“Kriminalistika” Kontestuese dhe (mos)Qarkullimi i saj

Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës (RrGGK) lidhur me këtë paragraf pati reaguar qysh më 22 tetor të vitit të kaluar.

“Konsiderojmë se gjuha e përdorur në këtë kapitull është mizogjiniste dhe çnjerëzore ndaj viktimave të dhunës seksuale”, thuhej në letrën e hapur nga 11 organizatat e këtij Rrjeti.

Hana Marku, iniciuese e fushatës për ndalimin e përdorimit të këtij libri thotë se tash gjatë këtij muaji ka marrë mesazhe nga studentët e Fakultetit Juridik që thonë se libri është ende në përdorim prej profesorëve që ligjërojnë lëndën Kriminalistika.

“Studentët frikësohen për ta ekspozuar emrin e tyre për shkak të hakmarrjeve që mund të kenë në nota në lëndët e caktuara, por për shkak se e dinë që unë jam marrë me këtë temë më kanë lajmëruar që libri që i stigmatizon femrat e dhunuara është ende në përdorim sot e kësaj dite”, thotë Marku.

Në vend të një teksti arsimor, i cili do të duhej të kishte për qëllim edukimin e avokatëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të ardhshëm të Kosovës se si duhen trajtuar rastet e dhunës seksuale, RrGGK-ja thoshte se teksti “Kriminalistika” i mëson të mos u besojnë viktimave,  t’i diskreditojnë akuzat dhe t’i paraqesin akuzueset si të sëmura dhe fajtore.

Duke marrë për bazë qëndrimin e RrGGK-së ndaj këtij libri, 11 organizatat kërkuan urgjentisht nga rektori i UP-së që ta heqë nga përdorimi këtë libër.

“Njëmbëdhjetë organizatat joqeveritare kërkojnë nga Universiteti i Prishtinës urgjentisht të largojë tekstin ‘Kriminalistika’ nga plan-programet e Fakultetit Juridik…”, thuhej ndër tjera në letrën drejtuar rektorit, Ramadan Zejnullahu.

Siç duket, reagimi i organizatave joqeveritare e dha efektin e vet.

Një ditë më vonë, më 23 tetor 2014, rektori i UP-së, mori vendim që libri “Kriminalistika” i prof. dr. Vesel Latifit, të tërhiqet përkohësisht nga përdorimi.

“Pas raportimeve të fundit për përmbajtjen e tekstit të prof. dr. Vesel Latifi, Rektorati i Universitetit të Prishtinës ka vendosur që libri i Kriminalistikës i prof. dr. Vesel Latifi të tërhiqet përkohësisht nga përdorimi, derisa të merren vendimet nga Komisioni Botues i Universitetit të Prishtinës”, thuhej në njoftimin e UP-së.

Fuqia e vendimit të rektorit dha efektin e tij në Fakultetin Juridik, syllabusi i të cilit tashmë nuk e përmban këtë tekst për lëndën Kriminalistikë. Por natyrisht se vendimi i rektorit nuk pati fuqi që ta ndalonte shpërndarjen dhe përdorimin e librit jashtë UP-së.

Rektorati i UP-së sqaron se ndalesa për përdorimin e librit në fjalë ende është në fuqi.

“Zyra për informim e Universitetit të Prishtinës sqaron për opinionin se ndalesa e rektorit për përdorim të librit “Kriminalistika” të autorit Vesel Latifi për studentët e UP-së është ende ne fuqi. Kjo nënkupton se në rast se ka filluar te përdoret dhe të ribotohet nuk është bërë me aprovim të Këshillit Botues të UP-së. Pra, Universiteti i Prishtinës nuk është botues i këtij libri”, thuhet në sqarimin e Rektoratit.

Gjithashtu, UP-ja thotë se Fakulteti Juridik i UP-së ka konfirmuar se syllabusi i lëndës “Kriminalistika” nuk e përmban këtë libër në mesin e teksteve të obligueshme për përgatitjen e provimit si dhe nuk gjendet në hapësirat e këtij fakultetit të cilat janë të dedikuara për ofrim të teksteve universitare.

UP-ja thotë se nuk është përgjegjëse për inspektim apo ndalim të botimeve private apo të botimeve të shtëpive botuese të cilat realizohen jashtë UP-së.

Me gjithë ndalimin e këtij teksti nga UP-ja, studentja e vitit të tretë të Juridikut, B. R., thotë se ai libër ende po qarkullon nëpër duart e studentëve, edhe pse ajo thotë se zyrtarisht nuk gjendet në skriptoren e Fakultetit Juridik.

 “Edhe pse ky libër është larguar me vendim nga Syllabusi i lëndës së Kriminalistikës dhe nuk gjendet për t’u blerë në skriptoren e Fakultetit Juridik, ky libër prapëseprapë përdoret. Unë e kam kaluar këtë provim vitin e kaluar dhe tani jam në vitin e tretë. Kam mësuar prej këtij libri edhe jam futur në provim me këtë libër”, thotë ajo.

Xhevdet Halili – profesor i lëndës “Kriminalistikë”, thotë se që nga çasti kur është ndaluar përdorimi i këtij libri, ai më nuk gjendet në syllabusin e Fakultetit Juridik.

“Në syllabus nuk është më si libër obligativ. Në momentin kur është marrë vendimi prej Rektoratit që libri të tërhiqet përkohësisht prej përdorimit, d.m.th. nuk është më libër obligativ”, thotë Halili.

Megjithatë, autori i librit “Kriminalistika” Prof. Dr. Vesel Latifi, sqaroi shkurt për gazetën se paragrafi kontestues i librit nuk kishte për qëllim t’i përfshinte të gjitha femrat e dhunuara. Ajo që është paraqitur aty, sipas tij, janë disa karakteristika të njërës prej kategorive të femrave të dhunuara.

 “Kjo pjesë e karakteristikave të femrave që dhunohen është vetëm për një kategori të tyre, e jo për të gjitha femrat. Kjo është keqkuptuar dhe mendoj se mund të jetë edhe si mendim i vjetruar i cili mund të hiqet”, tha profesor Latifi.

Ai thotë se botimi i tetë dhe i fundit deri më tash, është botuar në maj të vitit 2014, për të cilin libër në tetor 2014 ka filluar fushata kundër tij, kurse Rektorati pastaj ka marrë vendim që ai libër të hiqet përkohësisht nga përdorimi dhe nga shitja.

Para se ta ribotonte për të tetën herë këtë libër në maj 2014, profesor Latifi thotë se e kishte lejen e Fakultetit Juridik. Në atë leje ai thotë se përfshihej botimi, ribotimi dhe përdorimi i atij libri.

Profesori thotë të jetë habitur se si është e mundur që brenda një kohe kaq të shkurtër të mbahen dy fushata të organizuara jo shkencore, kundrejt të njëjtit libër i cili tashmë zyrtarisht është jashtë përdorimit.

Në këtë drejtim, ai thotë se nuk e ka ndërmend ta ribotojë këtë libër. Megjithatë, shprehet i gatshëm që paragrafi kontestues të hiqet nga libri.

 “Nëse kjo punë është aq e rëndë në opinion, atëherë ajo pjesë në tekst të fshihet”, tha ai.

Ai thotë ta ketë botuar librin me mjetet e tij financiare.