RAE Sheh Shpëtim Prej Ikjes Nga Kosova

Tetë anëtarëve të familjes Iseni të komunitetit RAE në Fushë Kosovë të cilët muajin e kalojnë me vetëm 100 euro, jeta u është bërë gati e pamundur.

Këto para nuk po u dalin as për të siguruar bukën e gojës. Kryefamiljari Muhamet Iseni thotë se ka ditë që kanë mungesë totale të ushqimit.

Gjashtë fëmijët e Isenit kanë mungesë edhe të veshmbathjeve e disa nga ta madje as nuk vijojnë mësimin.

Iseni thotë se po e ka të vështirë t’i shohë fëmijët teksa nuk mund t’i kenë kushtet që shumë nga fëmijët e tjerë i gëzojnë.

Për të dalë nga kjo krizë, i zoti i shtëpisë sheh vetëm një zgjidhje. Ikjen nga vendi. Thotë se arsyeja pse deri më tani nuk e ka bërë një gjë të tillë është mungesa e të hollave. Iseni ka edhe probleme shëndetësore dhe barnat që i duhen janë shumë të kushtueshme.

Muhamet Iseni

“Me mujt sot nisem dhe shkoj sepse nuk po kem.Sot me mujt dal dhe shkoj ku ka ma mirë. Po më duhen para vetëm me hëngër me pi dhe me mbijetu”, thotë Iseni.

Migrimi i komunitetit RAE që nga qershori i këtij viti ka marrë përmasa të mëdha. Ngjashëm po ndodh edhe me shqiptarët ku numri i tyre në Ferizaj e Shtime ka shënuar rritje javëve të kaluara ku shumë njerëz kanë tentuar ikjen në vendet perëndimore nëpërmjet Serbisë e Hungarisë.

Autoritetet hungareze kanë njoftuar se mbi 7 mijë veta të ardhur nga Kosova janë duke qëndruar në kampe në këtë vend dhe po kërkojnë azil i cili nuk do t’u jepet.

Zbrazja e lagjes gjatë natës

Situata më e vështirë e ikjeve është në Komunën e Fushë-Kosovës ku brenda një nate, familje të shumta të komunitetit RAE mësyjnë rrugët ilegale drejt një jete të re jashtë Kosovës.

Ata nisen natën vonë për të kaluar kufirin Kosovë-Serbi ku më pas kalojnë për në Hungari. Nga aty, përpjekjet më të mëdha janë për të dalë në Gjermani. Bazuar në të dhënat komunale, në Fushë-Kosovë që nga qershori i këtij viti e deri tani në dhjetor, mbi 938 persona kanë lëshuar vendin.

Banorët thonë se lagjja ka nisur të zbrazet dhe çdo ditë mëngjesi i zbardhë në mungesë të 2 apo 3 familjeve që gjatë natës kanë braktisur çdo gjë, në kërkim të një jete më të mirë.

Bekim Gara, një tjetër banor i Fushë-Kosovës, pak muaj më parë bashkë me gruan dhe tre  fëmijët e tij ishte nisur drejt Hungarisë, mirëpo ai kishte arritur të dalë vetëm deri në Serbi.

Shkak për mosvazhdimin e rrugës ka qenë mungesa e të hollave. Ai është kthyer me vetëdëshirë, mirëpo këtë rrugë mendon ta marrë prapë, në momentin e krijimit të kushteve dhe mundësive.

Ndër shkaktarët kyç që po i shtyn familjet e komunitetit RAE për të mësyrë shtet perëndimore është gjendja e vështirë ekonomike.

Këtë gjë e thotë edhe nënkryetari  për komunitete në Komunën e Fushë Kosovës, Halim Qerimi, i cili tregon se duke migruar nëpërmjet rrugëve ilegale, familjet shpesh po rrezikojnë të bien pre e mashtrimeve nga grupe të ndryshme.

Ai thotë se ka raste kur familjet shesin edhe pronat për të emigruar. Së fundmi, dy familje kanë shitur tokën e shtëpinë dhe kanë emigruar për në shtetet e jashtme.

Qerimi, si shkaktar të këtij migrimi e sheh mungesën e një plani konkret të shtetit për punësimin e komunitetit RAE.

“Nuk ka ndonjë plan në nivel qendror mbi punësimin, mbi zhvillimin dhe për të krijuar një gjendje të të ardhurave”, thotë Qerimi.

