Dy Bosët-Naser Kelmendi e Fahrudin Radonçiq

Në anën tjetër të qytetit ngrihet një tjetër kullë e Radonçiqit, ajo e Hotelit “Radon Plaza”, në të cilën sipas aktakuzës së prokurorëve në Kosovë, në pranverën e vitit 2006 Radonçiqi u takua me disa mafiozë për të planifikuar vrasjen e gangsterit Ramiz “Celo” Delaliq.

Prokurorët thonë se komplotistët ishin të nevrikosur me faktin se Delaliqi po merrte një pjesë të profiteve të tyre nga veprimtaria kriminale dhe me disa gjëra tjera.

Në verën e vitit 2007 Delaliqi u vra me breshëri plumbash para një godine banesash në Sarajevë.

Këto akuza dhe shumë pretendime tjera përshkruhen në aktakuzën 49-faqëshe të ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në rastin kundër Naser Kelmendit, shqiptarit nga Kosova që ka jetuar për shumë vite në Kosovë dhe i cili vitin e kaluar e ka kaluar në burg në Kosovë, një vend ku ai nuk akuzohet të ketë kryer ndonjë vepër penale.

Emrat e Radonçiqit dhe Kelmendit janë përmendur bashkë disa vite në të kaluarën, edhe në thashetheme edhe në marrëveshje afariste, por kjo aktakuzë për herë të parë deklaron qartë se Radonqiçi ishte ‘partner afarist dhe mbrojtës politik’ i Kelmendit në Sarajevë.

Ai më 2009 themeloi partinë politike “Unioni për një të Ardhme më të Mirë në BiH” dhe po ashtu është themelues i gazetës së përditshme “Dnevni Avaz”.

Prej vitit 2012 deri në mars të vitit 2014 ka shërbyer si ministër i Sigurisë në qeverinë e kryeministrit Vjekoslav Bevanda.

Dokrra, ngulë këmbë Radonçiqi në intervistën e dytë që e dha për RPKOK/CIN. “Unë me Kelmendin jam takuar katër apo pesë herë në tërë jetën time”, tha ai.

Si biznesmenë në një qytet të vogël si Sarajeva, ata patjetër se do takoheshin kohë pas kohe. Ai trumbeton faktin se ai nuk është ngarkuar me asnjë akuzë, por vetëm i është përmendur emri në aktakuzë si anëtar i një organizate kriminale, gjë që, sipas tij, nuk është e vërtetë.

Prokurorët kanë kërkuar që Kelmendi të mbahet në paraburgim, për shkak të rrezikut që të ikë, ndikojë tek dëshmitarët, apo shkatërrojë dëshmitë. Aktakuza fokusohet në dy fusha kryesore: vrasjen e Delaliqit dhe atë që prokurorët thonë se ishte veprimtaria kryesore e Kelmendit mes viteve 2000 dhe 2012 – trafikimi i sasive të mëdha të drogës nga Afganistani dhe Turqia në Evropë.

Gjykimi i Kelmendit pritet të fillojë në Kosovë në tetor kur koincidentalisht Radonçiqi shpreson të fitojë zgjedhjet presidenciale në Bosnjë. Prokurorët thonë se këta të dy kanë lidhje të interesit afarist dhe të veprimtarisë kriminale, përfshirë këtu edhe vrasjen e Delaliqit dhe se kjo gjë do të vërtetohet gjatë gjykimit.

“Radonqiç dhe Kelmendi janë partnerë”

Dëshmitare kyçe e kësaj aktakuze është Sejla Jugo Turkoviq, gruaja e mafiozit të dënuar Zijad Turkoviq dhe ish-gazetarja televizive e cila dikur ishte asistente e besuar e Radonçiqit. Në një intervistë që ajo dha për Projektin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PRKOK) dhe CIN-in ajo jep detaje mbi takimet dhe ngjarjet që rezultuan me vdekjen e Delaliqit.

