Ilustrim

Milionat që mallkojnë “Bijën e mallkuar”

“E dashura ime, – tha ai, – kur mendoj rreziqet që përballon ti për të ardhur këtu të ngrohësh zemrën time, qortoj vetveten; e gjykoj veten të padenjë për ty, për dashurinë tënde, e cila është tërë jeta ime, dhe, duke pyetur zemrën time, kërkoj në atë tënden besimin e pakufishëm, skuqem prej egoizmit. Oh! Shumë herë e teproj, e kaloj kufirin!”

Ky është një fragment i shkëputur nga romani i letërsisë franceze “Bija e Mallkuar” e autorit Emile Rishëburg.

Aty shfaqet dashuria e djaloshit të panjohur ndaj Luçias, pranë një ure të vogël. Ai po i falënderohej asaj për sakrificën që po e bënte çdo ditë për t’u takuar me të, me gjithë rreziqet që mund t’i bartte asokohe.
Fati i saj i hidhur i cili u bë edhe shkas i autorit për titullin e romanit, zuri hapësira bibliotekash, për të treguar shpërfillje kufijsh mes sistemit që njihte kufizime dhe dashurisë që s’kishte perde.

Mbase Luçia e kishte ndarë mendjen të mallkohej për hir të një ideali, asaj ndoshta nuk i kishte shkuar mendja se fatin e saj do ta kenë në duar shumë njerëz. Ndoshta ajo do të pajtohej me këtë, por assesi që mallkohej në duart e tyre.

Mallkimi dhe shpërfillja e fatit të saj vjen nga Biblioteka Rajonale e Gjilanit “Fan S. Noli”. Ky libër tashmë qëndron në njërin nga raftet e saj, i grisur e i mykur dhe pothuajse i papërdorshëm.

Biblioteka është ndërtuar në fillim të viteve të 50-a. Rreth 80 mijë libra rrezikojnë ta kenë fatin sikurse “Bija e mallkuar”. Enterieri dhe kushtet e vështira në të cilat qëndrojnë këto libra rrezikojnë këtë resurs të dijes. 

Janë rreth 700 nxënës e studentë që janë regjistruar në vitin 2014 për ta shfrytëzuar hapësirën e bibliotekës së vjetër, e cila ka kapacitet vetëm për 50 persona. Nxënësit dhe studentët e kësaj komune në mungesë të një biblioteke të re, tani mësojnë në një hapësirë shumë të vogël, me më pak se një metër katror për person.

Rreth 65 vjet nga koha e ndërtimit të saj, ajo nuk pati fatin ta shijonte erën e bojërave të reja. Kërkesat për regjistrim në bibliotekën e vjetër është shumë  e madhe. 

“Më shumë se 1 mijë  studentë kanë kërkuar që të vijnë e të mësojnë gjatë vitit 2014 në këtë bibliotekë”, thotë Shqipe Latifi – përgjegjëse e sektorit për huazimin e librave në bibliotekën “Fan S. Noli”.

Kushtet në të cilat gjendet biblioteka, thotë Shqipja, nuk jep mundësi që t’i pranojnë nxënës të shkollave të mesme dhe atyre fillore që të vijnë e të mësojnë në bibliotekë, por vetëm që të marrin libra për t’i lexuar.

“Për mos me pas probleme dhe zënka për vende, jemi detyruar që të mos i pranojmë nxënësit”, shton më tej Shqipja.

Gazmend Shabani, student i komunës së Gjilanit, i cili është vizitor i rregullt i kësaj biblioteke, thotë se ndërrimi i stinëve për ta është shumë i vështirë – dimrit aty është ftohtë ndërsa verës është shumë nxehtë.

“Dimrit nuk lëshohen ngrohjet, termostatin për një termo 6 muaj nuk kanë arritur ta rregullojnë, edhe pse ne kemi shprehë gatishmërinë ta paguajmë vetë këtë pajisje. Mirëpo, askush nuk ka reaguar”, tha Shabani.

Kurse Ylli Osmani i cili është ndër studentët më të vjetër të kësaj biblioteke, problemin kryesor e ka ta gjejë një vend se ku të ulët për të lexuar.

“Jam student prej 7 vitesh në bibliotekë, por problemi i gjetjes së një vendi për të mësuar është shumë i madh,  sidomos gjatë kohës së provimeve, duhet me ardh para punëtorëve të bibliotekës këtu, me i pritë poshtë punëtorët që e kanë çelësin, me i pritë kur të vijnë me hapë derën, që me arrit me zënë vend”, rrëfen ai për vështirësitë.

