Biznesi i Sigurimeve Mbi 1 Milion Euro Borxh Kryqit të Kuq

Rreth 300 mijë automjete sigurohen çdo vit në Kosovë nga dhjetë kompani të sigurimeve që janë edhe anëtare themeluese të Byrosë Kosovare të Sigurimit në bazë të të dhënave të Departamentit të Automjeteve të Ministrisë së Infrastrukturës.

Sigurimi i një veture në Kosovë kushton mesatarisht rreth 100 euro, ndërsa kompanitë e sigurimeve janë të obliguara të ndajnë një për qind të kësaj shume për Kryqin e Kuq. 

Kështu parashihet në nenin 14 të pikës 1.7 të Ligjit për Kryqin e Kuq, i cili ka hyrë në fuqi në korrik të 2010-ës.

Bazuar në këtë nen Kryqi i Kuq në xhirollogarinë e tij çdo vjet duhet të ketë rreth 300 mijë euro, nga 300 mijë veturat që sigurohen për çdo vit në Kosovë. Vetëm nga regjistrimi i veturave kompanitë e sigurimeve fitojnë rreth 3 milionë euro në vit.

Ligji ka hyrë në fuqi para më shumë se katër vjetësh por kompanitë e sigurimeve asnjëherë nuk kanë ndarë mjete për këtë organizatë.

Rreth 1 milion e 200 mijë euro, Kryqi i Kuq nuk i ka marrë asnjëherë nga 10 kompanitë e sigurimeve edhe katër vjet e katër muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. 

Kryqi i Kuq padit kompanitë e sigurimeve

Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar nga 10 kompanitë e sigurimeve që janë “Croatia Sigurimi”, “Dardania”, “Elsig-u”, “Siguria”, “Illyria”, “Insig-u”, “Kosova e Re”, “Sigal-i”, “Sigkos-i” dhe “Sigma”. 

Katër vjet pas kësaj gjendjeje, Kryqi i Kuq i Kosovës më 28 shkurt 2014 ka ngritur padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj kompanive të sigurimeve. 

Kjo lëndë ende nuk është proceduar nga kjo gjykatë.

Rrahim Pacolli, kryetar i Bordit të Byrosë Kosovare të Sigurimit thotë se padia e cila është iniciuar nga Kryqi i Kuq “është e pabazuar”. 

Por Adem Nura, drejtori i Kryqit të Kuq në Kosovë, ka thënë se janë dëmtuar shumë nga mospërmbushja e detyrimeve nga kompanitë e sigurimeve. 

 “Ne jemi dëmtuar shumë dhe për ketë ka ngecje të realizimit të programeve – projekteve që i dedikohen popullatës së Republikës së Kosovës”, i ka thënë Nura, Gazetës Jeta në Kosovë. 

Kryqi i Kuq i Kosovës ka 11 programe. Ato janë zhvillimi organizativ, komunikimi dhe informimi, edukimi për rrezikun nga minat, edukimi shëndetësor, dhurimi vullnetar i gjakut, ndihma e parë, menaxhimi i fatkeqësive, shërbimi i kërkimit, mirëqenia sociale, rina dhe vullnetarët. 

Nura i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë, se të gjitha këto programe mundohen t’i realizojnë në bazë të projekteve që fitojnë, por jo nga buxheti që kanë. 

Burimi i vetëm i Kryqit të Kuq janë të ardhurat nga ndihma e parë e patentë-shoferit. 

Drejtori Nura, nuk e di saktësisht sa janë të ardhurat e Kryqit të Kuq, por thotë se me të ardhurat që marrin, “e kanë shumë të vështirë të mbulojnë shpenzimet për pagat e rreth 40 punëtorëve sa kanë në këtë organizatë”.  

Drejtori Nura thotë se nuk do të ndalen së kërkuari mjetet që u takojnë me ligj, 

 “Për këtë do të bëhemi edhe më këmbëngulës në të ardhmen”, thotë ai.

Në një përgjigje të mëhershme që Nura i kishte kthyer Gazetës Jeta në Kosovë, më 30 prill të këtij viti pati thënë se Kryqi i Kuq, para se të bënte këtë padi kishte kërkuar takim me përfaqësuesit e Byrosë, për të biseduar rreth kësaj çështjeje4, por ky takim nuk kishte ndodhur asnjëherë. 

Kryqi i Kuq, pas kësaj iu pat drejtuar me një shkresë edhe Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione — më pas me iniciativën e këtij komisioni ishte mbajtur një takim në mes të përfaqësueseve të Bankës Botërore, Kryqit të Kuq dhe disa përfaqësueseve të kompanive të sigurimeve.

 “Takimi përfundoi me premtime që të takohemi sërish, po kjo nuk ndodhi më asnjëherë”, pati thënë Nura për Gazetën Jeta në Kosovë më 30 prill 2014. 

Gazeta Jeta në Kosovë u ka shkruar të gjitha kompanive të sigurimeve duke i pyetur lidhur me  arsyet se pse ato kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe nuk kanë kryer detyrimet e tyre ndaj Kryqit të Kuq. Asnjëra nga to nuk kanë kthyer përgjigje deri më tash.

