Komuna e Prishtinës në Telashe me Arsimtarët e Pakualifikuar

Rastet e punësimeve të arsimtarëve të pakualifikuar po vazhdojnë të mbeten problematikë e arsimit në vend. Të tilla raste janë hasur edhe në disa shkolla të ciklit të mesëm në komunën e Prishtinës e që janë evidentuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit.

Arsimtari Besim Gashi po pretendon se i është bërë padrejtësi gjatë kohës sa po jepte mësim në shkollën teknike, “28 Nëntori “ në Prishtinë, përgjatë periudhës 2009-2013.

Gashi, Magjistër i Skulpturës, në vitin 2009 kishte konkurruar në shkollën teknike, “28 Nëntori” në Prishtinë në bazë të një konkursi të hapur dhe ishte punësuar me 18 orë mësimore, për lëndët Grafikë dhe Art.

Gashi ka thënë për KALLXO.com se në qershor të vitit 2010, drejtori i shkollës, në atë kohë, Shemsi Lushaku kishte hapur një konkurs në të cilin ishin pranuar dy mësimëdhënse, Bleta Cakiqi dhe Albulena Bilalli, vetëm me kualifikim Bachelor.

Sipas Gashit, pas pranimit Cakiqit dhe Bilallit, atij i ishin marrë 6 orë nga norma mësimore. Ai thotë se arsyetimi nga Lushaku ishte se ato ishin profesioniste në lëminë përkatëse, arsyetim i njëjtë edhe për arsyen e pranimit të tyre në punë.

Në vitin 2011, Gashit i ishin marrë edhe 6 orë tjera, sipas tij prapë për t’ua ndarë Cakiqit dhe Bilallit.

 “I kam thënë drejtorit (Lushakut) se kjo nuk është në rregull ndërkaq ai më thoshte se kështu është çështja në shkolla profesionale të cilat janë jo stabile. Në vitin 2012 unë mbeta vetëm me 6 orë për Modelim-Skulpturë edhe pas atij viti, në vitin 2013 unë mbeta me 0 orë. 6 orët e fundit që më janë marrë iu kanë nda kryesisht këtyre vajzave”, thotë Gashi.

Për padrejtësinë që pretendon se i është bërë, Gashi ishte ankuar në Drejtorinë Komunale të Arsimit të legjislaturës së kaluar ndërkaq ankesë të njëjtë ka paraqitur edhe në DKA-në aktuale, si dhe në Inspektoratin e MAShT-it.

Deri më tani thotë se nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Ai kishte folur edhe me drejtorin aktual të shkollës teknike “28 Nëntori”, Ajet Brajshori rreth mundësisë së kthimit në punë e ky i fundit i kishte thënë se gjasat për t’iu kthyer orët e mësimit janë zero.

Ndërkaq, Arbërie Nagavci, drejtoreshë e DKA-së në Prishtinë e ka konfirmuar se kanë pranuar ankesë nga Besim Gashi lidhur me rastin në fjalë.

Ajo thotë se kjo ankesë ka mbetur të shqyrtohet ngaqë të tilla kanë pranuar shumë, e që datojnë nga legjislatura e kaluar.

Veç këtij rasti, Nagavci thotë se në shkollën teknike, “28 Nëntori” janë gjetur edhe tri raste të arsimtarëve që nuk janë të kualifikuar, që kanë më pak se tri vjet që punojnë vetëm me Bachelor.

Valentina Sopjani, Albulena Beqiri dhe Mirsad Feiziu janë tre arsimtarët të cilët sipas Nagavcit punojmë që më pak se tre vjet në këtë shkollë dhe kanë vetëm kualifikimin Bachelor.

Raste të ngjashme sipas saj janë edhe 10 të tjera në shkolla të mesme në Prishtinë të cilat i kanë identifikuar gjatë inspektimit.

Duke iu referuar një Udhëzimi të ri Administrativ, Nagavci ka thënë se të gjithë ata që kanë më pak se 3 vite përvojë pune me kualifikim Bachelor, nuk u lejohet të vazhdojnë të japin mësim në shkollat përkatëse ndërkaq ata që kanë më shumë se 3 vite përvojë pune në shkollat përkatëse, u lejohet vazhdimi i punës, me kusht që të përfundojnë studimet për Master.

Sipas ligjeve në fuqi, edhe personat të cilët kanë të përfunduar Fakultetin e Edukimit, konsiderohen si jo adekuatë për të dhënë mësim në shkolla të mesme.

 “Janë gjithsej 29 raste me Bachelor që japin mësim në shkolla të mesme në Prishtinë ndërkaq 19 raste janë me Fakultet të Edukimit”, thotë Arbërije Nagavci, drejtoreshë e DKA-së në Prishtinë.

Ndërkaq, i kontaktuar nga KALLXO.com, drejtori i shkollës teknike “28 Nëntori” nuk ka përmendur rastet e tri mësimëdhësve të punësuar vitin e kaluar në këtë shkollë. Ai ka folur rreth rastit të Besim Gashit duke thënë se sipas informacioneve që ka, ky i fundit ka dashur që vet të largohet nga shkolla.

Por, ai pranon se më pas kishte folur me Gashin dhe i kishte thënë se gjasat për t’u kthyer si mësimëdhës në këtë shkollë janë zero.

 “I kam thënë se ka një vit e gjysmë që ju jeni larguar nga puna dhe vendet janë plotësuar nga udhëheqësia e kaluar nëpërmjet konkursit. Unë e pyeta zëvendësin dhe sekretarin e shkollës si dhe kam konsultuar edhe dokumente dhe ai nuk mundet me u kthy kur vet ka dhënë deklaratë se ka dashur t’i lëshojë orët sepse nuk ka qenë i interesuar ti mbaj”, ka thënë Brajshori.

Lidhur me rastet e punësimit të Bleta Cakiqit dhe Albulena Bilallit, drejtori aktual vetëm ka konfirmuar se ato vazhdojnë të punojnë në këtë shkollë.

 “Unë i kam gjet të kualifikuara. Ato tani janë me Master që të dyja. Unë nuk kam kompetenca me u marrë me atë çfarë ka ndodh para 2 viteve”, ka thënë Brajshori.

Në raste të cilat DKA i ka identifikuar si të pakulifikuar, sipas Arbërie Nagavcit drejtorët e shkollave përkatëse duhet që të hapin konkurs për ato vende pune mirëpo një gjë e tillë nuk është bërë ende nga asnjëra shkollë.

Ndërkaq, lidhur me rastet që DKA ka identifikuar, ajo thotë se kanë dërguar një raport të detajuar në Inspektorat të MAShT-it.

Dëfrim Gashi, drejtor i Inspektimit të Arsimit në MAShT tha se Inspektorati e ka pranuar raportin nga DKA.

“Po jemi në proces të identifikimit të rasteve të këtilla, por kjo çështje është e qartë për DKA-në përkatëse dhe ajo duhet të veprojë në bazë të legjislacionit në fuqi dhe nuk ka nevojë të pres inspeksionin”, ka thënë Gashi.