Pasioni që e Shndërroi në Pionier dhe Kampion

Pak kilometra në dalje të Prishtinës, në rrugën që çon drejt Graçanices, flamuri i shtetit të Kosovës apo ai i Serbisë, kanë pak rëndësi.

Në fushën jeshile me barin e butë në fshatin Llapnasellë apo Laplje Selo, siç do t’i thoshin serbët, të gjithë duken të njëjtë. Gjuhët janë të ndryshme dhe loja bën bashkë njerëz që përfaqësojnë flamuj e vende të ndryshëm mbi tokën jeshile.

Një djalë i ri, 31 vjeç, është “mbret” i fushës dhe i frymës së gjelbërt, të cilën e mban në jetë me pasion të madh. Rrezet e diellit që bien pingul nuk i pengojnë, është mësuar ta durojë gjatë diellin mbi kokë, po syzet e zeza nuk i heq.

Lavdim Zylfiu thotë se jeton për sfida, por nga sfidat e organizimit të një kampionati basketbolli në mëhallë deri te të shpallurit kampion dhe e drejta e organizimit të Kampionatit Botëror të Minigolfit në Kosovë (FMGK) në 2016, është një histori plot peripeci.

Zylfiu është Kryetar i FMGK-s dhe Trajner i Kombëtares së Kosovës në Minigolf. Mbi të gjitha, ai është pionier i sportit gati të padukshëm në shtetin e ri.

Lavdes, siç e thërrasin, nuk i pëlqen të lavdohet. Thotë se njeriut nuk i duhen xhepat plot, truprojat e një xhip luksoz, për të arritur atë që do. Mjafton dëshira dhe puna. Prandaj pjesën më të madhe të viteve të fundit e ka harxhuar për të çuar deri në fund atë që do.

Ai është i martuar dhe ka djalin më të vogël se dy vjeç, por megjithë kohën e shumtë larg familjes, është bashkëshortja ajo që gjithmonë e përkrah më shumë se kushdo. “Kur ia nisa kësaj pune, gruaja më thoshte: Lavde, duhesh me punu shumë se ndryshe nuk ia arrin. Ajo më ka qëndruar në krahë”.

Pionieri kampion i Kosovës është minigolfisti i parë shqiptar i cili në vitin 2012 u fut në ranglistën botërore, duke zënë vendin e 353, në listën prej 420 lojëtarësh botëror.
Amaneti

Historia e këtij suksesi i ka fillet në një muhabet miqsh në qershorin e 2008-tës. Lavdimi dhe shefi i tij, i ndjeri Dino Asanaj, një binesmen shqiptaro-amerikan dhe ish-kryetar i Bordit të Agjensisë Kosovare të Privatizimit, po festonin në dasmën e një mikut të tyre, kur Dino, adhurues i golfit, i ankohet se miqtë e tij, diplomatë ndërkombëtar, gjatë vikendeve largohen nga Kosova për të luajtur golf në shtete tjera.

“Dinos vetë i mungonte golfi, prandaj vendosi ta sjellë atë në Kosovë. Ai më pyeti nëse e dija se çfarë ishte Driving range, i thash, se nuk e kisha idenë!”, kujton atë ditë të nxehtë qershori Lavdimi.
Asanaj punoi me City Golf Europe, një kompani suedeze, në ndërtimin e një fushe golfi me 18 vrima në Prishtinë, që kushtoi diku mbi 300,000€.

Dino e ndërtoi fushën, ndërkaq Lavdimit ia la “amanet” ta krijonte historinë e sportit të bardhë në Kosovë. Nga tetori i 2008 Lavdimi do të niste punën në fushë si një amator për t’u bërë zot i saj. Fillimisht ai besonte se kjo punë me gjuajtjen e topave do zgjaste vetëm për pak kohë.

Me 22 Korrik 2010 u inagurua fusha e Pro Minigolfit Prishtinagolf, fushë kjo e cila konsiderohet ndër pesë fushat e sojit më të mira në Evropë. Katër vite më vonë ai do të befasohej kur gjen këtë fushë të promovuar në Suedi. “Isha në turne në Goterburg të Suedisë vitin e kalum, duke shfletu promocionin e tyre, pashë që fushën tonë e kanë vënë të parën në mesin e fushave më të mira. M’u duk e jashtëzakonshme!”.

Nga lojtari Lavdimi bëhet trajner i Minigolfit, për të krijuar e hap rrugën e lojtarëve të rinj në një sport të panjohur në Kosovë. Pasioni e entuziazmi e kanë shtyrë të kapërcejë çdo sfidë dhe të lobojë për ëndrrën e tij në relacionet ndërkombëtare. Më 2010 takohet me Presidentin e Federates së Minigolfit të Evropës, Victor Condeço. Punët ishin të mëdha, thotë Lavdimi, por më e madhe ishte bindja se mund t’ia arrinim.

“Një ëndërr që sot preket me dorë”, thotë, derisa kujton sërish të ndjerin Asanaj si ideatorin e ëndrrës që u ngrit mbi fushën e blertë. Biseda e fundit mes miqsh para se Dino të ndërronte jetë në qershorin e 2012-tës, kishte qenë pikërisht për ëndrrën e bërë realitet. “Kjo ishte ëndrra ime, dhe ti ia dole!”, i kishte thënë i ndjeri Lavdimit, themeluesit dhe udhëheqësit të Federatës së Minigolfit.

