Tre Profesorë Kundër Rektorit Politik

Naser Mrasorit rektorit të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë i cili deri sa mori këtë post ishte këshilltar politik i ish-ministrit të Arsimit Ramë Buja po i adresohen shumë ankesa nga ish-ligjëruesit e këtij Universiteti të cilët pretendojnë se janë larguar padrejtësisht nga puna.

Mrasori, 41vjeçar, erdhi në krye të këtij universiteti më 23 tetor të vitit 2013 gjatë kohës që ministria e  arsimit që mbikëqyr universitetet publike udhëhiqej nga Ramë Buja i PDK-së.

Një prej tyre të larguarve që pretendon se u largua padrejtësisht nga puna është Sokol Domniku që ligjëroi në këtë universitet për shtatë vjet në drejtimin Administrim Biznesi dhe Menaxhment.
Domniku u largua nga puna dhe mbi të u ngritën akuza të rënda nga universiteti të cilat më pas u hodhën poshtë nga prokuroria.

Ai nga Komisioni i Veçantë Disiplinor i “Haxhi Zekës” dyshohej se ka kërkuar ryshfet, se ka provokuar në forma të ndryshme situatën e sigurisë në Fakultetin e Biznesit, ka ligjëruar nën ndikimin e alkoolit dhe ka ngacmuar seksualisht një studente.

Kështu thuhet në shkresën e 14 korrikut 2014 të këtij komisioni, ndaj së cilës u ankua Domniku.
Komisioni më 28 gusht hodhi poshtë si të pabazë ankesën e ligjëruesit.

Çështja e Sokol Domnikut kishte shkuar edhe përtej universitetit. Ai ishte arrestuar nga policia nën dyshimet e ngritura nga komisioni dhe ishte mbajtur për 48 orë në ndalim.

 “Me datën 05.07.14 më ka marrë policia dhe kanë kërkuar para dhe dokumente nga unë dhe unë kam pasur para të mia. Kanë bërë presion në mua se kanë mesazhe të mia, por u thashë të vazhdojnë punën e tyre. Prokuroria ka pushuar hetimet ndaj meje sepse nuk ka asnjë provë. Unë nuk kam pasur kurrë punë me Gjykatën” thotë ish-ligjëruesi i “Haxhi Zekës. 

Në foto: Sokol Domniku

Ai provoi të kthehej në punë më 8 korrik, pas lirimit nga policia, por pikërisht në këtë datë Universiteti “Haxhi Zeka” lëshoi një vendim me të cilin Domnikut i ndalohej hyrja në Fakultetin e Biznesit dhe Menaxhimit të Hotelerisë dhe Turizmit.

Vendimi bazohej në nenin 72 të Statutit të këtij universiteti.

Ky nen përshkruan detyrat e dekanit, por nuk përmend decidivisht ndalimin e hyrjes së ndonjë personi në objektin e këtij institucioni.

Merr tri paga përkundër largimit nga puna

Domniku thotë se me 23 tetor 2014 pushuan hetimet ndaj tij dhe ai vendimin e prokurorisë e dërgoi në universitet, por përsëri nuk iu mundësua kthimi në punë.

“Unë ia kam dorëzuar Universitetit kërkesën së bashku me vendimin e noterizuar të Prokurores së Shtetit, por ka pasur arsyetime se e ke dërguar me vonesë, jo në mbledhjen tjetër e diskutojmë  ” thotë Domniku.

Ai çuditet që e mori pagën edhe pse ishte i larguar nga puna dhe po hetohej. Edhe këtë e numëron si shkelje të kryer nga menaxhmenti i “Haxhi Zekës”.

“Kjo është superkomedia, paga më është proceduar tërë këta muaj: korrik, gusht, shtator, tetor, Universiteti “Haxhi Zeka” për gjithë këta muaj ka bërë shkelje” shpjegon Domniku.

Domniku që në dy semestrat e fundit ligjëronte lëndët “Menaxhimi i Ndërmarrjeve të Vogla” dhe “Menaxhimi Operacional “, kishte pagë bruto 999 euro.

Rektori Naser Mrasori pranoi të takohet por injoroi pretendimet e tre ish-ligjëruesve dhe nuk pranoi të komentojë publikisht në detaje lidhur me akuzat e tyre.

Rektori Naser Mrasori gjatë takimit me Arsim Bajramin, ministër i Arsimit

Por për Sokol Domnikun nuk deshi të komentoi me arsyetimin se nuk dëshiron të pengojë hetimet.
Mrasori tha se është i bindur se Domniku është ende nën hetime.

Prokurorja e rastit Valbona Disha Haxhosaj konfiromoi pushimin e hetimeve për Gazetën Jeta në Kosovë.
“Ndaj Domnikut kanë pushuar hetimet për dyshimin e marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar pasi që nuk janë gjetur prova në këto raste dhe nga ana e Prokurorisë nuk është vërtetuar dyshimi mirë i bazuar” shprehet ajo.

