Shkolla 2 Milionëshe në Suharekë, Nuk Ka Rrymë

Madje as poçet elektrikë nuk janë ndezur asnjëherë pasi shkolla moderne nuk ëshët e lidhur ende në rrjetin elektrik.

Shkolla e mesme profesionale e cila gjendet në Shirokë të Suharekës, është përuruar më 15 shator dhe shkollë ka kushtuar 2.3 milionë euro. Ajo është vend mësimi për më shumë se 800 nxënës.

Pavarësisht problemit me rrjetin elektrik, procesi mësimor në të mbahet rregullisht.

Drejtori i kësaj shkolle, Reshit Makica, e fajëson KEDS-in për këtë problem. Ai thotë për KALLXO.com se kjo kompani e cila ka marrë përsipër rrjetin e shpërndarjes së energjisë në Kosovë, ka premtuar ta sjellë një transformator falas, por ende nuk e ka sjellë atë.

“Për të pasur rrymë më stabile, KEDS-i i ka premtuar që do t’a sjellë një transformator falas, por deri sot ende nuk e ka pru. Kjo është edhe arsyeja pse në këtë shkolle ende nuk ka rrymë” thotë drejtori Makica.

Por se si punojnë stafi në këtë shkollë pa rrymë?

Të gjitha punë që duhet të bëhen në këtë shkollë, si shkrimi i ndonjë njoftimi, planiprogrami i shkollës, apo ndonjë dokument që duhet të shkruhet, zëvendësdrejtori i shkruan në shtëpi dhe të nesërmen i sjell në shkollë.

Drejtori thotë se kjo është e mundimshme pak, por  beson që shumë shpejt do të vijë transformatori i premtuar dhe do të zgjidhet ky problem.

KALLXO.com, ka kontaktuar edhe KEDS-in për këtë punë.

Zëdhënësi i kësaj kompanie, Guri Shkodra, tha përmes emailit, se janë në kontakt të vazhdueshëm me shkollën dhe beson që gjatë të martës do të vendoset transformatori.

“Ne e kemi aprovuar kërkesën për vendosje te transformatorit dhe gjatë ditës se nesërme (të martën) do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit dhe pastaj edhe vendosja e transformatorit sipas marrëveshjes së bashkëpunimit dhe aprovimit paraprak nga KEDS”, tha zëdhënësi Shkodra.

Kjo shkollë ka qenë investim i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.