Përtej Kufirit të Dhunës

R. A. nuk i pëlqen të flasë për historinë e vet. Edhe atëherë kur flet, flet shkurt e me pak fjalë, kjo ndoshta pse ëndrra e lumturisë me burrin e jetës do të niste ngadalë rrugën e saj me plot tmerre.

Ajo përjetoi dhunën që burri me të cilin u martua në vitin 1998 nisi ta ushtrojë vazhdueshëm mbi të, ikjen prej tij, jetën në strehimore, luftën e gjatë për një kulm mbi kokë dhe luftën për bukën e gojës.

Tetë vjet më vonë, R.A rron bashkë me dy fëmijët, vajzën 15 vjeçare dhe djalin 16 vjeç, në një apartament të lirë me qira në Gjakovë, nga i cili disa herë e kanë nxjerrë jashtë, për shkak të pagesës së vonuar.

Me 65 eurot e ndihmës sociale me të cilat paguan qiranë dhe punën e kohëpaskohshme si pastruese, gruaja 42 vjeçare thotë se jeta është tepër e vështirë.

Tregon se burri me të cilin ndau nëntë vjet martese pa kurorë, asnjëherë nuk u dënua.

Atij iu dha vetëm një ndalesë afrimi prej njëqind metrash, në kohën kur e shoqja e denoncoi në polici. Fëmijët atëkohë në moshën 8 dhe 9 vjet deklaruan se duan të rrinë me të ëmën, derisa i ati që nga ndarja s’ka paguar asnjë cent për ndonjërin nga ta.

“Asnjeri, asnjë institucion, askush nuk më ka ndihmuar”, thotë R.A.

Historia e saj është vetëm një nga historitë e shumta të grave shqiptare që kanë kaluar nëpër dhunën familjare.

Lufta psikosociale

Burbuqe Mehmeti, mikja që i ka qëndruar pranë R. A. dhe me të cilën për katër vjet kanë ndarë kulmin dhe qiranë, hallet dhe mërzinë, thotë se jeta e vështirë e ka mësuar të luftojë fort, por se lufta e saj sot më shumë se për veten, është luftë për jetën e dy djemve.

Burbuqja, e lindur dhe e rritur në Prishtinë qe martuar në Podujevë më 1999, por ëndrra e jetës së lumtur edhe për të do të merrte fund shpejt.

Në vitin e tetë të martesës bashkëshorti i iku dhe u rimartua në Gjermani, duke e lënë të vetme me fëmijët e moshës gjashtë dhe tetë vjeç. Familja e burrit do të niste dhunën dhe shpejt do t’ia tregonte derën, duke e shtyrë të marrë bijtë e të ikë larg vendlindjes e larg shtëpisë.

“Ai është penduar tash” thotë gruaja që në moshën 34 vjeçare i ka dhënë fund jetës në çift. Ish-bashkëshorti tashmë ka nisur t’ia paguajë qiranë e apartamentit ku rron me dy djemtë e mitur

“Unë e kam mbyllur jetën si grua, për të qenë vetëm nëna e djemve”, thotë gruaja luftarake, vuajtjen e madhe të së cilës në 42 vjetët e saj e kanë zvogëluar dy djemtë, që sot po i bëhen dy krahë të fuqishëm.

Strehimin e gjeti në “Shtëpinë e Sigurt” në Gjakovë ngjashëm si R.A që banoi aty përkohësisht.

“Shtëpia e Sigurt”, një organizatë kjo joqeveritare e hapur në vitin 2000, ka për qëllim të strehojë dhe rehabilitojë viktimat e dhunës në familje, nënat me fëmijët dhe viktimat potenciale te trafikimit.
Çdo vit strehimorja pranon nga 70 deri 80 raste të viktimave që kërkojnë ndihmë.

“Kur del nga strehimorja, del vetëm në forcat tua, mbështetesh vetëm në veten. Askush nuk lodhet, askujt nuk i intereson”, thotë ajo.

Kështu flet gruaja që me profesion është juriste dhe e cila vetëm kohë pas kohe arrin të gjejë punë si shtëpiake.

Sakibe Doli, drejtoreshë e strehimores, thotë se disa grave u mundësohet të gjejnë punë me orar të plotë, ndërkaq të tjerat varen nga kërkesat e qytetarëve që thërrasin në SOS linjën e strehimores për të kërkuar pastruese ose kujdestare pleqsh e fëmijësh.

Shumicën e parave të fituara, sipas saj, gratë i ruajnë për fazën e rintegrimit.

“Ne kemi edhe një fermë të vogël të bletëve për ato gra që shprehin interes të trajnohen në këtë drejtim. Disa grave u kemi siguruar nga tre-katër koshere”, thotë Doli.

