Paratë e “Ngrira” të Fshatarëve që nuk Zbresin Ujin nga Mali

Fshatrat Metehi, Zakut, Dobërdol, Pakashticë e Epërme dhe e Poshtme, Kërpimeh e Revuq e kanë një të përbashkët-nuk kanë ujë të pijes.

Banorët e këtyre fshatrave para tetë vjetësh, gati i gjetën zgjidhje mungesës së ujit, por projekti që synonte ta sillte ujin nga një burim mali i fshatit Revuq dështoi, edhe pse mbështetej edhe nga qeveri perëndimore.

 “Impelmentues i projektit ka qenë IOM-i, një shoqatë ndërkombëtare. Ka pasë edhe donacione  prej qeverisë holandeze dhe prej qeverisë angleze, me 100 mijë euro që do të thotë kanë qenë 200 mijë euro. Është dashur që një pjesë [e mjeteve] të sigurohet nga Komuna dhe një pjesë nga komuniteti për ujësjellësin e Revuqit”, thotë Isuf Gashi, kryetar i fshatit Dobërdol.

Nazmi Elezi zëdhënës i Komunës së Podujevës tregon se projekti i këtij ujësjellësi u pengua nga disa banorë dhe familje të fshatit Revuq.

 “Disa banorë të fshatit Revuq fillojnë të shprehin rezerva…në formën e kundërshtimit edhe fizik, duke dalë dhe duke kundërshtuar, por jo i tërë fshati, por vetëm disa familje dhe duke e parë këtë gjendje atëherë tek donatorët e projektit fillojnë të shfaqën rezerva deri në shkallën kur edhe ata tërhiqen”, shpjegon Elezi.

Revuqasit nuk e dhanë ujin

Driton Uka, kryetar i fshatit Revuq thotë se ata që kanë kundërshtuar ujësjellësin asnjëherë nuk kanë qenë të dhunshëm.

 “Problemi i vetëm ka qenë që banorët janë frikësuar se nëse fillon të implementohet ai projekt fshati Revuq do të mbetet pa atë pasuri, sepse i gjithë ai fshat prej më shumë se 130 shtëpi e kanë të vetmin burim prej të cilit janë furnizuar me ujë si dhe për bujqësi”, shpjegon Uka.

Ai mendon se burimi nuk ka sasi të mjaftueshme uji për gjithë ato fshatra.

 “Qetash ju nëse dilni, do ta shihni se ai burim nuk mundet ta furnizojë vetëm një fshat, e le gjashtë fshatra të tjera”, thekson Uka.

Isuf Gashi, kryetar i fshatit Dobërdol tregon shumën e parave të mbledhura në vitet 2005-2006 dhe vendosjen e tyre në bankë.

 “Diku 80% e parave që i bie diku 80 mijë euro janë mbledhë në të gjitha fshatrat  dhe janë siguruar në Bankës e Kosovës që ka qenë atëherë ‘Kasa-Banka’ dhe më vonë këto mjete janë derdhur në Thesarin e Komunës”, thotë Gashi.

Zëdhënësi Nazmi Elezi thotë se paratë e grumbulluara nga banorët e këtyre fshatrave janë duke u ruajtur në xhirollogarinë e Komunës së Podujevës.

 “Shumën prej 71 e 600 eurove  të grumbulluara nga banorët e kësaj komune, Komuna e Podujevës pret që t’i investojë në projektet që do të jenë për fshatrat e tyre”, thotë Elezi.

Raif  Xhemajli kryetar i fshatit Kërpimeh për mosrealizimin e ujësjellësit të Revuqit fajëson mes shumë faktorëve edhe Komunën e Podujevës.

 “Ndoshta edhe Komuna e ka një faj  bukur të madh, sepse ndoshta nuk është angazhuar sa duhet. Kemi qenë me polici e me komunë e me të gjithë dhe kemi tentuar  vetëm që ta fillojmë punën, por fshatarët nuk na kanë lejuar. Ata thonë se këtë ujë e kanë gjithçka”, tregon Xhemajli.

Sipas Xhemajlit fshati i tij me 120 familje e 700 banorë dha 15 mijë euro për ujësjellësin e pakryer të Revuqit.

 “E kam edhe regjistrin këtu, ku ka banorë që kanë paguar 500 euro, ka edhe me nga 400 e deri ne 200 euro, dhe nuk ka asnjë burim të ujit”, thotë Xhemajli.

Këto para fshatarët e Kërpimehut sipas kryetarit të tyre i siguruan si mundën, pa e zgjidhur problemin e ujit.

 “Ka pasur familje që edhe gjedhin e fundit e kanë shitur që t’i bëjnë mjetet që të furnizohen me ujë, sepse kemi qenë shumë në krizë dhe prapë jemi në krizë”, tregon Xhemajli.

Solidarë me njëri-tjetrin

Edhe fshati Metehi dha para për këtë rrjet ujësjellësi që nuk u kompletua kurrë.

