Dyshime për përshtatje të konkursit

Astrit Hajdini dhe Haxhere Vatovci konkurruan  në konkursin e shpallur më 1 prill  nga Spitali Regjional i Vushtrrisë, Sheikh Zayed, i cili kërkonte dy infermierë. 

Nuk patën fatin të pranohen, pasi që konkursi u anulua. I njëjti konkurs u rishpallë më vonë, por tashmë kriteret e pranimit ishin zbutur.

Derisa nëpërmjet konkursit të shpallur herën e parë më 1 prill,  kërkohej, ndër të tjera, edhe fakulteti i infermierisë, tashmë nuk kërkohej plotësimi i këtij kushti. Kërkohej vetëm shkolla e mesme. 

Hajdini e Vatovci u intervistuan nga Gazeta Jeta në Kosovë më 30 qershor të këtij viti dhe shfaqen dyshimet se në punë do të pranoheshin Ganimete Maxhuni dhe Mirlinda Mustafa.

Ashtu edhe doli.

Astrit Hajdini, i intervistuar sërish më 15 korrik të këtij viti,  tha se punësimi i Maxhunit dhe Mustafës është i dyshimtë, pasi që, këta dy morën pikët maksimale, përkundër që kanë të kryer vetëm shkollimin e mesëm.

“Ka qenë një test i vështirë edhe për mua që kam fakultetin e infermierisë, e lëre më për ata dy kandidatë, që e kanë vetëm shkollën e mesme të mjekësisë”, tha Astrit Hajdini.

Edhe Haxhere Vatovci, konkurrentja tjetër në këto konkurse, ka dyshime të ngjashme sikurse Astriti. Asaj i qanë zemra në atë se konkurset fillimisht po ua përshtatin njerëzve të caktuar, e pastaj po i shpallin.

“Nuk është e mundur prej një testi aq të vështirë, me kalu në 90 pikë, kurse kandidatët me fakultet dhe me përvojë pune kemi arritur me kalu deri në 64 pikë”, Vatovci ajo.

Ajo përmend emrat se kush do të pranohet në këtë konkurs ende pa dalë kurrfarë rezultati.

Kovaçi: Konkursi u anulua për arsye tjera

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të spitalit, Rexhep Kovaçi, tha se anulimi i konkursit të parë dhe rishpallja e tij me ndryshime, ka ndodhur për shkak të gabimeve në koeficient.

“Herën e parë konkursi është anuluar sepse ka pasur një gabim teknik se nuk është përcaktuar saktësisht dhe qartë koeficienti i infermierëve të pranuar”, tha Kovaçi. 

“Ne si këshill drejtues kemi vendosur që ta anulojmë dhe ta shpallim me koeficient të qartë”, shtoi ai.

Kovaçi mohon të jetë bërë kjo lëvizje për shkak që t’u përshtatet konkursi ndokujt. 

“Anulimi i konkursit absolutisht nuk është bërë për t’iu përshtatur askujt”, tha ai.

Konkursi i shpallur në prill dhe i rishpallur më vonë, kanë dallime edhe për sa i përket koeficientit, por edhe kërkesave për shkollim.

Gazeta Jeta në Kosovë provoi që  t’i intervistonte kandidatet e pranuar në punë nga spitali i Vushtrrisë. 

Ganimete Maxhuni nuk deshi të deklarohej as përmes telefonit, kurse Mirlinda Mustafën provuam ta kontaktojmë edhe përmes burrit të saj, Mexhitit, i cili punon në këtë spital, por ai nuk pranoi të japë përgjigje.

Ankesat dhe kontestimi i aftësisë

Pas rezultatit të konkursit, palët në afat prej 15 ditësh e patën mundësisë për ankesa. Kryetari i komisionit vlerësues, Arsim Latifaj, pavarësisht ankesave, shfaqi bindjen se rezultati nuk do të ndryshojë.

“Nuk besoj se ka me pas ndryshim të rezultatit edhe pas ankesave, sepse ato janë bërë në bazë të rregullave”, tha ai duke mohuar ndikimet në këtë proces.

Madje, kreu i komisionit e vuri në pikëpyetje edhe dijen e kandidatëve me fakultet gjatë testimit me shkrim dhe intervistës me gojë.

“Kandidatët të cilët kanë pasur fakultetin kanë pasur pyetje elementare që nuk i kanë ditur. Është turp, nuk e di ku i kanë kry ato shkolla. Është dokumentacioni”, tha Latifaj.

Meqë Arsim Latifaj tha se ‘ekziston dokumentacioni’, ne i kërkuam qasje në to spitalit. Ata na i dhanë të gjitha informatat përpos testeve me shkrim të kandidatëve.

Astriti Hajdini, u ankua edhe te Inspektorati i Punës në Vushtrri. As kjo ankesë nuk i kreu punë atij. 

Në raportin e inspektoratit, të 19 gushtit 2014 përmenden fjalët e ushtruesit të detyrës së drejtorit të spitalit, Rexhep Kovaçi, i cili edhe inspektoratit i është arsyetuar se anulimi i konkursit dhe rishpallja e tij është bërë për shkak të koeficientit të gabuar.

Madje, në këtë raport, duke iu referuar fjalëve të Rexhep Kovaçit, thuhet se Astrit Hajdini, i cili e ka fakultetin e infermierisë, në konkursin e dytë ka hyrë si konkurrent, edhe pse është kërkuar infermierë vetëm me shkollë të mesme.