Nën Pushtetin e Shehlerëve

Një legjendë urbane rri në memorien e gjakovarëve. Pothuaj të gjithë e dinë ndodhinë fantastike që shpëtoi qytetin e tyre. Historia e saj nis në kohën e Luftës së Dytë Botërore. 

“Kur ushtria gjermane po bëhej gati ta bombardojë qytetin e Gjakovës, ushtarët nuk panë asgjë, vetëm ujë. Dhe kështu, ushtria vazhdoi tej e qyteti i shpëtoi rrënimit”. 

Legjenda thotë se qytetin e çative të kuqe e “mbuluan” me ujë teqetë dhe tyrbet e vendit. Ato e shpëtuan. Kështu e dinë dhe kështu e thonë. 

Përtej rrëfimeve legjendare, njerëz real e të kohës së tashme, kanë besim të madh te udhëheqësit fetar që i përkasin sufizmit Islam. Krerët e teqeve populli i quan edhe “njerëz të mbërrirë”. 

A. Vula është njëra nga gratë që beson të jetë shëruar nga shehu. Ajo thotë se shëndetin dhe shpresën që nuk kanë arritur t’ia kthejnë mjekët, ia ka kthyer shehu. “Shehu është lutur për mua, lutjet e tij më kanë shpëtuar. Sot jam shëndosh e mirë e më s’kam përdorë asnjë ilaç. Po të mos ishte shehu, unë sot do të isha në varr“, rrëfen gruaja rreth të pesëdhjetave, e cila u fut në një kobure teqeje për t’i hequr “të ligat” .

Vula nuk është e vetme. Gjetja e shpëtimit te shehlerët, si udhëheqës fetar e moral, dhe në teqet e tyrbet si vende kultesh fetare nuk janë të pakta.

Besimet mistike të fesë islame (sekti shiitë) janë të forta në këtë anë të Dukagjinit. Ato janë vazhdimësi e urdhërave mistik myslimanë që për shekuj ekzistojnë në shtratin historik të praktikave fetare në zonën e Gjakovës, me zhvillimet dhe përhapjen fetare në këtë zonë. 

“Pasha Teqenë e Madhe!” 

 “Pasha Teqenë e Madhe!” përbejnë gjakovarët shpesh. Teqja e Madhe Autoqefale Ballkanike konsiderohet teqja më e vjetër në qytetin e Gjakovës. Historia e saj nis në vitin 1582. Ajo u themelua nga shehu i saj i parë Sheh Sylejman Axhiza Baba, i cili shërbimin e vazhdoi edhe në Prizren, duke themeluar një tjetër teqe atje në vitin 1608. Sipas literaturës Teqja e Madhe bashkë me Xhaminë e Hadumit shënojnë fillet e ngritjes së qytetit të Gjakovës. Teqja është  e vendosur në oborrin e shtëpive të familjes Shehu, në pjesën e vjetër të qytetit, pranë Sahatkullës. Trashëgimia e saj përcillet në vijën e gjakut të familjes prej më shumë se 400 vjetësh.

Sheh Musa Shehu, njeriu që është në krye të Teqesë së Madhe Autoqefale Ballkanike (Gjakovë-Prizren), thotë se që prej pesë shekujsh, shehët e kësaj teqe janë përpjekur t’i ndihmojnë njerëzve të jetojnë sa më qetë: “Fatmirësisht popullata beson, por besimi nuk është me zor, ai të flenë në zemër”, thotë shehu derisa tregon portretin e të parit të teqes në ballë të saj, Sheh Axhiza Babës. “Ne nuk luftojmë me dhunë që të imponojnë besimin. Jemi këtu për besimtarët e devotshëm, për ata që e ndiejnë vetën se i përkasin këtij besimi”. 

Dita e hënë është ditë pazari në Gjakovë. Besimtarët presin rend për të hyr në tyrbe, aty ku prehen eshtrat e shehëve. Janë vajza të reja dhe gra në moshë që vijnë e sillen pranë varreve dhe luten. 

Sheh Musaja thotë se rruga kah ecë Teqja e Madhe është udhërrëfimi në rrugën e ndritur të këtij besimi, derisa flet për themelimin dhe nisjen e veprimtarisë fetare, kulturore, e arsimore të këtij Tarikati. “Rruga jonë është rruga e shpirtit. Me mësime e frymëzime shpirtërore në shërbim të popullit e të vendit.” 

