Rrëfime për Jetën e Vullnetarëve

Vullnetarizmi mbi të gjitha, është shprehje e lirisë. Konsiderohet si një aktivitet altruist që ka për qëllim të promovojë të mirën dhe të përmirësojë cilësinë e jetës njerëzore. Përgjatë rrugës së jetës shumica i mbyll sytë, por ekziston një numër njerëzish që e harrojnë sakrificën personale dhe të mirat materiale karshi nevojave të të tjerëve. Kjo është drejtësia e tyre sociale.

Në jetën me orar të ngjeshur, koha e lirë për ta ndarë me të tjerët, kushton shumë. Por, përfitimet e të qenit vullnetar si për individin, ashtu edhe komunitetin, janë të mëdha.

Kur flitet për vullnetarizmin si koncept lokal, faktorë të shumtë historik janë ata që luajnë rol, por një rol të madh luan sidomos koha e rezistencës në vitet e 90-ta, nëpër të cilën ka kaluar popullata e Kosovës.

Për shkak të rrethanave, vullnetarizmi në ambientin tonë shpesh është parë jo vetëm si bamirësi po edhe si mbijetesë. Kjo kryesisht vlen për Kosovën e paraluftës, ndërkaq pas luftës, gjërat kanë ecur tjetërkah. Më e shpeshta që thuhet sot, është se kosovarët nuk kanë kulturë të vullnetarizmit, së paku jo të vullnetarizmit sistematik.

Por, altruistët në vendin tonë nuk është e vështirë t’i gjesh. Lista e motiveve të tyre është e ndryshme.

25 vjet vullnetar

Fadil Sopi, është një altruist i cili gjysmën e jetës e ka ndarë për të tjerët. Është 47 vjeçar dhe  polic me profesion. Ka 25 vite që punon vullnetar në organizatën humanitare “Nënë Tereza”.

Punën vullnetare e kishte nisur më 1990, në kohën e nisjes së krizës së madhe sociale dhe shtrëngimit të pushteti serb në Kosovë.

“Motivi është dëshira për mirëqenien e tjetrit në nevojë, dëshira për bamirësi”, thotë ai. Ndërkaq përfitimi shpirtëror për të, ka vlerë më shumë se çdo gjë.

Nëse para luftës së 1999-tës ishte më shumë një bamirësi për mbijetesën e shqiptarëve, sot është kriza sociale që e shtynë.

Ai është senior në vullnetarizëm dhe thotë se është rritur e mësuar me faktin e të qenit vullnetar.
Për ta kuptuar përkushtimin e gjatë, ka një përgjigje të shkurtër “Kur je vetë vullnetar, e dinë se çfarë do të thotë, e di se çfarë po bën”.

Për të, përkushtimi me gjithë qenien dhe energjinë për të tjerët, nuk mund të përshkruhet. Kënaqësia që merr thotë se i sjellë paqen dhe qetësinë shpirtërore. “Çdo natë kur e vë kryet në jastëk, jam i lumtur”.

Nga viti 2003 Fadili punon në Policinë e Kosovës. Me gjithë orarin e ngjeshur të punës, ai gjen kohën për misionin vullnetar.

 “Duhet vetëm vullneti dhe dëshira”,  thotë me modesti.

Angazhimi i tij i një punëtori të pa pagesë për një çerekshekulli, realizohet me daljen në terren dhe verifikimin e familjeve që jetojnë në varfëri të skajshme.

Thotë se të gjesh më të varfërin nga të varfërit për të gjithnjë është e dhimbshme.
Ai ishte 22 vjeç kur u anëtarësua në Shoqatën Nënë Tereza, në degën e Bregut të Diellit në Prishtinë.
Polici, i martuar e baba i katër fëmijëve, është i bindur se deri sa të ketë forcë e këmbë, do të vazhdojë të ndihmojë shoqërinë. 

Ndihmë të tjerëve duke ndihmuar veten

Çdo të premte ajo ndan disa orë nga jeta e vet për t’i kaluar me personat me aftësi të kufizuara.
Vlera Bokshi Ukmata, është 29 vjeçare, psikologe dhe nënë e dy fëmijëve, me banim në Prishtinë. Në orët që quhen orë kreative, gruaja e mbuluar me shami përpiqet të japë ndihmën e vet profesionale e njerëzore.

