Rrëfime Lufte (I) - Rruga Drejt Bllacës

28 Qershor 2002, ora 9:00

Po dëgjoja rrëfimet dy grave boshnjake në një takim në ndërtesën e OSBE-së në Prishtinë të organizuar nga ish Ambasadorja Amerikane në Austri, znj Sëanee Hunt. Gjashtë vjet pas përfundimit të luftës në Bosnje, ende ishte emocionuese për gratë nga Bosnja që të flasin për përvojat e tyre nga lufta.

Ndërsa po dëgjoja ato tek flisnin, e kuptova që edhe pse kishin kaluar tre vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, akoma kishte dhimbje në mua që nga lufta. Dhimbja ishte sidomos nga përvoja në Bllace (‘toka e askujt’ mes Kosovës dhe Maqedonisë). Ndërsa ato ishin duke ndarë historitë e tyre mua po më shkonin lotët dhe përderisa po i dëgjoja mendja mu kthye në Marsin e vitit 1999.

Mars 1999

Kur NATO filloi bombardimin e pozicioneve të ushtrisë serbe në Kosovë dhe në Serbi, e tërë familja ime u mblodhën te shtëpija e nënës sime që të mund të qëndronim së bashku.

Policia serbe dhe njësitë paramilitare ishin duke shkuar nëpër Prishtinë duke i detyruar shqiptarët të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të shkojnë në Maqedoni ose Shqipëri. Ne ishim mbi 37 njerëz në shtëpinë e nënës: vëllezërit e mi me gratë dhe fëmijët e tyre, motrat e mia me bashkëshortët dhe fëmijët e tyre, kushërinjtë e mi. Kishim shumë pak furnizime.

Çdo ditë kemi jetuar me frikën se policia do të vij për të na detyruar të dalim nga shtëpia.
Në ditën e 4-të të bombardimeve, situata u përkeqësua. Policia serbe nisi hakmarrjen brutale dhe agresive ndaj shqiptarëve për bombardimet e NATO-s.

Ne duhej të ishim të qetë dhe natën përdornim vetëm qirinj, kështu që askush nuk do ta mendonte se ne jemi brenda shtëpisë. Miq nga e gjithë bota do të më thërrisnin dhe më kërkonin të largohesha nga Kosova para se të bëhej tepër vonë. Refuzova. Isha me familjen time. Në shtëpinë ku jam rritur.
Furnizimet na mbaronin çdo ditë e më shumë. Më mbaruan edhe cigaret. Vendosa të shkoj tek fqinja ime serbe që ta lus të më blinte cigare, sepse në dyqane vetëm serbët ishin të lejuar të blenin gjëra.

Të dy djemtë e saj ishin bashkuar me policinë serbe. Nëna më tha mund të jetë tepër e rrezikshme të shkoja e ta vizitoja atë. Ndoshta bijtë e saj do të jenë në shtëpi dhe të bëjnë diçka të keqe, më tha ajo. “Si mund të më lëndojnë ata mua?”, u përgjigja.

Jam rritur me bijtë e saj. Kemi luajtur bashku. Ata ishin gjithmonë të varfër, kështu që familja ime gjithmonë u ka ndihmuar. Që nga rroga ime e parë në vitin 1984, unë gjithmonë ndaja pak para për të.

Megjithatë, shkova në shtëpinë e saj. Ajo ishte vetëm dhe shumë e befasuar kur mësoi që ne ishim në shtëpi. I dhash paratë cigaret e mia dhe gjithashtu për veten e saj. Ajo më premtoi se do të shkonte ti blinte. Nuk e bëri kurrë.

Dy javë pasi filluan bombardimet, policia e armatosur serbe erdhën në rrugën tonë, duke i detyruar shqiptarët të largohen nga shtëpitë e tyre. Ne filluam të organizohemi. Secili prej nesh paketonte diçka që ta merrnim me vete, sepse nuk kishim asnjë ide se ku do të përfundonim. Në çantën time paketova multivitaminat e mia, medikamentet e nënës sime dhe furçën e pastën e dhëmbëve.

Celulari im nuk punonte në Kosovë për shkak se regjimi serb kishte ndërprerë rrjetin, duke u siguruar kështu që ne nuk do të ishim në gjendje të komunikonim me njëri-tjetrin.