Teqja e Sheh Eminit

Një rrugë më lart, po në kompleksin e Çarshisë së Madhe, në pjesën e quajtur Kryepazari, ndodhet Teqja e Sheh Eminit. Trashëgues i të parit të teqesë është Sheh Ruzhdi Shehu. 

Teqja është e ndërtuar në shekullin e 17-të dhe i takon poashtu Tarikatit Saadi. Rruga jashtë dhe hyrja e shtruar në kalldrëmë mbajnë objektin e veçantë të kësaj teqeje. Salloni i madh në katin përdhesë mban varur në mure 13 portretet e shehëve e figurave të tjera që kanë shërbyer në teqe. 

Sheh Ruzhdiu, i cili ka tridhjetë vite i emëruar sheh dhe emri i të cilit është i lidhur me rastet e shërimit, thotë se ta fitosh e ta mbash këtë detyrë kërkohet të kesh bindje me dinjitet e devotshmëri. 

Besimtarët që vijnë e kërkojnë udhëzime thotë, janë të shumtë: “ Të shumtë janë ata që kanë interesim për mësimin dhe zbatimin e urdhërave të Allahut, i cili kërkon prej nesh që të bëjmë vepra të mira, ata njerëz që zbatojnë urdhërat në bazë të Kuranit, vijnë e kërkojnë udhëzime, sepse ata të cilët i donë Zoti, ata i udhëzon Zoti”.  

Sheh Ruzhdiu thotë se si ndjekës të rrugës së sufizmit Islam, kanë për detyrë të transmetojnë amanetin e tyre te familja, te populli, te myhibët, dervishët e shehët e ardhshëm. Tradita e Tarikatit Saadi siç është e lidhur ngushtë me popullin, është e lidhur edhe me çështjen kombëtare. Vetë Sheh Ruzhdiu kish qenë një i burgosur politik: “Sipas ‘ligjeve’ të Millosheviqit unë akoma jam i burgosur”, thotë ai tek flet për angazhimin e tij politik që nga të 90-tat.

Objekti i teqes së Sheh Eminit është i madh. Fotografitë nëpër mure japin pamjet e anëtarëve gjatë ritualit të ziçres, veshur me rroba fetare e me fytyrën shpuar. “Kjo është samahaja” tregon shehu odën e madhe rrumbukalle, vendi ku kryhet rituali i ziçrrës (Dhikri- nga arabishtja: përkujtim i Zotit) . Përbri saj është oda e vogël ku mblidhën shehët e karshi tyre mejdani, aty ku pihet kafeja. Poshtë ndërkaq, në katin përdhesë është zyrja e shehut me një bibliotekë të pasur me libra në gjuhën turke të vjetër mbi treqind vjet.

“Në këtë teqe ka vend për më se dyqind vetë”, thotë shehu, i cili tregon se të gjithë mysafirët  lënë diçka, dhurata të ndryshme, por nuk përmend vlerën e tyre materiale. Ai thotë se teqja mbahet nga e tërë familja: ”E gjithë familja ime është  e punësuar, kështu që të gjithë kontribuojmë. Është vend i madh e kërkon mirëmbajtje”. 

 “Pa atdhe nuk ka fe!” 

Babai i Gjyshatës Bektashiane në Gjakovë, si e vetmja teqe e këtij komuniteti në Kosovë, baba Mumin Lama, thotë se brumi, shpirti i udhës bektashiane është formula “atdhe e fe”-ashtu siç shkruante Fishta i krishterë dikur për atdheun e fenë e siç fliste Naim Frashëri bektashi, poeti kombëtar dhe poeti ikonë i këtij komuniteti. 

“Mbi gjithçka është gjuha shqipe, identiteti jonë, mbi gjithçka është shqiptaria”, flet Babai veshur me rrobën fetare. 

Në ditën e diel ai ishte aty, siç ishin edhe besimtarët bektashi. Dy gra i përulen e i puthin dorën. “Është një baba i dytë për të gjithë ne”, thotë burri që shoqëronte mysafirët te dhoma e kreut të teqes.

Teqja e Bektashinjve, që e zgjedh të parin jo në vijë gjaku po nga kryesia, është ngritur në vitin 1790. Objekti dhe biblioteka e saj me mbi 1500 tituj të librave të vjetër dhe tekstesh në dorëshkrime janë ndjegur në themel në luftën e vitit 1999. “Pa atdhe nuk ka fe!” Përësërit Baba Mumin Lama. 