Vetëm një muaj pas vdekjes së tij, në fushën që e ndërtoi, lojtarë vendorë e ndërkombëtarë, përfshirë kampionin e shumëfishtë botëror të golfit në miniaturë, Karl Lakos, do të merrnin pjesë në turneun e parë Ndërkombëtar në Kosovë ”Kosovo Open 2012”.

Kujtimet e fëmijërisë në klubin e jetës së tij

Më 2011 Lavdimi do të themelonte bashkë me shokët, klubin e parë të Minigolfit në Prishtinë dhe Kosovë, duke i vënë emrin që simbolizonte fëmijërinë e tij ”First Block”, emër ky që e mori nga lagjja ku ai u rrit, Blloku i parë i Prishtinës.

“Zoti s’më ka falë vëllezër e motra, por fatmirësisht më ka falë shumë shoqëri. Kam pas fatin me u rrit në një lagje me fëmijë të jashtëzakonshëm, e në një klasë me një gjeneratë talentash. Vështirë se sot gjendet një klasë e tillë si e jona dikur. Kemi pas shumë pasione dhe vullnet për me i realizu ëndrrat tona”. Kështu e kujton fëmijërinë duke i falë klubit të ri pasionin e dikurshëm të tijin e të shoqërisë.

Një muaj pas themelimit të klubit, ai do të udhëtonte në Hastings të Mbretërisë së Bashkuar për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror ”Ëorld Adventure Golf Masters 2011″. Në lojën e tij të parë ndërkombëtare në kampionatin zhvilluar në Angli, gazetari i BBC do të befasohej, kur në mesin e shteteve që njihen si adhuruese golfi, si Gjermania, Austria e Zvicra, takon edhe dy përfaqësues nga Kosova.

Lavdimi kujton mosbesimin e tij se një sport si golfi, të ketë vënë rrënjë në Kosovë 12 vjet pas luftës.
Në këtë ngjarje ai do të vazhdonte lobimin me kreun e Federatës Evropiane dhe atë Botërore të Minigolfit, për të marrë udhëzimet dhe obligimet që përfaqësuejsa e Kosovës duhej të përmbushte.

Për flamur

Sporti që vetëm para një dekade ishte sinonim i të pasurve, dhe i cili, nga origjina e golfit në Skocinë e shekullit 15 do të krijonte golfin në miniaturë në fillimin e shekullit 20, do t’i vinte rrënjtë pahetueshëm edhe në tokën e Kosovës.
 
Pas themelimit të Federatës së Kosovës, në gusht të vitit 2011, Lavdimi do të shpallej Kampion i vendit në Minigolf, dhe po në këtë kohë arriti ta anëtarësojë atë në Federatën Botërore të Minigolfit, bashkë me Federatën e Minigolfit të Kroacisë, Turqisë dhe Izraelit, duke u bërë Federata e dytë në Kosovë e pranuar ndërkombëtarisht.

Nga pjesëmarrje të shumta në lojëra ndërkombëtare, më 2012 nga Mbretëria e Bashkuar, kampioni do t’i sillte Kosovës medaljen e bronztë, për të shënuar medaljen e parë Ndërkombëtare të Kosovës në këtë sport.

“Ka diçka në jetë që bëhet për flamur, për vend, për shtet, dhe unë jam krenar për këtë që kam arritur”. Lavdimi është një orator i mirë dhe sa herë gjatë bisedës sonë, bën një veten dhe vendin.

“Dëshira për veten është e barabartë me dëshirën për flamur. Secili prej nesh duhet të bëjë diçka për vendin”, sikur këmbëngul. Një njeri që në këto vite angazhimi ka punuar vullnetarisht dhe mbështetur vetëm në donacionet që mund të fitojnë, është po aq entuziast sa në nisje.

Në  tetor të vitit të shkuar kreu i Federatës së Kosovës do të takonte në qytetin Bamberg të Gjermanisë kreun e Federatës Botërore të Minigolfit, Gerhard Zimmermann dhe Drejtorin sportiv te FBMG Pasi Aho, për të folur rreth mundësisë së organizimit të Kampionatit ‘’Ëorld Adventure Golf Masters 2016’’ në Kosovë në sistemin garues MOS.

Pas muajsh pune, përgjigja do të ishte: Po! e fortë, nga e cila Lavdimi do të niste një kapitull të ri për flamurin e tij.

Në 2016 Kosova do të jetë nikoqire e mjeshtërve të Minigolfit, duke e shënuar me të kuqe vendin e saj të vogël në hartën botërore, si pikë reference e një sporti për të cilin edhe vetë ky shtet mund të mos e dijë se ekziston.

Punë e gjatë dhe lobim i vazhdueshëm për të realizuar një ëndërr të parë deri te një Kampionat i parë Botëror në Kosovën e pasluftës. Lavdimi thotë se çdo gjë ia ka vlejtur. “çdo sport është edhe turizëm, dhe ne po mundohemi që Kosovën me e promovu globalisht. Para pesë viteve askush s’ka pas lidhje nëse në Kosovë ekziston një fushë e minigolfit, vitin e ardhshëm këtë do ta dinë shumë veta”.

Kosova me 20 lojtarët dhe pesë klubet e Minigolfit do që të mbështetet në mikëpritjen dhe traditën kosovare për t’i pritur mysafirët, por fitoret Lavdimi thotë se i duan për vete.