Kujdes, ka qen!

Shega nisi të lëshojë lehje të mbytura ndërsa po kyçja derën e apartamentit duke dalë. “O kojshi”, dëgjova një zë pas meje. Një burrë shtatlartë, i moshuar qëndronte ndanë derës së hapur të apartamentit të tij nga ana tjetër e hollit. “Kojshi, qeni nuk hyn këtu”. Me vështirësi ia shquaja fytyrën në dritën e zbehtë, ndërsa Shega vazhdoi të lehte mbyturazi. Ajo u leh vetëm njerëzve që i sheh si kërcënim dhe në mënyrën më të heshtur të mundshme kur është në mjedise të brendshme.

“Pse?” pyeta. “Nuk hyn qeni këtu. Kaq”, ai u përgjigj ashpër. Shega lehu, kësaj radhe prej vërteti, dhe m’u desh ta qetësoj duke tërhequr rripin. Vërejta frikën e tij tek shkoi mbrapsht dhe përplasi derën.

Po mendoja për këtë ngjarje ndërsa zbrisja shkallët me Shegën. E pashë nga lart dhe nuk munda të kuptoja sesi dikush mund ta perceptonte si të rrezikshme. E imagjinova në një film të vizatuar, sikur gjatë hënës së plotë, shndërrohej në ninxha dhe kacavirrej te ballkoni ngjitur.

Realiteti më shkëputi nga fantazimi, kur një grua që hipte shkallët me trasta në duar ulëriu dhe desh u rrëzua kur pa qenin. U mundova ta qetësoj, duke e siguruar se qeni nuk kafshonte. “Kjo është marrëzi, një qen në banesë… sigurisht që kafshon”, m’u kthye me bërtitje.

Shega nuk është agresive dhe nuk kafshon. Etja e saj për gjak kufizohet te minjtë. Emri i përshtatet me karakterin. Është aktive, gazmore, miqësore dhe e sjellshme, përveç se kur bie në dashuri me shikim të parë me dikë. Në këtë rast, thjesht do të ulej mbi prehrin e një të panjohuri nëse do i lejohej.

Është dita ime e tretë në Prishtinë, pasi kam mbërritur me makinë nga Tirana bashkë me qenin. Sakaq kanë ndodhur disa zënka me komshinjtë. Njerëzit në rrugë e shohin Shegën me dyshim, edhe pse ajo është gjithmonë e lidhur me rrip. Disa madje kalojnë rrugën nga ana tjetër kur e shohin nga larg. Ajo nuk ngjan e rrezikshme; trup të mesëm, e hollë, me këmbë të gjata, gëzof të zi në të kafenjtë dhe një turi komik.

Natën e mëparshme, një tip trupmadh, i zënë në befasi kur e pikasi dy metra larg, kërceu anash dhe përfundoi i përdredhur përdhe në një pozicion të dhimbshëm. Nxitova tej i bërë me turp bashkë me Shegën, e cila dukej e tronditur nga aksidenti.

Kjo sjellje më turbulloi. Në vendlindjen time, Tiranë, ndonëse një farë droje ndaj qenve është e përhapur, shumica nuk do shfaqnin një llahtar të tillë. Vajzat sidomos do i afroheshin Shegës duke i thënë fjalë llastuese. Ajo do kërcente duke u munduar t’i puthte. Në Prishtinë, nga ana tjetër, shumë e shihnin me ngultas këtë dyshe të çuditshme, ndërsa të tjerë e shfaqnin haptazi frikën, madje dhe tmerrin.

Fëmijët viktima

Gjashtëvjeçari Urim Tusha buzëqeshi qetësisht nga shtrati i pavijonit të kirurgjisë plastike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa luan me një armë lodër që i ngjan një automatiku M4. Urimi ka pësuar rreth 50 kafshime dhe veshi praktikisht iu këput ndërsa luante jashtë shtëpisë në rrethinat e Ferizaj pak kohë më parë në mars.

Një tufë prej 20 qensh e sulmuan pranë shtëpisë së tij, ku shpesh ata ishin parë të ushqeheshin te një pikë e improvizuar grumbullimi të plehrave. Urimi u shpëtua nga ungji i tij. E ëma, Alija, kujdesej e merakosur për djalin, i mbuluar i gjithi nga fashat.

“Jeta e tij nuk është në rrezik. Kishte shumë kafshime, por shumica ishin sipërfaqësore”, tha Dr. Adem Kolloqi, mjeku që e kuroi. Megjithatë, fëmija pati nevojë për tre orë në operacion si dhe trajtime të mëtejshme.

“Pata frikë se do ta humbte veshin, por tani e ka jashtë rrezikut dhe i është rindërtuar siç duhet”, shtoi Kllokoqi. Ai parashikonte që djali të shërohej plotësisht. Ndërkaq, një psikolog po mbante seanca të përditshme me të për t’u siguruar që të mos kishte traumë afatgjatë.

