Ilustrim

SMS-Formula e Prishtinës për Çlirimin e Trotuareve nga Makinat

Në vitin 2007, kryetari i atëhershëm i kryeqytetit të Kosovës Ismet Beqiri teksa këndonte rep me Grupin “Aurora”, thoshte se Prishtina “me shumë thjeshtësi, me pak filozofi do të jetë si Lubjana”.

Shtatë vjet më vonë, një kryetar tjetër i kryeqendrës-Shpend Ahmeti, ka zgjedhur përdorimin e modelit të Zagrebit për të rregulluar kaosin e parkimit të makinave në Prishtinë.

Projekti, sipas të cilit vendparkingu do të paguhet me anë të mesazhit telefonik është ende në fazën fillestare, ndërsa nënkryetari Dardan Sejdiu është i bindur se me këtë metodë deri në fund të këtij viti trotuaret e Prishtinës do të lirohen nga makinat.

Derisa të ndodhë kjo, kryeqytetasit që ankohen për parkingjet, e kanë gjetur një mënyrë se si pak më shpejt t’i gjejnë vend makinës së tyre, duke përdorur edhe telefonin.

Personi që parkon diku makinën e tij, vendos në veturë, në ndonjë vend të dukshëm numrin e telefonit, ndërsa ai që ka nevojë për parkim, e thërret në telefon të parkuarin, duke i kërkuar t’ia lirojë vendin.

Por edhe kjo gjetje shkakton vonesa dhe nuk i hesht ankimet.

Isa Mazreku, i cili banon në Rrugën “Rexhep Luci”, thotë se po kanë shumë probleme me vetura.

 “Për një kafe vijnë dhe na e zënë rrugën. Na banorët që jetojmë këtu, po kemi problem shumë”, thotë ai.

Rruga e Mazrekut, sipas planit komunal të parkingjeve publike pritet të hyjë në Zonën I të tyre, pasi Prishtina do të ndahet në tri zona.

Në qendër parkimi më i shtrenjtë

Zona I që do të përbëjë unazën e kryeqytetit do të nisë nga shtatorja e Bill Clintonit, do të vazhdojë drejt Mensës së Studentëve, për t’u kthyer në Rrugën “Agim Ramadani” deri te Komuna e Prishtinës, do të kalojë nëpër Rrugën “UÇK”, “Qafë” e rrethrrotullimin e “Dragodanit” për të dalë përsëri te bulevardi “Bill Clinton”.

“Ne shpresojmë se deri në fund të vjeshtës, para se të fillojë dimri, në Zonën I-qendër të implementohet ky projekt, që do të jetë unaza e Prishtinës”, thotë Dardan Sejdiu.

Parkingu në këtë zonë do të jetë më i shtrenjtë dhe me kohë të kufizuar. Secila makinë aty nuk mund të qëndrojë më shumë se dy orë, pasi duhet t’ua lirojë vendin të tjerave.

Prishtina sipas Sejdiut do të ketë edhe zonën II e III të parkimit, ku lënia e makinës do të kushtojë më lirë dhe parkingun gjithëditor te Pallati i Rinisë. Të tri zonat përveç me çmim, do të dallohen edhe me hapësirën që kanë.

“Prishtina Parking” ende pret leje

Komuna me pak intervenime për lirim hapësirash, mund të bëjë vend për 5 mijë e 794 vetura vetëm në Zonën e Parë. Dardan Sejdiu thotë se një pjesë e madhe e këtyre vendeve tashmë janë gati.

“4 mijë vende parkingu në Prishtinë do të bëhen këtë vit”,  tregon Sejdiu.

Por ndërmarrja që do të ketë nën kontroll këto vende, ende nuk është krijuar. Kërkesa për t’i dhënë leje themelimit të saj sipas Sejdiut tashmë është dorëzuar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Nëse MAPL-ja e aprovon, atëherë planifikohet që në këtë ndërmarrje të nisin punën 25 veta, ndërsa maksimumi i njerëzve që punojnë aty do të jetë 50 veta”, shpjegon Sejdiu.

