Konkursi i Çrregullt i ZAP-it

Blerim Krasniqi kishte provuar të kthehej sërish për të punuar në Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm.
Ai nuk ia doli dhe dyshon se iu bë padrejtësi në konkursin e hapur nga ky institucion.
 
Krasniqi kishte punuar në ZAP në periudhën 2005-2008 në pozitën e udhëheqësit të Zyrës për Marrëdhënie me Publikun.

Por gjashtë vjet më pas, më 2014, ai konkurroi që të punësohej në postin e zëvendësauditorit të performancës pas shpalljes së konkursit më 27 nëntor të vitit të kaluar.

Krasniqi është i bindur që konkursi nuk shkoi për së mbari dhe pretendon se iu bë e padrejtë nga ZAP-i.

Ai u ankua në Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm anuloi këtë konkurs në të cilin aplikuan mbi 200 veta duke kritikuar veten në arsyetimin e anulimit.

ZAP-i thotë se vendimi për anulim është marrë duke u bazuar në mekanizmat e vlerësimit  të testit me shkrim dhe  intervistave me gojë, ku ka rezultuar se pikët e fituara nga kandidatët në të dy hapat kanë pasur dallim të madh.

“Drejtori i Burimeve Njerëzore, përgjegjës për mbikëqyrjen, organizimin dhe mbarëvajtjen e proceseve të rekrutimit, pas konsultimeve edhe me ekspertë të fushës ka dalë në përfundim se kriteret nuk ishin mjaft të qarta sa i përket fushës analitike dhe kështu ka nxjerrë një rekomandim për ta anuluar këtë proces.  Mbi këtë bazë, zëvendësauditori i përgjithshëm ka miratuar rekomandimin për anulimin e procesit,” thotë Qendresa Mulaj, zyrtare për media në ZAP.

Dyshimet e Krasniqit

Krasniqi tregon se si kishte shkuar rrjedha e procesit të konkurrimit për këtë pozitë.

“ Zyra e personelit e ZAP-it më 26 dhjetor 2014 më ka njoftuar me e-mail se testimi me shkrim mbahet më 30 dhjetor 2014. Nëpërmjet telefonit zyra e personelit më ka njoftuar se unë e kam kaluar testin me shkrim dhe më kanë thënë se intervista me gojë do të mbahet në zyrat e ZAP-it më 15 janar 2015”, thotë Krasniqi për Gazetën “Jeta në Kosovë”

Ai kishte hyrë në testimin me gojë dhe ishte në pritje të kumtimit të rezultatit nga ana e ZAP-it.

Gati një muaj më vonë Krasniqi thotë se mori informata se ZAP-i kishte mbajtur intervista plotësuese me disa nga kandidatët për dy pozitat e zëvendësauditorëve të performancës.

Intervistat plotësuese mbahen kur kandidatët kanë pikë të ngjashme.

Krasniqi nuk ishte në mesin e tyre. Thotë se e ka merituar të jetë në mesin e tyre pasi që ishte renditur në mesin e më të mirëve në testin me shkrim.

Ai thotë se u rendit lart për sa i përket rezultatit edhe në testin me shkrim, e edhe në atë me gojë.

Kjo konfirmohet edhe në dokumentet e  ZAP-it të siguruara nga Gazeta Jeta në Kosovë që tregojnë se Krasniqi ishte në mesin e më të mirëve duke marrë 53 pikë në testin me shkrim dhe kishte performancë të mirë në testin me gojë.

Krasniqi, më 11 shkurt të vitit 2015, kërkoi shpjegime nga ZAP-i se pse nuk ishte ftuar në intervistë plotësuese bashkë me kandidatët tjerë dhe pasi që nuk ishte informata lidhur me konkursin kërkoi shpjegime se a është duke vazhduar procesi i prokurimit.

I shkroi Adem Sylejmanit, drejtorit të burimeve njerëzore në ZAP.

 “Në të njëjtën ditë me e-mail iu kam drejtuar  z.Adem Sylejmanit  me pyetjen: “…a ka përfunduar procesi i këtij rekrutimi dhe cilat janë vendimet e komisionit dhe menaxhmentit?” shprehet ai.

Në përgjigjen e tij drejtuar Krasniqit, drejtori  Sylejmani thotë se procesi i rekrutimit për zëvendësauditor të performancës ende nuk ka mbaruar dhe e siguron Krasniqin se çdo kandidat do te njoftohet me kohë.

