QKUK- Trajtimi i Çrregullt i Fëmijëve me Anomali

Ka tetë vjet që autoritetet shëndetësore nuk kanë lëvizur në drejtim të plotësimit të një kërkese që i ka ardhur nga një drejtues klinike i spitalit publik në Prishtinë-Qendrës Klinike Universitare.

Nexhmi Hyseni që drejton Kliniken për Operimin e Fëmijeve- Kirurgjinë Pediatrike- tregon për përmbajtjën e shkresës që e kishte dërguar më 2006 në Ministrinë e Shëndetësisë. 

Kishte treguar se distanca prej 100 metrash mes Klinikës së Kirurigjisë Pediatrike ku operohen fëmijët dhe asaj të Neonatologjisë ku ofrohet kujdesi para dhe pas operimit është duke krijuar problem në ofrimin e shërbimeve mjekësore.

Sipas tij objektet e këyre dy klinikave duhet të jenë ngushtë të lidhura njëra me tjetrën pasi që bartja e fëmijëve nga një klinikë në tjetrën mund të përkeqësojë shëndetin e tyre. 

Ai përmend arsyen se pse duhet të jetë prioritet ndërtimi i një klinike moderne që përfshin të dyja shërbimet. 

 “…duke u nisur nga përvoja jonë e hidhur se një numër i madh i fëmijëve të lindur me anomali kongjenitale ( deformime të shyllës kurrizore, veshkave, zemrës që formohen para, gjatë dhe një muaj pas lindjes) nuk mund të mbijetojnë periudhën e paslindjes për shkak të rrethanave të pafavorshme në të cilat ata operohen, ose mjekohen..”, është arsyeja që Hyseni përmend në shkresën  e tij.

Hyseni thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se klinika që ai drejton përveç largësisë me objektin e neonatologjisë, vazhdon ende të punojë në kushte te mjerueshme. 

Klinika, sipas tij, nuk ka më shumë se 40 shtretër për pacientë, nuk ka njësi të mjekimit intenziv për fëmijë si dhe nuk ka salla të mjaftueshme për operime. 

Po ashtu, sipas tij, klinikës i mungojnë edhe laparoskopia që mundëson shikimin e organeve të brendshme të organizmit dhe endoskopia që shërben për ekzaminimin e gjendjes së pacientit nëpërmjet minitelekamerës.

Kërkesa e tij drejtuar autoriteteve shëndetësore para tetë vjetësh, në vitin 2006, nuk pati ndonjë rezultat, edhe pse të njejtën e kishte ridërguar disa herë përgjatë këtyre viteve. 

“Përkundrejt këtyre kërkesave dhe premtimeve të vazhdueshme se do te realizohet ky projekt, akoma nuk është realizuar asgjë nga kjo”, thotë Hyseni.

MSh-ja thotë se nuk ka buxhet për investime

Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë, tha se ky institucion posedon projekte të dizajnuara për ndërtimin e disa klinkave ku përfshihet edhe ndërtimi i klinikës moderne të kirurgjisë pediatrike që përfshin edhe neonatologjinë.

Megjithatë, sipas tij, nuk është në rend ndërtimi i tyre pasi buxheti i kësaj ministrie është i fokusuar të shpenzohet në  blerjen e barnave dhe materialeve mjekësore për nevoja të spitaleve publike, si dhe në pagat e punonjësve shëndetësorë. 

Ministria e Shëndetësisë i shpenzon mbi 42 milionë euro në vit për barna e materiale medicinale, ndërsa shpenzon mbi 45 milionë euro për paga të punonjësve shëndetësorë.

“QKUK-ja e di sa kemi buxhet qysh në fillim të vitit, Prandaj QKUK-ja e ka të qartë se sa mundemi të bëjmë ne”, thotë Hoti duke shtuar se ky buxhet e kufizon ministrinë që të bëjë edhe investime në spitale publike.

Duke folur për nevojat e ndërtimit të klinikave të reja Hoti përmendi në shifra se sa mund të kushtojë ndërtimi i emergjencës (20 milionë euro) por tha se nuk mund të flasë se sa e ka koston ndërtimi i klinikës që do të lidhte neuonatologjinë dhe kirurgjinë pediatrike.

Sipas tij për këtë duhet shfletuar dokumentacionin në ministri. 

Ai ende nuk ka dhënë përgjigje se sa mund të kushtojë ndërtimi i kësaj klinike.

Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë sheh mundësinë e thithjes së një donacioni për ndërtimin e klinikës.

Hoti përmend se kishte pasur një nismë të tillë.

“Ministri Ferid Agani ua ka propozuar këtë projekt një delegacioni arab, por  është në vullnetin  e donatorit të vendosë se kur dhe si do të mbështesë, sepse për projekte ndërkombëtare, secili donator merr një aprovim në Qeverinë e vendit të tij”, u shpreh Hoti. 