Asamblisti i PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës Lirak Çelaj bën me dije se të gjithë e kanë votuar projektin komunal për parkingjet, edhe pse është skeptik se ai do të ketë sukses.

“Ne e kemi votuar të gjithë, këta janë zotu që brenda një periudhe të shkurtër do të arrijnë të zgjidhin këtë problem dhe ne kemi dashur vetëm që të ju japim rast, që mos të jemi bllokues për një gjendje kaq kaotike për Komunën e Prishtinës. Por ne nuk besojmë që do të ketë sukses”, thotë Çelaj.

Sejdiu tregon se zyrtarët komunalë të Prishtinës e kanë studiuar për pesë muaj sistemin publik të parkingjeve në Zagreb që mendojnë ta aplikojnë në kryeqytetin e Kosovës.

Ai shpjegon se si do të paguhet vendqëndrimi i makinës kur të aplikohet ky sistem.

“Qytetari kur ta parkon veturën në Zonën 1, do ta dërgojë mesazhin në  numrin të cilin të gjithë qytetarët do ta dinë dhe në tekst të mesazhit shënohet numri i tabelës së regjistrimit dhe ai është sms i cili do të shkojë dhe në momentin që ju e dërgoni tekstin, ju e keni bërë pagesën për 1 orë”, thotë nënkryetari Sejdiu.

Komuna e Prishtinës qysh tash ka siguruar nga Autoriteti Rregullativ i Telefonisë Mobile tre numra që do të përdoren për dërgim mesazhesh nga qytetarët, kur ata parkojnë makinat.

Sejdiu bën me dije se qytetarët, pak para skadimit të afatit të parkimit do të njoftohen me mesazh për kohën që u ka mbetur.

“Qytetarët pasi që të paguajnë parkingun për një orë, në minutën e  50-të do t’u kthehet një sms, ku do të tregojë se ata kanë vetëm edhe 10 minuta kohë, për ta lënë të parkuar veturën në vendin e njëjtë, ose nëse duan të vazhdojnë edhe për një orë”, thotë nënkryetari i Prishtinës.

Por Lirak Çelaj, mendon se ndërmarrjet publike te ne nuk mund ta kryejnë si duhet detyrën e menaxhimit të parkingjeve.

“Ne nuk kemi përvojë të mirë me ndërmarrjet publike dhe u kemi thënë se më mirë është që ky kaos të zgjidhet me partneritet privat-publik,…, por zyrtarët e komunës kanë dalë me disa shifra, që ne shpresojmë të realizohen, por nuk jemi shumë optimistë”, thotë asamblisti i PDK-së.

Dardan Sejdiu nuk e vë në dyshim realizimin e projektit. Thotë se me sms, parkingjet paguhen në shumë vende, por edhe kryeqytete tjera ballkanike si Shkup e Sofje.

Metodën e pagesës me sms e lavdëron edhe Çelaj.

“Ne jemi pajtuar me këtë praktikë të pagesës, sepse nëse ata paguajnë 1 euro parking, më lirë do të jetë për qytetarët, sesa procedura nëse ju konfiskohet vetura nga merimangat dhe procedurat nëpër gjykata”, thotë asamblisti që është kryetar i PDK-së në Prishtinë. 

Shkupi-parkime me probleme

Edhe pse Zagrebi konsiderohet si vend ku parkimi me mesazhe funksionon si duhet, në Shkup ku parkingje të tilla nisën të rregullohen që nga gushti i 2009-ës, ky proces nuk është zhvilluar pa probleme.

Jani Makraduli, kandidati për kryetar të qytetit të Shkupit nga Lidhja Social-Demokrate (SDSM) e opozitës, në janarin e vitit 2013, më pak se tre muaj para zgjedhjeve për këtë post, ankesat më të mëdha të shkupjanëve i kishte marrë pikërisht për parkimin me sms.

