Akuza për Kurdisje të Konkursit

Agjencia për Shoqëri të Informacionit (AShI), e udhëhequr nga Kujtim Gashi,  akuzohet se ka përgatitur kriteret e një konkursi të brendshëm për tre punëtorë të këtij institucioni.

Gashi erdhi në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të kësaj agjencie shtetërore në dhjetor të vitit të kaluar, duke lënë pas një përvojë të gjatë të angazhimit në Partinë Demokratike të Kosovës. 

Ai më herët ka qenë shef i Administratës së Komunës së Kamenicës prej vitit 2008 deri më 2011dhe anëtar i Kryesisë së PDK-së në Kamenicë.

Agjencia për Shoqëri të Informacionit që drejtohet nga Gashi, u krijua më 30 maj të vitit të kaluar kur parlamenti miratoi Ligjin për Organet Qeveritare për Shoqërinë e Informacionit dhe operon në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike.

Deri në miratimin e këtij ligji ekzistonte Departamenti për E-qeverisje që kryente punët e kësaj agjencie. 

AShI në qershor të këtij viti hapi konkursin e brendshëm për zgjedhjen e drejtorëve të departamenteve.   

Emërimi i tre drejtorëve të rinj po kontestohet nga dy konkurrentë që humbën garën. 

Ata akuzojnë për kurdisje të kritereve në favor të drejtorëve aktualë.

Fakije Zejnullahu dhe Sahit Mushkolaj, dy ish-drejtorë të drejtorateve gjatë e-qeverisjes, thonë se ata nuk u trajtuan në mënyrë të barabartë në këtë konkurs.

“Është fyer rëndë përgatitja jonë shkollore dhe profesionale, duke na vendosur në një garë të anuar nga persona që ishin në listë për t’u përzgjedhur dhe qe nuk plotësonin kriteret për përzgjedhje”, tha Zejnullahu.

Sahit Mushkolaj thotë se ata [Fakija dhe ai] kishin përgatitjen e nevojshme dhe plotësonin të gjitha kriteret profesionale.

“U eliminuam përmes një procedure testimi të manipuluar, duke u thirrur në atë se personat  e përzgjedhur kanë marrë pikë  me shumë në testin me shkrim dhe me gojë”, tha ai.

“Kriteret e kurdisura”

Sipas Zejnullahut dhe Mushkolajt, dy shkeljet më të mëdha gjatë konkursit që u hap me 6 qershor, ishin kriteri teknik i vendosur dhe llogaritja e udhëheqësit të njësisë si pozitë menaxheriale. 

Te kriteret e konkursit ishe kërkuar që konkurrentët të kenë “një diplomë universitare të shkencave kompjuterike, teknike apo fusha të ngjashme”.

Sahit Mushkolaj thotë se kërkoi sqarim nga Zyra e Personelit në MAP rreth asaj se cilat drejtime do të mund të përfshiheshin në kriterin e “diplomës universitare teknike”. 

Por thotë se asnjëherë nuk mori përgjigje. 

“Me diplomë teknike është lënë mundësia që në këto pozita të vijnë njerëz jo me diplomën profesionale të lëmisë së teknologjisë, telekomunikacionit, por edhe ata me diplomë të ndërtimtarisë, makinerisë, arkitekturës etj”, tha Mushkolaj.

Mushkolaj kishte konkurruar për pozitën udhëheqës i Drejtoratit të Rrjetit dhe Telekomunikimit dhe në drejtoratin për Menaxhim dhe Integrim të Sistemeve. 

Në të parën është emëruar Merita Seferi, ndërsa në të dytën Hekrem Sadiku.

Mushkolaj që ka përfunduar Fakultetin Elektroteknik- Drejtimin e Elektronikës në Universitetin e Prishtinës, ka një përvojë më të gjatë në pozita të larta menaxhuese.

Ai për tetë vjet ishte udhëheqës i Drejtoratit të Rrjetit dhe Telekomunikimit në Ministrinë e Administratës Publike, kurse nga viti 2000 -2007 kishte punuar në UNMIK në sektorin e inxhinjeringut. 

