Përralla e Pragës

Mbase John Lennon nuk do ta kishte imagjinuar kurrë se menjëherë pas vdekjes, në një rrugë të zakonshme në qytetin e Pragës, imazhi dhe mesazhi i tij artistik do të bëhej frymëzimi i një revolucioni.

Murali i John Lennonit në rrugën Velkopřevorské náměstí, në diskriktin Malá Strana, do të mbushej me grafite dhe copëza lirikash të ikonës së rok bendit The Beatles.

Më 1988 muri do të irritonte regjimin komunist, irritim që çoi deri te përplasja e qindra studentëve me forcën policore. Lëvizjen e studentëve pushteti e ironizoi me termin “lenonizëm”, ndërkaq studentët që mbronin lirinë u konsideruan të alkoolizuar, të çmendur dhe agjentë të perëndimit.

Muri i Lennonit sot simbolizon idealet njerëzore, paqenë dhe dashurinë, dhe është shndërruar në një nga vendet më të vizituara.

Ishin po këta studentë që një vit më vonë më 1989 morën pjesë në atë që u quajt Velvet Revolution (Revolucioni i kadifenjtë). Qindra mijëra protestues në Pragë e në Bratisllavë kërkuan fundin e katër dekadave të regjimit komunist. Më pas, mbarë botës i ka interesuar ajo që do t’i ndodhë Pragës.

25 vjet larg komunizmit

Johana Dvorsky, studente në shkencat politike, thotë se vendi i saj e ka tashmë të ndërtuar identitetin e vet kulturor e politik, me gjithë ngërçet e herëpashershme.

“Kam dëgjuar histori të ndryshme nga prindërit e mi për kohën gjatë komunizmit në Çekosllovaki. Jam e lumtur që ne të rinjtë jetojmë në një kohë më të mirë dhe kemi një të ardhme më të mirë. Kam marrë pjesë në përkujtimin e 25 vjetorit të revolucionit, dhjetorin e shkuar.

Prindërit e mi atëkohë përballë policisë në duar mbanin lule.” Është e trishtueshme, por njëkohësisht inkurajuese, përsërit Johana, për të cilën, vendi tashmë po e harron trashëgimin tragjike të komunizmit.

Me nderime është përkujtuar në dhjetorin e 2014, siç përkujtohet çdo vit edhe Vaclav Havel, shkrimtari dhe filozofi disident që do të bëhej presidenti i parë i Çekosllovakisë së lirë pas 89-tës dhe presidenti i parë i Republikës Çeke më 1993, pas ndarjes së saj me Sllovakinë.

Ai, të cilin disa e konsiderojnë një nga intelektualët më të mëdhenj të shekullit 20, ishte forca insipiruese për disa gjenerata.

E ëma e Johanës, Drahomira Dvorsky, kujton kohën dhe protestat në të cilat mori pjesë.

“Donim një jetë të lirë. Pa diktaturë, pa komunizëm, pa varfëri. Isha pjesë e studentëve që mbrojti idealin e paqesë e të dashurisë, e nisëm te Muri i Lennonit, por Lennoni jonë ishte Vaclav Havel. Gëzohem që jeta e vajzës sime është shumë më e mire se ajo që kisha unë”, thotë ajo për Gazetën Jeta në Kosovë.

Gjërat kanë ndryshuar dhe magjia e kryeqytetit të Bohemisë ka tërhequr si mjalta turistët që ia mësyjnë nga e gjithë bota. Instrumentistët dhe piktorët shetitës janë kudo mbi e rreth urës së Karlit.
Ura e Karlit dhe dy pjesët që lidh kjo urë janë Praga magjike dhe magneti i turistëve. Kështjella e Pragës në një anë, e në tjetrën qyteti i vjetër.

E nisur në vitin 1357 mbi shtratin e gjërë të lumit Vlstava, me mbi 30 statujat e shenjtorëve që mban, dhe në një arkitekturë në stilin gotik, dikur konsiderohej rrugë e rëndësishme tregtare midis Evropës Lindore dhe Perëndimore.

Sot, mbi të fliten gjuhë nga të ndryshmet, luhen tinguj herë trishtues e herë me nota gëzimi, ndërsa portretet e vizitorëve duken një punë e levërdishme për piktorët. Një çift realizon fotografitë e martesës në mesin e turmës, ndërkaq vajzat në veshjet tradicionale të ftojnë të kthehesh në kulturën e vjetër.

Përballë urës përmbi kodrën Petrin rri Kështjella Karlštejn, një ndër më të mëdhat në botë. Ato janë pjesë e tregimeve të Franc Kafkës e të Milan Kunderës. Kafeneja ku rrinte Kafka ndodhet në këmbët e kësaj kodre.