Qytetarët e Shkupit i ishin ankuar atij për çmimin e lartë të parkimit në qendër, për vendet e pamjaftueshme të parkimit dhe për problemet me pagesën përmes mesazheve, kur edhe pse kishin paguar me to, u kishte rastisur ndonjëherë që nuk kishin mundur të dalin nga parkingu, pa paguar edhe në punktin e tij. 

Ky kandidat për kryetar të Shkupit u kishte premtuar atëherë shkupjanëve se këto probleme do të eliminohen, nëse ai drejton kryeqytetin e Maqedonisë. Makraduli nuk pati nevojë ta realizojë këtë premtim, pasi e humbi garën për kryetar.

Mesazhet telefonike për parkim të dërguara përmes rrjetit maqedonas “T-Mobile”, nuk funksionuan as më 9 janar 2013, ndërsa kjo kompani reagoi me një komunikatë, duke thënë se faji është te ndërmarrja që menaxhon parkingjet.

Atë ditë një maqedonase që nuk deshi të identifikohet tha për portalin “MK News” se mesazhi nga “T-Mobile” që e lejonte të parkohej i kishte ardhur me vonesë, ndërsa ajo kishte paguar për parkim në kohëzgjatje prej tre orësh, edhe pse kishte qëndruar shumë më pak aty.

Ankesa patën edhe shumë qytetarë të tjerë.

Rregullore për parkingjet private

Rregullimi i parkingjeve publike, pritet të ndryshojë rregullat edhe për parkingjet private në Prishtinë.

Dardan Sejdiu thotë se në të ardhmen do të lejohen ta kryejnë këtë veprimtari vetëm parkingjet private që plotësojnë kushtet. Sipas tij është duke e hartuar një rregullore që përcakton parametrat teknikë, operativë, ambientalë që një biznes të ketë mundësi të funksionojë si parking. 

“Një parking në Prishtinë duhet të ketë infrastrukturën e rregulluar e cila nuk e dëmton veturën, duhet të ketë masën e sigurisë që për kohën sa vetura është e parkuar të jetë e sigurt dhe duhet të ketë sistemin e pagesave, i cili është i kontrollueshëm nga Administrata Tatimore e Kosovës”, shpjegon kushtet Sejdiu.

Blerim Shabani është pronar i 7 parkingjeve private në Prishtinë që përbëjnë rrjetin e quajtur “Bleri Parking”. Aty janë të punësuar 110 punëtorë, të cilët herë lëshojnë, e herë nuk japin fare kupona fiskalë.

Shabani thotë se nuk është kundër rregullave që pritet të vendosë komuna për parkingjet, por sipas tij pushteti lokal i Prishtinës duhet t’u japë kohë këtyre bizneseve për t’i plotësuar kushtet.

“ Qeto kushte që na i ka qitë komuna, me na thënë që duhet të i zbatojmë tani për tani, ne duhet më i mbyllë parkingjet, po ne jemi të sigurt se edhe komuna ka me pasë mirëkuptim për ne”, thotë Shabani.

Dardan Sejdiu tregon se edhe çmimet e parkingut tash nuk mund t’i vendosin vetë bizneset private të këtij lloji, por ata duhet t’u përshtaten tarifave të komunës.

Aktualisht parkimi në parkingjet private nis me 50 centë deri në një euro për një orë, ndërsa qëndrimi tërë ditën në parking mund të kushtojë deri pesë euro.

Rregullat për privatët e frikësojnë Lirak Çelajn e opozitës.

“Ne mendojmë se në situatën që është Prishtina, është e pamundur që të zbatohen ato rregulla, pasi që ato kërkojnë investime dhe shumë parkingje private mund të tërhiqeshin nga bizneset dhe ne do të mbesim edhe me me pak parkingje”, thotë Çelaj.

Por ka disa makina për të cilat nuk do të vlejnë rregullat e parkimit të Komunës së Prishtinës. Nga pagesa do të lirohen makinat zyrtare policore dhe autoambulancat.