Fehmi Ibrahimi, udhëheqës i Divizionit të Ndihmave Sociale në kuadër të MPMS-së, tha se çështja e migrimit të komuniteti RAE mund të jetë me e theksuar në krahasim me migrimin në përgjithësi edhe tek komuniteti shqiptar në Kosovë.

Ibrahimi tha se Ministria e Punës është përkushtuar në përmirësimin e kushteve për këtë komunitet nëpërmjet përfshirjes së tyre në skemën sociale.

Ibrahimi nuk ka dashur të flasë rreth kritikave ndaj MPMS-së për mosangazhim të duhur për përmirësimin e jetesës së këtij komuniteti.

Ai vetëm ka thënë se MPMS-ja është e përkushtuar në përmbushjen e obligimeve drejt plotësimit të kushteve për komunitetin RAE në Kosovë.

Mirëpo jo gjithmonë janë kushtet e vështira shkaktare të emigrimit. Veton Gashi është njëri nga banorët e Fushë-Kosovës i cili megjithëse qëndron mirë financiarisht, para një viti ishte larguar nga Kosova, ndërkaq nuk kishte arritur të depërtonte më larg se në Hungari. Gashi thotë se në Kosovë nuk sheh perspektivë për të rinjtë.

Atje, ai ishte kapur nga autoritetet vendase. Gashi ishte burgosur për një muaj, ndërkaq me kthimin e tij në Kosovë i ishte zhvleftësuar pasaporta për tre vjet.

Rreziqet e kalimeve ilegale për në shtetet e BE-së po u kanosen në mase të madhe të rinjve. Ata shpesh po bien pre e mashtrimeve.

E.H. megjithëse është vetëm16 vjeç, bashkë më një rreth të ngushtë të shoqërisë po planifikojnë që të migrojnë. Për këtë vendim atë nuk po e pengon as familja e tij.

“Po më kanë thënë nisu. Lirisht ti nisu”, tregon ai.

Këto rreziqe i ka evidentuar edhe Policia e Kosovës.

Zyra për Media e Policisë së Kosovë në një përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë theksoi se ka dyshime se qytetarët po bien pre e dezinformatave dhe propagandave të ndryshme nga persona apo grupe të caktuara të kontrabandistëve, për kinse mundësi të pranimit të azilit, përkatësisht mundësi të migrimit të rregullt në shtete të ndryshme.

Policia gjatë vitit 2013 ka ngritur 66 kallëzime penale për kontrabandë me migrantë ku numri i personave të përfshirë në këto kallëzime është 223. Ndërsa gjatë këtij viti deri me datën 26 nëntor, policia ka ngritur 78 kallëzime penale me 240 persona të dyshuar.

Në anën tjetër, veç Fushë-Kosovës është Komuna e Lipjanit ajo e cila po përballet në masë të madhe me problemin e migrimeve ilegale nga ana e komunitetit.

Gafurr Xhaferri, përfaqësues i Komunitetit RAE në Lipjan, tha se që nga qershori i këtij viti,  rreth 470 persona të komunitetit kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe janë nisur drejt Hungarisë.  Ai thotë se këtyre familjeve u kërkohen 500 euro për person nga grupe të ndryshme për t’i depërtuar jashtë shtetit.

Xhaferi thotë se këto para familjet i sigurojnë ose nëpërmjet kredive ose edhe duke me borxh.

Problemet me riatdhesim

Jo të gjithë ata që mësyjnë Evropën arrijnë që të depërtojnë për në shtetet ku duan të vendosen. Shumë nga ta kthehen në Kosovë në momentin që kapen nga autoritetet e një shteti përkatës.

Momentin që ata kthehen, kanë telashe të mëdha për t’u ri integruar.

Eqrem Kryeziu nga Lipjani ka dy vjet që është kthyer nga Gjermania në Kosovë, pas gati 20 vjetësh qëndrim atje. Ai jeton vetëm me gruan. Kishte qenë ora 4 e mëngjesit kur Eqremi me të shoqen në prill të vitit 2012 ishin nxjerrë nga banesa e tyre në Gjermani. Mezi ishin lejuar t’i merrnin gjësendet personale, duke përfshirë edhe rrobat e trupit. 

Eqrem Kryeziu

Familjes Kryeziu u ishte premtuar nga shteti gjerman se me t’u kthyer në Kosovë, do të gëzonin të gjitha të drejtat, mirëpo realiteti i cili po e përcjell edhe sot këtë familje, është krejtësisht i kundërt.

Me t’u kthyer në Kosovë, Kryeziu kishte marrë ndihma ushqimore vetëm për gjashtë muaj, ndërkaq në shtëpinë ku ai banon aktualisht, qiraja është e paguar vetëm deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Natën e Vitit të Ri, Kryeziu mbeti edhe pa kulm mbi kokë.

Të njëjtin fat e ka edhe Xhemajl Akllapi nga Prishtina. Ai në vitin 2013 kishte emigruar për në Gjermani ndërkaq atje kishte arritur të qëndronte vetëm 11 muaj. Familja nëntëanëtarëshe e Akllapit, pasi u kthye në Kosovë, është përballur me kushte të vështira. Ai thotë se për të përfituar asistencë sociale prej 70 eurosh, Komuna i ka kërkuar t’i sigurojë 3 vula nga vendet e punës në Kosovë, ku ai ku ai kishte kërkuar punë, të cilat ai nuk po mundet t’i realizojë.

Duke mos mundur ta përballojë situatën në të cilën ndodhet, Akllapi po planifikon prapë që të largohet nga Kosova.

“Veç mos mujsha se prapë kam me shku. Nuk rri këtu kurrë”, thotë ai.

Kadrie Krasniqi, zyrtare për avokim në Organizatën “Voice of Roma, Ashkali and Egyptian”, tha se prej momentit që familjet kthehen në Kosovë hasin në shumë vështirësi.

Ajo thotë se nuk ka pasur ndonjë kthim të qëndrueshëm dhe shumë nga ato familje kanë tentuar prapë që të ikin prej Kosovës për shkak që nuk janë përmbushur të gjitha kërkesat.

Ajo thotë se organizata i ka adresuar këto probleme te Ministria e Punëve të Brendshme e cila nëpërmjet Departamentit për Riintegrim të Personave të Riatdhesuar është përgjegjëse për asistencë sociale për familjet e riatdhesuara.

Familjeve të cilat kthehen në Kosovë u takon edhe një pako ushqimore dhe higjienike zakonisht përgjatë dy muajve në kuadër të asistencës sociale.

Gjatë monitorimit në terren, Krasniqi thotë se kanë hasur në ankesa të familjeve për ushqimet që kanë pranuar në pako. Në disa raste, ana kanë pranuar peshq të konservuar me shije djegëse, edhe pse shumica e anëtarëve kanë qenë fëmijë.

Ndër tjerash, Krasniqi thotë se familjeve që kthehen në Kosovë, u ofrohen vetëm 100 euro për të paguar qiranë e shtëpisë në rastet ku ata vendosen në pjesë rurale. Kjo shumë sipas tyre është tepër e vogël për të gjetur një shtëpi për t’u vendosur.

Ministria e Punëve të Brendshme që udhëheq procesin e riintegrimit, nuk ka dhënë përgjigje për Gazetën Jeta lidhur me ankesat e komunitetit RAE.

Gazeta Jeta në Kosovë ka tentuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme, gjegjësisht nga Departamenti për Riintegrim të Personave të Riatdhesuar rreth ankesave për asistencën sociale. Por ky departament ende nuk ka dhënë përgjigje.

Sipas Ligjit për Skemën e Ndihmës Sociale në Kosovë, të gjithë qytetarët në nevojë sociale kanë qasje në Skemën e Ndihmës Sociale të vendit.

Bazuar në të dhënat që disponon Departamenti për Politika Sociale dhe i Familjes në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në dhjetor 2013 ndihmën sociale e kanë shfrytëzuar gjithsej 29 mijë e 688 familje, prej tyre  1 mijë e 223 kanë qenë familje të përkatësisë ashkalinje, ndërsa  929 familje kanë qenë të përkatësisë rome.

 

Ndërsa në muajin tetor 2014, në listën e shfrytëzuesve të ndihmës sociale, në nivel vendi kanë qenë gjithsej 29 mijë e 349 familje, prej tyre, 1 mijë e 69 familje të përkatësisë ashkalinje, ndërsa 905 familje të përkatësisë rome.