Verifikimi-Beteja Tjetër e të Dhunuarave Gjatë Luftës

Në filmin e Isa Qosjes “Tri Dritare dhe një varje”, të nominuarin e vjetëm për Oskar nga autoritetet filimike në Kosovë, Irena Cahani, luan rolin e Lushës një mësueseje të dhunuar nga forcat serbe gjatë luftës.

Ajo trazon bashkëfshatarët e saj, sidomos burrat, duke rrezikuar dëbimin nga fshati, kur në film i tregon një gazetari se katër gra e vajza të atij lokaliteti të humbur përjetuan aktin çnjerëzor të dhunimit seksual të përdorur si armë lufte dhe presion dëbimi.

Edhe në jetë, më keq se në film, aktivistja e “Vetëvendosjes” Nazlie Bala u kërcënua me një letër, e pastaj u sulmua në marsin e vitit 2013, kur në një emision të RTK-së tha se është duke u angazhuar që në kuadër të ligjit për përcaktimin e statusit të kategorive të dala nga lufta të fusë edhe të dhunuarat si viktima civile të saj.

Atëherë, te banesa ku jetonte, Bala gjeti një letër kërcënuese me fjalët “T’lutemi mos e mproj turpin se tpret plumi ne ball”, ndërsa një javë pas kësaj porosie edhe u sulmua fizikisht.

Gati dy vjet pas kësaj ngjarjeje të rëndë, Bala thotë se gjatë veprimtarisë së saj ka përjetuar gjëra edhe më të rënda, por nuk është ndalur.

“Sulmi ndaj meje ka qenë sulm kundër të gjitha përpjekjeve për të kërkuar të drejtën e personave të dhunuar. Veprimi i kujtdoqoftë për të më ndaluar është i kotë, veprim që tregon ligështi dhe frikë, veprim që tregon pafuqi përballë një fuqie siç është drejtësia,” thotë Bala.

Saktësisht një vit pasi Bala u sulmua, më 20 mars 2014 hyri në fuqi Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve , Invalidëve, Veteranëve të UÇK-së, Viktimave Civile të Luftës dhe Familjarëve të tyre, ku u përfshinë  edhe viktimat e dhunës seksuale.

Gjashtë muaj pasi ai të publikohej në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës është dashur që të krijohej komisioni për verifikimin e personave që kaluan nëpër këtë tmerr, por ky komision ende nuk është formuar.

Nuk është e përcaktuar as mënyra që do të përdoret për verifikim dhe shuma me të cilën do të kompensohen të mbijetuarat e dhunimit.

Jeton Oruçi nga Zyra Ligjore e Kryeministrit tregon se identifikimi do të precizohet me anë të një rregulloreje.

“Çështjet e ndryshme sikurse edhe procedura dhe metodologjia që do të ndjeket për identifikimin e këtyre personave, do të rregullohet me Rregulloren për Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të  Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, ku do të përpilohen edhe Procedurat Standarde të Veprimit,” shpjegon Oruçi.

Ai thotë se rregullorja do të bazohet në një dokument ndërkombëtar të hartuar pas diskutimeve për dhunën seksuale gjatë konflikteve.

“Në këtë drejtim, si dokument udhëzues do të na shërbejë Protokolli Ndërkombëtar i dalë nga Samiti Global për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikte, i mbajtur në Londër më 10-13 qershor 2014,” sqaron Oruçi.

Bashkëdrejtuese e këtij samiti ku u fol për çrrënjosjen e përdorimit të dhunimit seksual si armë lufte, ishte edhe aktorja e njohur Angelina Jolie, e dërguara speciale e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët.

Komisioni që do të verifikojë numri e personave të dhunuar  përveç një përfaqësuesi nga Zyra e Kryeministrit, do të përbëhet edhe nga zyrtarë të ministrive të  punës, drejtësisëe shëndetësisë, përfaqësues të Institutit për Krime Lufte dhe të shoqërisë civile që kanë trajtuar të prekur nga kjo dhunë.

Ai do të ketë edhe një psikolog klinik, një psikiatër dhe një jurist.

Dalja para komisionit si ripërjetim i tmerrit

G. I. nga rrethi i Gjakovës, njëra nga të dhunuarat gjatë luftës thotë se nuk mund të flasë  për atë që i ndodhi para anëtarëve të komisionit.

“Unë per veten time nuk mund te dal para komisionit dhe t’i tregoj për atë se çfarë më ka ndodhur. Kjo për mua është nëperkëmbje e dinjitetit tim. Nuk e lejoj assesi,” shpreh vendosshmëri ajo.
Por deputetja Albana Gashi që u angazhua për miratimin e ligjit thekson se rrëfimet e viktimave të këtij krimi para komisionit do të përdoren si dëshmi për të ngritur padi ndaj atyre që i shkaktuan.

