Nënshkrimi i Zenun Pajazitit lë në Mjegull Studentët e Ankarasë

Një memorandum i nënshkruar mes Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Ambasadës së Turqisë në Kosovë në vitin 2008 për dërgim të studentëve në Fakultetin e Shkencave të Sigurisë në Ankara ishte parë si një mundësi e mirë nga Suad Bikliqi.

Bikliqi, kishte qenë njëri nga përfituesit e bursës së ndarë nga shteti turk për ndjekje të studimeve në Akademinë Policore në Turqi.

Memorandumi ishte nënshkruar në zyrën e ambasadës turke nga ministri i Punëve të Brendshme në atë kohë, Zenun Pajaziti.

Por, kjo marrëveshje kishte pasur edhe disa kushte për MPB-në.
Pas kthimit nga Turqia, MPB-ja ishte e obliguar që të diplomuarve t’u siguronte një vend pune në këtë ministri, ose në agjencitë e saj siç është policia, për një periudhë 10 vjeçare, jo më larg se 3 muaj pas kthimit të tyre nga Ankaraja.

Lidhur me këtë MPB-ja kishte nënshkruar kontrata individuale me studentët duke u garantuar se do të punësoheshin pas diplomimit.

Dhjetë studentë përfituan bursa për të studiuar në Ankara. Pesë veta nisën studimet pesëvjeçare më 2008, e pesë të tjerë më 2009. Financimi është bërë nga Ambasada e Turqisë dhe vlera e bursës ka qenë rreth 90 mijë euro për person. Studentët janë obliguar që një vit t’u nënshtrohen kurseve për mësimin e gjuhës dhe katër vjet studimeve.

Nëntë prej tyre diplomuan. Tre prej tyre pranuan të intervistohen nga Gazeta Jeta në Kosovë.
Por të diplomuarit nuk u punësuan pasi u kthyen në Kosovë.

Suad Bikliqi, i diplomuar i gjeneratës së 2008-ës në këtë akademi, thotë se i ka përmbushur të gjitha obligimet në Akademinë Policore në Turqi, mirëpo kur është kthyer në Kosovë, kontrata e MBP-së nuk është zbatuar.

“Nuk kemi marrë asnjë përgjigje konkrete deri më tani prej ministrisë se pse nuk po zbatohet kontrata”, ka thënë ai.

Suad Bikliqi është kthyer në qershor të vitit 2014. I është drejtuar MPB-së  më 22 dhjetor të vitit 2014 duke kërkuar punë, por thotë që ende nuk i kanë kthyer përgjigje.

Më pas, ai ka shkuar sërish në Turqi për të vazhduar studime post-diplomike.

Ka kryer nivelin Master me vetëfinancim në Akademinë Policore.

Është rikthyer sërish në Kosovë në vitin 2014. Ka kërkuar sërish që MPB-ja të zbatojë kontratën me të, por nuk ka marrë përgjigje.

Nëse MPB-ja nuk e zbaton kontratën, Bikliqi nuk e përjashton mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës, bashkë me të diplomuarit e tjerë.

“Në kontratë na shkruan se nëse nuk respektohet kjo marrëveshje, duhet m’i ndjekë procedurat ligjore”, tha ai.

Edhe dy të diplomuar të gjeneratës që nisi studimet më 2009 u intervistuan nga Gazeta Jeta në Kosovë.
Gurakuq Demaku dhe Fatos Preteni më 22 dhjetor të vitit 2014 dërguan një kërkesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme duke kërkuar punësim, bazuar në kontratën e lidhur me këtë ministri.
Thonë se nuk kanë marrë përgjigje.

“Në kontratë shkruan që brenda 3 muajve duhet me u punësuar, po kjo nuk ka ndodhë”, ka thënë Demaku që kreu studimet në qershor të vitit 2014.

Po ashtu edhe Preteni thotë se kërkoi përgjigje konkrete nga institucionet përgjegjëse se pse nuk është bërë punësimi i tij dhe të diplomuarve tjerë.

“Duam të dimë pse nuk po punësohemi. Ka vend sa të duash, ne jemi për të gjitha dikasteret e sigurisë”, thotë ai.