Megjithatë, unë vendosa ta marrë me vete.

I luta familjarët që mos të përgjigjen në derë në qoftë se policia troket, duke shpresuar se ndoshta ata do të mendojnë se ne e kishim lënë shtëpinë. Pastaj ata erdhën, trokitën në derën tonë dhe vazhduan rrugën për në shtëpinë e rradhës.

Po vëzhgoja rrugën përmes një vrime të vogël që kisha hapur në perde. U lumturova kur policia vazhdoi të trokas në dyert e tjera. Pastaj fqinja ime doli nga shtëpia e saj dhe vrapoi drejt policisë duke bërtitur:

“Ej, kthehuni! Ka njerëz në atë shtëpi”, tregonte ajo me gisht shtëpinë tonë.

Po të mos kisha shkuar për t’më blerë cigare ajo nuk do ta dinte se ne ishim brenda në shtëpi.
Duhej të mendoja shpejt. U thash familjarëve ti marrim çantat dhe të dilnim në rrugë. Plani ishte që pasi të kthehej policia të mendonin që ne kishim dëgjuar derën por ishim shumë të zënë me paketim e çantave.

Ata njëmend u kthyen të zemëruar duke rrëzuar derën e shtëpisë tonë, filluan të ulërisnin duke na drejtuar armët në kokat tona. Disi gjeta guximin dhe iu përgjigja me të bërtitura:

“Përse bërtisni? A nuk e shihni që po bëheshim gati për tu larguar dhe ishim duke paketuar çantat tona?”
Reagimi im sikur i qetësoi dhe ata u përgjigjën: “Hajt ngutuni pra! Largohuni! Mos u ktheni më kurrë këtu!”

Mezi po mbaja lotët përderisa po zbrisja rrugës me familjen. Herë pas here ktheja kokën prapa dhe po shihja shtëpinë si për ti thënë lamtumirë. Ktheva përsëri kokën prapa dhe pash fqinjën time tek hynte në shtëpinë tonë.

Kur arritëm në qendër të qytetit, kishte polici kudo. Nga çdo rrugë vinin kolona të shqiptarëve duke ecur drejt stacionit të trenit, aty ku na drejtonte policia.

Ka pasur shumë mijëra e mijëra njerëz që prisnin në stacionin e trenit. Mbi ne dhe gjithkund rreth nesh ishin snajperistët.

Filloi shi dhe kishim nevojë të gjenim diçka për të strehuar nënën. Ajo kishte qenë e sëmurë para se të dilnim nga shtëpia. Trenat vinin e shkonin të mbushur me mijëra njerëz që i dërgonin drejt kufirit me Maqedoninë.

Erdhi edhe radha jonë për tu larguar. Ky nuk ishte një tren pasagjerësh, por një tren që e përdornin për bartjen e kafshëve dhe mallërave. Na shtynë brenda si të ishim tufë delesh. Nuk e dinim se ku po shkonim. Treni ishte aq i mbushur me njerëz dhe pa dritare sa që na u desh ta bënim një rreth rreth nënës sime që ajo të mund të merrte frymë.

Pas një udhëtimi 40 minutësh treni ndaloi. Ishte dy e natës. Dëgjuam policinë jashtë duke ulëritur: “Hidhni gaz në tren dhe digjni të gjithë”.

Na lanë në panikë brenda trenit edhe për dy orë tjera, derisa ata vazhdonin të ulërisnin nga jashtë.
Nuk mund ta besoja kur treni filloi të lëvizte përsëri. Shpëtuam, ishte gjithë çka mund të mendoja në atë moment.

Ende po i mbaja lotët. Arritëm në Bllace. ‘Toka e askujt’, në mes Kosovës dhe Maqedonisë. Policia na nxorri nga treni dhe na tha: “Ecni mbi hekurudhë. Gjithëkah anash jush ka mina. Mos u ktheni këtu kurrë më”.

Ecnim dy nga dy në errësirë. Mendova se ky ishte fundi. Shpëtuam! Po shkonim në një vend të lirë tani. Isha gati të qaja, të zbrazem, kur fillova të dëgjoja zërat. Të qara bebesh para meje. Njerëz të shtrirë gjithandej fushës nëpër baltë. Të gjithë të ardhur këtu si ne.

