Marrëveshjet e Brukselit nuk Sqarojnë Situatën në Veri

Teksa tranzicioni i pushtetit po dëshmohet  të jetë i vështirë, komuniteti kryesisht serb i këtyre trevave ende pret të jetësohet premtimi i një jete normale. 

Një mori marrëveshjesh të arritura mes Kosovës dhe Serbisë që nga viti 2011 kanë për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve dhe lehtësimin e jetës për popullatën në dy anët e kufirit. Por farmacistit nga Zveçani Bllagoje Saviq këto marrëveshje veç ia kanë ndërlikuar dhe shtrenjtuar jetën. 

“Pasi që i kemi ngritur çmimet njerëzit duan t’i blejnë barnat nga Serbia në mënyrë që të mos detyrohen të paguajnë tatimet shtesë”, qan hallin ai, duke iu referuar faktit se tani duhet t’u paguajë taksa doganore Doganës së Kosovës në vlerën prej 16 deri 27 për qind. 

Barnatorja e tij është vetëm një nga shumë biznese, organizata dhe institucione publike që është dashur të fillojnë të funksionojnë nën ligjet e Kosovës si rezultat i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë të arritura më 19 prill 2013 me ndërmjetësimin e BE-së. 

Sipas z. Saviq, Doganat e Kosovës i kanë thënë në muajin tetor se ai duhet të sigurojë pajtueshmërinë e veprimtarisë së tij në barnatore me rregulloret e Kosovës – dhe se nga janari e tutje tërë stafi i tij duhet të ketë kualifikimet e njohura nga Kosova.

“Njerëzit që diskutojnë këtë situatë në Bruksel nuk e dinë situatën në terren”, thotë me pakënaqësi Saviq, i cili është i pakënaqur me të gjitha obligimet të cilave duhet t’u përmbahet brenda një periudhe të shkurtër kohore. 

Doganat e Kosovës i përcollën pyetjet e Prishtina Insight-it lidhur me situatën me të cilën përballet z. Saviq Zyrës së zëvendëskryeministres Edita Tahiri, e cila është përgjegjëse për zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Zyra e znj. Tahiri tha se ishte në dijeni për rastin dhe se po merren me të. 

Marrëveshja e Brukselit përqendrohej parimisht në riintegrimin e katër komunave të veriut të Kosovës me shumicë serbe në pjesën tjetër të Kosovës. Serbia ka vazhduar të ushtrojë pushtet de facto në to që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999. 

Ky traktat i nënshkruar pas dy vjet diskutimesh teknike mbi çështje si infrastruktura energjetike dhe njohja e diplomave, ende nuk ka arritur të zbatohet në tërësi. 

Shumë njerëz në veri ndihen të lënë anash. Aktualisht, ata nuk gëzojnë qasje në sistem gjyqësor, duhet t’ia paguajnë taksat Kosovës dhe të kërkojnë shërbime nga komunat e financuara nga Prishtina. Njëkohësisht, Serbia vazhdon t’i financojë dhe menaxhojë shkollat dhe spitalet. 

Territoret veriore ngadalë kanë hyrë nën kontroll të qeverisë së Prishtinës. Zgjedhjet e administruara nga Prishtina janë mbajtur atje në nëntor të vitit 2013 dhe në qershor të vitit 2014. 

Që nga maji i vitit 2014, në pajtim me marrëveshjen e arritur, në veri ka funksionuar vetëm një forcë policore – Polica e Kosovës. 

Megjithatë, zbatimi i marrëveshjeve tjera ka ngecur, pjesërisht për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi dhe Kosovë dhe periudhës së gjatë të ngërçit politik që i parapriu krijimit të qeverisë së re në Kosovë. 

Gjykatat e Serbisë kanë ndërprerë veprimtarinë e tyre në veri, në pajtim me marrëveshjen, por Kosova ende nuk e ka plotësuar këtë vakuum me institucionet gjyqësore të veta për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me strukturën e gjyqësorit dhe stafit të ardhshëm të tij. 