Seferi që ka përfunduar Fakultetin e Shkencave të Aplikuara Teknike-Drejtimin Informatikë, mbante pozitë të ulët nga viti 2003 deri më 2010. 

Ishte zyrtare e sigurisë në këto shtatë vjet në MAP dhe më pastaj ishte udhëheqëse e Divizionit të Rrjetit dhe Telekomunikimit në këtë ministri. Më pas u avancua në udhëheqëse e Njësisë për Siguri dhe Administrim të IT-së në MAP.

Edhe Hekrem Sadiku që ka të kryer Fakultetin e Elektroteknikës – Drejtimin Elektroteknikë dhe Telekomunikacion, nuk ka mbajtur pozita të larta menaxhuese në karrierën e tij.

Ai nga viti 2003-2010 ka punuar në pozitën integrues i sistemeve në MAP. Ndërsa prej dhjetorit 2010 është avancuar në këtë ministri në pozitën udhëheqës i Njësisë për Menaxhim dhe Projektim të Sistemeve”.

Shkelja tjetër sipas Fakije Zejnullahut është bërë te përvoja e punës, ku kërkoheshin tre vjet punë në pozita menaxheriale. 

Sipas saj, udhëheqës i njësisë nuk është pozitë menaxheriale me asnjë udhëzim administrativ apo rregullore të Shërbimit Civil. 

Udhëheqësi i njësisë, sipas saj, u prin disa zyrtarëve për të kryer ndonjë punë të caktuar të deleguar nga menaxhmenti.

“Udhëheqësi i njësisë nuk bën vlerësimin e stafit, nuk bën planifikimin e punëve për vitin vijues, nuk i nënshkruan pushimet vjetore, shëndetësore. Ata i prijnë një grupi punues”, tha Zejnullahu. 

“Dy të përzgjedhurit, Hekrem Sadiku dhe Merita Seferi, kanë qenë në pozitat udhëheqës të njësiteve, e atyre kjo u është llogaritur si pozitë menaxheriale”, tha ajo. 

Zejnullahu ka konkurruar për postin e drejtorit të Drejtoratit për Qeverisje Elektronike dhe postin e  drejtorit të Drejtoratit për Menaxhim dhe Integrimin të Sistemeve Softuerike në MAP. 

Për këtë të dytin kishte konkurruar edhe Mushkolaj.

Zejnullahu ka përfunduar Fakultetin Teknik-Drejtimi Informatikë dhe Telekomunikacion dhe është kandidate për doktoratë në Drejtimin Menaxhimi i Sistemeve të Informacionit në Universitetin e Prishtinës.

ajo gjatë viteve 2007-2011 ishte udhëheqëse e Sektorit për Zhvillim të Softuerit në MAP. Kurse nga viti 2006-2007 ishte asistente për teknologji informative në UNDP.

Në pozitën që ajo ka mbajtur, tash është duke punuar Hekrem Sadiku. Ndërsa në pozitën tjetër ku kishte konkurruar është duke punuar Selim Lulaj.

Ndërkaq Selim Lulaj që ka pozitën që dikur mbante Zejnullahu,  ka përfunduar Fakultetin e Makinerisë- Drejtimi Makineri Prodhuese. Nga viti 2004-2005 ka punuar në pozitën zyrtar i lartë i sigurisë së IT-së në Ministrinë e Shërbimeve Publike. 

Nga viti 2008 deri 2011 si shef sektori në Ministrinë e Shërbimeve Publike, kurse nga 2011-2014 në pozitën udhëheqës i Divizionit për Zhvillimin e E- qeverisjes” në MAP.

Agjencia për Shoqëri të Informacionit, në një përgjigje dhënë Gazetës Jeta në Kosovë, ka deklaruar se procesi i konkurrimit ishte i rregullt.

Në përgjigjen e agjencisë thuhet se përcaktimi i kritereve dhe testi për pozitat e udhëheqësve të drejtorateve është bërë nga Komisioni Përzgjedhës i Shërbimit Civil.