Por ajo që e çudit Krasniqin është se Sylejmani ka dërguar rekomandim për anulim të konkursit në të cilin figuron data 12 shkurt e këtij viti, ndërsa i është përgjigjur me datën 13 se procesi i rekrutimit ende nuk ka mbaruar.

”Sipas rekomandimit të z.Sylejmanit drejtuar menaxhmentit te ZAP-it për të anuluar konkursin figuron data 12 shkurt 2015. Këtë e vërteton edhe shkëmbimi i e-mailave: më 13 shkurt më njofton se procesi ende nuk ka mbaruar, e me vonë Sylejmani mua ma dërgon shkresën e rekomandimit për anulim më 12 shkurt”, thotë Krasniqi.

Atij i ishte dërguar rekomandimi për anulim pas kërkesës për qasje në dokumente të konkursit që kishte bërë në ZAP.

Përveç dokumentit që tregon se është rekomanduar anulimi i konkursit, atij i është dhënë edhe një arsyetim nga ZAP-i lidhur me anulimin e konkursit. 

Krasniqi thotë se i është thënë që testet me shkrim i kanë vlerësuar ekspertët suedezë, por nuk i është dhënë qasje në vlerësimet zyrtare të bëra nga ta.

“Këta ekspertë edhe pse nuk janë shqipfolës i kanë analizuar testet. Shume e çuditshme. Bravo!  Nëse është e vërtetë që ata janë konsultuar sa i përket anës analitike te testeve, unë kam kërkuar duke u bazuar ne Ligjin për Qasje në Dokumente të gjitha esetë e përkthyera nga gjuha shqipe në gjuhën angleze që gjenden në të gjitha testet e kandidatëve. Dhe deri më sot ende nuk kam marrë asnjë përgjigje,” shprehet ai.

Qendresa Mulaj, zyrtare për media në ZAP, deklaroi se deri më tani ka trajtuar një kërkesë për qasje në dokumente publike të bërë nga Krasniqi dhe është në proces të shqyrtimit të kërkesës tjetër.

Por Mulaj nuk komentoi se a do t’i lejohet qasje Krasniqit në vlerësimet e bëra nga suedezët.

Ndërkohë ajo që e irritoi Krasniqin ishte fakti që askush nga menaxhmenti i lartë i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm nuk pranoi të takohet me të dhe të sqarojnë atë që ka ndodhur.

“I shkrova menaxhmentit e-mail, duke kërkuar nga ata të kem takim lidhur me konkursin e anuluar, por ata rregullisht deri me sot (6 mars 2015) i kanë ikur takimit dhe ballafaqimit me mua” thotë ai.

ZAP-i kur i ishte përgjigjur Krasniqit i kishte thënë se mund të takohet me Adem Sylejmanin, drejtorin e burimeve njerëzore.

Por Krasniqi nuk pranoi të takohej me të, por kërkonte gjithqysh që të takohej me dikë nga menaxhmenti i lartë, duke përfshirë edhe Artan Venharin zëvendësauditorin e përgjithshëm.

Venhari, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, tha se qëndrimet e ZAP-it mund të merren nëpërmjet Zyrës për Media të këtij institucioni.

Qendresa Mulaj, zyrtare për media, tha se Krasniqi është ftuar të vijë për sqarim dhe adresim të çështjes por nuk komentoi se pse Venhari nuk pranoi ta takonte atë.

 Ankesa te Avokati i Popullit

Krasniqi thotë se është ankuar edhe tek Institucioni i Avokatit të Popullit.

“Me 27 shkurt në ora 9:15, isha në zyrat e Institucionit të Avokatit te Popullit (IAP) dhe e dhashë deklaratën time për ankesat e mia në raport me ZAP-in. Po ashtu u tregova se në orën 10 e kam një takim me zyrtarë të ZAP-it dhe nga ai kërkova që një zyrtar nga IAP-i të vijë me mua në takim si dëshmitar i takimit, sepse unë nuk besoj në asnjë zyrtar te ZAP-it,” thotë Krasniqi.

Por askush nga ata nuk kishin pranuar të shkojnë me të në ZAP dhe Krasniqi thotë të mos ketë shkuar në ZAP .

 Majlinda Lulaj-Sinani zyrtare në IAP deklaroi për Gazetën Jeta në Kosovë se ky institucion nuk deklarohet për raste individuale dhe se nuk mund të komentojë për rastin e Krasniqit.