“Rënie e Lirë” e Vullnetarizmit në Kosovë

Plakolli, i cili ka qenë musafir në debatin “Jeta në Kosovë” të drejtuar nga Jeta Xharra, thotë se burim jetese e ka rrogën që e merr në këtë shkollë. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar atë që të bëjë punë vullnetare jashtë orarit të rregullt të punës në profesionin e tij. Ai me shokë ka krijuar një platformë online përmes së cilës njerëzit mund të këshillohen për problemet psikike që kanë.

“Të gjithë ne punojmë për të jetuar. Është e vërtetë që në kushtet tona shpesh pagesa është kruciale, sidomos me rrogat tona në përgjithësi. Mirëpo, kënaqësinë, përmbushjen, realizimin personal që ta jep puna vullnetare nuk ta ofron puna me pagesë. Prandaj, shumë gjëra në jetë nuk paguhen”, thotë Valdeti.

Mungesa e parasë po bëhet gjithnjë e më shumë pengesë që shumë qytetarë nuk po arrijnë t’i kryejnë shërbimet e domosdoshme në jetë. Ndihmesa më e madhe ndaj tyre do të ishin njerëzit vullnetarë.

Ndonëse kosovarët konsiderohen si popull vullnetar e solidar, kjo veti është në rënie e sipër.

“Vullnetarizmi ka qenë shumë më i shprehur në vitet e 90-a”, thotë Adem Nura nga Kryqi i Kuq i Kosovës. “Në ato vite njerëzit kanë qenë shumë më solidarë”, vlerëson ai.

Mbase shumëkush mund të mendojë se puna vullnetare nuk shpaguhet. Thjesht, njerëzit nuk kanë edhe aq shumë konsideratë ndaj kësaj lloj ndihme. Por Vera Remshkar nga fondacioni “Together Kosova” thotë se puna vullnetare shpaguhet gjithkah.

“Me qenë vullnetar shpaguhet gjithkah, jo vetëm në Kosovë”, thotë Vera Remshkar. “Ndjenjat që t’i i merr si dikush që je duke kontribuar për diçka, që i kalon suazat tua personale ose egoiste, ta jep një ndjenjë të mirë”, shton ajo.

Vera thotë se koha është gjëja më e çmuar në jetë dhe, kur njeriu e ndanë kohën për punë vullnetare, në të vërtetë ka ndarë gjen më të çmuar në jetë.

Por ajo mendon se në 20 vjetet e fundit njerëzit e kanë humbur besimin se ata mund të jenë vetë ndryshimi.

“Në 20 vjetet e fundit, me një sistem shumë të pasigurt ose të pakënaqshëm të menaxhimit të shtetit njerëzit e kanë humbur, në njëfarë forme, edhe besimin që ata janë forca e ndryshimeve që duhet me qenë. Në njëfarë forme janë pajtuar që filan-fisteku është ai që ty ta determinon fatin”, tha Vera Remshkar nga fondacioni “Together Kosova”.

Besnik Leka një qytetar, i cili qysh në moshën  15 vjeçare kishte filluar vullnetarizmin. Ai thotë se me vullnetarizëm zbuloi shumë gjëra në vetvete.

“Vullnetarizmi personalisht më ka ndihmuar shumë. Ndikimin e parë që e kam pasur nga vullnetarizmi është vetëbesimi te unë – që unë vlej dhe mund të jap një kontribut. Me vullnetarizëm zbulon shumë gjëra të reja në vetvete”, thotë Besniku.

Altin Ukshini, një vullnetar nga fusha e teknologjisë informative (IT), i cili kishte nisur me punë vullnetare qysh në moshën 14 vjeçare, kishte arritur që të shpallej ‘qytetar nderi’ në Amerikë.

“Eksperiencën që e kam pasur këtu në Kosovë kam vendosur ta bëj edhe atje (në Amerikë), mbase nuk kishin ekzistuar. E kam organizuar një konferencë, e kam bërë një komunitet atje dhe kemi mbajtur fjalime e takime duke treguar për Kosovën. Komplet puna që e kam bërë konsideroj se është shpaguar në fund me dhuratën si ‘qytetar nderi’”, thotë Altini.