 “Flas për fshatin tim, në bazë të bashkësisë lokale, janë mbledhur diku 27 mijë euro”, bën me dije Islam Ferati, banor i këtij fshati.

Ai zbulon se fshatarët në pritje të ujit investuan edhe në gjëra tjera që përmirësojnë jetën e tyre.

 “Këta ujë dikush e pengoi në fshatin Revuq, nuk na e lëshuan sot e atë ditë. Ne rregulluam rrugën me asfalt, i vumë edhe gypat, e ujin nuk na e kanë lëshuar fare”, tregon dëshpërimin Ferati.

Por e keqja e ka edhe të mirën e saj. Mungesa e ujit banorët e Metehisë i ka bërë më solidarë.

Shahin Latifi që nuk ka as pus në oborrin e tij, thotë se furnizohet me ujë për nevoja të përditshme të pastrimit dhe larjes së rrobave nga cisterna e fqinjit.

 “Shihe ku është cisterna atje. Shefqet Ademi (fqinji) merr nga burimet e veta me ujë dhe ne furnizohemi me të me ujë, sepse ujë këtu nuk ka, nuk del ujë këtu”, shpjegon Latifi.

Latifi tregon se i druhet gjithmonë dimrit, pasi furnizimi me ujë gjatë kësaj stine është shumë më i vështirë.

 “ Prej atje (nga fqinji) e sjellim me shllafa ujin këtu verës, mirëpo dimrit nuk kemi mundësi sepse dimrit uji ngrihet, dimrit kemi shumë vështirësi, duhet me bartur ujë me kerr e me kali diku ujë për me pi”, tha ai.

Edhe Xhevdet Latifi, kushëriri i Shahinit furnizohet me ujë nga bunari i fqinjit.

 “ Ujë nuk ka hiq, ne marrim tek ky komshiu ujë verë e dimër, edhe pse as ata nuk është për me pi. Për me përdorë e marrim prej fqinjëve, i zgjatim cevat dhe e mbushim bunarin”, thotë ai.

Në Bajgorë për ujë të pijes

Banorët e Metehisë për ujë të pijes shkojnë deri në fshatin Bajgorë.

 “Fshati i Metehisë i numëron diku rreth 7 mijë banorë dhe diku 90 për qind marrim ujë në fshatin Bajgorë, se këtu s’ka. Ndërsa dimrit shkojmë çdo javë, ose në dy javë  qysh të mundemi, ka nga ata që e shkrijnë edhe borën në vend të ujit se këtu s’ka, diçka duhet më bë”, thotë Islam Ferati.

Rruga për Bajgorë për ta është edhe e gjatë e edhe e kushtueshme.

 “4 orë vonojmë për me shku deri në Bajgorë dhe 10 euro kemi shpenzime të derivateve”, llogarit Xhevdet Latifi.

E keqja e këtyre fshatrave të Podujevës është se ndodhen në nivel të njëjtë me Lumin Llap, prandaj edhe po të hapin puse uji nuk mund të përdoret për pije.

Këtë problem e ka edhe Zakuti.

 “Në fshatin tonë si në të gjitha këto fshatra këndej, të cilat janë në nivel të Llapit është e vërtetë që uji nuk është i pijshëm. Kështu që ne vuajmë për ujë, jemi në zor shumë dhe puset të cilat i kemi hapë, nuk janë të pijshëm”, thotë Fadil Thaçi nga fshati Zakut.

Komuna e Podujevës nuk premton asgjë. Shpresat i var te fabrika e re e ujit që po ndërtohet në fshatin Shkabaj.

 “Komuna vazhdimisht është në kërkim të një zgjidhjeje që ato fshatra të kyçen në ujësjellës. Shpresojmë se Ujësjellësi Rajonal ‘Prishtina’ do të bëjë furnizim më të mirë me ujë në momentin që do të ndërtohet fabrika e ujit të pijes në Shkabaj, e bashkë me disa fshatra të tjera të kyqen edhe ato fshatra”, thotë zëdhënësi Nazmi Elezi.

Në Komunën e Podujevës sipas Raportit të Anketimit mbi Kënaqshmërinë e Qytetarëve me Shërbimet Komunale vetëm 62.50 për qind e popullsisë kanë qasje në rrjetin e ujësjellësit, ndërsa  4.17 për qind furnizohen me ujë nga puset dhe 2.27 për qind nga burimet.

Edhe reduktimet e ujit në Podujevë te ata që janë të lidhur në ujësjellës janë të gjata.

Në bazë të hulumtimit nga USAID/DEMI, rreth  21 për qind e qytetareve të Podujevës kanë deklaruar se uji u ndalet deri në katër orë gjatë  ditës, 16 për qind deri në dhjetë orë, afro 10 për qind më shumë se 11 orë, ndërsa 41 për qind kanë thënë se nuk kanë reduktime.