“Unë isha e përfshirë, isha e pranishme në të gjitha ngjarjet që lidhin Radonçiqin me Kelmendin”, thotë Turkoviq.

Ajo thotë se di detaje mbi lidhjet e ndryshme afariste mes tyre. Ajo gjithashtu thotë se e di rrënjën e armiqësisë mes tyre dhe Delaliqit. “Konflikti i Naser Kelmendit dhe Fahros (Radonçiqit) me Ramiz Delaliqin nuk është shfaqur brenda natës. Ai ka zgjatur një kohë të gjatë.”

Në anën tjetër, Radonçiq thotë se Turkoviq është duke gënjyer thjesht për shkak se është e martuar me një kriminel dhe dëshiron të largojë vëmendjen nga veprimtaria ilegale e bashkëshortit të saj.

Aktakuza emëron edhe disa individë tjerë si anëtarë të grupit kriminal të Kelmendit dhe përshkruan pjesëmarrjen e tyre në akte të ndryshme kriminale. Nuk është e qartë përse aktakuza është ngritur vetëm kundër Kelmendit.

Prokurorët nuk flasin shumë mbi planet e tyre. “Aktakuza përbën zbulim të plotë të fakteve të cilat i kemi dhe të tërë materies që duhet bërë e ditur. Aktakuza është ngritur nga PSRK-ja, prandaj ne do të vijojmë me shqyrtimin e rastit, porsa të jetë caktuar nga gjykata”, tha Jonathan Ratel, zëvendës kryeprokuror në PSRK.

Në anën tjetër, Radonçiq kishte çfarë të shtonte. “Sejla Turkoviq ka paraqitur një sërë gënjeshtrash” lidhur me takimet në “Radon Plaza” dhe akuzat lidhur me komplotin për vrasje, Radonçiq tha për RPKOK/CIN gjatë intervistës së parë që e dha në zyrat e kullës së Avazit.

Radonçiq u duk i agjituar teksa fliste, lëvizte pandërprerë dhe therte ajrin me një tregues për prezantime, kurdo që donte të theksonte ndonjë gjë.

“Sejla Jugo Turkoviq është bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e ngushtë e Zijad Turkoviqit, udhëheqësit të organizatës më të madhe kriminale në histori të BeH-së,” tha ai. Pse, pyetet ai, nuk u ndjek ajo penalisht për pjesëmarrjen e saj apo ndihmën e dhënë për veprimtarinë kriminale të kësaj organizate?”

Bashkëshorti i znj. Turkoviq u dënua vitin e kaluar me 40 vjet burgim për krim të organizuar, përfshirë vrasjet, kontrabandimin e narkotikëve, kërcënimin dhe shpëlarjen e parave. Muajin e kaluar gjykata e rrëzoi këtë vendim dhe urdhëroi rigjykim, ndërsa Zijad Turkoviq mbetet në paraburgim.

Radonçiq thotë se Turkoviq duhet të ketë qenë dëshmitare e shumë aktiviteteve kriminale, duke qenë se ka jetuar me të shoqin, ndërsa ndaj saj ende nuk është ngritur asnjë akuzë.

Mbase, ai thotë, asaj i është premtuar “se nuk do të ndiqej penalisht nëse jep dëshmi të rrejshme kundër meje.”

Radonqiç dhe Kelmendi nuk ishin vetëm 

Sipas aktakuzës, Radonçiq dhe Kelmendi nuk ishin të vetëm gjatë diskutimit të fatit të Delaliqit në restorantin ikonik rrotullues të “Radon Plaza-s”. Aktakuza thotë se në takim ishin të pranishëm edhe “Ekrem Lekiq, biznesmeni sarajevas Senad Sahinspahiq dhe Naser Oriq.”

Sipas Turkoviqit, restoranti në fjalë ishte vendtakimi i tyre i preferuar. “Të gjitha takimet mbaheshin aty”, thotë ajo. “Kelmendi vinte rregullisht, si të ishte në shtëpi të tij, si të ishte i zoti i shtëpisë. Ashtu silleshin me të të gjithë, edhe kamerierët, edhe stafi tjetër edhe gazetarët e ‘Avazit’”.