Në Kosovë askush nuk e di me saktësi se sa është numri i viktimave të dhunës ndaj gruas.

Megjithatë numri i rasteve të lajmëruara në organet kompetente është trefishuar nga viti 2003 e këndej. Sipas statistikave të Zyrës së Kryeprokurorisë së Shtetit numri i veprave penale të dhunës së kryer në familje në fund të vitit 2014 ka shkuar mbi 1000, nga 314 sa qe regjistruar në vitin 2003.

Nga strehimorja te jeta në rrugë

Një grua troket në derën e mbyllur me çelës të Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë. Në duar mban thasë të zinj me rroba të përdorura grash e fëmijësh. Shqipja thotë se mundohet të ndihmojë me ato që ka dhe ndihmat në rroba që ka arritur t’i mbledhë nga mikeshat.

Kjo qendër është strehimorja e parë në Kosovë e themeluar më 1999.

Naime Sherifi, drejtoreshë e kësaj organizate joqeveritare, tregon se numri më i madh i viktimave vijnë nga dhuna në familje.

Qendra, sipas saj, është i vetmi vend ku ato mund të kërkojnë ndihmë dhe të sigurojnë përkohësisht një kulm mbi kokë.

“Ne s’kemi shkop magjik, por mundohemi t’i ndihmojmë të mos ndihen të izoluara. Ato e vuajnë burgun pa asnjë faj,” thotë Sherifi.

Sherifi thotë se nuk ka ndonjë afat kohor se sa mund të qëndrojnë në strehimore, por se e gjitha varet nga rasti. Përpjekjat e para janë ato të pajtimit të palëve. Në rast dështimi gratë dhe fëmijët deri në 14 vjeç qëndrojnë të izoluar deri sa të gjejnë një zgjidhje.

Por kjo derë kalimtare ndonjëherë shndërrohet në derën e fundit në shoqërinë në të cilën dhuna familjare sistematike, tradicionalisht nuk është parë si krim. Çka pas strehimores dhe ku?

Një numër i madh i grave viktima detyrohen të kthehen në shtëpitë e burrave të dhunshëm, duke shtuar kështu numrin e rasteve recidiviste.

Në zinxhirin nga lajmërimi i rastit deri te riintegrimi në shoqëri, hallka e këputur që e kthen gjithë procesin mbrapsht, është punësimi dhe vendbanimi.

“Në këtë pikë jemi në nivelin zero”, thotë drejtoresha e strehimores në kryeqytet.

Mbrojtja ligjore

Tre vjet i janë dashur Kosovës së pasluftës së viteve 98-99 që të krijonte mekanizmat e veçantë që do të merreshin me përfaqësimin e interesave të viktimave të krimit në sistemin e drejtësisë gjatë procedurave gjyqësore.

Deri në vitin 2002 nuk ka pasur një organ institucional që merrej me mbrojtjen ligjore të viktimave, këtë rol e patën luajtur organizatat joqeveritare. E formuar në vitin 2002-2003 Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, sot është një zë i fortë në shërbim të viktimave të krimit në proceset gjyqësore.

Basri Kastrati menaxher i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave që vepron në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorisë së Shtetit, thotë se në aspektin ligjor shteti e përkrahë mjaft mirë këtë kategori të viktimave, madje pohon se Kosova është vendi i parë në rajon që e ka mbrojtësin i cili merret ekskluzivisht me përfaqësimin ligjor të të drejtave të viktimave gjatë gjithë procesit.

Udhëheqësi i zyrës qendrore që funksionon edhe me shtatë zyra regjionale thotë se raporti polici, mbrojtës i viktimave, punëtor social, prokurori dhe gjykatë funksionon mirë, por shton se “Ajo që ende mbetet sfidë për institucionet dhe shoqërinë civile është riintegrimi i viktimave në shoqëri”.

Kastrati beson se këtë vit Kosova mund ta fitojë Ligjin për Kompensimin e Viktimave, ekzistenca e të cilit sipas tij, do të krijonte një mundësi më shumë drejt kthimit në jetën normale.

Riintegrimi ka koston e lartë

Në Kosovë ekzistojnë pako të përgjithshme të cilat ofrojnë aftësimin falas në vetëm tri-katër fusha, atë të kulinarisë, të rrobaqepësisë, të furrtarisë apo të pastiçerisë, pako këto që mundësohen nga Qendrat për Aftësimin Profesional, në  kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Po ashtu qendrat ofrojnë edhe kurse me pagesë për aftësimin në përdorimin e kompjuterëve dhe punës në administratë, por që sipas viktimave kanë çmime të papërballueshme.