Tetë muaj më parë, një kushërirë pesëvjeçare e Urimit përjetoi një sulm të ngjashëm. “Qentë rrethuan fëmijën; prindi ndërhyri, por prapë pati disa kafshime të lehta”, tha Alija.

Nuk ka të dhëna të sakta mbi ndodhjen e sulmeve nga qentë në Kosovë. Por rasti i Urimit mori vëmendje në mbarë Kosovën, si në rastet e tjera të sulmeve serioze gjatë muajve të fundit, përfshi një në të cilin një djalë mbeti i vdekur në Fushë Kosovë. Zakonisht fajësohet popullata e qenve endacakë në Kosovë, e cila besohet të variojë nga 9,000 në 200,000.

Në “Qendrën Kosovare për Trajtimin dhe Strehimin e Qenve Endacakë” pranë Prishtinës, Florim Ferati këmbëngul se shumica e endacakëve të Kosovës janë të padëmshëm. “Endacakët zakonisht nuk përfshihen në sulme të rënda; janë qentë me pronar ose që kanë pasur të tillë, ata që janë shpesh problemi”, tha ai.

Ferati tregon në drejtim të një qeni Sharri rreth 70 kilogramë brenda një kafazi. “Kemi gjetur disa endacakë të tillë”, tha ai. Kjo racë e njohur është autoktone e rajonit dhe e famshme për aftësinë e saj në mbrojtjen e deleve nga ujqit. Një i tillë mund të vlejë qindra euro. Ky qen nuk duket i rrezikshëm, por muaj më parë, një bareshë humbi jetën në malësinë e Shqipërisë fqinje kur u mundua të ndalë përleshjen e dy prej këtyre gjigantëve.

Qendra ka trajtuar rreth 10 mijë kafshë që kur është ngritur në vitin 2003. Ritmi është rritur në vitet e fundit pas një marrëveshjeje me Komunën e Prishtinës. Deklarohet se një skuadër prej 7 veterinerësh bashkë me staf shtesë dhe vullnetarë, sterilizojnë, vaksinojnë dhe i vënë matrikull rreth 1,500 qenve në vit, sipas deklaratave të biseduesit.

“Më parë, komunat kishin marrëveshje me Shoqatën e Gjuetarëve që i vrisnin qentë në vend”, kujton ai. Komuna e Prishtinës e braktisi këtë praktikë në vitin 2011 si pasojë e reagimeve të forta, përfshi një thirrje nga aktorja franceze Brigitte Bardot, që kërkoi nga paqeruajtësit e NATO-s të ndërhynin për të ndalur vrasjet. (Ata nuk u morën me këtë punë.) Tani vrasja e qenve me armë ndalohet me ligj.
 
Ferati tha se qentë endacakë kishin marrë një nam të pamerituar nga sulmet e shkaktuara prej racave të pastra dhe qentë roje si pit bullët. Nuk ka shumë prova faktike për të mbështetur pretendimin e Feratit, por bën kuptim që qentë e mbarështuar si armë mbrojtjeje (apo sulmi), me gjasa përfaqësojnë një rrezik më të madh se qentë e nëpërkëmbur të rrugës. Ai tha se dallimi ishte i rëndësishëm. “Mund të ndodhë që një pit bull të jetë endacak, por është shumë e pagjasë që të ketë lindur i tillë”, vërejti ai.

Në dhjetor, një pit bull u fajësua për vdekjen e një pesëvjeçari në Fushë Kosovë, në jugperëndim të Prishtinës. Djali ishte duke mbledhur mbeturina kur pësoi plagë serioze në fyt, fytyrë dhe bark. Ndërsa disa dëshmitarë dhe media fajësuan endacakët për sulmin, kryetari i Komunës Burim Berisha thotë me bindje se bëhej fjalë për një pit bull, duke shtuar se qeni u gjet dhe u qëllua me armë.

Berisha tha se problemi i qenve në Fushë Kosovë ishte pjesërisht i shkaktuar nga njerëz që ishin shpërngulur aty me qentë e tyre dhe i kishin braktisur më pas. “Ka dëshmi se shumë qen lëshohen në komunë edhe nga njerëz jashtë saj”, shtoi kryetari.

Disa prej tyre nuk janë qen tipikë rruge. “Kemi trajtuar gjithë llojet e qenve, nga endacakët e përzier te pit bullët, rotvajlerët, pastorët gjermanë, qen Sharri dhe të tjerë”, tha ai. Kryetari shpjegoi se komuna ka marrë masa të ndryshme ndaj qenve sipas rasteve. Disa sterilizohen, vaksinohen dhe lihen të lirë. Të tjerë me probleme serioze shëndetësore “vihen në gjumë”. Qentë e rrezikshëm qëllohen në vend. Berisha tha se nuk kishte të dhëna të atypëratyshme mbi numrat e qenve që sterilizoheshin apo vriteshin.