Shkrimtari që e trandi botën e letërsisë, dhe ata që tashmë mbajnë epitetin e gjenive botëror, ishin mysafirë të Cafe Louvre.

Vendi ku birra kushton më lirë se uji

Kështjella e Pragës është përrallore, por ngjitja deri atje ngjan në një përrallë moderne mes një kulture të vjetër.

Kafenetë e njëpasnjëshme janë plot vajza, djem, burra e gra që cakrrojnë gotat e birrave.

Nuk thonë kot se çekët janë numri një për konsumin e birrës, por duket se edhe turistët i përshtaten traditave të vendasve. Mundet edhe pse një shishe birrë kushton më lirë se një shishe uji.
30 koruna çeke është mesatarja e çmimit të birrës, që i bie të jetë rreth 1.00 euro. Mund t’i japë të drejtë vetes një turiste italiane kur cakrron gotën e thotë se “Praga është fantastike.

Nuk ka vend më të mirë në botë! Salute!”. Thuhet se në dy dekadat e fundit vendi është bërë i rëndësishëm për të huajt më shumë për birrën e qejfet e natës, dhe për çmimet që janë përgjysmë në krahasim me kryeqendrat tjera evropiane.

Tutje haresë e gëzimit, në anën tjetër të urës gotike, një tabelë e vogël njofton se në katet e poshtme paralel me urën e Karlit, ndodhet Muzeu i torturave mesjetare.

Zërat ulëritës përbrenda muzeut i bëjnë jehonë të dënuarve të torturuar në mesjetë. Ambienti i errët, fotografitë dhe mjetet me të cilat janë kryer torturat, të bëjnë të mendosh se imagjinata ndonjëherë është e varfër për të kuptuar shpikjet e mjeteve me të cilat njeriu ka torturuar tjetrin.

Biletashitësi nuk paralajmëron kot se vizita rekomandohet për njerëzit që kanë stomak të fortë.
Rrugës për në pjesën tjetër të qytetit në qendër të Sheshit Dvorak ka një piceri ku pronari të flet shqip.

Për kosovarin Lorenc Marku, Praga është bërë shtëpi e dytë që pas rënies së komunizmit në këtë shtet.

Okupimi në fund të tetëdhjetave në Kosovë ka shtyrë familjen Marku nga rrethina e Prizrenit të gjejë rrugët për një tjetër vend në Evropë.

Lorenci është pronar i picerisë dhe thotë se shqiptarët në Pragë e në qytetet tjera çeke nuk janë të paktë: “Jemi larguar për shkak të kushteve ekonomike, si çdo shqiptarë, dhe këtu e kemi pas më të lehtë të gjejmë veten, sepse kishin të njohur nga familja.

Puna na shkon mirë dhe kjo është e rëndësishme”. Ai nuk tregon nëse do të kthehej në Kosovë pas kaq kohe qëndrimi në Pragë, por thotë se ikja ishte e detyrueshme dhe pa vullnetin e tij.

War is Over!

Nga fundi te fillimi në Staré Město, Qytetin e vjetër, aty ku kryeqytetasit e Bohemisë kanë krijuar legjenda të shumta. Pothuaj të gjitha janë të lidhura me Orën e vjetër astronomike, një ndër katër orët unike në botë dhe e vetmja që akoma punon. Më 2010 Ora mesjetare festoi 600 vjetorin. Nga më intrigueset është legjenda që thotë se ndalimi i saj do të ishte kobzi për kombin çek.

Praga është shtëpia e një numri të atraksioneve kulturore dhe një e mbijetuar e jashtëzakonshme e shkatërrimeve të luftërave të shekullit 20.

Pjesët historike janë në mbrojtje të UNESCO-s, dhe çekët kanë nisur nga zeroja me ndihmën e kulturës e të fantazisë së tyre, mençurinë e një qytetërimi shumëshekullor të sprovuar me luftën për të mbijetuar.

Një udhëtim në Çeki, dhe në vendet tjera të Evropës Qendrore, është si një udhëtim në kohë, por në Pragë duket se shekujt janë shtresëzuar e në vete mbajnë gjithë kujtimet. Një finesë përrallore e utopike, rezultat i bashkimit të qytetërimeve që rrinë në bërthamën e Miteleuropës.

Në 25 vjetorin e rrëzimit të komunizmit Murali i John Lennonit ka marrë ngjyrën e bardhë dhe mbishkrimin me fjalët e ikonës “War is Over!”, por përralla e Pragës vazhdon.