Vlera kishte nisur fillimisht të punojë në një projekt në organizatën joqeveritare HandiKOS, Shoqatë e paraplegjikëve dhe paralizës së fëmijëve, dega e Prishtinës.

Kontakti me persona me aftësi të kufizuara për të ka rezultuar në një mësim të mirë për vlerat e solidaritetit njerëzor. Puna e saj në projekt ka muaj që ka përfunduar, por aktivitetin në këtë organizatë tashmë e vazhdon si vullnetare.

Psikologja, e cila në aktivitetet ku merrë pjesë shpesh merrë më vete edhe të bijën 5 vjeçare, thotë se dëshiron të jetë një person që sadopak do të mund t’ua lehtësonte jetën personave me aftësi të kufizuara.

Ajo thotë se kanë një raport të shkëlqyer mes veti. Mbi të gjitha, për të, individët në nevojë që nuk marrin përkrahjen e duhur nga institucionet, mund ta marrin atë nga qytetarët.

“Ne si qytetarë duhet t’i ndihmojnë. Nëse shteti nuk e bën, ne mundemi të ndihmojmë qoftë në aspektin psikologjik, kreativ e qoftë vetëm si miqësi”. Ajo pranon se  një vullnetar merr më shumë nga ajo çfarë jep, sepse puna në vullnetarizëm ndihmon vetë individin dhe familjen e tij. Ndarja e kohës dhe energjisë me personat që kanë nevojë për të është shumë e rëndësishme.

Megjithatë për Vlerën, shoqëria kosovare mbetet pak e vetëdijësuar për vlerat e vullnetarizmit si akt qytetar. “Nuk është çështja veç me i jap dikujt diçka materialisht, por koha që ia kushton tjetrit, kjo është pika që te ne nuk vlerësohet sa duhet”.

Studentet që “ushqejnë” skamnorët

Këmbana në Kishën Shën Ndou në Prishtinë bie dymbëdhjetë herë. Është kohë dreke. Oborri i kishës mbushet njerëz të varfër që duan ta mbushin barkun. Një “rutinë” kjo e zakonshme e të pastrehëve e të pabukëve.

Motër Vera ngutet të mbarojë gjellët e vëna në zjarr. Në kuzhinën e saj popullore, të hapur 7 vjet më parë dhe e cila në ditë ushqen rreth 130 gojë, janë dy vajza që i bëhen dy krahë më shumë. Të trija nxitojnë për të mbushur barkun e skamnorëve. Loreta Marleku, 21 vjeçe, dhe Donika Jetishi, 24. Loreta vjen nga Klina, Donika nga Gjakova. Të dyja studiojnë një fushë që në bazë ka humanitetin, mjekësinë.

Ka një vit e gjysmë qysh kur studentja nga Klina kishte nisur punën e saj vullnetare në ndihmë motrave të kishës Shën Ndou. Loreta është çdo ditë aty. Ajo që ka fituar në këtë përvojë thotë se është shpirtërore, të cilën të tjerët mund të mos e kuptojnë.

Vajza e re pohon se është kënaqësi të ndihmosh, t’u shërbesh atyre që kanë nevojë. “Ne i kemi krejt të mirat, por dikënd e bën të lumtur me atë pak që i jep”. Loreta është e bindur se secili njeri mund të ndajë pak nga koha e tij për tjetrin. Të gjithë kanë kohë, qoftë edhe gjysmë ore në ditë, thotë vajza që kalon deri në shtatë orë punë vullnetare në kuzhinën e kishës. “Dikush ka nevojë vetëm për një fjalë të mirë, më shumë se për bukën e gojës”.

Donika Jetishi, kohën e lirë ndërmjet ligjëratave në fakultetin e Mjekësisë, ngre mëngët në kuzhinën popullore. Donika ndjek vitin e gjashtë të studimeve, ndërkaq punën si vullnetare e realizon në tri-katër ditë gjatë javës.

Ajo thotë se angazhimi në kishë e ka bërë të shoh anën e errët të realitetit kosovar. “Familja ime gjithnjë ka pas kushte të mira, puna këtu më ka bërë të shoh ekstremin e varfërisë”. Donika ka qëndrim kritik ndaj të rinjve që në çdo veprim duan përfitim material dhe është e bindur se përfitimet nga bamirësia janë shumë më të mëdha. Pasuria shpirtërore mbi të gjitha.

