Përballja e Gazetarëve me të Keqen

Në takimin e organizuar nga Asociacioni Gazetarëve të Kosovës dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike me temën “Mediet dhe siguria e gazetarëve në Kosovë”, janë shprehur shqetësimet rreth kërcënimeve të fundit që kanë marrë gazetarët.

Zekirja Shabani, kryetar i asociacionit, tha se që nga muaji prill i këtij viti janë pranuar 20 ankesa për ndërhyrje në punën e gazetarëve.

“Këto ankesa janë të natyrave të ndryshme si kërcënime e shantazhe. Ky numër është në rritje “, tha Shabani.

 Ndërkaq në Policinë e Kosovës gjatë këtij viti janë raportuar 18 raste të kërcënimeve të gazetarëve, sipas zëdhënësit Baki Kelani.

Në këtë takim gazetarët Vehbi Kajtazi dhe Artan Haraqija janë shprehur të shqetësuar për sigurinë e tyre, pas kërcënimeve që kanë marrë.

Të dy thanë se kanë kufizuar lirinë e lëvizjes.

“Mosndëshkimi i kërcënuesve e ka sjellë këtë gjendje”, tha Kajtazi, gazetar i “Kohës Ditore”.

Kurse ambasadori i Norvegjisë Jan Braathu duke shprehur përkrahjen për gazetarët, ka sugjeruar që të mos heshtin rreth ndërhyrjeve në punën e tyre.  

“Dëgjojmë se disa nga ju nuk mundeni ta bëni punën tuaj qysh duhet dhe se nuk po ndiheni të sigurt. Kjo nuk është në rregull se nuk duhet me jetu me një shoqëri e në një shtet ku një qytetar nuk mund të lëvizë lirshëm”, tha ai.

Bajram Rexhepi, ministri në largim i Punëve të Brendshme, tha se këtë vit  ka pasur kërcënime të shumta edhe nëpërmjet rrjeteve sociale.

Sipas Rexhepit kërcënimet më serioze kanë qenë rasti i Visar Duriqit, Artan Haraqisë dhe Mefail Bajçinovcit.

“Këto raste janë marrë menjëherë përsipër nga hetuesia e policisë dhe kanë filluar të trajtohen edhe përmes njësitit të kibernetikës”, tha Rexhepi.

Ndërsa Avokati i Popullit Sami Kurteshi tha se problemi me kryesor në aspektin e mediave qëndron në mosrregullimin institucional për mediat.

“Ne duhet të kemi një ligj mbi mediat. Ligji nuk duhet të kuptohet si kufizim, por si rregullim i një çështjeje dhe kjo është një nevojë e posaçme që mediat duhet ta shtyjnë përpara”, tha Kurteshi.

 Kurteshi tregoi se ky institucion ka dërguar një pyetësor në 300 adresa të gazetarëve, ku ka shtruar pyetje për gjendjen e tyre. 

“…vetëm dy gazetarë janë përgjigjur”, tha Kurteshi.

Kurse Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha se në Kosovë roli i mediave duhet të jetë qenësor, por që nuk është i mirëkuptuar nga partitë politike.

“Shumica e institucioneve i shohin mediat si pengesë, e jo si katalizatorë të zhvillimit demokratik. Media portretizohet si një armik”, tha Korenica. 

Policia efikase, por jo edhe prokuroria e gjyqi

Ne këtë takim përfaqësuesit e mediumeve u pajtuan se policia e Kosovës ka qenë më efektive në hetimin e kërcënimeve, derisa kanë kritikuar prokurorinë dhe gjyqësinë. 

Vehbi Kajtazi tha se policia i ka shqyrtuar seriozisht rastet, por se gjithmonë puna ngec te prokuroria dhe gjykata.

” Nëse rasti procedohet në prokurori ngec aty. Nuk shqyrtohet fare dhe në fund edhe parashkruhet. Unë kam paraqitur rastin për kanosje për prerje koke dhe që nga viti i kaluar nuk kam marrë asnjë ftesë për seancë gjyqësore.  Kam frikë se edhe ky do të parashkruhet”, tha Kajtazi

Sipas Kajtazit, derisa kërcënuesit nuk ndëshkohen ata do të vazhdojnë prapë me këtë ndërhyrje, pasi që institucionet nuk veprojnë.

E ministri Bajram Rexhepi tha se puna e prokurorisë dhe gjyqësisë nuk është në nivelin e dëshiruar dhe i kritikoi ata për mungesë guximi.

 “Disa profesione janë me rrezikshmëri, andaj nëse nuk e kanë guximin, disa njerëz nuk duhet të bëhen prokurorë. Edhe puna e gjykatësve është e ngjashme”, tha ai.

Pengesat e gazetarëve brenda mediumeve

Basri Ibrahimi nga Inspektorati Shtetëror i Punës tha se gazetarët përveç që përballen me sulme nga jashtë, kanë probleme edhe brenda mediumeve te tyre. 

Sipas tij, gazetarët nuk e kanë guximin që të përballen me punëdhënësin për problemet e brendshme që kanë.

“Është një dileme e madhe, unë nuk e di si gazetarët mund të merren me çështjet publike, kur në fakt nuk kanë guxim të përballen me problemet e veta brendapërbrenda medies”, tha ai. 

Ai tha se për secilin rast që është dërguar në inspektorat, janë marrë vendime, por se raportimi i këtyre problemeve duhet të bëhet sa herë që ndodhin.

“Vetvetiu gazetarët po ia mbyllin hapësirës vetes”, tha ai.

Arsim Halili, nënkryetar i Sindikatës së RTK-së, tregoi se kjo sindikatë ka  ngritur shqetësim për gjendjen jo të mirë brenda mediumit publik. 

Ai thotë se vendimet që ka marrë Inspektorati i Punës nuk janë marrë parasysh nga menaxhmenti i RTK-së.

” Inspektorati i Punës më 15 maj ka bërë inspektim në radio dhe televizion. Ka nxjerrë vendim, por problemi qëndron se nuk janë duke u zbatuar këto vendime të inspektoratit”, tha ai.

Sipas Halilit, gazetarët ne mediumin publik përballen me dënimin me paga, degradime brenda natës, shantazhe ndaj redaktorëve, gazetarëve që kryesisht janë kritikë për censurën e cila mbretëron. 

Menaxhmenti i RTK-së në vazhdimësi i ka mohuar pretendimet e sindikatës së punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës.