Maqedonasit Emigrojnë në Jug për Punë Ilegale në Turizëm

Për verën e pestë rresht, ishulli i vogël i Skiathosit në Greqi është shtëpia e dytë e Aleksandar-it. Ai mund të jetë destinacioni i ëndrrave për shumë të rinj. Dielli shkëlqen i shndritshëm dhe festa nuk mbaron kurrë. Njerëzit janë gjithmonë duke buzëqeshur dhe çdo problem duket i vogël.

Por Aleksandar-i nuk erdhi për të shijuar bukuritë e ishullit. Ai ka ardhur për të përfituar prej tij. “Puna e verës” në një kompani të dhënies së makinave me qira është mënyra se si ai nxjerr jetesën e gjithë vitit për bashkëshorten dhe fëmijën e tij që ende nuk ka mbushur dy vjeç. Çmimi që ai paguan është që nuk i sheh më të dashurit për shumë muaj me radhë.

 “Është e papërballueshme të ndahesh nga familja, veçanërisht nga vajza, e cila po rritet pa babanë e saj”, thotë ai trishtueshëm, ndërsa qëndron para zyrës së makinave me qira në një rrugë të ngushtë në qytezën kryesore të ishullit, e cila quhet gjithashtu Skiathos.

Aleksandar-i, 30 vjeç, është një nga shumë maqedonasit që lënë vendin e tyre për të punuar ilegalisht në industrinë turistike të Greqisë nga maji deri në tetor.

 (Si të gjithë maqedonasit e cituar në këtë histori, atij i është dhënë një pseudonim për të mbrojtur identitetin e tij, për shkak se ai punon ilegalisht në Greqi.)

Këto vende pune qenë zakonisht punët e studentëve dhe të rinjve të tjerë që kërkonin të bënin qejf pranë detit, ndërkohë që fitonin ca para. Por tashmë dhe shumë të tjerë shkojnë në jug për punë sezonale.

Statistikat zyrtare të Maqedonisë e shpjegojnë se pse. Norma e papunësisë është rreth 28 për qind, mes më të lartave në Evropë.

Paga mesatare neto është rreth 340 euro. Rreth 270 mijë njerëz, pothuajse gjysma e të gjithë maqedonasve që marrin një pagë, fitojnë më pak se 200 euro në muaj.

Magnet për turistët dhe punëtorët

Maqedonasit përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të punëtorëve të huaj që punojnë në industrinë turistike të Greqisë, një sektor që ka mbetur i shëndetshëm në mes të një krize të thellë ekonomike që ka mbërthyer këtë vend.

I gjendur në Detin Egje, ishulli i vogël i Skiathosit mbushet çdo verë me turistë të joshur nga dhjetëra plazhe, një panoramë e gjelbëruar dhe rrugë piktoreske me shtëpi me mure të bardha e dritare blu. Ishulli qe vendi ku u filmuan disa nga skenat e filmit muzikor të Hollivudit “Mamma Mia!”

Kafetë e turistëve në Skiathos, Foto: Marija Mitevska

Më shumë se 119 mijë vizitorë të huaj zbarkuan në Skiathos me avionë gjatë verës së vitit të kaluar, duke u bashkuar me shumë të tjerë që mbërritën aty me tragete. Në një ishull me një popullatë permanente prej rreth 6 mijë banorësh, ka kërkesë të lartë për punëtorë shtesë për të ndihmuar gjatë sezonit turistik.

Aleksandar-i ka punuar në të njëjtën kompani të makinave me qira çdo vit që kur erdhi për herë të parë në Skiathos. Ai kalon dhjetë deri në dymbëdhjetë orë në ditë atje, pa ditë pushimi, gjatë kulmit të sezonit mes qershorit dhe gushtit. Ai fiton 800 euro në muaj dhe duhet të paguajë vetë shpenzimet, duke përfshirë edhe qiranë.

Paga e tij është pak më e lartë sesa paga minimale zyrtare e Greqisë prej 683 eurosh – megjithëse kjo pagë minimale duhet të paguhet për një javë pune 40 orëshe. Aleksandar-i punon gati dy herë më shumë se kaq.

Por paga e tij është sërish shumë më e mirë nga çfarë mund të fitojë në shtëpi.

 “Unë vetëm mund të ëndërroj të fitoj kaq shumë para në Maqedoni”, thotë Aleksandar-i.

Aleksandar-i ia doli të gjejë një punë në qytetin e tij Shkup vetëm një herë përgjatë viteve të fundit në një kompani të vogël, ku paga që fitoi qe vetëm 170 euro në muaj.

 “Më vjen keq për të gjithë maqedonasit të cilët punojnë në Greqi dhe nuk mund të marrin sigurime”-thotë ‘Darko’, një recepsionist hoteli nga Maqedonia i cili ka një pasaportë bullgare.

Një maqedonas tjetër nga Shkupi, 32 vjeçari Igor, punon gjithashtu në Skiathos në një kompani makinash me qira. Ky është viti i tij i shtatë rresht që punon ilegalisht në ishull.

Si shumë maqedonas të tjerë në industrinë turistike të Greqisë, Igori dhe Aleksandar-i cilësojnë si fajtor për statusin e tyre prej punonjësi ilegal marrëdhëniet e këqija mes Athinës dhe Shkupit, të cilat i kanë rrënjët në mosmarrëveshjen e vjetër mbi përdorimin e emrit Maqedoni.

Ata besojnë se punëdhënësit e tyre nuk janë në gjendje të marrin leje pune për ta për shkak se shteti grek diskriminon maqedonasit.

 “Nuk është e drejtë”, thotë Igori me zemërim, ndërsa është ulur me shokët e tij pas punës.

Ekspertët e ligjit grek të punës, gjithsesi, thonë se ata nuk besojnë se punëtorët maqedonas po diskriminohen kur vjen puna te statusi i tyre i punësimit.

Maqedonasit po punojnë ilegalisht në industrinë e turizmit për shkak se, thonë ata, marrja e një lejeje pune për çdo punëtor jashtë Bashkimit Evropian është një proces i gjatë dhe burokratik të cilin punëdhënësit në përgjithësi as nuk e tentojnë.

Por nuk është e vështirë të shohësh se pse punëtorët maqedonas besojnë se janë të diskriminuar.

Tension afatgjatë

Greqia dhe Maqedonia kanë qenë në marrëdhënie të acaruara që kur kjo e fundit votoi të ndahej nga Jugosllavia më 1991. Për shkak se një krahinë e Greqisë së veriut quhet Maqedoni, Athina argumenton se përdorimi i këtij emri nga ana e Shkupit nënkupton një pretendim territorial ndaj saj.

Grekët janë gjithashtu të zemëruar se Shkupi ka ngritur pretendime ndaj figurave të tilla si Filipi i Maqedonisë dhe Aleksandri i Madh, të cilët historikisht konsiderohen si pjesë e kulturës greke.

Mosmarrëveshja arriti kulmin në vitin 2008 kur Greqia efektivisht bllokoi anëtarësinë e Maqedonisë në NATO. Greqia ka thënë gjithashtu se Maqedonia nuk mund të bashkohet me BE-në derisa çështja të zgjidhet.

Maqedonasit të cilët udhëtojnë në Greqi përballen me pasojat praktike të kësaj përplasjeje. Policia kufitare e Greqisë i skanon pasaportat e Maqedonisë, por nuk u vë vulë, për shkak se dokumentet nuk njihen zyrtarisht nga Athina. Në vend të kësaj, policia vulos një formular me të dhënat personale të mbajtësit të pasaportës.

Maqedonasit e zakonshëm e përjetojnë edhe personalisht sesa të ndjeshëm mund të jenë grekët kur bëhet fjalë për emrin Maqedoni dhe për gjuhën maqedonase.

 “Ne u ndaluam të flisnim në gjuhën tonë para menaxherit dhe na thanë se duhej të themi se jemi nga Shkupi, jo nga Maqedonia”, thotë Elena, një 24 vjeçare nga qyteza e vogël Makedonski Brod, duke rikujtuar ditën e saj të parë si reklamuese diskoje në ishullin e Mikonos.

 “Një herë menaxheri na dëgjoi duke folur në maqedonisht. Ai u zemërua shumë dhe filloi të na bërtasë. Ne jemi treguar të kujdesshëm që nga ajo kohë”, thotë ajo, duke u ulur në një kafe plazhi në ishull një ditë këtë qershor.

Por Shoqata e Sipërmarrjeve Greke të Turizmit (SETE) thotë se maqedonasit janë në të njëjtin pozicion ligjor si çdo punëtor tjetër nga vendet joanëtare të BE-së. Dhe ekspertët thonë se ata nuk kanë parë prova se tensionet mes Athinës dhe Shkupit përbëjnë shkak që maqedonasit të përfundojnë duke punuar ilegalisht në sektorin e turizmit.

 “Shumica e punëtorëve të huaj janë ilegalisht në Greqi… për shkak se është e vështirë të marrësh një leje pune”, thotë Costas Papadimitriou, një profesor i asociuar i juridikut në Universitetin e Athinës.

Sipas sistemit zyrtar, shpjegon Papadimitriou, një punëdhënës mund të ftojë formalisht një punonjës për një vend pune dhe të mbushë një aplikim për leje pune te Ministria e Brendshme – një proces që mund të zvarritet prej muajsh.

 “Shumë punëdhënës nuk… duan ta ndjekin këtë proces për shkak se është burokratik. Kështu që ata parapëlqejnë t’i punësojnë ata (punëtorët nga vendet jashtë BE-së), ilegalisht”, thotë ai.

Zoran Kocovski, pronari i “Kouzon-it”, një agjenci maqedonase rekrutimi për punësim afatshkurtër jashtë vendit, thotë se dikur qe relativisht e lehtë për maqedonasit të punonin legalisht në Greqi.

Por pasi filloi kriza ekonomike e Greqisë në vitin 2010, thotë ai, autoritetet e kanë bërë më të vështirë marrjen e lejeve të punës dhe ka nxitur grekët të pranojnë vendet e punës që dikur bëheshin vetëm nga të huaj.

Ishulli grek i Mikonos, Foto: Marija Mitevska

Kocovski thotë se të dy qeveritë mund të arrijnë një marrëveshje për të legalizuar maqedonasit që punojnë në Greqi edhe pa zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre më të mëdha.

 “Pavarësisht mosmarrëveshjes për emrin, autoritetet e Maqedonisë mund të firmosin një marrëveshje dypalëshe me Greqinë mbi migrimin e punëtorëve”, thotë ai.

Pasaporta bullgare, një avantazh i madh

Në mungesë të një marrëveshjeje të tillë, maqedonasit shikojnë me zili bashkëkombësit e tyre që kanë marrë pasaporta të Bashkimit Evropian.

Darko, një 41 vjeçar nga Shkupi i cili punon si recepsionist në një hotel me pesë yje, punoi ilegalisht në Skiathos për tri vjet. Por gjërat ndryshuan për të pasi ai mori një pasaportë bullgare.

Në vitet e fundit, maqedonasit kanë qenë në gjendje të marrin pasaporta bullgare relativisht lehtë duke pretenduar prejardhje bullgare. Por shumë maqedonas e shohin këtë opsion si jopatriotik, edhe pse kjo mund t’u japë nënshtetësi të BE-së.

Tashmë çdo gjë është e siguruar për Darkon për pesë muajt apo më shumë që ai punon në Skiathos çdo vit -një apartament, sigurime shoqërore dhe shëndetësore, si dhe një pagë më e lartë sesa punëtorët sezonalë me pasaporta maqedonase. Ai punon tetë orë në ditë dhe fiton 1,400 euro në muaj.

 “Më vjen keq për të gjithë maqedonasit që punojnë në Greqi dhe që nuk marrin dot sigurime”, thotë Darko.

Si punëtor nga një vend i BE-së, Darko gëzon të gjitha avantazhet edhe pasi vera është mbyllur. Nëse ai ka punuar për më shumë se një numër i caktuar ditësh, ai merr pagesë papunësie për pjesën tjetër të vitit.

Agjencitë ndërmjetësojnë për vendet e punës

Përgjatë viteve të fundit, reklamat për vende pune në Greqi janë bërë gjithnjë e më të zakonshme nëpër faqet e internetit në Maqedoni si dhe në rrjetet sociale. Ato ofrojnë vende të ndryshme pune, nga kamerierë te pastrues, apo punonjës kuzhine. Pagat variojnë nga 600 deri në 1000 euro dhe mund të përfshijnë ushqim dhe strehim.

Reklamat janë njëkohësisht nga agjenci maqedonase ose greke. Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese telefonoi disa nga këto agjenci për të pyetur për më shumë informacion. Ata kërkuan një CV dhe thanë se punëtorët mund të kryejnë një intervistë përmes Skype nëse gjendet një vend pune i përshtatshëm.

 “Kur ti merr një vend pune, të duhet të udhëtosh deri në Athinë, ku një punëtor i agjencisë partnere greke do të presë dhe do të organizojë udhëtimin deri në destinacionin final”, thotë një grua maqedonase që ofron vende pune në Greqi.

Agjencitë marrin një “tarifë shërbimi” prej deri në 250 euro nga punëmarrësi që gjen vend pune përmes tyre.

Ata garantojnë punë për tre muaj dhe kjo është sasia maksimale e kohës që maqedonasit lejohen të qëndrojnë ligjërisht në Greqi si turistë.

 “Nëse ndonjë punëtor dëshiron të qëndrojë më gjatë, është puna e tyre. Punëdhënësit duan që ti të qëndrosh dhe që ti nuk do të kesh asnjë problem prej tyre”, thotë gruaja.

Marija, një 32 vjeçare nëna e dy fëmijëve nga Shkupi, punoi për dy vera si pastruese në ishullin e Kos-it, duke lënë fëmijët e saj me të atin. Ajo gjeti vendin e punës përmes një agjencie maqedonase, duke i paguar 100 euro për shërbimin.

 “Ata të premtojnë kushtet më të mira, ndërsa ti përfundon duke pastruar 25 dhoma në ditë, duke punuar së paku 12 orë”, thotë ajo.

Këtë vit ajo ra dakord të punojë në ishullin Skopelos përmes një agjencie greke. Ditën para se ajo supozohej të nisej nga Shkupi, oferta e punës u tërhoq.

 “Ata deshën më shumë para, për shkak se kishte shumë njerëz të interesuar për atë vend pune”, thotë ajo.

Shumë punëdhënës në Skiathos refuzuan të flasin mbi punësimin e maqedonasve. Por Kusios Christos, i cili ka nën pronësi një restorant, një hotel dhe një supermarket, thotë se bizneset e tij thjesht nuk punësojnë punëtorë të huaj ilegalë për të mbajtur kosto të ulëta. Vendet turistike thjesht kanë nevojë për këdo që mund të ndihmojë gjatë kulmit të sezonit, thotë ai.

 “Destinacionet turistike mundet gjithmonë të përfitojnë nga punëtorët shtesë”, thotë ai, ndërsa është ulur në restorantin i cili ka pishinën e vet dhe një fushë tenisi.

Christos, i cili ka qenë në këtë biznes që prej më shumë se 20 vjetësh, bën shaka duke thënë se ai qe përgjegjës për kaq shumë maqedonas që punojnë në ishull për shkak se ai ka jetuar në Shkup për disa kohë dhe ka nxitur njerëzit të vijnë në Skiathos.

Christos thotë se ai punësoi maqedonas në të shkuarën, kur dënimet për punësimin e punëtorëve ilegalë qenë relativisht të buta. Por, thotë ai, rreziku është tepër i madh tani. Maqedonasit vijojnë të punojnë në restorantin e tij, por vetëm ata që kanë pasaportë nga vendet anëtare të BE-së, zakonisht pasaportë bullgare.

