në mënyrë që ata të ishin të përgatitur për ditën e nesërme. Të gjithë e kishin një hije buzëqeshje në fytyrat e tyre, sepse po ndiheshin mirë që më në fund ata do të bënin diçka.

Më erdhi një telefonatë. Ishte Amy. Ajo ishte duke telefonuar vazhdimisht për të pyetur se si ishte situata, por këtë herë ajo tha se NBC do të më telefonojnë direkt nga SHBA. Ata më bënë disa pyetje lidhur me situatën dhe pastaj ata pyetën: “Igo, pse dhe me kë jeni zemëruar?”
U përgjigja: “Jam e zemëruar me fuqitë e mëdha që e dinë se çfarë po ndodh këtu dhe po bëjnë asgjë për të vënë presion në Qeverinë e Maqedonisë për të na lënë të hymë në Maqedoni!”
Atë natë hapa thesin e gjumit që më kishte sjellë Rachel dhe për herë të parë fjeta. U ndjeva sikur të isha në hotelin më të shtrenjtë në botë.

Rachel dhe Siobhan kishin informuar të gjitha mediat ndërkombëtare të pranishme në Maqedoni kështu që të nesërmen në mëngjes rreth kufirit kishte një turmë të madhe të gazetarëve. E vumë re që uniforma e policisë kishte ndryshuar. Ata kishin veshur uniforma të veçanta me xhaketa antiplumb dhe kishin shkopinj gome në duar. Ata ishin në dijeni të planit tonë!

Rreth orës 10:00, më erdhi një telefonatë nga një mik i cili jetonte në Maqedoni: “Igo, duhet ta ndërpresësh këtë protestë. Kjo do të çojë në një luftë me të madhe. Policia mund edhe të gjuaj në njerëz!”

Ai kishte të drejtë, ne duhej ta ndryshonim planin tonë shpejt. Në vend që të ecnim drejt kufirit, ne vendosëm që të qëndrojmë në vend dhe të bërtisnim: Ndihmë!

Ishte e vështirë ti bindnim njerëzit të ndryshonim planin. Në orën 11:00 u ngritëm në këmbë, i përgatitëm çantat. Po dridhesha nga frika se njerëzit do të ecnin, por në orën 12:00, të gjithë u ndalën në një vend dhe për gjysmë ore ne të gjithë po bërtisnim: NDIHMË!

Policët ishin të irrituar por nuk intervenuan pasi që ne nuk ecëm drejt kufirit. Pas bërtimave, njerëzit ngadalë hapnin çantat, nxirrnin sendet e tyre dhe vazhduan duke biseduar me njëri-tjetrin.

Pastaj më erdhi një telefonatë tjetër: “Ja arritët! Funksionoi! Sonte ata do të lejojnë njerëzit të futen në Maqedoni!’

Unë fillova duke përhapur informacionin dhe u kërkoja që edhe ata ta përhapin lajmin. U përlotën. Unë jo. Akoma jo.

Pas kësaj, për herë të parë u ndjeva e lodhur dhe gjithë energjia më ishte zhdukur. Përfundoi. U ndjeva sikur misioni im mbaroi. Tani mund ta telefonoja miken time nga UNICEF të më ndihmojë të dal nga ky ferr.

Kur i telefonova ajo më tha: “Ne tu lutëm ditën e parë të vish me ne, por ti refuzove, kështu që tani qëndro aty”. Buzëqesha. E dija se po bënte shaka me mua. Më pas ajo tha: “Në orën 13:00 do të vijmë të marrim!”

Flaka u vonua për shkak të problemeve me policinë maqedonase. Ajo kishte një distinktiv të UNICEF-it për mua dhe unë duhej te luaja rolin e punonjeses nderkombetare te UNICEF-it. Filluam te ecnim në drejtim të kufirit, kur kuptova se një polic maqedonas po na ndiqte nga pas. Ai dyshonte se une isha punonjese ndërkombëtare e UNICEF-it. Pastaj fillova ti flisja me zë të lartë Flakes duke pretenduar se jam nderkombetare: “Shiko gjithë këtë baltë mbi pantallonat e mia, nuk mund ta besoj gjithe këtë baltë. Kam këtu vetëm tridhjetë minuta dhe shiko si u bera!!!”
Polici u kthye prapa. Ia dola.

Ecem në drejtim të makinës së UNICEF-it. Kur u ula brenda në makinë, vetem atehere, filluan lotet. Qava gjate gjithe rruges nga Bllace deri ne Shkup.

28 Qershor 2002, ora 19:00

Ish ambasadorja amerikane Sëanee Hunt ka themeluar një organizatë të quajtur: “Gratë bëjnë paqë”. Ajo erdhi në Prishtinë vitin e kaluar dhe këtë vit të takohej me ne, organizatat e grave dhe gratë në parlament. Ajo sapo kishte publikuar librin me rrëfimet e grave boshnjake. Ambasadoren e shoqëronin edhe dy gra boshnjake të cilat kishin ardhur për të ndarë historitë e tyre me ne.

Në mbrëmje ajo organizoi një darkë në një restorant të mirë në Prishtinë. Unë shkova dhe u ula në tryezë me gratë nga Bosnja. Znj Hunt u ul me ne. I dhurova asaj dy libra të botuar nga UNHCR-Kosova për situatën në Kosovë para dhe pas luftës dhe një tjetër lidhur me gratë kosovare.

Ndërsa ajo ishte duke shfletuar librat, këshilltarja e saj u afrua dhe po e pyeste diçka. Edhe ajo po i shihte librat që po shfletonte ambasadorja dhe pastaj më pa mua. Më shikoi si të isha dikush që ajo e njihte më parë. Ajo më njohu zërin. Ajo e pa fotografinë time në libër dhe emri im i shkruar poshtë fotografisë, atëherë u kthye nga unë dhe tha: “Igo, je me të vërtetë ti? Unë jam Amy! Amy nga Bllace me ekipin e TV!”

Nuk po u besoja syve. Në lot, e përqafuam njëra-tjetrën për një kohë të gjatë. Ne nuk e njohëm njëra-tjetrën.

“Çfarë po bën në organizatën ‘Gratë bëjnë paqe’?” e pyeta.

“E pra, që kur jam takuar me ty, më ke ndryshuar jetën. Kështu që vendosa të punoj me organizata të grave dhe ja ku jam!”

Biseduam gjërë e gjatë derisa erdhi koha për t’u larguar. Ajo do të largohej nga Kosova në mëngjes, por Amy premtoi se do të kthehej dhe të dëgjonte vazhdimin e rrëfimit.

***

Qëkur hyra në Maqedoni me veturën e UNICEF në vitin1999, pushova për dy javë dhe pastaj punova me gratë dhe fëmijët me organizaten “Motrat Qiriazi” me perkrahje te organizates suedeze Kvinna till Kvinna, në kampet e refugjatëve në Maqedoni.

Kur u kthyem në shtëpi në korrik të vitit 1999, vazhdova punën me gratë dhe fëmijët e traumatizuar dhe duke ndihmuar njerëzit në nevojë. Mendova se isha ballafaquar me dhimbjen e luftës, por duke dëgjuar rrëfimet e grave boshnjake, kuptova që e mbaja ende në supe historinë time të dhimbshme të Bllaces dhe se ritakimi me Amy ishte procesi i shërimit tim.

Gjithë këtë kohë miqtë më pyesnin pse nuk shkruaj për përvojën time në Bllace. Nuk mundja, por tani ndjej që mundem. U ula. Tërë ditën shkrova. Ndjehem më mirë tani. Tani e nxorra gjithë çka pata.