Nënshkruesi i marrëveshjes shpreh keqardhje

E ai që ka vënë firmën e tij në marrëveshjen mes Ambasadës së Turqisë në Kosovë dhe MPB-së për këto bursa, ish-ministri i brendshëm Zenun Pajaziti, është i vetëdijshëm për këto shqetësime të përfituesve të bursave.

Ai shpreh keqardhje që deri më tani nuk është gjetur zgjidhje për punësimin e tyre.
Por sipas tij, ka pasur probleme në komunikim si nga bursistët, ashtu edhe MPB-ja.

“E para, këta (bursistët) nuk kanë qenë fare tolerantë  dhe nuk kanë pranuar fare me hy në procedura të rregullta të policisë për me qenë pjesë e policisë, e për me u punësu aty. Por edhe këta(MPB-ja) nuk e kanë marrë shumë mundin për me i inkuraju ata, ose të paktën me ua siguru një mënyrë pak të veçantë për me u kyçë”, thotë Pajaziti.

“Unë i kam nënshkruar marrëveshjet me Turqinë dhe stafi udhëheqës i ministrisë është dashtë me u marrë bashkë me policinë me gjet mënyrën, me e realizu memorandumin”, ka thënë ai.

Por derisa Pajaziti kërkon nga bursistët që të jenë tolerantë, marrëveshja me ta ishte e qartë dhe rigoroze.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar një prej kontratave të lidhura me studentët. Kontrata garanton punësim të menjëhershëm të studentit të diplomuar në Ankara.

“MPB-ja, ose cilido pasardhës i saj, menjëherë pas marrjes së dëshmisë së përfundimit të studimeve, duhet t’i ofrojë përfituesit kontratë të rregullt pune në kuadër të MPB-së, agjencive të saj ( Policisë së Kosovës) dhe jo më vonë se tre muaj kalendarik pas marrjes së dëshmisë, për një periudhë prej më së paku prej 10 vjetësh, Vendi i punës do të përcaktohet duke u bazuar në organizimin e brendshëm të MPB-së, Policisë së Kosovës apo pasardhësve të saj”, specifikohet në kontratën e lidhur mes MPB-së dhe të diplomuarit Suad Bikliqi.

Rexhepi kritikon bashkëpartiakun e tij

Kurse pas ardhësi i Pajazitit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se memorandumi i nënshkruar nuk kishte bazë ligjore.

Pajaziti, ngjashëm si Rexhepi, i përkasin të njëjtës parti politike-Partisë Demokratike në pushtet.
Rexhepi thotë se ka qenë interpretimi i zyrtarëve ligjorë se ai memorandum është bërë në mënyrë të paligjshme.

Sipas tij, punësimi në Policinë e Kosovës dhe në agjencitë tjera të MPB-së duhet të bëhet nëpërmjet konkursit publik.

Sa i përket deklaratës së Rexhepit se ky memorandum nuk ka bazë ligjore, Pajaziti e mohoi një gjë të tillë.

“Rexhepi është dashtë me tregu pak ma shumë vullnet politik, qoftë edhe me nis procedurat e ndryshimit të ligjit, por mendoj se edhe pa e ndryshu ligjin, ata kanë pas mundësi me u kyçë”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk ka pasë asnjë lloj pengese për m’u marrë ata në punë dhe është mirë që të bëhet presion që këta të diplomuar të kyçen në institucionet tona.

Kurse Rexhepi është kundërpërgjigjur në deklaratën e Pajazitit, duke thënë se forma ligjore e përcakton se memorandumi nuk ka bazë ligjore.

“Zenun Pajaziti le të thotë çka të don, unë po të tregoj çka është forma ligjore”, ka thënë Rexhepi.
Ndërkohë, avokati Arianit Koci shpjegon se ligjërisht nuk lejohet që memorandumi i lidhur mes palëve të anashkalojë Ligjin për Shërbimin Civil.