“Qeveria në Beograd na mban në akull”, na tha një gjyqtar nga veriu i cili nuk deshi të identifikohej për shkak të ndjeshmërisë së situatës. 

“Ata na e kanë kufizuar veprimtarinë dhe na e ndalojnë të veprojmë jashtë autoritetit zyrtar”, shtoi ky gjyqtar. 

“Njëkohësisht, ne nuk kemi kurrfarë udhëzimesh sa i përket autoritetit tonë. Na ndalohet të komunikojmë me publikun dhe mediet. Ne i marrim pagat që nuk i meritojmë. Nuk ka kurrfarë strategjie publike mbi atë se çka duhet të bëjmë dhe për sa gjatë.”

Ndjenjat e këtij gjyqtari shprehin pasigurinë që e ndjejnë shumë njerëz nga veriu, të cilët gjenden të ngujuar mes dy pushteteve. 

Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe të Kosovës, i cili parashihet të përfshijë katër komunat në veri dhe gjashtë komuna tjera anembanë Kosovës, ende nuk është krijuar. Vazhdon të ketë mosmarrëveshje lidhur me autonominë që ai do të gëzojë. E vetmja gjë për të cilën është arritur marrëveshja është se ai do të mbikëqyrë shëndetësinë, arsimin, planifikimin hapësinor dhe kulturën. 

Biznesi i z. Saviq, ‘Moc prirode’ (fuqia e natyrës) ka dyqane në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan. Ai u shërben qytetarëve të këtyre qyteteve dhe serbëve anembanë Kosovës që vijnë në spitalin e Mitrovicës së Veriut për trajtim. 

Në muajin tetor, Doganat e Kosovës i thanë atij se që nga data 1 janar 2015 biznesi i tij duhet të licencohet dhe certifikohet në pajtim me standardet e përcaktuara nga qeveria e Kosovës. Të gjitha barnat që ai i importon duhet të miratohen dhe licencohen nga institucionet e Kosovës. 

Përveç kostos së re që rezulton nga taksat doganore, një nga problemet kryesore me të cilat përballet biznesi i z. Saviq dhe bizneset tjera të ngjashme, është çështja e e regjistrimit të firmave farmaceutike në Kosovë. 

Ndërmarrjet si ajo e z. Saviq nuk do të jenë në gjendje të blejnë mallra nga biznese që nuk janë të regjistruara dhe licencuara në Kosovë. Megjithatë, “Galenika”, kompania farmaceutike që mbulon pjesën më të madhe të nevojave të z. Saviq, është pronë e shtetit të Serbisë. Pasi që Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, ajo nuk do ta “ri-regjistrojë” këtë kompani në Kosovë. 

Barnat në barnatoren e Saviqit

z. Saviq frikësohet se kostot më të larta të furnizimeve mjekësore do t’ua pamundësojnë njerëzve shërimin. “Çka do të ndodhë nëse pacientët nuk marrin barnat që u duhen? Kjo mund të shndërrohet në katastrofë humanitare”, tha Saviq. 

Llidia Tabakoviq, zëvendësdrejtoreshë e Divizionit të Eksportit të “Galenika-s” tha se nuk kishte dëgjuar për këtë mundësi. “Ka lloj-lloj versionesh të këtij tregimi në qarkullim”, tha ajo. “Unë jam e bindur se oda jonë ekonomike do ta zgjidhë këtë çështje”.

Miodrag Trajiq, farmacisti i z. Saviq përballet me një pengesë tjetër. Në vitin 2011 Kosova dhe Serbia janë pajtuar për njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve të arsimit të lartë të njëra-tjetrës. 

Trajiq, i diplomuar nga Universiteti i Kragujevcit në Serbi në vitin 2012, nuk ka qenë në gjendje ta nostrifikojë diplomën pranë autoriteteve të Kosovës. 

Ministria e Arsimit e Kosovës e kishte udhëzuar atë t’i drejtohet SPARK-ut, organizatës holandeze e cila ka shërbyer si ndërmjetësuese mes Kosovës dhe Serbisë në këtë çështje. 