“Të gjitha rastet e viktimave seksuale dhe dhunimeve duhet të kalojnë nëpër komisionin qeveritar, sepse përveç benificioneve që kanë të mbijetuarat, ky komision ka për detyrë mbledhjen e dëshmive për dokumentimin e këtyre krimeve, ngritjen e aktakuzave ndaj kriminelëve dhe dëmshpërblimin që do të duhej të kërkohj nga Serbia,” thotë deputetja Gashi.

Por G. I. propozon një metodë të tërthortë të rrëfimit, e cila nuk do t’i shqetësojë të mbijetuarat dhe do të ofrojë dëshmi për dhunën seksuale që u ushtrua ndaj tyre.

“Metoda më e përshtatshme sipas meje dhe shumë shoqeve te mia është të paraqitemi në organizatën ‘Medica Kosova’ apo tek këshillueset e ‘Medica Kosovës’, t’i informojnë gratë për ligjin dhe në këtë mënyrë në bazë të dosjeve në organizatë, gratë ta shfrytëzojnë këtë ligj,” thotë ajo.

“Medica Kosova” është njëra nga organizatat që u ndihmoi prej përfundimit të luftës personave të dhunuar seksualisht gjatë saj.

Kërkesën e gruas me inicialet G. I. që përjetoi dhunimin, e arsyeton psikologu Sami Shatrolli që gjatë punës së tij të përditshme trajtoi raste të tilla.

“Vetëm përmendja e e luftës, armës, gjakut është hapi i parë stresues i ballafaqimit me realitetin dhe dinamikën jetësore. Pjesa e socializimit, është sferë e demoluar për arsye të ndjenjave të turpit dhe frustrimit. Kur kësaj i shtohet stisma dhe ndikimi i normave, problematika bëhet me prognozë edhe më të keqe,” thotë Shatrolli.

Ngjashëm flet edhe sociologu Fadil Maloku.

“Këto kategori, aty ku është vërtetuar se ka pasur raste të tilla, e kanë shumë vështirë të tregojnë ngjarjet dhe storjet e vërteta edhe për shkak se shoqëria jonë akoma është konservative dhe e ka të vështirë t’i kapërdijë këto situata të ndjeshme,” shpjegon Maloku.

Por G. I. ka shpresë se ligji do t’ua plotësojë shumicën e nevojave asaj dhe të tjerave e të tjerëve që kaluan nëpër këtë poshtërim.

“Siç na ka informuar këshilluesja jonë dhe po ashtu na ka pyetur vazhdimisht gjatë seancave për kërkesat dhe nevojat e neve grave te dhunuara, ligji i përmbushë bukur shume ato. Mbetet për t’u shikuar nëse do të realizohen apo jo,”  thotë ajo.

Edhe Veprore Shehu, drejtoreshë e Organizatës “Medica Kosova” e thotë gati të njëjtën gjë.

“Ligji në këtë fazë i përmbushë kërkesat tona lidhur me statusin e grave të mbijetuara nga dhuna seksuale gjatë luftës, mirëpo ka nevojë që të plotësohet në të ardhmen edhe me adresimin e statusit të familjarëve të grave që kanë vdekur si pasojë e dhunimit gjatë luftës,” deklaron Shehu.

Në Kosovë disa nga gratë që përjetuan dhunimin seksual nga forcat serbe, ndodhi që u mbytën më pas nga ata që i dhunuan.

Rasti më i tmerrshëm ishte ai i ndodhur në Drenicë, në fshatin Kozhicë të Skënderajit, kur tetë vajza dhe gra pas dhunimit sistematik, u mbytën e pastaj u hodhën në dy puse. 
Sociologu Fadil Maloku thotë se dhunimi u përdor si armë lufte.

“Dhunimi i personave kosovarë në luftë ishte një mjet apo një arsenal i sofistikuar presioni, përmes të cilit ish-regjimi serb mundohej ta zbrazte Kosovën,” mendon Maloku.

Pesë vjet nuk mjaftojnë për identifikim

Ligji parashikon një periudhë pesëvjeçare gjatë së cilës pritt të identifikohen të gjithë personat e dhunuar seksualisht në Kosovë.

Me një afat të tillë nuk pajtohet Sebahate Pacolli nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), një organizatë tjetër që trajtoi viktimat e dhunës seksuale që nga viti 1999.

“Ne mendojmë se afati i paraparë me ligj për  paraqitjen e këtyre personave te komisioni identifikues, i cili parashihet të zgjasë vetëm 5 vjet është një periudhë e shkurtër dhe e pamjaftueshme,” thotë Pacolli.

Këtë afat kohor e kundërshton edhe Veprore Shehu, derjtoreshë e “Medica Kosovës”.