“Është shumë e vërtetë që kemi kërkuar atdheun ma s’pari. Po ndalem vetëm në luftën e fundit të 99-tës kur Teqja u dogj…U dogj, pse nuk pati atdhe! “, rrëfen ai. Por forca e njeriut thotë, besimi i tij, është mbi gjithçka „Ne ishim të pushtuar. Tash kemi atdheun tonë!”. 

Bektashizmi njihet si dogmë mistike islame që merret me përsosmërinë shpirtërore të njeriut. “Kjo është ajo që njerëzit e ndiejnë. Ka besimtarë të shumtë bektashi, ka edhe plot intelektualë që janë bektashi, dhe pasi është e vetmja teqe në Kosovë, besimtarët tanë vijnë nga vende të ndryshme. Në Teqe, prej ngado që vijnë, të gjithë janë vëllezër e motra”, thotë ai.

 Babai i gjyshatës, i cili ka njëzetë vite i titulluar baba, thotë se pëlqen ta përdorë fjalën udhë, udhë e besimit bektashi. Ai nuk e përdorë as fjalën tolerancë kur flitet për fetë tjera, por respektin ndaj tjetrit. “Tolerancë është ta tolerosh, ta durosh tjetrin, unë nuk kam pse t’i duroj, por t’i respektoj. Unë i respektoj, sepse kështu jemi të mësuar si mysliman. Të gjithë jemi krijesa të Zotit. Kuran’i thotë mos e shaj asnjërin, respektoji të gjithë. Ndonëse të tjerët jo rallë na quajnë neve të pa fe.” 

Baba Mumin Lama, tregon se klerikë të tjerë e krerë shteti vendas e të huaj njohin udhën bektashiane për lirinë që ka ndaj tjetrit. Dhe këtë liri thotë se e respektojnë edhe besimtarët. 

Ndërkaq nga ana materiale Baba Lama thotë se Komuniteti Bektashian mbahet vetë: “Ne e mbajmë vetveten. Dhe i falenderoj shumë bamirësitë e njerëzve të mirë. Krejt çfarë sheh në teqe janë bamirësi e njerëzve, dhurata të njerëve, sepse ne nuk kemi”.

Barnatore e shpirtit

Agron Shehu e hap derën e teqes së Sheh Lytës, teqe kjo që i takon tarikatit helveti, të vetmit në qytetin e Gjakovës. Ajo ndodhet karshi “Çarshisë së Madhe”, në pjesën që njihet si  “Çarshia e Vogël”. Agroni është nisur rrugës së besimit. Së voni është bërë dervish, ndërkaq rruga për të trashëguar detyrën e shehut është e gjatë. 

“Derxha teqe”, siç quhet ndryshe kjo teqe, është pa sheh. Shehu i saj, Sheh Lita, ka pesë vjet që ka ndërruar jetë. Rroba e gjësende të shehut të ndjerë rrinë në vitrinën brenda sallës së samahanës, aty ku kryhet rituali i ziçrrit. “Këto janë disa kujtime të gjyshit. Gjyshi ka jetuar 100 vjet, dhe për sa kohë ka qenë sheh ka mbledhur afër vetes besimtarë të shumtë. Tash vijnë më pak, por vijnë” tregon i nipi, i cili thotë se po e vazhdon detyrën për të mos e mbyllur derën e teqes. 

“Këtu mblidhemi të premteve, dhe pas namazit kryejmë ritualin e ziçrrit. Teqet janë ziharete e njerëzit shkojnë në ziharete sepse udhëheqësit e tyre e kanë mbajt gjallë frymën e besimit.” 

Agroni flet për besimin dhe dijen që përcjellin prijësit e vendeve të kultit, gjithnjë duke kujtuar fjalët e gjyshit. “I ndjeri, gjyshi, sheh Lita, thoshte se teqetë janë barnatore të shpirtit. Populli kërkon ilaç për shpirtin, e ne jua ofrojmë. Ne kemi edhe një libër ku besimtarët shkruajnë, rrëfehen e ne i ruajmë”, thotë ai duke puthur rrobën fetare derisa e vesh atë. Agroni bëhet gati të nis traditën fetare të katërdhjetë ditëve helveti. 