SPARK-u parashtron kërkesat në emër të të diplomuarve nga të dyja vendet me qëllim të njohjeve të tyre nga Asociacioni i Universiteteve Evropiane. Por, kontrata dyvjeçare e SPARK-ut skadoi në mes të vitit 2014 dhe nuk është përtërirë ende. 

Serbët nga tërë Kosova janë arsimuar edhe në Universitetin e Mitrovicës së Veriut, si i vetmi institut i arsimit të lartë në Kosovë me planprogram në gjuhën serbe. 12,000 studentët e tij ndjekin sistemin arsimor të Serbisë, por Kosova ka refuzuar njohjen e diplomave të lëshuara nga ai. 

Ai nuk ishte përfshirë në marrëveshjen e vitit 2011 mbi njohjen e ndërsjellë të diplomave që do të thotë se të diplomuarit nuk mund të aplikojnë për vende pune në sektorin publik në rast se vendet e tilla të punës kërkojnë arsimim të lartë. 

Në veriun e Kosovës mungon edhe infrastruktura burokratike. Sipas ligjeve të Kosovës, barnatoret duhet të inspektohen nga inspektorët sanitarë. Çdo komunë ka së paku një inspektor. Megjithatë, asnjë nga komunat e veriut për momentin nuk kanë të punësuar inspektorë të tillë. 

Si biznesmen, z. Saviq është i brengosur për faktin se nëse nuk gjendet një zgjidhje për t’u mundësuar farmacistëve importimin e mallrave nga kompanitë farmaceutike të Serbisë, doktorët do detyrohen të shesin barna me të cilat nuk kanë përvojë. 

Shëndetësia është brengë madhore e serbëve të Kosovës, shumica prej të cilëve udhëtojnë drejt Mitrovicës për trajtim. Edhe pse disa persona në Prishtinë ende ankohen për faktin se “strukturat paralele” të financuara nga Serbia vazhdojnë të operojnë në veri, zyrtarët që punojnë në Mitrovicë pohojnë se kur flitet për shkolla e spitale, këto sisteme nuk janë struktura paralele por strukturat e vetme. 

Qeveria e Kosovës këtë vit ka ndarë mes 3 dhe 5 milionë euro buxhet për secilën nga komunat veriore, shumë kjo dukshëm më e ulët sesa ajo që Beogradi shpenzon për to. 

Saviq frikësohet se disa serbë do të largohen nga Kosova në rast se humbin besimin në sistemin shëndetësor dhe nëse nuk mund të gëzojnë qasje në kujdesin që u nevojitet. “Serbët anembanë Kosovës vijnë në spitalin e Mitrovicës për t’u shëruar në gjuhën e tyre amtare”, tha ai. 

“Nëse nuk mund ta garantojmë cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe qasjes në barna, njerëzit do ikin njëherë e përgjithmonë”, shtoi ai. 

Adrijana Hoxhiq, udhëheqëse e zyrës së Qeverisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut, e cila ofron shërbime komunale në veri, thotë se banorët e Kosovës kanë menduar se marrëveshja e Brukselit përfundimisht do t’ua sjellë jetën normale që e kanë kërkuar. 

“Popullata e veriut ka pritur se kushtet e jetesës do të përmirësohen në çdo aspekt të jetës: do të ketë sundim më të mirë të ligjit, arsim dhe shëndetësi më të mirë”, rikujton znj. Hoxhiq. “Pyetja që parashtrohet në këtë kontekst është: a janë njerëzit tepër ambiciozë?” 

Kjo storie është shkruar si pjesë e projektit BIG DEAL, i cili bën mbikëqyrjen civile të zbatimit të marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky projekt implementohet nga BIRN Kosovë, Internews Kosova dhe Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie – CRTA, me përkrahje nga Zyra Britanike për Punë të Jashtme dhe të Komonueltit dhe Fondacioni Rockefeller Brothers.