Ai së bashku me një grup shokësh, qysh në vitin 2010, kishin krijuar një ueb-sajt përmes të cilit qytetarët e Kosovës do të mund të orientoheshin se ku të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Krejt kjo punë ishte bërë vullnetarisht.

“Ideja ‘kumevotu.info’ është bazuar në të dhënat që i ka ofruar KQZ-ja të votuesve. Ne i kemi marrë ato të dhëna dhe i kemi lidhur me lokacionet apo pikat e votimit, të cilat kemi dalë në terren dhe e kemi hartu secilën shkollë dhe e kemi lidh të dhënën e votuesit me shkollën, dhe në mënyrë interaktive përmes hartës ka treguar se ku e ke votimin”, tregon Altini.

Por jo vetëm kaq. Ai së bashku me shokë kishte krijuar një ueb-sajt përmes të cilit qytetarët e Prishtinës mund të informohen për linjat, kohën dhe çmimet e autobusëve.

“Prishtina Buses” (Autobusët e Prishtinës) kemi qenë një grup prej 10 personash, kemi dalë dhe kemi mbledhë të dhëna për rrjetin e  autobusëve në Prishtinë – rrugën nga shkojnë, itineraret, çmimet, i kemi marrë ato dhe i kemi vendosë në një ueb-sajt, në një hartë interaktive ku qytetarët kam mund të hyjnë dhe t’i shikojnë se cili numër i autobusit shkon prej ku deri ku”, thotë Altini.

Kur e kemi parasysh që e gjithë kjo punë është bërë vullnetarisht, kjo punë Altinin e ka bërë “të ndihet gjallë”.

Por nuk është vetëm Kosova që karakterizohet me rënien e fenomenit të vullnetarizmit. Kjo tashmë është e shprehur edhe në Norvegji, i cili llogaritet si shtet me standard të lartë jetësor.

Ambasadori norvegjez në Kosovë, Jan Braathu, thotë se edhe shteti i tij ka pasur më shumë vullnetarizëm në vitet e 60-a sesa tash.

“Në Norvegji kemi pasur më shumë vullnetarizëm në vitet e 60-a sesa sot”, thotë ambasadori Braathu. “Duket se sa më i pasur që bëhesh si shtet, aq më pak janë njerëzit të gatshëm të ofrojnë për komunitetin”, shton ambasadori.

Ai thotë se Ballkani Perëndimor po rrëshqet nga ideja që të  mos bëjë asnjë punë nëse nuk paguhet.

“Në gjithë Ballkanin Perëndimor ka tendencë që të mos bëhet asgjë nëse nuk paguhesh. Kjo shkakton dëme të mëdha. Kjo u shkakton dëme shoqërive dhe shteteve të rajonit”, vlerëson ambasadori norvegjez.

Vullnetarizmi në kohën e Jugosllavisë, sipas ambasadorit Braathu, ka qenë paska i detyruar.

“Në të kaluarën, në kohët e Jugosllavisë, vullnetarizmi ka qenë paksa i detyruar. Njerëzit atëherë detyroheshin të jenë vullnetarë”, thotë ai. “Mendoj dhe shpresoj se do të kthehet, sepse vullnetarizmi nuk ka të bëjë me regjim a qeveri të caktuar, por ka të bëjë me të kuptuarit e asaj se ne jemi bashkë”, shton ai.

“Jemi bashkë si komunitet, si shtet dhe nëse interesohemi vetëm për para, në fund, të gjithë do të humbim. Disa mund të përfitojnë, por si komunitet nuk do t’ia dalim”, vlerëson ambasadori. “Është shteti juaj, ju duhet ta bëni atë dhe, vullnetarizëm do të thotë të kontribuosh drejt asaj lloj shoqërie në të cilën ti dëshiron të jetosh dhe në të cilën dëshiron që fëmija yt të jetojë”, porositë ambasadori.

Për me tepër, 5 dhjetori llogaritet si dita ndërkombëtare e vullnetarizmit.