Sufistët karshi sunitëve 

Sufizmi është ana ezoterike e besimit Islam. Ai shfrytëzon një tjetër rrugë në jetë dhe një tjetër qasje ndaj Zotit. Dallimet mund të mos çojnë deri te ndarjet e mëdha mes klerikëve fetarë, por radikalizmi fetar i vënë në pah viteve të fundit ka krijuar jo rallë edhe përçamje e qëndrime të ashpra ndëmjet.

“Mileniumi i kaluar i ka pasë qëllimet e veta, edhe mileniumi i ri ka sjell ndryshime të mëdha. Një mysliman i mirë e ka Kuranin në dorë”, thotë Sheh Musa Shehu, duke i quajtur të gabueshme e të paparanueshme vrasjet që bëhen në emër të fesë. 

“Unë nuk njoh një myslimanë që ngritet në dëm të njerëzve, në dëm të besimtarëve. çdokush e ka besimin e vet, nuk mundesh me ia ndal. Besimin mbaje për veti, pa ia imponu askujt!”. Sheh Musaja thotë se është e dhimbshme që brezat e rinj po edukohen në frymën e diletantëve fetar, të atyre që punojnë e paguajnë kundër myslimanizmit.

“Ajo çfarë bën ISIS-i është çnjerëzore. Kjo nuk i përket fesë. Feja nuk thotë se mund të vrasësh njerëz”, thotë dervish Agron Shehu. 

Sipas tij ka ndryshuar struktura e njerëzve që ndjekin fenë, struktura e njerëve që shkojnë në xhami në Kosovën e pasluftës. Besimi, thotë ai, është lëkundur me hyrjen e rrymave të shumta fetare. 

Po te rrymat e shumta që çan rrugë në Kosovë pas luftës së 99-të e gjen fajin edhe sheh Ruzhdi . “Varfëria, skamja, edukata fetare te fëmijët e imponimi kanë bërë që sot të kemi fundamentalizëm ekstrem, e që janë të padëshirueshëm për shkak të veprave të këqija. Neve në kërkohet kërkimfalja për gabimet më të vogla, e jo më të kryejmë vrasje. Në Kosovë e kemi obligim të mos kemi kundërthënie në besime”, thotë shehu.

Kreu i Teqes Bektashiane thotë se faji kryesor i zgjerimit të damarëve të fanatizmit fetar mysliman i takon shtetit. “Neve si shqiptarë nuk na takon të merremi me asnjë radikalizëm. Thellimi i radikalizmit fetar është gabim i shtetit. Çfarë ka bërë shteti? Asgjë. Kur ata ofendojnë të shenjtën Nënë Terezë ose femrën shqiptare, pse nuk reagon shteti? Pse i lejon të krijojnë urrejtje ndaj tjerëve? Ne nuk i shajmë e nuk i baltosim Ne nuk ia cenojmë askujt të drejtën për besimin e vet. Besojmë se veprojmë drejt!” thotë Baba Mumin Lama.

Legjenda e munguar

Jashtë teqeve e tyrbeve kalimtarët shpesh mbajnë dorën në zemër dhe ndalën për të japë “nezër”, herë para metalike e herë para me vlerë. Besimtarët shkojnë në tyrbe e luten duke u sjellur rreth varreve të shehlerëve, të cilët nga shumë konsiderohen të shenjtë. Qirinjtë e ndezur për shpirtin e të vdekurve e shpirtin e të gjallëve janë një rit i zakonshëm në këto vende kulti. Ndonjëherë mund të shohësh edhe libra të nxënësve e studentëve që besojnë se pas “bekimit” të librit në tyrbe, do ta kalojnë provimin. 

Nga besimtarë në myhybë, dervishë e shehlerë, thonë se “lufta” për në fron është jo e vogël dhe jo rallë bëhet me fanatizëm në tarikatet e fesë islame të shtrira në Kosovë.

Në Gjakovë rron legjenda për teqetë e tyrbet si vende të shenjta që e mbrojtën qytetin gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por [farë ndodhi me këtë pushtet në luftën e fundit të 1999-të? Gjysma e tij u rrënua dhe qindra njerëz u vranë. Lufta e fundit nuk ka prodhuar asnjë legjendë dhe asnjë shpjegim popullor për tragjedinë që ndodhi, të paktën jo deri më sot. Disa nga objektet e rrënuara ishin pikërisht edhe tyrbe e teqetë.