Ja Si u Pushtua Stacioni Policor në Prizren

Ekspertë të çështjeve të sigurisë thanë për emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’ se policia duhet ta rrisë nivelin e sigurisë së objekteve të saja.

E se institucioni i cili merret me ofrimin e sigurisë nuk i ka të sigurta as objektet e veta, e dëshmon më së miri rasti i javës së kaluar, kur një person me precedentë të shumtë penalë arriti të hyjë i armatosur në stacionin policor ‘Alfa” në Prizren.

Shefki Hallaqi i njohur si “Sheki” hyri i armatosur në stacion policor ’Alfa’ në Prizren, në orët e hershme të mëngjesit, duke i mbajtur peng policët që ndodheshin brenda stacionit.

Pasi shtiu disa herë me kallashnikov brenda stacionit, Hallaqi u largua pa u penguar nga askush, përkundër faktit se në stacion gjendeshin 6 zyrtarë policorë.

Pasi që policët nuk arritën ta ndalonin të dyshuarin, ai vendosi të vetë dorëzohej të nesërmen, duke u dërguar në paraburgim.

Ky incident ngriti shumë dilema për nivelin e sigurisë që kanë këto objekte policore.

Nuredin Ibishi ekspert i çështjeve të sigurisë thotë se policia duhet të marrë masa të menjëhershme për të parandaluar incidente të tilla.

Sipas Ibishit, në kohën kur Policia e Kosovës është përfshirë në luftën kundër terrorizmit dhe grupeve të mëdha të krimit të organizuar duhet të mendohet edhe për përmirësimin e masave të sigurisë.

“Vendi ynë duhet të nxjerrë një ligj të veçantë me të cilin parashihen masat që duhet marrë për sigurimin e objekteve të rëndësisë së veçantë”, shprehet Ibishi.

Sipas tij, deri në nxjerrjen e këtij ligji, Policia e Kosovës duhet të marrë masa të menjëhershme për ta evituar rrezikun e përsëritjes së asaj që ka ndodhur në Prizren.  “Duhet që policët të cilët vihen për t’i ruajtur objektet të jenë të përgatitur dhe të pajisur mirë” thotë Ibishi.

Mirëpo Policia e Kosovës përveç se suspendoi nga puna 6 zyrtarët policorë të cilët nuk arritën t’i dilnin përballë një personi të armatosur, nuk pritet të ndërmarrë masa tjera për sigurinë e objekteve të tyre.

Këtë e ka konfirmuar zëvendës drejtori i policisë Naim Rexha i cili për “Drejtësia në Kosovë” ka thënë se masat të cilat janë marrë kanë të bëjnë me suspendimin e gjashtë zyrtarëve policorë të cilët kishin qenë në punë mëngjesin kur ndodhi sulmi. Masa të tjera sipas Rexhës nuk ka nevojë të ndërmerren.

E sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, fajtor për sulmin në stacionin e policisë në Prizren është prokuroria. Kjo për shkak se i dyshuari një natë para sulmit në stacionin policor kishte qenë i prangosur.

Hallaqi deri në këtë kohë ishte arrestuar të paktën edhe 10 herë të tjera, i dyshuar për vepra penale sulm ndaj personit zyrtar, lëndim i lehtë trupor e vepra tjera.

Sipas raporteve zyrtare, disa orë para se ta sulmonte stacionin Hallaqi ishte arrestuar në gjendje të dehur pak minuta pasi kishte demoluar një kabinë telefoni në qendër të Prizrenit, mirëpo edhe pse në gjendje të dehur dhe me precedentë të shumtë penalë, Hallaqi ishte liruar me urdhër të prokurorit kujdestar.

Mirëpo, Metush Biraj, kryeprokuror i Prizrenit, thotë se prokurori kujdestar nuk kishte qenë në dijeni se i arrestuari kishte precedent penal.

Madje sipas Birajt lirimi i të dyshuarit nga arresti ishte kryer pasi polici që kishte komunikuar me prokurorin kishte thënë se personi nuk paraqet rrezik nëse lejohet të shkojë në shtëpi në gjendje të dehur.

Biraj, i cili citon raportin që kolegu i tij Beqë Shala ka bërë për rastin, thotë me bindje se prokurori nuk e ka ditur se i dyshuari ka precedentë penalë.

Sipas kryeprokurorit, zyrtarët policorë ishin ata të cilët kishin sugjeruar lirimin e Hallaqit.

Në të vërtetë, rasti do të ishte i thjeshtë, nëse raporti i prokurorit Beqë Shala do të përputhej me raportin e policit hetues Hajredin Braha.

Në një raport që e ka siguruar ‘Drejtësia në Kosovë’ shihet se hetuesi Hajredin Braha e ka potencuar decidivisht në raportin e tij zyrtar se saktësisht ia ka bërë me dije prokurorit Beqë Shala se personi i arrestuar Shefki Hallaqi ishte recidivist.

Megjithatë, sipas zyrtarëve të prokurorisë dhe policisë do jetë e pamundur të vërtetohet se cila ishte e vërteta në këtë rast pasi që biseda telefonike në mes prokurorit dhe policit hetues nuk është regjistruar.