Personat tjerë të përfshirë e konfirmojnë një pjesë të tregimit të saj, por thonë se pikat më të rëndësishme i ka interpretuar gabimisht.

Lekiq tha për RPKOK/CIN se ai ishte vërtet pjesë e grupit që takohej pothuajse çdo ditë në restorant. Ai dhe Radonçiq ishin miq të ngushtë tërë jetën, thotë ai, që para luftës kur të dy punonin si gazetarë që mbulonin storie të rrezikshme.

Turkoviq thotë se grupi takohej për të diskutuar se çfarë do të bënin me Delaliqin, këtë figurë nga bota e krimit të organizuar e cila publikisht po e shpërfaqte Kelmendin si shpërndarës droge dhe akuzonte rivalët tjerë për aktivitete të pahijshme gjatë kohës së luftës.

Dokrra, thotë Lekiq. “Unë ushtroja çdo ditë” në palestrën në “Radon Plaza” dhe më pas shkoja për kafe me disa klientë të rregullt të restorantit. Ai thotë se Turkoviq po gënjente lidhur me grupin dhe me çështjet që diskutoheshin, duke theksuar se edhe pse Delaliq ishte vrarë në vitin 2007, ai kurrë nuk kishte biseduar për këtë çështje me policinë deri në vitin 2011.

Nëse ajo po e thotë të vërtetën, thotë ai, “ç’ju desh të presë katër vjet?”

Turkoviq thotë se anëtarët e grupit kishin arsye të ndryshme për pezm ndaj Delaliqit dhe se arsyet ndryshonin me kalimin e kohës. Për Radonçiqin dhe Kelmendin, arsyet ishin kryesisht ekonomike: ata frikoheshin se denoncimet e Delaliqit do t’ia dëmtonin biznesin e Kelmendit me drogë dhe do t’i shkaktonin humbje.

Prokurorët besojnë se për Lekiqin kishte arsye personale, duke qenë se ai mendonte se Delaliqi ishte përgjegjës për vrasjen e kushëririt të tij Selverit në pranverën e vitit 2007. Kjo nuk është e vërtetë, thotë Lekiqi-vdekja e Selver Lekiqit kishte ndodhur rastësisht.

“Është ky një tregim pijanecësh, që ngjau një natë të vonë, e po të mos ishte në atë kohë në kafene, Selveri nuk do të vritej”, tha ai për RPKOK/CIN. “Ai u fjalos me dikë dhe ky iu afrua dhe e plagosi në kokë. Ai djalosh as që e ka njohur Selverin më parë”.

Ai mohoi edhe idenë se Radonçiqi do hakmerrej për vdekjen e mikut të tij të ngushtë. “E çka, a do duhej të jetë motivi ky?”

Motivet e  Sahinspahiqit dhe Oriqit janë më pak të qarta. Sipas Turkoviqit, Sahinspasiqi ishte aleat i ngushtë politik i Radonçiqit. Në një intervistë të shkurtër me RPKOK/CIN, Sahinspasiq tha se ai ishte mik i Radonçiqit një jetë të tërë, por asgjë që kishte deklaruar Turkoviq nuk është e vërtetë.

“Unë nuk e di për çfarë flet ajo”, tha ai. “Duhet ta pyesni atë”.

Oriq konsiderohet hero lokal i luftës në Srebrenicë falë mbrojtjes së myslimanëve gjatë luftës. Ai ishte oficer i Armatës Boshnjake dhe i akuzuar për vrasje të civilëve serbë. Pas shpalljes fajtor për krime lufte në Hagë, ai u dënua me dy vjet burgim, por më vonë u lirua nga të gjitha akuzat në nivel të Apelit.

