Të Verbërve u Kushtëzohet Libreza e Verbërisë Me Pagesën e Anëtarësisë

Personat e Verbër në Kosovë kanë disa beneficione të garantuara nga ligji për persona të verbër  i cili i liron ata nga taksat.

Në fuqinë e nenit 6 të këtij ligji thirren edhe Halil Kurmehaj e Gëzim Rexha, të cilët i përkasin komunitetit të të verbërve.

Ata konsiderojnë se u është bërë e padrejtë që Shoqata ka vënë çmimin prej 24 euro për marrjen e librezës së verbërisë dhe asaj të anëtarësisë.

Halli i tyre nuk është libreza e anëtarësisë pasi që ajo mund të merret nëse ata duan të jenë pjesë e shoqatës, por është libreza e verbërisë ajo që ua mundëson atyre të përfitojnë nga gjendja që kanë.

“Pavarësisht se njerëzit e verbër mund të anëtarësohen në organizata të ndryshme pra mund të zgjedhin të jenë anëtarë të një organizate apo ndonjë organizate tjetër, por atyre në asnjë mënyrë nuk mund t’u mohohet e drejta për të përfituar nga ligjet përkatëse për të verbrit”, tha Gëzim Rexha.

Sipas tij, asnjë shoqatë nuk mund t’i kushtëzojë të verbërit për të përfituar atë që ua garanton ligji.

Edhe Kryetari i Shoqatës së të Verbërve Të Kosovës Bujar Kadriu e pranon se libreza e verbërisë kushtëzohet me librezën e anëtarësisë.

“Sipas këtij vendimi të bordit nuk mund ta marrë librezën e verbërisë, po mund të ndryshojë vendimi”, tha Kadriu.

Ai kundërshton Kurmehën dhe Rexhën për interpretimin e nenit 6 të ligjit për të verbër.

Sipas tij, ky ligj u është dedikuar vetëm taksave në institucione publike dhe jo nëpër institucione private apo nëpër shoqata.

“Shoqata e të verbërve të Kosovës nuk ka taksë. Ne nuk jemi asocion që bëjmë taksa, ne ekzistojmë që nga viti 1947 dhe që nga ajo kohë ka qenë vazhdimësi pagesa e anëtarësisë. Neni 6 bën fjalë për lirim nga taksat në institucione publike”, u shpreh ai.

Kadriu thotë se Shoqata e Të Verbërve është bashkim vullnetar i personave të verbër në Kosovë dhe çdokush ka të drejtë të jetë apo të mos jetë anëtar i kësaj shoqate.

Distribuimi i librezave i është besuar kësaj shoqate nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Behxhet Gaxhiqi, zëdhënës i Ministrisë.

“Këto libreza janë përgjegjësi e Shoqatës tashmë dhe mund të flisni me ata për çdo vendim që është marrë”, u shpreh ai.

Por Halil Kurmehaj thotë se ligji nuk po respektohet dhe se atij nuk i është dhënë e drejta as të ketë qasje në dokumente publike.

“Kemi kërkuar qasje në të gjitha dokumentet duke iu referuar Ligjit për Qasje në Dokumente Publike ku ligji parasheh afate të qarta dhe ata nuk e kanë lejuar një gjë të tillë. Shoqata nuk e ka lejuar madje as nuk kanë kthyer përgjigje për këtë”, tha Kurmehaj.

Por Bujar Kadriu Kadriu e mohon këtë.

“Nuk është e vërtetë. Ata të gjithë janë takuar me mua. Nëse është Halil Kurmehaj, ai ka qenë këtu në takim para një jave. Prej atij takimi ka thënë se nuk ka ardhë i përgatitur. I kam thënë ‘ti ke kërkuar dokumentacion hajde merre’. Ai nuk ka ardhë”, thotë Kadriu.

Kadriu thotë se këto para nuk mblidhen vetëm për zyrën e tij.

“Në bazë të vendimit të bordit të vitit të kaluar është caktuar një kosto 24 euro në vit. Ata japin kontribut për Shoqatën, jo për Zyrën time se sipas statutit të ShVK-së, 20 për qind mbesin në shoqatën e të verbërve e 80 për qind mbesin në degë dhe të gjithë anëtarësia prapë i kthehet atyre”, tha Kadriu.

Kurmehaj dhe Rexha nuk i kanë pranuar librezat e anëtarësisë, por Kadriu thotë se paratë e mbledhura nga kuotizimi, shoqata që drejton ai i shfrytëzon për shërbime falas për të verbrit në Kosovë dhe në mjete e teknologji informative për përdorim më të lehtë.