Në shkurt të vitit të këtij viti  delegacioni arab  “Khalifa Foundation” nga Emiratet e Bashkuara e vizitoi QKUK-në. 

Hoti thotë se delegacioni ende nuk lajmëruar autoritetet kosovare se a do të ndihmojë apo jo.

Derisa autoritetet nuk po munden të bëjnë diçka, mjekët vazhdojnë të ankohen për mungesën e një klinikeje moderne.

Synavere Hoxha është drejtoreshë në Klinikën e Neonatologjisë ku fëmijëve iu ofrohet kujdes shëndetësor para dhe pas operacionit. 

Ajo përmend problemet që shkakton distanca prej 100  metrash mes kësaj klinike dhe sallës së operacionit në Klinikës së Kirurgjisë Pediatrike.

“Vështirësitë qëndrojnë në faktin se fëmijët janë në inkubator. Ata duhet të zbriten shkallëve e të vendosen në autoambulancë. Shumë herë sallat e operacioneve janë të ftohta dhe kjo ndikon në gjendjen e fëmijës”, thotë Hoxha për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas saj, fëmijët pas operacionit duhet të kthehen në neonatologji duke përshkuar të njejtën rrugë dhe duke shfrytëzuar autoambulancën.

“Në të njëjtin vend do duhej të jenë të gjitha. Duhet të jetë një sallë e operacionit që do të përmbushte kushtet për operim dhe në të njejtin vend të ofrohen shërbime mjekësore për nënën dhe fëmijën”, u shpreh ajo. 

Hoxha tregon se gjatë nëntë muajve të këtij viti, në QKUK kanë lindur 8 mijë e 36 fëmijë.

Prej tyre 110 kanë qenë me anomali, ndërsa 30 prej tyre është dashur të operohen. Katër prej të operuarve kanë vdekur, sipas drejtoreshës së Klinikës së Neonatologjisë.

Sipas saj, nuk mund të konkludohet se fëmijët vdiqën për shkak të largësisë mes objekteve, por Hoxha thotë se mungesa e kushteve rrit rrezikun që edhe në të ardhmen të mos mund të ofrohen shërbime të duhura për fëmijët.

Megjithatë, Hoxha thotë se këtë vit ka pasur rënie të fëmijëve të lindur me anomali kongjenitale –të cilët duhet të lëvizen andej këndej QKUK-së për të realizuar intervenimet kirurgjike.


Klinika e Kirurgjisë

Shoqata “Nëna Terezë” ishte përpjekur të ndihmonte

Kishte pasur edhe iniciativa tjera për të ndihmuar në ndërtimin e një klinike ku do të ofrohej kujdes më i mirë shëndetësor për fëmijët që lindin në spitalin publik në Prishtinë.

Shoqata “Nëna Terezë” nga Gjermania në vitin 2011  kishte kontaktuar Baton Arifin, drejtorin e Kompanisë “Patria” me qëllim të përpilimit të një projekti që parashihte ndërtimin e klinikës moderne të kirurgjisë pediatrike që do të përfshinte në një objekt sallën e operimit dhe shtretërit për mjekim para e pas operimit.

Kompania “Patria” dha projektin ideor në vlerë prej 45 mijë eurosh dhe bashkë me shoqatën “Nëna Terezë” kishin paraparë ndërtimin e një klinike në hapësirë prej 22 mijë metrash katrorë. 

E kishte dorëzuar në QKU në korrik të vitit 2011.

Por kjo ishte lëvizja e fundit në drejtim të realizimit të këtij synimi. Ideja e ndërtimit ka mbetur vetëm në letër.

“Kjo shoqatë nuk ka mjete të mjaftueshme për të ndihmuar në financimin e ndërtimit të klinikës moderne”, thotë Shaqir Gashi, kryetari i Shoqatës“Nëna Terezë” me bazë në Gjermani.

Baton Arifi nga Kompania “Patria” thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se pas dorëzimit të projektit ideor më nuk është informuar për ndodhitë në QKU. 

“..sa i përket kostos së implementimit parallogaritë datojnë nga viti 2011, prandaj ato nuk mund të merren parasysh për shkak të ndryshimit të kostos së ndërtimit dhe ndryshimit të kostos së pajisjeve medicinale”, thotë Arifi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndërkohë Valdet Osmani, arkitekt që ka punuar më herët në QKUK,  thotë se ndërtimi i objektit të kësaj klinike që parashihet t’i ketë 22 mijë metra katrorë mund të kushtojë përafërsisht 5 milionë e 500 mijë euro.

“Shpenzimet munden me qenë edhe më të mëdha, por ndërtimi i një metri katrorë kushton 250 deri në 300 euro”, thotë Osmani.