BE-së i dështoi tenderi për ndërtimin e bibliotekës

Bashkimi Evropian në vitin 2011 dha një donacion rreth 2 milionë euro për ndërtimin e bibliotekës së re. Por i doli telashe me kompaninë kontraktuese “Albes”. Biblioteka nuk u ndërtuar as tash pas 4 vjetësh.
“Sa i përket Bibliotekës Rajonale në Gjilan, gjatë implementimit të punimeve mosmarrëveshjet me kontraktuesin nuk kanë mundur të zgjidhen miqësisht”, ka thënë Fatmire Terdevci, përfaqësuese e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Ajo tha se ndërtimi i bibliotekës ka kaluar në  çështje ligjore dhe si rrjedhojë e kësaj Zyra e BE-së nuk mund të hyjë në sqarime më të hollësishme lidhur me ndërprerjen e projektit.

Megjithatë, Terdevci nuk shpjegoi se çka nënkupton më çështje ligjore, duke e quajtur atë si informacion konfidencial.

“Pasi kjo është bërë një çështje ligjore, Zyra e BE-se nuk mund të hyjë në sqarime më të hollësishme lidhur me projektin”, tha ajo.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, thotë ajo, do t’i bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme në mënyrë që të ri-tenderohen punimet.

“Punimet pritet të rifillojnë në pjesën e katërt të vitit 2015. Zyra e BE-së do të bëjë gjithçka që mund të bëjë dhe që është e nevojshme për ta përfunduar këtë projekt”, shtoi ajo.

Sipas saj, ky projekt pritet që të përfundojë në vitin 2016.  Deri me tash biblioteka e re ka të përfunduar vetëm katin e parë punimet e të cilit janë kryer gjatë vitit 2011.

Por pronari i kompanisë së kontraktuar nga BE-ja “Albes”, Ramadan Mavraj thotë se ata  në fund të vitit 2011 u kontraktuan nga zyra e BE-së  në vlerë rreth 2 milionë euro, që të kryejnë punimet në këtë bibliotekë. Kjo shumë, sipas Mavrajt, nuk ishte e mjaftueshme që të kryhet puna e kontraktuar.

“Një milion e 500 mijë euro është dashtë vetëm për beton me pagu BE-ja, ndërsa i gjithë projekti ka qenë 1 milion e 900 mijë euro”, thotë Ramadan Mavraj.

Për t’i përfunduar punimet ai thotë se, përveç atyre 2 milionë eurove që i ka ndarë BE-ja, është dashur të marrin para më shumë se 3 milionë euro shtesë. Dhe kur këto shuma iu cekën Zyrës së BE-së, ai thotë se ata vendosën që ta shkëpusin kontratën.

“Në fund të vitit 2013 ne e kemi paditur Zyrën e BE-së, për shkelje të kontratës”, thotë pronari i kompanisë kontraktuese “Albes”.

Pavarësisht telasheve mes Zyrës së BE-së dhe kompanisë “Albes”, pronari i kësaj të fundit shprehet optimist se brenda këtij viti do ta nënshkruajnë prapë kontratën për vazhdimin  e punimeve të mbetura në gjysmë.

“Kur ka me u nënshkruar kontrata nuk e di, por ne tashmë kemi një marrëveshje gojore me BE-në se ne do t’i vazhdojmë punimet dhe se për këto punime na duhen 400 ditë punë nga data e nënshkrimit të kontratës që t’i dorëzojmë çelësat e bibliotekës”, shtoi Mavraj.

Ai nuk tregon se për çfarë shume bëhet fjalë në lidhje me vazhdimin e kontratës së re, por thotë se do ta kalojë shumën e kontratës së parë që ishte rreth 2 milionë euro.

Ndërsa Ismail Januzi, drejtor i Zhvillimit Ekonomik në Gjilan, tha se ata çështjen e Bibliotekës Rajonale të Gjilanit e kanë ngritur disa herë si problem.

“Në muajin shkurt, me referencë të kryetarit të komunës Lutfi  Haziri, ne i kemi shkruar letër Zyrës së BE-së për ta pyetur se si po shkojnë punët, dhe për ta ngritur shqetësimin tonë në lidhje me këto vonesa. Por ata s’janë përgjigjur”, tha Januzi.

Projektin e Zyrës së BE-së për ndërtimin e bibliotekës ai e quan si të dështuar.

“Neve na ka dëmtuar shumë vonimi i këtij projekti, pasi që biblioteka e vjetër tash është në një gjendje shumë të vështirë dhe hapësira është shumë e vogël për shfrytëzim nga ana e nxënësve dhe e studentëve dhe kjo është shqetësuese”, shtoi ai. 

Tekstit i kontribuoi edhe Albesa Aliu