“Kurrë nuk e dimë çka na sjellë jeta. Paraja nuk është gjithçka, e ndoshta prej një pune vullnetare, del një punë që paguhet”. Për pak vullnetarja e re do të marrë diplomën në mjekësi, dhe nëse diploma nuk do i ndihmojë të gjejë punë në profesion, ajo beson se përvoja në punë vullnetare mund t’i shërbejë si një plus i madh.

Nga vullnetarët në lider

Egzon Pacolli, një vullnetar/aktivist i dalluar mund të jetë një ndër shembujt më të mirë se si të rinjtë e Kosovës arrijnë të plotësojnë veten dhe t’i shërbejnë komunitetit.
Egzoni është 18 vjeçar, ka mbaruar gjimnazin në shkollën e mesme Eqrem Çabej dhe tashmë ndjek vitin e parë të studimeve universitare.

Është lider i të rinjve vullnetar të Kryqit të Kuq në degën e Prishtinës, degë kjo që numëron rreth 500 aktivistë. Egzoni thotë se puna vullnetare e rriti dhe e bëri atë që është sot.

“Angazhimi im i vazhdueshëm në aktivitete dhe punë vullnetare, ka qenë eksperiencë shumë e mirë, e dobishme dhe më ka ndihmuar në rrugën për t’u kyqur në nivele tjera”.

Ai u shqua në trajnimet që Kryqi i Kuq mban në shkollat e mesme të Kosovës, për t’u ngritur deri te pozita e udhëheqësit të të rinjve. Angazhimin e nisi me aktivitete, aksione humanitare, fushata vetëdijësuese dhe trajnime për bashkëmoshatarët, për ndihmën e parë dhe sëmundje të ndryshme.

“Përmes vullnetarizit përhapet një e mirë”, thotë më bindje Egzoni. Ai sot ka miq e shoqëri të gjërë, të cilët bashkë mundohen të luftojnë për një jetë më të mirë dhe më të kujdesshme ndaj rreziqeve të mëdha. Një nga miqtë dhe ndjekësit e tij është Vigan Canolli, 17 vjeç, nxënës në shkollën e mesme Eqrem Çabej.

Vigani ka vetëm pak muaj që kur është angazhuar në vullnetarizëm. Adoleshenti dëshiron të njohë, të mësojë e të mund t’i ndihmojë shoqërinë ku jeton. “Kam kohë dhe dua që bashkë me vullnetarët tjerë të rinj të jap kontributin tim”.

Vullnetarizmi në Kosovë, para dhe pas luftës

Një kauzë ku shpenzohet koha, mundi dhe talenti pa përfitim financiar. Vullnetarizmi luan rol të rëndësishëm në sektorë të ndryshëm siç është edukimi, rinia, kultura, sporti, ambienti, shëndeti, kujdesi social, ndihma humanitare, politika të zhvillimit, hulumtime e mundësi të tjera.

Njerëz që punojnë në fushë dhe vetë vullnetarët kur flasin për vullnetarizmin në Kosovë, e ndajnë atë në dy kohë, para dhe pas luftës së 1999-tës. Faktorët historik dhe rrethanat e vështira kanë bërë që kosovarët të jenë më human me njëri-tjetrin në periudhën para luftës, thonë ata.

Pas luftës ndërkaq, me gjithë rritjen e numrit të organizatave humanitare dhe qasjen e lehtë në aksione humanitare, sidomos nëpërmjet mediave e rrjeteve sociale, dëshira për të ndihmuar është zvogëluar.

Të shumtën e herave rrugën nga ndërtesa pranë Rektoratit të Universiteti të Prishtinës ku banon, deri në zyrën e punës në lagjen Dardania e përshkon vetë, në karrocën e personave me aftësi të kufizuar. Faruk Kukaj, 50 vjeç, thotë se në tridhjetë vitet sa është pjesë e organizatës joqeveritare HendiKos, nuk i kujtohet nëse dy o tri veta kanë hapur derën e kësaj organizate, degës në Prishtinë, për të ofruar ndihmën e tyre pa ndonjë përfitim.

Ajo që në shtetet e zhvilluara të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e sistemuar nga shteti, ndihma ndaj personave me aftësi nuk vlen në Kosovë, thotë me keqardhje Faruku. “Ne si komb, akoma nuk kemi kulturë të vullnetarizmit”.

