Pastruesi e Mësuesi Belanë Familjare e Bartin në Shkollë

Janë kushërinj mes vete, por raportet ndërnjerëzore mes Adem dhe Halim Fetahajt viteve të fundit nuk janë më të mirat dhe ato kanë filluar të bëhen shqetësim edhe për fëmijët.

Ademi është pastrues, ndërsa Halimi është mësues në shkollën fillore “Tre Dëshmorët e Shkollës Shqipe” në Padalishtë (Uçë) të Istogut.

Problemet mes tyre kanë lindur qysh para shtatë vjetëve, por mësuesi thotë se rasti i fundit i ndodhur disa ditë më parë ishte më i rëndi.

“Rasti i fundit me 21 nëntor është kur ai ka ndërruar formën e sulmeve. Ka dalë në orën 17:00 kur kam qenë duke u kthyer nga ara me gruan dhe me dy fëmijë të mitur, më ka sulmuar pas shpinës me kmesë”, thotë mësuesi Halim Fetahaj.

Ai akuzon Ademin t’i ketë drejtuar armën gjë që kishte bërë që ai të frikësohej të hyjë edhe në sallën e arsimtarëve.

“Vitin e kaluar kam mbaruar orën e pestë sikurse sot kam qenë i obliguar që të hyj në sallë ta shënoj kujdestarinë. Kur kam dalë, ai kish qenë duke më pritë te dera. Në atë moment që jam ngritë nga tavolina e kujdestarisë ma ka mbyllë derën me shpinë, ma ka vënë dorën në fyt me dorën tjetër më ka vendos alltinë në fyt. I kam pasur dëshmitarë edhe dy nxënës”, thotë ai.

Por kur KALLXO.com ka kontaktuar me njërin prind të fëmijës ai tha se nuk dëshiron që fëmija e tij të implikohet në këto probleme dhe nuk ka çfarë deklaron për këtë problem.

Adem Fetahaj mohon akuzat që ia bën mësuesi dhe kushëriri i tij.

Ai ankohet se Halimi po e nënçmon dhe po e ofendon me fjalë të ndryshme për shkak të pozitës së pastruesit që Ademi mban.

Sipas tij, ky nuk është një problem aq i madh sa po e bën mësuesi.

“Sulme fizike asnjëherë nuk kemi pasur. Ai e ka quajtur sulm fizik si po thoni ju nëse ja qes dorën në krah edhe i them hajde vëllau im të flasim jashtë, e jo në mesin e nxënësve që ata të dëgjojnë çdo gjë në mesin e edukatorëve”, tha Adem Fetahaj.

Ai e akuzon mësuesin se vazhdimisht ndërton skenare për të bërë ndonjë ankesë në drejtori dhe thotë se kur ai ndez stufat, mësuesi Halim hap dritaret dhe ankohet që është ftohtë në klasë.

“I kam thanë Halim dy fjalë i kam me ty e gruas së tij i thash ti motër ec. Ajo tha s’po eci veç se di çka keni ju se jeni vëllazni. Ma ka pre mendja qe kanë me shkru gazetat kur thotë kriminel, ajo fjalë po dihet çka është pastaj jam largu në dorë e kam pasur një kmesë (prerëse). Djali i tij më është lutë Baci Adem ik, i thash që iki po veç dy fjalë i deshta me u marr vesh edhe e gjuajta kmesën”, shpjegon Adem Fetahaj.

Incidentin e konfirmon edhe Shefqet Fetahaj i cili kishte ndërhyrë gjatë incidentit për t’i qetësuar palët.

“Atë natë dëgjova një zhurmë dhe britmë të gruas dhe fëmijës, britmë e tmerrshme. Kur u afrova në terr i pashë ata, Ademi kish qenë më larg, Halimi me gruan dhe dy fëmijët kanë qenë më afër, kur i pyeta Halimi më tha më sulmoi Ademi me këtë kmesë po atë e kish Halimi në dorë, ia kërkova kmesën dhe ia mora. Kur e pyeta Ademin çka keni tha ma ka pru shpirtin në fyt duke fol nëpër njerëz, i ndava dhe ata vazhduan nëpër shtëpitë e tyre, më tepër nuk di”, thotë Shefqeti.

Por gruaja e mësuesit, Shpresa, thotë se ajo që i ka ndodhur burrit të saj atë natë ka qenë sulm.

“Ka qenë terr kur ka desht me e sulmu Halimi. Është rrëzuar dhe kur është rrëzuar unë bërtita deri sa Halimi e la karrocën. Aq shpejt është ngritë sa ia kapi dorën dhe u mundua ta lëndojë prapë por atëherë Halimi ja kapi dorën edhe e kapi kmesën për çka edhe i ka pasur duart e lënduara. Atëherë fyt për fyt deri sa ka ndërhy kusherini i cili na ka nda”, thotë gruaja e Halimit.

Beqir Ibrahimaj është drejtor në shkollën ku punojnë Ademi e Halimi.

Ai thotë se problemin ndërmjet tyre e ka gjetur kur ka ardhur në këtë pozitë dhe po beson që bëhet fjalë për një konflikt që rrënjët i ka jashtë shkollës.

“Ky është një konflikt jashtë shkollës por ata po e shfaqin brenda shkollës si punëtorë. Asnjërin nuk e akuzoj se janë të këqij. Ai si mësimdhënës është i mirë, ai si pastrues është shumë i mirë. Shkolla e tij shndrit, por ata e bartin problemin nga shtëpia në shkollë”, thotë drejtori i shkollës.

Ai thotë se ka ndërmarrë masa duke i dhënë vërejtje me shkrim Ademit, ndërsa duke e shkarkuar nga pozita e përgjegjësin e paraleles Halimin pasi kishte pasur vërejtje nga prindërit për sjelljet e tyre në shkollë.

“Direkt te unë jo, por te mësimdhënësit atje kanë thënë se po i shohin nxënësit ata po flasin fjalë të pahijshme në sy të nxënësve njëri me tjetrin në një institucion edukativ”, thotë Ibrahimaj.

Belaja ndërmjet Fetahajve të Padalishtës është bërë problemi dhe preokupimi numër një brenda rrethojave të shkollës, ndërsa Drejtoria Komunale e Arsimit në Istog pritet ta marrë një vendim rreth rastit.

 

Ndërsa organet e rendit nuk janë njoftuar fare për këtë seri incidentesh, përveç këtij të fundit.