 “Ligji grek për punëtorët sezonalë është shumë i rreptë për ata që vijnë jashtë BE-së për të punuar në Greqi dhe kjo nuk rëndon vetëm mbi maqedonasit, por edhe mbi pjesën tjetër”, thotë Christos, duke diskutuar rrjedhshëm në maqedonisht.

Punëdhënësit grekë rrezikojnë gjoba të larta nëse kapen duke punësuar dikë ilegalisht. Vetë punëtorët kanë rrezikun të gjobiten, të ndalohen apo të riatdhesohen.

Rrugës për në shtëpi

Gjithsesi, për punëtorët sezonalë maqedonas rreziku ia vlen të ndërmerret.

Ata e dinë se fitojnë shumë më tepër nga sa mund të fitojnë në shtëpi. Ndërsa ata punojnë me orë të gjata pa të drejtat dhe përfitimet që shijohen nga grekët dhe punëtorët e tjerë të BE-së, kushtet e tyre janë shumë më të mira nga ato me të cilat përballen emigrantët e tjerë në Greqi, të tilla si ata që punojnë në bujqësi.

Punëtorët maqedonas hyjnë në Greqi si turistë, por pastaj qëndrojnë më gjatë sesa afati 90 ditor i lejuar sipas rregullave të BE-së. Kjo do të thotë se ata përballen me një rrezik më shumë kur kthehen për në shtëpi -duke e kaluar kufirin ilegalisht, gjë që kushton deri në 300 euro për t’u organizuar.

Një 34 vjeçar nga Shkupi, i cili ka punuar për tetë vjet si DJ në Skiathos, thotë se një vit ai pati një marrëveshje me një polic në pension për ta ndihmuar atë të kapërcejë kufirin. Por shokët e tij të policisë kufitare nuk qenë në detyrë atë ditë për ta lejuar atë të kalojë kështu që ata u detyruan të gjejnë një zgjidhje tjetër.

 “Ne u ngjitëm në mal pranë kufirit me Maqedoninë… unë isha me një vajzë maqedonase. Ne menduam se do të kalonim kufirin me një makinë. Por ai që po i organizonte gjërat erdhi me një traktor. Ai qe mjeti ynë i transportit”, thotë ai.

 “Ne kaluam malin ndërsa po binte shi -të lagur por të lumtur që po ktheheshim në shtëpi”, thotë ai.

Një herë, thotë ai, po fshihej në një kamion bashkë me tre shokë të tjerë. Një herë tjetër ai e kaloi kufirin në këmbë pa u dalluar nga policia kufitare.

Një burrë tjetër nga Shkupi, Riste, i cili ka kaluar nëntë vera duke punuar në një disko në Mikonos, thotë se një herë e kapërceu kufirin në bagazhin e një makine me dy njerëz të tjerë. Secili prej tyre pagoi 250 euro.

 “Një vajzë që qe me mua në bagazh u zu nga paniku dhe deshi të dalë nga makina, ndërsa ne po kapërcenim kufirin. M’u desh ta qetësoj. Bagazhi qe kaq i vogël për të tre ne dhe nuk kishte ajër të mjaftueshëm. Për fat të mirë nuk kishte radhë në kufi dhe ne kaluam menjëherë”, thotë ai.

Aleksandar-i, punëtori i zyrës së makinave me qira, e ka kaluar më herët kufirin në këmbë dhe i fshehur në një kamion. Ky vit mund të kërkojë një metodë të ndryshme. Por kjo nuk e shqetëson atë. Ai thjesht është i lumtur që do të kthehet te familja e tij më në fund.

 “Unë do të kthehem në shtëpi për ditëlindjen e vajzës sime dhe do të rikuperoj në një farë mënyre kohën e humbur”, thotë Aleksandari.

Por majin e ardhshëm, ai do të bëjë sërish plaçkat gati dhe të rikthehet në Skiathos.

Ky artikull u prodhua si pjesë e Programit të Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni Erste dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.