Agjencia për Shoqëri të Informacionit në përgjigjen e 5 shtatorit të përcjellë nëpërmjet Zyrës për Informim të MAP-it, tha se “kriteri për diplomë në shkenca teknike është paraparë me konkurs nga komisioni përzgjedhës, bazuar në përshkrimet e vendeve të punës të drejtorateve përkatëse”.  

Mirëpo AShI nuk ka komentuar për pretendimet e konkurrentëve për kurdisjen e kritereve edhe përkundër që gazeta ka pritur që nga 16 tetori.

Pyetjeve të Gazetës ende nuk i janë përgjigjur të zgjedhurit në krye të drejtorateve.

Ankesat 

Zejnullahu dhe Mushkolaj fillimisht ishin ankuar në Komisionin për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave brenda Ministrisë së Administratës Publike. 

Në muajin gusht komisioni hodhi poshtë pretendimet e tyre. 

Në arsyetim shkruan se te kualifikimi dhe përvoja e punës për pozitat e cekura, në dy ankesat komisioni konstaton se ato ishin të përcaktuara në konkurs dhe se lloji i kualifikimit është përcaktuar në bazë të formularit të përshkrimit të detyrave të punës.

Kurse në pretendimet për degradime nga pozitat të cilat mbanin Fakije Zejnullahu dhe Sahit Mushkolaj, komisioni konstaton se janë zgjedhur kandidatët me numrin më të madh të pikëve të arritura në konkurs.

“Pretendimet e tjera të paraqitura edhe në seancën e shqyrtimit të ankesës nga parashtruesit e ankesës se KPShC-ja ka bërë shkelje të parimeve udhëheqëse të Shërbimit Civil të Kosovës, posaçërisht parimin e mosdiskriminimit dhe meritës, se drejtori i AShI-t ka parapërgatitur konkursin për persona të caktuar dhe dyshimet për manipulim me testin me shkrim- për këtë nuk janë dëshmuar me argumente”, shkruan në vendimin e Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave.

Ata iu drejtuan edhe Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.  

Në ankesën e datës 26 gusht 2014 Zejnullahu dhe Mushkolaj shkruajnë se gjatë konkursit të brendshëm të 6 qershorit, pati shkelje te procedurave te rekrutimit, parimeve të Shërbimit Civil, manipulim të konkursit dhe komisionit nga drejtori i AShI-t dhe diskriminim.

Por KPMShC-ja, më 23 shtator vendosi të refuzojë ankesën e Fakije Zejnullahut si të pabazuar.

Në arsyetim shkruan se komisioni ka konstatuar se kandidatët e pranuar kanë plotësuar kriterin për përgatitje profesionale dhe përvojën e punës, për dy pozitat për të cilat ajo kishte konkurruar.

Në pikën e ankesës për anim dhe diskriminim në përzgjedhjen e kandidatëve, kolegji  konstatoi se të përzgjedhurit janë në pajtim me Rregulloren për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil.

“Nga provat del se për pozitën e parë kandidati Hekrem Sadiku ka pasur 84 pikë, kurse Fakije Zejnullahu 77 pikë. Për pozitën tjetër Selim Lulaj ka realizuar 89 pikë ndërsa ankuesja Fakije Zejnullahu 76”, shkruan në vendimin e KPMShC-së.

Po ashtu KPMShC-ja më 13 tetor refuzoi edhe ankesën e Sahit Mushkolajt si të pabazuar.

Edhe në këtë arsyetim shkruan se kandidatët e pranuar i kanë plotësuar kriterin për përgatitje profesionale dhe përvojën e punës, për dy pozitat për të cilat kishte konkurruar Mushkolaj.

Në pretendimin për anim dhe diskriminim, komisioni konstaton se dy të përzgjedhurit Hekrem Sadiku dhe Merita Seferi ishin ranguar në listë para Mushkolajt.

“Në pozitën e Drejtoratit të Menaxhimit dhe Integrimit të Sistemeve, i përzgjedhuri Hekrem Sadiku kishte 84 pikë, kurse në pozitën e Drejtoratit të Rrjetit dhe Telekomunikimit, e përzgjedhura Merita Seferi ka realizuar 85 pikë, ndërsa ankuesi Sahit Mushkolaj 68 pikë”, shkruan në vendimin e KPMShC-së.