Në disa pjesë të Kosovës, përpjekjet për të vënë qentë nën kontroll kanë marrë një kthesë të kobshme. “Facedog Kosova”, një OJF vendase, raportoi se një strehimore në Pejë i vriste qentë në mënyrë masive. Disa foto që qarkulluan në internet mbi këtë rast shfaqën varre të përbashkëta apo kufoma në dekompozim e sipër të hedhura fushave.

Frikë e rrënjosur me ninulla

Visar Dumani punon në klinikën e kafshëve “Pet Care” në Prishtinë. Përveç trajtimit të zakonshëm të kafshëve shtëpiake, aktivistët dhe vullnetarët e klinikës trajtojnë edhe kafshë endacake. “Mbajtja e qenit është një përgjegjësi serioze, çka do të thotë se duhet të kujdesesh për të”, tha Dumani. “Nuk janë lodra; disa njerëz marrin qen, e mbajnë një farë kohe dhe kur lodhen e lëshojnë pa problem”, tha ai me ton kritikues.

Sjellja e çdo qeni, theksoi veterineri, varet nga mënyra si mësohet dhe trajtohet. “Në përgjithësi, po i trajtove mirë, do sillen mirë”, tha ai, duke shtuar se edhe pit bullët mund të jenë të butë në kushte normale. Si kafshë të adoptuara, “endacakët janë më të butë, më të zgjuar dhe më rezistues ndaj sëmundjeve – në kundërshti me çka dëgjon nga njerëz të paditur”, shtoi ai.

Ferati nga qendra e qenve endacakë, pohoi se në Kosovë ka një problem me sjelljen ndaj qenve në tërësi. “Ekziston një fobi kombëtare ndaj qenve dhe nuk ka të bëjë shumë me rrezikun real – është e rrënjosur thellë në kulturë”, tha ai. “Që të vegjël na mësojnë t’i kemi frikë”, shpjegoi ai. “Fëmijëve u këndohen ninulla që të flenë ose do të vijë qeni t’i hajë. Prindërit u thonë fëmijëve ta hanë shpejt ushqimin ose do vijë qeni që t’ia hajë”.

Qasje të tilla ushqejnë armiqësinë ndaj të gjithë qenve, vëren ai, duke kujtuar një vizitë në Tiranë, ku disa qen endacakë qëndronin pranë një qebaptoreje, duke u shpërfillur nga kalimtarët që u kalonin shumë afër. “Këtu në Kosovë, do t’i kishin qëlluar me shkelm ose do t’i kishin gjuajtur me gurë”.

Ndryshimi vjen ngadalë

Dumani më tha se që nga vitet e luftës 1998-99 në Kosovë, qëndrimet ndaj kafshëve kishin ndryshuar për mirë, ndikuar nga të huajt që erdhën në vend si dhe anëtarë të diasporës që vinin në shtëpi. “Interesi, vetëdija dhe kujdesi i përshtatshëm janë rritur”, tha ai, duke pohuar se megjithatë ka prindër që vazhdojnë t’u injektojnë fëmijëve frikën nga qentë.

Por Kosova nuk ishte gati për qenin tim, Shegën. Ndërsa marrëdhëniet me komshinjtë ishin bërë më të tensionuara thjesht sepse qeni ishte aty, ajo ishte bërë më agresive ndaj këtyre përballjeve. Në dobi të çdokujt, vendosa që mund të qëndronte diku tjetër.

Ndërsa i afrohesha strehimores me diellin që ulej në horizont, nga radio e makinës luhej kënga soul e Anthony Hamilton “Do you feel me?”. Shega ishte fiksuar me peizazhin, si gjithmonë kur udhëton në një automjet.

Ferati po na priste. “Mos u shqetëso, do kujdesemi për të dhe mund të vish ta vizitosh apo ta marrësh sa herë të duash”, më tha. Shega nuk do flejë më në shtratin e saj poshtë këmbëve të mia dhe as do zgjohem nga hunda e saj a lagësht mbi faqen time kur alarmi do të tingëllojë për katërtën a të pestën herë. Por do jetë e lumtur në qendër, mendova, duke u miqësuar me qen të tjerë dhe duke vrapuar nëpër bar, çka në qytet nuk mund ta bëjë.

Tek kthehesha në Prishtinë m’u kujtua kur e mbaja në gji, ende këlysh, e sapogjetur duke qarë vetëm nën shi, pranë një koshi plehrash në Tiranë. Në makinë nuk kishte më muzikë. Muzgu i kuqërremtë më rrëshqiti mbi fytyrë dhe syzet e mia të errëta nuk e përmbanin dot.