Turkoviq tha se Oriq ishte ekzekutues për Kelmendin. “Ai duhet të bënte çdo gjë që Kelmendi donte, sepse ai punonte për Kelmendin. Kështu ai bëri shumë para”, thotë Turkoviq.

I kontaktuar përmes telefonit nga RPKOK/CIN, Oriq nuk deshi të komentonte duke thënë vetëm se ky rast i ka shkaktuar shumë kokëçarje në jetë dhe se nuk do të thotë asgjë tjetër.

Urrejtja e Radonçiqit ndaj Delaliqit

Sipas aktakuzës, Radonqiçi kishte edhe arsye tjera për të mos e pëlqyer Delaliqin.

“Radonçiqi e urrente Ramiz Delaliqin për një sërë arsyesh personale. Bashkëshortja e Radonçiqit kishte pasur një lidhje me Delaliqin gjatë luftës, para se të martohej me Radonçiqin – gjë për të cilën Delaliqi fliste me mburrje.”

Ky pretendim është “i rrejshëm dhe budallallëk” thotë Radonçiq, duke theksuar se kjo lidhje ishte mbi 20 vjet më parë “dhe para se që u martua me mua?! Është budallallëk që njeriu të jetë xheloz për gjëra të tilla, e sidoqoftë nuk është e vërtetë se ish-bashkëshortja ime ka pasur lidhje me Ramiz Delaliqin!”

Storia e Turkoviqit lidhur me atë që ndodhi në restorantin rrotullues përshkruhet në detaje në aktakuzë, edhe pse ajo gjatë intervistës jep edhe më shumë detaje. Për shembull, ajo thotë se grupi e kishte të vështirë gjetjen e atyre që do ta vrisnin Delaliqin, duke qenë se disa nga opsionet e tyre të para, përfshirë edhe njeriun i cili do bëhej bashkëshorti i saj, u refuzuan.

Por, dikur ata e finalizuan planin. Aktakuza thotë se Kelmendi u shpreh vullnetar për të udhëtuar drejt Serbisë për të angazhuar disa vrasës për 200,000 KM (144,000 USD) ose 200,000 euro (272,000 USD). Turkoviq tha se këta njerëz kishin punuar për Kelmendin më parë.

Në takimin e fundit të majit 2007, Kelmendi kishte ardhur me një valixhe të vogël të zezë dhe kishte thënë se ai dhe Oriqi kishin sjellë pjesën e tyre të parave me të cilat do paguheshin vrasësit. Lekiqi ia dha Kelmendit një çantë të vogël krahu të firmës “Samsonite”, e ky i fundit “e mori shumën e madhe të parave nga çanta dhe e vuri në valixhen e tij”. Radonçiq nxori paratë e veta nga një qese plastike dhe ia dha Kelmendit, i cili ato gjithashtu i vendosi në valixhen e tij”, thuhet në aktakuzë.

Kelmendi më vonë raportonte se paratë ia kishte dhënë një personi në Serbi të njohur me nofkën “Krce”, i cili më vonë u identifikua si Millovan Jeremiq, “për të angazhuar dy vrasës të njohur nga Serbia, Millan Mitiqin dhe Strahinja Rashetan, për vrasjen e Ramiz Delaliqit”. U angazhua edhe një person i tretë, Nebojsha “Çetnik” Vukomanoviq, thuhet në aktakuzë.

Më 27 qershor, Delaliqi u godit për vdekje në Sarajevë.

Aktakuza paraqet edhe detaje të kësaj ngjarjeje:

• Para vrasjes, Kelmendi u largua nga Bosnja drejt bregdetit malazias, për të krijuar alibinë e tij.

• Oriqi ishte përgjegjës për përcjellje të lëvizjeve të Delaliqit, përfshirë vizitat e tij në banesën në rrugën “Odobasina” në qendër të Sarajevës.

