Pallati i Rinisë Zhvishet Nga Bakri

Kjo dukuri nuk është e re për Pallatin e Rinisë, meqë ka filluar qysh prej përfundimit të luftës më 1999.

Kështu, pothuajse e tërë pjesa e pasme dhe pjesa lindore e Pallatit të Rinisë ka mbetur pa kolonat vertikale të bakrit.

Për vjedhjen e vazhdueshme të bakrit nga konstruksioni i ndërtesës më të famshme në kryeqytet ka raportuar në KALLXO.com, qytetari Nysret Azemi që punon në parkingun në afërsi të pallatit.

“Këtu po vidhet bakri prej fillimit e anekënd pallatit, dëmi është shumë i madh”, thotë ai.

Megjithatë, Bajram Uka, Drejtor Gjeneral i Pallatit të Rinisë thotë se zhveshja e Pallatit të Rinisë ka pasur një rënie kohëve të fundit

“Është çudi se në vitet e pasluftës, sidomos në vitet e para ka qenë më e shpeshtë, kohën e fundit ka filluar të bie kjo dukuri por objekti ka mbetur i shëmtuar”, thotë Uka.

Sipas tij, edhe pse pallati ka sigurimin dhe është i mbikëqyrur me kamera kjo nuk e ka ndalur vjedhjen e bakrit.

Drejtori Uka thotë se për vjedhjet e bakrit kanë njoftuar edhe policinë.

“Në shumë raste i kemi nxënë këta keqpërdorues që me të vërtetë e kanë shëmtuar keq pallatin, dhe ne në këto raste pasi që sigurimi i kap këta, i thërrasim organet e policisë dhe ata merren me ta”, tha Uka.

Në polici thonë se kanë arrestuar disa persona për këtë çështje, megjithëse nuk kanë ndonjë evidencë të saktë të numrit të raportuar dhe të arrestuarve për vjedhjet e bakrit në Pallatin e Rinisë.

Që nga maji i vitit 2006, Pallati i Rinisë është futur nën administrimin direkt të AKM-së tash e njohur si AKP.

Sipas zyrtarëve të Agjencionit kosovar të Privatizimit, në të kaluarën ka pasur raste të vjedhjes së bakrit nga ana e të miturve.

Ylli Kaloshi, zëdhënës i AKP-së, thotë se agjencia është e informuar se për këto raste drejtuesit e Pallatit të Rinisë i kanë njoftuar organet policore.

Por, sipas drejtorit Uka, masat ligjore nuk kanë treguar efekt në ndalimin e kësaj dukurie. Ai e sheh zgjidhjen diku tjetër.

“Vetëdijesimi i qytetarëve do të kishte me qenë rruga më e mirë e mundshme, përndryshe ky problem nuk është vetëm në pallat, por edhe në rrugë dhe çdo kund në qytet, edhe në rrugë i heqin kapakët e pusetave duke i lënë pusetat e hapura, bëjnë dëme në rrugë e lërë më në “Pallatin e Rinisë”, vetëdijesimi do të kishte me qenë rruga ma e mirë sepse masat ligjore shumë pak po kanë efikasitet”, tha Uka.

Pallati i Rinisë është dëmtuar edhe më herët. Në shkurt të vitit 2000, nga shkaqe që edhe sot mbeten të panjohura, Pallati i Rinisë ishte kapluar nga një zjarr që kishte dëmtuar gjysmën e objektit.