“Mangësi tjetër e këtij ligji është periudha kohore prej 5 vjetësh e verifikimit të këtyre rasteve e cila periudhë mund të jetë e pamjaftueshme për të identifikuar një numër më të madh të femrave të dhunuara, duke pasur parasysh stigmatizimin e shoqërisë dhe mospërkrahjen nga familja,” shprehetShehu.

Pas luftës po poshtërohemi nga institucionet tona

G. I. ankohet se institucionet e vendit nuk bënë asgjë për atë dhe të tjerët që patën fatin e keq t’i nënshtrohen dhunës seksuale.

“Institucioneve të Kosovës, qeveritarëve, delegatëve dhe krejt politikanëve u kisha thënë: Shikoni pak nga populli, nga gratë e përvuajtura…ne u poshtëruam njëherë nga armiku, por që 16 vjet po poshtërohemi vazhdimisht nga ju. Është koha e fundit te veproni për ne, sepse këtë s’do t’ua falë askush, e sidomos historia,” shpreh mllefin ajo.

Me këtë pajtohet edhe Nazlie Bala, aktivistja për të drejtat e grave, e sulmuar fizikisht para gati dy vjetësh.

“Kjo  papërgjegjësi institucionale edhe më shumë ka shtyrë shoqërinë që të stigmatizojë gratë e dhunuara, sepse heshtja dhe papërgjegjësia e institucioneve është parë edhe atëherë kur e kanë nxjerrë ligjin për vlerat e luftës duke mos e njohur statusin e personave të dhunuar si viktima civile të luftës, “ thotë Bala.

Edhe Rada Boriq, drejtoreshë në Qendrën për Studime të Gruas në Zagreb, e njohur si feministe, gjuhëtare e profesoreshë flet për dështime institucionale në lidhje me personat e dhunuar gjatë luftës, por për këtë akuzon qeveritë rajonale dhe instucionet ndërkombëtare, mes tyre edhe UNMIK-un, misionin e OKB-së në Kosovë.

“Qëllimi ynë në seancën e radhës në Gjykatën e Grave në Sarajevë (7-10 maj) , pas të gjitha dështimeve të qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare në këtë rast UNMIK-ut në Kosovë, është të avokojmë për mbështetje, siguri dhe drejtësi për femrat që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës,”  tregon Rada Boriq.

Por Flora Macula, drejtoreshë në  Zyrën e “UN Ëomen”, organizatë në kuadër të Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), ekip që mbeti nga ish-UNMIK-u, pas transformimit të tij, thotë se u kanë ndihmuar personave të dhunuar.

“Ne kemi qenë gjithmonë në bashkëpunim me organizatat tjera që merren drejtpërsëdrejti më këta persona, ne u kemi ndihmuar atyre dhe do të vazhdojmë t’u ndihmojmë me aq sa mundemi,” zotohet Macula.

Ishim viktima-jemi heroina

Edhe përfaqësuesit fetarë apelojnë t’u ndihmohet të dhunuarve gjatë luftës.
Resul Rexhepi, sekretari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës thotë se gjëja e parë që këta persona duhet të bëjnë është që ta bindin veten se nuk janë fajtorë për atë që u ka ndodhur.

“Personat e dhunuar gjatë luftës së fundit duke qenë se janë viktima të njerëzve të pashpirt, duhet të trajtohen në mënyrën më të mirë të mundur, duket përkrahur, duhet ndihmuar moralisht dhe materialisht. Ata duhet ta bindin veten e vet se nuk janë fajtorë,” porosit Rexhepi.

Don Lush Gjergji zëvendës i Ipeshkvisë së Kosovës këtë kategori njerëzish i konsideron heroina e heronj.

“Personat e dhunuar për mendimin dhe vlerësimin tim, janë heronj, heroina, martirë dhe martire të lirisë dhe demokracisë, të cilave ua kanë dhunuar trupin, por jo edhe shpirtin, brendinë, dinjitetin dhe lirinë njerëzore, vullnetin për ta vazhduar jetën. Shkaktarët e dhunës seksuale janë kriminelë, kanë bërë krim kundër njerëzimit,” flet me ndjenja Lush Gjergji.

Njësoj si Don Lush Gjergji flet edhe G. I., gruaja që përjetoi personalisht këtë dhunë. Ajo ka një porosi për shoqërinë kosovare e sidomos për meshkujt e Kosovës.

“Kam një mesazh për meshkujt kosovarë: Përkujdesuni për gratë, nënat, motrat dhe bijat tuaja ! Ato nuk janë fajtore për atë se çfarë u ka ndodhur. Për agresorin kanë qenë viktima – por për ju janë heroina,“ thotë ajo.

Fatih Sylka