Kërkohet Statusi i “Dëshmorit” për Viktimat Politike Jugosllave në Kosovë

Ndërsa hyn në fshatin Sankoc të komunës së Drenasit, ku jeton familja e tij, rreth 30 kilometra larg nga Prishtina, Bashkim Gllareva rrëfen se si kanë vdekur shumë njerëz nga çdo shtëpi gjatë luftës së vitit 1999.

Një nga të afërmit e tij, daja i tij Fazli Greiçevci, u nderua si hero i kombit nga presidenti i përkohshëm i Kosovës në vitin 2010, Jakup Krasniqi.

Por Greiçevci nuk u vra gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Ai u nderua sepse vdiq ndërsa luftonte për bindjet e tij politike gjatë viteve ‘60.

Greiçevci, një mësues dhe poet i njohur, ishte anëtar i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, e cila u themelua në vitin 1959 dhe kërkoi bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë. Ai u konsiderua si një aktivist i paligjshëm nga autoritetet komuniste jugosllave.

Motra e tij, 72-vjeçarja Hatixhe Gllareva, kujton se si familja mori lajmin për vdekjen e tij në muajin gusht të vitit 1964, dhjetë ditë pasi ai u dorëzua vullnetarisht në një rajon policie në Prishtinë. Ajo tha se ai u vra ndërsa ishte në paraburgim.

Hatixhe Gllareva, e motra e Fazli Grejçevcit

 “Nuk na lejuan ta hapnim arkivolin për ta parë atë për herë të fundit,” tha ajo, duke parë fotografinë e të vëllait të varur në muret e shtëpisë së familjes.

 “Ai ishte 29 vjeç kur u vra. Ishte shumë mirë me shëndet. Para se të shkonte në polici, ai erdhi të na takonte dhe na tha të mos shqetësoheshim. Ai e dinte që s’do të kthehej më.”

Vrasje politike, shpërthime protestash

Fazli Greiçevci është një hero në Kosovë. Ka shkolla dhe rrugë që mbajnë emrin e tij. Presidenti shqiptar Bamir Topi gjithashtu e dekoroi atë me medaljen “Shqiponja e Artë” në vitin 2012.

Por një grup aktivistësh tani po i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës ta deklarojnë atë dhe 133 të tjerë, të cilët u vranë gjatë rezistencës ndaj autoriteteve të ish-Jugosllavisë, të deklarohen zyrtarisht dëshmorë të kombit. Sipas ligjit në Kosovë, statusi i dëshmorit u siguron familjeve të të vrarëve përfitime shtetërore.

Ata kanë ngritur një komision qytetar, i cili ka përpiluar një listë të atyre që thonë se e meritojnë statusin e dëshmorëve.

Ajo përfshin katër persona që vdiqën në burg, tre që u vranë në atentat në Gjermani dhe disa të tjerë që vdiqën në beteja të armatosura me policinë, por shumica në listë janë vrarë gjatë demonstratave, sidomos në trazirën e vitit 1981 që u shtyp me dhunë nga policia jugosllave, duke shkaktuar një sërë viktimash.

 “Populli i Kosovës i nderon dhe i respekton ata. Ka tubime dhe memorialë për të gjithë ata, por ligjërisht ata nuk njihen si dëshmorë,” tha Naim Zhitia, kryetari i komisionit.

Vëllai i Zhitisë, 24 vjeçari Afrim Zhitia, ishte një nga organizuesit e demonstratave në vitin 1981 dhe u vra tetë vjet më vonë nga policia serbe në Prishtinë.

Naim Zhitia, vëllai i Afrim Zhitisë

Zhitia u shpreh se komisioni aktual i qeverisë i cili po verifikon se sa njerëz luftuan për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës gjatë fundit të luftës së viteve 1990 ka gjithashtu detyrimin ligjor për t’u dhënë statusin e dëshmorit atyre që u vranë për shkak të rezistencës së tyre politike ndaj sundimit të Beogradit nga vitit 1960 deri 1990.

Ai përmendi një pikë në ligjin aktual, i cili rregullon statusin dhe të drejtat e të vrarëve në luftë, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile të luftës dhe familjeve e tyre. Neni tetë, pika dy thotë: “Këto të drejta i realizojnë edhe të gjitha familjet e dëshmorëve të kombit, të rënë në forma të ndryshme për lirinë e vendit në periudha te ndryshme historike.”

 “Ne jemi mobilizuar dhe kemi një detyrim të paktën të mos heshtim për ato familje. Ligji na lejon ta bëjmë këtë gjë,” tha Zhitia.

Megjithatë, precedenti duket të jetë kundër fushatës.

Faton Abazi nga Ferizaj aplikoi për përfitime shtetërore, sepse vëllai i tij, Afrim Abazi, vdiq pasi u arrestua në mars të vitit 1982 me pretekstin se ai ishte organizatori i demonstratave të vitit 1981.

 “Ai vdiq tetë ditë pasi u arrestua. E shtynë nga kati i pestë i ndërtesës së policisë në Ferizaj,” tha Abazi.

Faton Abazi, vëllai i Afrim Abazit

Por komisioni qeveritar i verifikimit e hodhi poshtë kërkesën e tij. 

Viktimat ushtarake jugosllave

Shqiptarët që u vranë ndërsa shërbenin në Ushtrinë Popullore Jugosllave në vitet 1980 dhe 1990 duhet të njihen si dëshmorë të kombit, këmbënguli Gani Morina, i cili kohët e fundit iu bashkua komisionit qytetar.

Vëllai i tij, Haki Morina, u rekrutua në Ushtrinë Popullore Jugosllave në mars të vitit 1991 në qytetin e Barit në Mal të Zi dhe më pas u transferua në Trebinje në Bosnjë dhe Hercegovinë.

 “Ai u kthye në shtëpi me arkivol në tetor të vitit 1991, si shumë të tjerë,” tha Morina për BIRN-in.

Gani Morina, vëllai i Haki Morinës

Morina tha se ende nuk ka një listë të plotë të shqiptarëve të vrarë ndërsa ata ishin pjesë e Ushtrisë Popullore Jugosllave, por një organizatë jo-qeveritare në qytetin e Skenderajt e quajtur “Ngritja e Zërit” ka regjistruar 122 ushtarakë shqiptarë që vdiqën ndërsa shërbenin në ushtri.

Por Faik Fazliu, kreu i Zyrës për Veteranët e UÇK-së në Zyrën e Kryeministrit, tha se autoritetet nuk do të mund të ofrojnë shumë shpresë për aktivistët që dëshirojnë që të afërmit e tyre të vdekur të quhen zyrtarisht dëshmorë.

Fazliu këmbënguli se legjislacioni aktual i Kosovës përjashton çdo njohje më të gjerë të mundshme.

 “Ligjet aktuale janë për dëshmorët që vdiqën në periudhën nga viti 1997 deri në vitin 1999. Kjo kufizon kompetencën tonë,” tha Fazliu për BIRN-in.

 “Parlamenti i Kosovës duhet të miratojë një ligj tjetër për këta njerëz që kanë vdekur më herët,” tha ai.