Ai është menagjer i degës së Prishtinës të kësaj organizate dhe njeriu që ka luftuar shumë për një progres të personave me aftësi të kufizuara, por ajo që është arritur për të, nuk është e kënaqshme.

“Jemi shumë larg përkrahjes dhe integrimit në shoqëri”, thotë derisa ironizon me fushatat dhe ligjet për personat me aftësi të kufizuara. Sa herë del jashtë shtëpisë e jashtë zyrës, ka nevojë për asistentë për shkak të rrugëve të papërshtatshme për karroë të hendikepëve, dhe këtë asistencë e siguron vetëm nepërmjet anëtarëve e vullnetërve të kohë pas kohshëm në HandiKos.

“Krijo mundësi, të gjithë të barabartë!” thotë motoja e reklamës së re të Qeverisë së Kosovës për këtë kategori.

Hasan Mustafa ka gjashtë vjet i angazhuar në Kryqin e Kuq të Kosovës. Për tri vite është angazhuar si vullnetar, për të zënë tri vjet më vonë punë të rregulltë në postin e sekretarit të kësaj organizate. Për Mustafën vullnetarizmi ka një bazë të mirë në familjen nga vjen individi.

Humaniteti në familjen e tij, thotë se është një traditë, sipas së cilës ai ka vazhduar kontributin e vet në shoqëri. Për të vetë shoqëria shqiptare ka një dell të mirë humaniteti, duke qenë gjithnjë e rrezikuar, ajo ka arritur të mobilizohet duke e ndihmuar njëri-tjetrin, gjë e cila, pas luftës në Kosovë, ka ndryshuar jo për të mirë.

Organizata që numëron më se 5000 anëtarë nga të gjitha fushat, numrin më të madh e regjistron nga nxënësit e shkollave të mesme. Mustafa thotë të rinjtë janë më të gatshëm për ndihmë vullnetare, kjo mbase dhe për përvojën dhe aftësitë e ndryshme që përfitojnë.

“Puna si vullnetar është një plus i madh për të gjithë, e sidomos për rinjtë, si në aspektin njerëzor, ashtu edhe në atë profesional”.

Solidariteti është forcë

Është motoja e Shoqatës Humanitare Bëmirëse të Kosovës “Nëna Terezë”. Organizata joqeveritare që mban emrin e një nga humanisteve më të mëdha që ka njohur bota, qe themeluar në vitin 1990 nga një grup intelekualësh kosovar, si rezultat i gjendjes së rëndë sociale të krijuar në Kosovë, në fillim të viteve të 90-ta.

Roli i saj ka qenë i jashtëzakonshëm në kohën e qëndresës në Kosovë, mbrojtjen e famijeve të rrezikuara, ndihmën shëndetësore, ndihmën në periudhën e luftës, në periudhën e emergjencës së pasluftës dhe në projekte tjera. Sot numëron 4800 anëtarë që angazhohen kohë pas kohe.

Drejtori i shoqatës Nënë Tereza, Zef Shala, thotë se mbështetja e familjeve në nevojë mbetet misioni kyç i saj. Për të si udhëheqës është e rëndësishme që të gjithë të tregojnë përgjegjësi për t’i mbrojtur njerëzit e varfër. Një mundësi të tillë të ofron puna vullnetare. “çdo ditë na shtohen familje të reja të cilat kanë nevojë për përkrahje të menjëhershme si në strehim, ashtu edhe në materiale për mbijetesë”, thotë , duke iu referuar të kthyerve në Kosovë nga ajo që u quajt eksodi i dytë.

I angazhuar që në themelimin e organizatës, Shala pohon se kosovarët dikur kanë pasur një ideal, ndërsa ajo çfarë sot kanë marrë, nuk është ajo çfarë kanë pritur. Për të, derisa vullnetarët po zvogëlohen në numër, kërkesat për ndihmë veçse po rriten.

Arsyet dhe motivet përse individët zgjedhin të kontribuojnë me punën e tyre bamirëse në shoqëri, janë të ndryshme.  Thonë se ata që kohën e ndajnë për të tjerët në nevojë, me pak angazhim dhe punë për shoqërinë, janë njerëz që besojnë dhe thellësisht dëshirojnë që t’u bëjnë jetën më të lumtur njerëzve prej të cilëve rrethohen, dhe njëkohësisht botën ta bëjnë një vend më të mirë.