Të njëjtat kompani të sigurimeve më 17 dhjetor 2010, gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji në korrik të 2010-ës, patën kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të hedhin poshtë Ligjin për Kryqin e Kuq, por kjo gjykatë më 14 nëntor 2011 pati dhënë vendimin se ky ligj mbetet në fuqi. 

Por Rrahim Pacolli, kryetari i Bordit të Byrosë Kosovare të Sigurimit, është kundër mënyrës së rregullimit të financimit me Ligj të Kryqit të Kuq.

 “Kjo çështje është mjaft komplekse dhe rast unikat i rregullimit të financimit të një institucioni humanitar në mënyrë administrative dhe në kurriz të biznesit privat”, i ka thënë Pacolli, Gazetës Jeta në Kosovë. 

 “Kjo ka ndodhë pa dijeninë dhe pa pëlqimin tonë”. 

Pacolli ka thënë se të gjendur në këtë situatë, këtë çështje e kanë iniciuar në Gjykatën Kushtetuese nga e cila kanë kërkuar mbrojtjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë “në drejtim që ky ligj të shpallet si jokushtetues dhe i njëjti duhet t’i kthehet Parlamentit me ndryshime dhe plotësime”.

Ndërsa në Ligjin për Kryqin e Kuq në nenin 19 parashihen edhe dispozitat ndëshkuese për mospërfillje të detyrimeve që parashihen në nenin 14 [në pikat 1.7, 1.8, 1.9].

 “Gjykata kompetente për kundërvajtje i cakton dënim me të holla, personit juridik, në shumën prej një mijë (1000) deri në tre mijë (3000) euro, ndërsa personit fizik përkatësisht përfaqësuesit ligjor të personit fizik, në shumë prej pesëqind (500) deri një mijë (1000) euro”, thuhet në nenin 19 të këtij Ligji.  

BQK-ja dhe ish-Komisioni për Buxhet dhe Financa pa informacione rreth zbatimit të ligjit

Bedri Hamza, ish-ministri i Financave, tash guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, e cila e mbikëqyr Byronë Kosovare të Sigurimit, më 7 nëntor të 2011-ës gjatë një seance parlamentare pati thënë se kjo çështje “nuk ka ndonjë lidhje direkte me Ministrinë e Financave”. 

 “Pavarësisht se kjo nuk është sferë e mandatit të Ministrisë së Financave, ne kemi diskutuar edhe me Bankën Qendrore dhe kemi kërkuar që ajo në kuadër të mandatit të saj të merret me këtë çështje”, pati thënë ish-ministri Hamza. 

Hamza pati  treguar se Banka Qendrore e Kosovës e kishte informuar [ministrinë] se përmes një shkrese, kishin kërkuar nga Shoqata e Sigurimeve zbatimin e obligimeve të tyre të dala nga Ligji për Kryqin e Kuq.

 “Ne kemi kërkuar që Banka Qendrore të punojë në këtë drejtim dhe ata që janë përgjegjës për zbatimin e ligjit, ta zbatojnë ligjin”, pati thënë Hamza, gjatë seancës së 7 nëntorit të vitit 2011. 

Hamza, tash guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, në një përgjigje të dhënë përmes zëdhënësit Besnik Kada ka thënë se “në bazë të legjislacionit në fuqi, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) nuk ka detyrime të drejtpërdrejta lidhur me zbatimin e Ligjit për Kryqin e Kuq të Kosovës”.

Por ka thënë se BQK-ja, si autoritet mbikëqyrës i sistemit financiar të vendit, angazhohet brenda kompetencave të saj ligjore, për respektimin e legjislacionit në fuqi nga të gjitha institucionet financiare të vendit. 

 “Konkretisht, në komunikimet zyrtare me kompanitë e sigurimit, ne kemi shprehur në mënyrë të qartë qëndrimin tonë në favor të respektimit të tërë legjislacionit të aplikueshëm për këto institucione financiare”, i ka thënë guvernatori Hamza, Gazetës Jeta në Kosovë. 

Ndërsa Pacolli, kryetari i Bordit të Byrosë së Sigurimit ka thënë se “kompanitë e sigurimit ushtrojnë aktivitet nën mbikëqyrjen e BQK- së e cila asnjëherë nuk ka pasur vërejtje dhe rekomandime për këtë ligj në raport me Kompanitë e Sigurimit.

Banka Qendrore e Kosovës, mbikëqyret nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, i cili aktualisht nuk është funksional për shkak të gjendjes politike të krijuar në Kosovë, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura më 8 qershor. 

Naser Osmani, ish-zëvendëskryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë, se nuk kanë diskutuar rreth kësaj problematike. 

 “Për me qenë korrekt me ju, ne në dy vjetët e fundit të komisionit nuk kemi diskutuar me guvernatorin Hamza rreth kësaj çështjeje”, ka thënë Osmani.

 “Por tash posa të bëhet funksional Kuvendi i Kosovës, unë do ta inicioj këtë problematikë”, ka thënë ai. 

Gazeta Jeta në Kosovë, ka kontaktuar edhe me Muhamet Mustafën, ish-anëtar i këtij komisioni, i cili ka thënë se nuk është i informuar dhe se nuk ka të dhënë rreth asaj që kompanitë e sigurimeve nuk kanë paguar obligimet ndaj Kryqit të Kuq të Kosovës.