Edhe Gjykata Themelore e Pejës i ka lëshuar një vërtetim Sokol Domnikut më 16 dhjetor 2014 se kundër tij nuk po zhvillohet asnjë proces hetues.

Rektori Mrasori nuk deshi të flasë as pse ish-ligjëruesi e mori pagën për disa muaj.

Sokol Domniku ka ngritur padi kundër Universitetit “Haxhi Zeka” më 17 tetor 2014. Pretendon që të kthehet në punë me anë të vendimit gjyqësor.

Ai përkundër shkresave akuzuese të Komisionit të Veçantë Disiplinor, thotë se puna e tij prej mësimdhënësi universitar është vlerësuar lart.

Gazeta Jeta në Kosovë posedon dokumentin e UHZ-së në të cilin për mësimdhënie Sokol Domniku është vlerësuar me notën 4.5. Madje në këtë vlerësim thuhet se Domniku “ka qenë shumë i mirë, i gatshëm për sqarime, i kuptueshëm, dhe i përgatitur”.

Nota më e lartë në këtë vlerësim ishte pesa.

Ligjëruesit nuk i njihet grada dhe dyshohet për mbiemrin

Bashkim Rrahmani, është një ligjërues tjetër i larguar nga “Haxhi Zeka”.

Ai  thotë se është larguar nga puna për shkak të shumë keqkuptimeve qofshin ato teknike apo gabimeve njerëzore, por edhe si pasojë e shkeljeve të rënda ligjore në universitetin ku punonte.

Në arsyetimin dhënë Rrahmanit me rastin e shkëputjes së njëanshme të kontratës së punës thuhet se grada shkencore nuk po i njihet dhe se mbiemri i tij është i dyshimtë.

Rrahmani shpjegon se ka përfunduar studimet e magjistraturës në Londër në programin e “London Metropolitan University” dhe pastaj ka vazhduar me studimet e doktoraturës në Tiranë.

“Arsyetimi i parë që ata e përdorin është se ka kundërthënie në mbiemrin tim. Është e vërtetë pasi që e kam ndërruar mbiemrin, e kam bërë me kërkesën time dhe nga Rrahmonaj e kam bërë mbiemrin

Rrahmani që të unifikohem me familjen time” shprehet ai.

Rrahmani tregon se babai ia gaboi mbiemrin, kur e regjistroi pas lindjes, pasi shkroi atë me shkronja cirilike serbe.

Në foto: Bashkim Rrahmani

Në aktvendimin e datës 22 dhjetor 2008 të Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme në Gjakovë thuhet se lejohet ndërrimi i mbiemrit familjar nga “Rrahmonaj” në “Rrahmani” për personin në fjalë.

Një gabim tjetër nga Administrata e Universitetit Evropian të Tiranës ku Rrahmani po doktoron, ia vështirësoi atij edhe më shumë punën. Këtë herë u gabua emri i babait të tij dhe data e lindjes së

Rrahmanit, por universiteti shqiptar i lëshoi vërtetim doktorantit se gabimi ishte i administratës së tij.
Edhe aktvendimi për ndërrimin e mbiemrit, edhe vërtetimi që dëshmon gabimin e Universitetit në Tiranë, sipas Rrahmanit i ishin dërguar nga ai “Haxhi Zekës”.

I anulohet dhe pastaj i kthehet në rishqyrtim nostrifikimi i diplomës
Rrahmanit më 1 tetor të këtij viti Ministria e Arsimit ia anuloi edhe nostrifikimin e diplomës së fituar në Londër. Nostrifikimi i ishte bërë në vitin 2011.

“Çuditërisht me 1 tetor pa qenë fare i njoftuar unë se po zhvillohet një proces i tillë, mua më komunikohet se sekretari permanent i Ministrisë së Arsimit ka marrë vendim për anulimin e nostrifikimit tim, i cili ka tre vjet e gjysmë që ka marrë formën e prerë” tregon Rrahmani.

Ministria arsyetohej se nuk ka marrë vërtetimin nga universiteti në Londër se Rrahmani ka kryer magjistraturën atje.

Profesori tregon se pasi u ankua në Komisionin për Parashtresa dhe Ankesa të MAShT-it për anulimin e gradës shkencore, ky komision anuloi vendimin që i mohonte arritjen akademike dhe ktheu në rishqyrtim nostrifikimin e diplomës së tij.

Komisioni në vendimin e datës 6 nëntor 2014 shfuqizoi vendimin Nr.2-6571 të datës 01.10.2014, i cili anulonte nostrifikimin e diplomës së Rrahmanit më 25 shkurt 2011. Komisioni e konsideroi ligjëruesin palë të dëmtuar por ai ende nuk po mund të kthehet në vendin e tij të punës si ligjërues në Universitetin e Pejës.