Pavarësisht kësaj, aftësimi e zotërimi në ndonjërin nga këto zanate, nuk u siguron patjetër vend pune.

Se krijimi i një jete normale i këtyre rasteve bie pre e kostos së lartë, e pohon edhe drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vehbi Mujku.

Ai thotë se shteti i ri në këtë aspekt ka dështuar.

“Programi i strehimit është mjaft i kushtueshëm dhe ende nuk është arritur të bëhet një zgjidhje afatgjate dhe e qëndrueshme nga asnjëri nivel, qoftë qendror, apo komunal”, thotë ai.

Ndihmat jo të mjaftueshme nga shteti

Nazife Jusufi, drejtoreshë e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Gjilan, e hapur në vitin 2003 nga organizata e grave “Liria’, thotë se shteti nuk e ka në agjendë kujdesin ndaj viktimave të dhunës.

“Ato duhet të luftojnë krejt të vetme pa ndihmën e institucioneve,” ankohet Jusufi..

Jusufi thotë se përpjekjet janë të shumta, por rezultat nuk çojnë edhe në zgjidhjen e tyre. Viktimat prapë detyrohen të mbështeten vetëm në veten.

Ndonëse komunat e mëdha në Kosovë kanë të ndara objektet që shfrytëzohen si objekte për rastet sociale, dyert e tyre duket se janë të mbyllura për viktimat e dhunës në familje.

Numri më i madh i banesave sociale është i zënë nga rastet që emërtohen si familje dëshmorësh lufte apo familje të invalidëve të luftës, raste këto të cilave u jepet prioritet.

Udhëheqëse të Qendrave për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë, si dhe viktimave të dhunës, thonë se kërkesat dërguar zyrtarëve komunalë kanë ditur vazhdimisht të marrin përgjigje negative- Nuk ka vend për ju! Pavarësisht marrëveshjeve dypalëshe strehimore-komunë për t’u dhënë përparësi rasteve sociale që evidentohen si viktima të dhunës.

Por Vehbi Mujku nga Qendra për Punë Sociale në kryeqytet, thotë se të gjithë janë të barabartë, por se përfitimi i një vendbanimi afatgjatë varet nga numri i pikëve që plotësojnë kandidatët.

“Me rastin e hapjes se aplikimit për banesa sociale, përcaktohen kriteret dhe asnjë nga aplikuesit nuk ka më shumë apo më pak të drejta”.

Në nivelin qendror ndërkaq, zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se çështja e banimit dhe punësimi i kësaj kategorie sociale është kryekëput në fuqinë e komunave prej nga vijnë viktimat e identifikuara.

Adile Shaqiri, udhëheqëse e Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjes, thotë se as vetë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk është e kënaqur me nivelin e arritur në kuadër të mbrojtjes së kësaj kategorie, por se ky institucion është përpjekur të bëjë më të mirën.

MPMS-ja  ka një fond të veçantë buxhetor të ndarë për këtë kategori sociale.

Shaqiri thotë se Departamenti i Mirëqenies, në kuadër të mbrojtjes dhe ndihmës në procesin e ri-integrimit të viktimave të dhunës në familje, realizon marrëveshje dhe kontrata për blerjen e shërbimeve në mbrojtjen e strehimin e viktimave të dhunës në familje me gjashtë strehimore në nivel nacional.

“Në kuadër të mbrojtjes direkte të viktimave të dhunës në familje, MPMS-ja që nga viti 2006 blen shërbime strehimi dhe rehabilitimi për këtë kategori  nga sektori joqeveritar, gjegjësisht nga strehimore të specializuara”.

Shërbimet që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale blen nga ky sektor konsistojnë në sigurimin e ushqimit për viktimat e dhunës në familje brenda strehimores, sigurimin e mjeteve higjienike, sigurimin e medikamenteve mjekësore, sigurim të këshillimit dhe mbështetjes emocionale dhe sigurim të  materialit shpenzues për punë dore. Por e gjithë mbështetja për viktimat e dhunës vlen për kohën sa ato qëndrojnë në strehimore.

Shaqiri pohon se brenda programeve mbrojtëse dhe rehabilituese që ndjek ky sektor qeveritar, ka të parapara edhe objektivat për riaftësimin profesional dhe punësimin e tyre. 100 raste punësimi numëron kjo ministri kur flet për viktimat që kanë përfituar nga shërbimet ri-integruese gjatë vitit 2014. Viktimat e strehuara në strehimoret në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë e Prizren janë ato që shënojnë këtë shifër punësimi në kuadër të riintegrimit afatgjatë, për të cilin Shaqiri tregon se është arritur me anë të partneritetit me subjekte të ndryshme.