Përsëri mbajta lotët. I thash vetes tani nuk është koha për të qarë por për të menduar. Ecja në mes të fushës dhe pyesja njerëzit se sa kohë kishin atje. Disa thonin dy, disa madje edhe pesë ditë.

Policia maqedonase lejoi vetëm disa njerëz brenda vendit të tyre. Ata nuk lejonin as organizatat humanitare brenda ‘tokës së askujt’. Ata gjithashtu ndaluan edhe mediat ndërkombëtare që hyjnë brenda ‘tokës së askujt’. Ne ishim të bllokuar në mes të dy forcave të policisë. Ata që na detyruan me armë ta lëmë vendin tonë dhe u mirëpritëm po me armë maqedonase.

Nuk konsideroheshim as si refugjatë. Nuk konsideroheshim as si qenie njerëzore. Jo, kjo nuk ishte Bllace, ‘toka e askujt’. Ishte vet ferri.

Shqetësimi im i parë ishte nëna ime. Mendoja se do të vdiste po të qëndronte një ditë në këtë ferr. Duhej të mendoja diçka. Dëgjova një zhurmë nga celulari im. Rrjeti punonte këtu. Nuk mund ta besoja. Celulari im punonte. Shpëtuam përsëri!

Ora shënonte 06:00 në mëngjes dhe prita edhe pak e pastaj fillova duke i thirrur organizatat humanitare që i dija në Maqedoni. Ata të gjithë më dhanë të njëjtën përgjigje: “Nuk jemi të lejuar të hymë në Bllace!”
Kamionët me bukë po afroheshin në Bllace por nuk lejoheshin brenda. Ata filluan të hedhin bukën në turmë njerëzish, të cilët shtyheshin para të kapnin ndonjë copë buke. Kishin fëmijë për të ushqyer.
Bënte ftohtë kështu që vesha edhe një xhaketë shtesë. E mbuluam nënën time me batanijen që kishim marr nga shtëpia. Ajo nuk po ndihej mirë dhe duhej ta largoja sa më parë nga këtu, por si?

Takimi me gazetaren Amy

Nga larg pashë një ekip televiziv. Vrapova në drejtim të tyre duke ulëritur, e zemëruar: “Ku jeni deri tani? A nuk e shihni që njerëzit janë duke vdekur këtu? Çfarë ju mori kaq gjatë?”

Ata ishin gazetarë amerikanë nga televizioni NBC TV. Gazetarja e kuptoi gjithë atë zemërim dhe ma ktheu: “Më quajnë Amy, unë punoj për televizionin NBC. Na rrëfeni historinë tuaj”. Akoma e zemëruar u përgjigja: “Cilën histori? Këtë çka po ju shohin sytë është historia ime!”

Amy ishte shumë e sjellshme dhe po përpiqej të më qetësonte. Ajo më shpjegoi se si kishte arritur të hynte në Bllace bashkë me ekipin e saj. U ishte dashur të ecnin nëpër male pasi policia maqedonase nuk po i lejonte të vinin në këtë pjesë.

Më impresionoi me guximin e saj. Fillova të qetësohem disi. Para kameras u tregova historinë tonë se si u dëbuam nga shtëpitë tona dhe udhëtimin tonë në Bllace.

Para se të largoheshin më përqafoi duke na uruar udhëtim të sigurt dhe pastaj Amy më tha: “Nuk e di nëse do të ketë një tjetër shans për të ardhur brenda këtu, por pasi që telefoni po të punon unë mund të të telefonoj”.

Amy dhe kameramani i saj u kthyen në Maqedoni duke marrë të njëjtën rrugë përsëri: nëpër male.
Nëna ime vazhdonte të kishte shumë ftohtë. Më erdhi një ide. I thash nënës të ngrihej dhe përderisa po e ndihmoja të mbahej fillova të ec bashkë me të shumë shpejtë rreth Bllaces, derisa asaj iu vështirësua frymëmarrja.

Pastaj shpejt e thirra motrën dhe i thash: “Shkoni. Afrohuni te policia maqedonase dhe thuaju se plaka është duke vdekur”. Po e shihja motrën time dhe nënën duke ecur në drejtim të policisë të cilët për çudi i lejuan të hyjnë në Maqedoni.

Funksionoi. Ato tashmë u futën në Maqedoni.