Kush Është Kush Në Ekipin e Rektorit të UP-së?

Fetah Podvorica, Eda Vula, Arbnor Pajaziti dhe Lindita Tahiri janë profesorët e përzgjedhur nga rektori Zjenullahu për të menaxhuar me shkencë, buxhet e financa në Universitetin e Prishtinës.

Fetah Podvorica, ish këshilltar për arsim i kryeministrit, Hashim Thaçi, tashmë ka marrë pozitën e prorektorit për kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës. Përveç lidhjeve që ka pasur me kryeministrin Thaçi, Podvorica është edhe baxhanak me anëtarin e kryesisë së PDK-së dhe deputetin e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Rrustem Mustafa.

Podvorica është profesor i rregullt në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore dhe ka një numër të madh të punimeve shkencore me impakt faktor, ndërsa sipas Google Scholar deri më tani punimet e tij janë cituar 1973 herë nga autorët e tjerë.

Ka doktoruar në fushën e elektrokimisë në Universitetin e Parisit “Denis Diderot”, në të njëjtin universitet ku i kishte përfunduar edhe studimet e magjistraturës.

Prej vitit 2005, Podvorica është anëtar i Shoqatës së Kimistëve Amerikanë, ndërsa  nga viti 2009 u anëtarësua në Shoqatën Ndërkombëtare të Elektrokimistëve.

Lindita Tahiri, prorektore për bashkëpunim ndërkombëtar, është e besueshmja tjetër e rektorit Zjenullahu për ekipin e tij të ngushtë.

Tahiri me të njëjtën pozitë e kishte mbajtur edhe gjatë kohës kur në krye të Universitetit të Prishtinës ka qenë Ibrahim Gashi. Këtë punë e kishte bërë për dy vite deri në dorëheqjen e ish-rektorit Gashi.

Lindita Tahiri është gruaja e Ramush Tahirit, ish-analistit politik, tashmë këshilltarit të Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga

Tahiri është profesoreshë e asocuar dhe ligjëron në Departamentin e Gazetarësi në Fakultetin Filologjik por jep edhe lëndët e gjuhës angleze.

Nga viti 2003 e deri në vitin 2010, ajo ka qenë koordinatore e programit Tempus të Komisionit Evropian për Kosovën.

Ngjashëm si prorektorja Tahiri, edhe prorektorja Eda Vula mban titullin e profesoreshës së asocuar.

Ajo ligjëron lëndët e matematikës në Fakultetin e Edukimit ndërsa kishte qenë prodekane në këtë fakultet gjatë viteve 2006-2009. Vitin e kaluar ka qenë edhe nënkryetare në e Këshillit Drejtues të Universitetit të Gjakovës.

Ka qenë anëtare e grupit të ekspertëve për hartimin e planeve dhe programeve mësimore në MASHT,  e po ashtu ka marrë pjesë në shumë grupe për hartimin e strategjive në arsim.

Arbnor Pajaziti, prorektori tjetër i përzgjedhur nga Ramadan Zejnullahu, është inxhinier i diplomuar i makinerisë. Ai mban gradën e profesorit të rregullt dhe ligjëron në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.

Por, përveç në Kosovë, ai ka qenë mësimdhënës edhe në universitete të huaja si në atë të Gjenovës, në Universitetin e  Shkencave Aplikative në Gracë të Austrisë si dhe në Universitetin e Tetovës.

Ka doktoruar në Universitetin e  Teknologjisë në Vjenë ndërsa magjistraturën e ka përfunduar në kryeqytetin e Kroacisë, në Zagreb.

Pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, ka qenë bashkëpunëtor për marrëdhënie me jashtë në rektoratin e Universitetit të Prishtinës ndërsa gjatë viteve  2007-2009 ka qenë zëvendës president i Agjencionit për Akreditim të Kosovës.

Përzgjedhja e prorektorëve në Universitetin e Prishtinës është bërë pas propozimeve që i ka dhënë rektori Ramadan Zejnullahu para senatit dhe Këshillit Drejtues të UP-së.

Disa herë rektori nuk kishte arritur të zgjedhtë  bashkëpunëtorët e tij pasi në senat dhe në Këshillin Drejtues nuk kishte pasur kuorum të mjaftueshëm për t’ia votuar prorektorët.