Ligjëruesja ankohet se ia gabuan datat e shkollimit dhe punësimit

Majlinda Belegu është larguar nga Universiteti “Haxhi Zeka” me arsyetimin se nuk ka përfunduar studimet në kohën për të cilën është deklaruar me dokumente. Ajo thotë se çdo gjë është e orkestruar.

Në foto: Majlinda Belegu

“Dyshimet e mia bazohen në të dhënat e vendimit të lëshuar për shkëputje të njëanshme të kontratës nga Rektori i Universitetit UHZ për shkak se bazohet në procesverbalin e Inspektoratit të Arsimit dhe besoj se janë të orkestruar pasi që të gjitha të dhënat nuk përkojnë me datat e diplomimit tim”shprehet ajo.

Në arsyetimin e vendimit të datës 03.10.2014  të UHZ-së thuhet se Belegu ka themeluar marrëdhënie pune më Universitetin “Haxhi Zeka” me  datë 01.10.2012, ndërsa ka diplomuar më  05.12.2012.
Belegu thotë të ketë përfunduar studimet e saj para ardhjes në Universitet dhe madje sipas saj ajo ka filluar punën atje disa muaj pasi që ka përfunduar edhe studimet master, ndërsa tani ajo është në përfundim të studimeve të doktoraturës në Tiranë.

“Në arsyetim shënon që unë kam diplomuar në 2012 çka nuk është e vërtetë, për shkak se unë studimet themelore i kam përfunduar në vitin 2009. Poashtu studimet master i kam përfunduar në vitin 2011 ” thotë Belegu, teksa tregon diplomat e fituara në vitet që përmend.

Ajo ishte ankuar edhe në Komisionin për Ankesa dhe Kërkesa në Universitetin “Haxhi Zeka” që përbëhej nga prof. Kolë Krasniqi- kryetar i Komisionit, prof. Fadil Govori- zv/kryetar, prof.ass Dardane Nallbani, Petrit Bajraktari nga administrata dhe anëtari Mentor Januzaj. 

Komisioni konstatoi se nuk ka bazë për ankesë nga ana e Belegut.

Ligjëruesit Majlinda Belegu dhe Bashkim Rrahmani u larguan nga “Haxhi Zeka”, pas inspektimit special të Departamentit të Inspektoratit të Arsimit në MASHT me të cilin u verifikua  dokumentacioni i pranimit në punë të punëtorëve të këtij universiteti.

Inspektorati konkludoi se dokumentacioni nuk ishte i rregullt.

Por Bashkim Rrahmani e Majlinda Belegu kërkuan ndihmë nga dega e  Inspektoratit të Arsimit në Pejë që është në kuadër të Departamentit të Inspektoratit të Arsimit në MAShT.

Ata kanë kërkuar intervenim në procesverbalin që u bë me rastin e inspektimit special në Universitet nga Inspektorati nga Prishtina, me arsyetim se dosjet e tyre qëllimisht nuk janë prezantuar të plota  nga ana e rektoratit të universitetit.

Sektori i Inspektoratit të Arsimit në Pejë në përgjigjen e tyre dhënë ligjëruesve thotë se Menaxhmenti i Universitetit në afatin e paraparë nuk i ka zbatuar rekomandimet  e parapara për shqyrtim të procesverbalit  dhe nuk e ka njoftuar me shkrim Sektorin e Inspektoratit të Arsimit për zbatim apo moszbatim të rekomandimeve.

Ata kanë obliguar Universitetin t’i zbatojë rekomandimet e bëra në procesverbalin final të inspektimit, por nuk kanë pasur asnjë përgjigje.

Kolë Krasniqi, kryetar i komisionit që vendosi për largimin nga puna të Belegut dhe Rrahmanit, edhe pse ishte prezent gjatë takimit me rektorin nuk pranoi të fliste lidhur me pretendimet e tyre.
Krasniqi tha se për të gjitha çështjet i takon rektorit që të flasë.

Gazeta Jeta në Kosovë dërgoi pyetje edhe në Ministrinë e Arsimit por ende nuk ka marrë përgjigje lidhur me rastin e tre ish-ligjëruesve të Universitetit “Haxhi Zeka”.

Dy ish-ligjëruesit u ankuan edhe në Inspektoratin e Punës që funksion në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Vendimi i Inspektoratit të Punës me datë 4 dhjetor 2014 thotë se Inspektoriati ka konstatuar shkelje ligjore me rastin e ndërprerjes së kontrates së punes së Bashkim Rrahmanit dhe Majlinda Belegut. Rrahmani e Belegu paralajmërojnë ndjekjen e të gjitha rrugëve ligjore për t’u rikthyer në punë. Thonë se nuk do të ndalen derisa ta arrijnë qëllimin.