Mbështetësit e Muçajt Akuzohen për Mashtrim

Në listën mbështetëse për Florent Muqajn anëtarin e KPK-së të dërguar nga OJQ-ja “OMNES” gjenden organizata që nuk kanë të bëjnë me drejtësinë dhe kanë për aktivitet sportin. Përfaqësuesit e tyre thonë se nuk e dinë se si emrat e tyre përfunduan në letrën e “OMNES-it” dhe se nuk kanë njohuri se kush është Florent Muçaj. 

Lista e Organizatave të Shoqërisë Civile e cila iu dërgua javën e kaluar Këshillit Prokurorial të Kosovës nga OJQ “OMNES”, për t`i dhënë mbështetje anëtarit të kontestuar të shoqërisë civile në KPK, ka në përbërje emra të  OJQ-ve që nuk kanë fare të bëjnë me avokim në fushën e drejtësisë. 

Në këtë listë ka edhe organizata të cilat janë shuar, organizata që nuk e zhvillojnë asnjë aktivitet, apo që janë në themelim e sipër, apo edhe organizata që aktivitet kryesor të tyre e kanë sportin. 

Një pjesë e organizatave joqeveritare të cilat janë pjesë e letrës dërguar KPK-së, në bazë të të dhënave që i kanë në Departamentin për Organizata Joqeveritare në Ministrinë e Administratës Publike, nuk kanë asnjë lidhshmëri me natyrën e punës së Këshillit Prokurorial të Kosovës. 

Madje, disa prej përfaqësuesve të organizatave joqeveritare që figurojnë aty deklarojnë se nuk janë pyetur fare nga dërguesi dhe se nuk janë në dijeni për përmbajtjen e saj.

“OMNES”-i dërgoi në KPK letër mbështetëse për Muçajn pas letrës së dërguar nga njëmbëdhjetë OJQ të mëdha që njoftuan Këshillin… se janë distancuar nga deklarimet dhe secili veprim i ndërmarrë nga Florent Muçaj, përfaqësuesi i kësaj shoqërie në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

http://live.kallxo.com/sq/MTL/Shoqeria-Civile-Distancohet-nga-Fjalet-dhe-Veprimet-e-Florent-Muqajt-5297

 “OMNES”-i është organizata e cila e ka nominuar Florent Muçajn për të përfaqësuar shoqërinë civile në Këshillin Prokurorial të Kosovës. 

Afrim Bahtijari, përfaqësues i Organizatës Joqeveritare “Qendra për Trajnime dhe Këshillime Psikologjike – Frena”, i kontaktuar nga KALLXO.com-i, tha se nuk është fare në dijeni se emri i organizatës së tyre është pjesë e letrës e cila i është dërguar KPK-së për t`i dhënë mbështetje përfaqësuesit të shoqërisë civile Florent Muçaj. 

Bahtijari tha se organizata e tyre nuk e zhvillon asnjë aktivitet. 

“Kjo shoqatë është shuar dhe për momentin nuk funksionon që gati një vit. Neve nuk na kontaktuar askush rreth letrës që i është dërguar Këshillit Prokurorial”, tha Bahtijari.

I pyetur se: A e di se kush është Florent Muçaj ? Bahtijari është përgjigjur: “Nuk e di ndoshta kam dëgjuar për të, por nuk e njoh”, tha ai.

Berat Mavriqi, përfaqësues i OJQ “Klubi i Parkourit ATOM3RUN”, tha se aktiviteti kryesor i organizatës së tyre është sporti i parkourit që është një lloj i kërcimeve ekstreme. 

Edhe Mavriqi tha se askush nuk i ka kontaktuar rreth letrës e cila i është dërguar KPK-së. Mavriqi, tha se nuk e di se Muqaj është anëtar i KPK-së si përfaqësues i shoqërisë civile.

“Veprimtaria jonë kryesore është sporti, unë nuk e di kush është Florent Muçaj, neve nuk na ka kontaktuar askush. Ndoshta dikush prej mbikëqyrësve tjerë të shoqatës mundet me qenë në dijeni, por unë nuk kam njohuri”, ka deklaruar Berat Mavriqi.

Endrit Kadriu, përfaqësues i OJQ “Kosova në Lëvizje”, organizatë kjo e cila po ashtu figuron në listën e cila i është dërguar KPK-së për t`i dhënë mbështetje Florent Muqajt, tha se veprimtari primare e organizatës së tyre janë aktivitetet kulturore. 

Kadriu tha se nuk e njeh Florent Muçajn, edhe pse në letrën e cila i është dërguar KPK-së emri i organizatës së Kadriut figuron në mesin e disa organizatave tjera.

“Kërkush nuk na ka thirrë me na pyet për këtë, është hera e parë me juve që po bisedoj lidhur me këtë, ju më lajmëruat për atë letër. Me ta thënë të drejtën as nuk po e njoh, e as nuk po e di se çka është puna e kësaj. Po besoj se veç e paskan shti emrin, sepse ne nuk kemi kontakte, as që e di se kush është”, ka thënë Endrit Kadriu.

Shpend Baftiu, përfaqësues i OJQ “Klubi i Parkourit Air RUN”, tha se organizata e tyre ende është në themelim e sipër dhe se nuk e di fare se çka është Këshilli Prokurorial i Kosovës. 

“A mundeni mem kallxu për çka është dërguar ajo letër, për çfarë arsye. Nuk e njoh Florent Muçajn, s`më paska ra rasti me dëgjua për këtë emër”, tha Shpend Baftiu. 

Në anën tjetër, Përparim Gruda, përfaqësues i “Organizatës  për Hulumtime Juridike dhe Sociale  “OMNES”, tha se nuk është e domosdoshme që veprimtaria e OJQ-ve të cilat janë pjesë e letrës mbështetëse për Florent Muçajn dërguar KPK-së të lidhet direkt me fushën e drejtësisë. 

Sipas tij, të gjitha organizatat joqeveritare të cilat janë pjesë e letrës mbështetëse janë kontaktuar dhe pyetur paraprakisht. 

“Ta gjitha  organizatat janë kontaktuar, edhe janë taku personalisht edhe kemi biseduar për këtë çështje. Edhe në fakt ato janë pajtuar të gjitha që me mbështet. Në fakt ato kanë qenë në dijeni edhe përpara se me u zgjedh Florenti në rolin e anëtarit të Këshillit Prokurorial. Por në ndërkohë kemi biseduar edhe njëherë për me marrë konfirmimin edhe njëherë”, tha Gruda. 

Ndryshe, javën e kaluar me 13 mars, derisa në Këshillin Prokurorial të Kosovës po mbahej mbledhja, ku pritej të diskutohej për shkarkimin e u.d. të kryeprokurorit të shtetit Sylë Hoxha, OJQ “OMNES”, në emër të disa organizatave të shoqërisë civile ka dorëzuar një letër mbështetëse për anëtarin e KPK-së Florent Muçaj. 

Hoxha është akuzuar nga Sevdije Morina, anëtare e KPK-së, se ka intervenuar që Muçaj të emërohet si përfaqësues i shoqërisë civile në KPK. 

Hoxha e ka mohuar këtë dhe i ka sugjeruar Morinës që nëse ka dyshime le të nis hetime bazuar në mandatin e saj si prokurore.