• Delaliq vdiq në fund të shkallëve që shpinin te banesa e të dashurës së tij në rrugën “Odobasina” numër 1a. Ai u godit 10 herë me armë zjarri, një “Magnum 357” dhe një “Heckler & Koch” 9mm. Silenciatori u gjet nën një veturë të parkuar pranë.

• Dëshmitë në vendin e krimit ia bënë të ditur policisë se dikush që më vonë u identifikua si Rasheta, ishte fshehur nën shkallë dhe kishte pritur të arrinte Delaliqi.

• Dëshmitarët më vonë dëshmuan se teksa Delaliqi po afrohej, Vukomanoviqi fishkëlloi për t’ia bërë me dije Rashetës se duhet të bëhet gati.

• “Pasi që Delaliqi ishte njeri i madh e i fortë, (Rasheta) i zbrazi të gjithë 27 plumbat e “Heckler & Koch” të tij mbi viktimën, e duke qenë se Delaliqi ende nuk kishte vdekur edhe pas tyre, (ai) shtiu edhe disa herë mbi të me (‘Magnum 357’).”

• Turkoviq u tha prokurorëve se ajo mori atë natë një SMS nga Radonqiçi i cili po i thoshte se Delaliqi ishte vrarë, lajm ky të cilin ajo e kuptoi si paralajmërim që të mos flasë te policia.

• Dëshmitarët thanë se vrasësit e dyshuar u kthyen në Serbi dhe pas disa ditësh Rasheta mori 100,000 euro (136,000 USD), Vukomanoviqi mori 20,000 euro (27,000 USD) dhe një “Alfa Romeo”.

Takimi për vrasjen e ardhshme

Sipas aktakuzës, pas vrasjes Kelmendi u takua me bashkëpjesëmarrësit në këtë krim për të diskutuar se si “t’i orientojnë hetimet drejt personave të tjerë.” Aktakuza thotë se grupi ndihej i fuqizuar për faktin se kishte arritur t’ia dilte me këtë punë.

Në intervistën e saj Turkoviqi përshkruante takimin pas vrasjes, por nuk është e qartë nëse kemi të bëjmë me atë të diskutuar në aktakuzë. Një gjë është e qartë – se kjo bisedë shumë shpejt u bë e frikshme.

“Disa ditë pas vrasjes, e nuk më kujtohet saktë se sa ditë ishin në pyetje, por duhet të kenë qenë dy a tri ditë, ata u takuan prapë për të vendosur mbi një punë tjetër, mbi një vrasje tjetër – atë të Fikret Kajeviqit”, tha ajo për RPKOK/CIN. “Kjo pasi që ai ishte caktuar trashëgimtar i Ramiz Delaliqit.”

Turkoviqi tha se ajo ishte kundër kësaj ideje dhe se i thoshte grupit se këta dy persona nuk janë të afërt dhe se Kajeviqi edhe ashtu nuk do donte ta merrte përsipër udhëheqjen.

“Kelmendi ma gjuajti përpara një gazetë, në të cilën Kajeviqi mbante një bluzë me fotografi të Ramizit, teksa mendoj se po e vendoste arkivolin e Ramizit në varr dhe më tha ‘Vërtet? Nuk flasin me njëri-tjetrin, a? Ai mund të mos jetë trashëgimtar i tij, por sigurt është në rendin e parë!’ Këtë ma tha mjaft vrazhdë dhe e hodhi gazetën me shumë nervozë drejt meje”.

Turkoviq tha se teksa kundërshtonte idenë e vrasjeve të mëtejme, ajo filloi të ndihej e izoluar. Ajo e njeh Radonçiqin aq mirë sa që “kur e shoh në sy, e di se çka mendon.” Ajo tha se ai e shikoi atë me një shikim përbirues, i cili thuajse ia bënte me dije se ai kishte dyshime nëse mund t’i besojë më.

“Sikur të ishte i frikësuar se do të bëja diçka, se do t’i lajmëroja te organet e rendit, se do të bëja ndonjë budallallëk, se do dobësohesha dhe bija”.