“Në asnjë dispozitë të këtij ligji nuk parashihet mundësia e anashkalimit të institutit të konkursit, por përkundrazi i gjithë korpusi i këtij ligji është i ndërtuar në atë mënyrë që të gjitha punësimet në shërbimin civil duhet të bëhen nëpërmjet një procesi konkurrues, në përputhje me parimet e meritës, me shpallje publike të pozitave të lira, me transparencë të procesit, me objektivitet dhe paanësi dhe mosdiskriminim”, thotë Koci.

Sipas tij memorandumet e mirëkuptimit nuk mund të shërbejnë si bazë për anashkalimin e aplikimit të ndonjë ligji.

Koci thotë se epërsi ndaj ligjeve në Kosovë kanë vetëm marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Parlamenti dhe Kushtetuta.

Reagimi i Akademisë Policore të Ankarasë

Mirëpo, nuk janë vetëm studentët e diplomuar në Akademinë Policore në Turqi që po ankohen për mosrespektim të kontratës.

“Përveç bursistëve, shqetësime ka ngritur edhe vetë Fakulteti i Policisë në Ankara të Turqisë, drejtuesit e të cilit i kanë dërguar letër institucioneve të Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ertan Beshe, dekan në Fakultetin e Shkencave të Sigurisë në Ankara, në shkresën e datës  28 shkurt 2014,  thotë se mospranimi në punë i studentëve që kanë diplomuar në këtë akademi, bie ndesh me marrëveshjen e arritur.

“Prej takimeve dypalëshe dhe prej aplikimeve personale nga Republika e Kosovës, për shkak të praktikave të reja në shtetin e Republikës së Kosovës, kuptuam që studentët e diplomuar prej nesh nuk fillojnë së punuari në njësitet e sigurisë ose që janë ngarkuar të punojnë në institucione të ndryshme si nëpunës civilë”, thuhet në letër.

Aty më tej shkruan se pavarësisht iniciativave zyrtare me shtetin e Kosovës që kanë pasur për largimin e pengesave për studentët e diplomuar në vitin 2013-2014 nga Fakulteti i Shkencave të Sigurisë, deri më tani nuk kanë hasur në rezultate pozitive.

“Me anë të këtyre sqarimeve ua prezantojmë shqetësimin për zgjidhjen e problemeve të studentëve tanimë të diplomuar dhe atyre që i vazhdojnë studimet”, ka shkruar Beshe.
Edhe ambasada turke në Kosovë e ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë se është në dijeni të kërkesave të të diplomuarve në Akademinë Policore në Turqi.

“Çështja në fjalë është përcjellë tek ambasada jonë nga të diplomuarit e Akademisë Policore. Ambasada Turke është në përcjellje të rastit në fjalë”, thuhet në përgjigjen e ambasadës turke në Kosovë.

E Ministria e Punëve të Brendshme nuk e ka parë të arsyeshme të japë përgjigje për këtë çështje. Pavarësisht dy kërkesave me shkrim për të marrë përgjigje dhe telefonatave të vazhdueshme përgjatë një jave rresht, kjo ministri nuk ka qenë e gatshme të japë përgjigje.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar edhe Shpend Maxhunin, drejtorin e përgjithshëm në Policinë e Kosovës, mirëpo i njëjti ka thënë se gjendet jashtë shtetit dhe se nuk mund të komentojë lidhur me këtë çështje.

Policia e Kosovës ka dhënë një përgjigje nëpërmjet Zyrës për Media.
Sipas përgjigjes së Policisë, bazuar në legjislacionin në fuqi, për t’u punësuar në Policinë e Kosovës, çdo person duhet t’i nënshtrohet konkursit publik.

“Pas kalimit të testimeve, të përzgjedhurit duhet të kryejnë trajnimin bazik në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike dhe përmbushjen e trajnimit fushor për t’u bërë zyrtarë policorë”, thuhet në përgjigje.

Zyra për Komunikim  e Policisë ka thënë se konkursi i fundit nga Policia e Kosovës për zyrtarë policorë ka qenë i hapur nga data 26.05.2014 deri me datën 17.06.2014 nëpërmjet të cilit janë pranuar 19736 kandidatë.