Goditjet Nuk Lëkundin Zemrat e Luftëtarëve Myslimanë

Thirrjet telefonike pushuan më tepër se tre muaj më parë.

Madje edhe duke luftuar në Irak dhe Siri përkrah militantëve të “Shtetit Islamik” (IS), Musli Musliu kishte vazhduar të komunikonte me familjen e tij rregullisht.  Ai postonte foto në Facebook, në të cilat shihej një burrë i ri i ngazëllyer duke pozuar me shokët e tij të luftës.  Në një fotografi ai madje duket në një dyqan ëmbëlsirash.

Në njërën nga bisedat telefonike në prill, u kishte bërë të ditur lajmin për vrasjen e vëllait të tij, Valonit.  Të dy vëllezërit kishin luftuar krah për krah në Irak kur Valoni vdiq.  Musliu i kishte treguar familjes se edhe e kishte varrosur të vëllanë.

Që nga ajo kohë, Musliu nuk është dëgjuar më, ndërsa familja e tij druan se ai ka pasur fatin e njëjtë si të Valonit.  

Vëllai i tyre Selmani flet butësisht derisa tregon për Musliun dhe Valonin në oborrin e familjes së tyre në fshatin Tushilë, 50 kilometra në perëndim të Prishtinës.  Selmani thotë se më së vështiri nga të gjithë e ka e ëma e tyre.

“Ajo është duke vuajtur shumë për shkak të humbjes së Valonit”, thotë Selmani.

Musliu dhe Valoni kishin përqafuar një formë të ashpër të islamit.  Valoni kishte shkuar në medrese dhe kishte zgjedhur që të luftojë “në mbrojtje të fjalës së Allahut,” thotë vëllai tjetër i tyre Muhameti, duke shprehur krenarinë për vëllezërit e tij.

Rreth 150 kosovarë kanë shkuar për të luftuar në Siri dhe Irak, kryesisht për “Shtetin Islamik”. Një pjesë e tyre, sipas Agjencisë Kosovare të Inteligjencës,  i janë bashkuar organizatës “Al-Nusra”, e cila është e lidhur me “Al-Qaeda-n”.  

Rreth 40 syresh kanë vdekur në një luftë që po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme, derisa koalicioni i shteteve i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdon t’i sulmojë nga ajri të dyja grupet.  

Në ndërkohë, Kosova po bëhet gjithnjë e më e ashpër ndaj atyre që kanë luftuar në Siri dhe Irak, apo kanë ndërmend të shkojnë të luftojnë atje.  

Gjatë javëve të fundit, policia ka arrestuar dhjetëra persona, përfshirë hoxhallarë dhe të tjerë, të cilët akuzohen që kanë ndihmuar rekrutimin e luftëtarëve.  Këtë javë, presidentja Atifete Jahjaga u shfaq në televizionin amerikan “FOX News Channel” ku deklaroi: “Ne e marrim këtë kërcënim shumë seriozisht dhe mekanizmat tanë të sigurisë po punojnë 24 orë në ditë për t’u përballur me këtë sfidë.”

Kosovarët përbëjnë një përqindje shumë të vogël të mijëra luftëtarëve të huaj në Siri dhe Irak, shumë më pak sesa ata që vijnë nga vendet e Evropës Perëndimore, përfshirë Belgjikën, Britaninë e Madhe dhe Francën.  

Megjithatë, ata janë bërë një turp kombëtar për vendin me shumicë myslimane që dëshiron të paraqitet si shtet sekular, përparimtar, dhe me demokraci evropiane.  

Një burim i posaçëm turpi është udhëheqësi i luftëtarëve shqiptarë, Lavdrim Muhaxheri, i cili kësaj verë kishte postuar fotografi në Facebook, në të cilat shihej duke i hequr kokën një pengu lufte, shoqëruar me mesazhin që inkurajonte të tjerët të shkonin dhe t’i bashkoheshin luftës.  Kjo po ashtu shoqërohej me një video-incizim në të cilin ai mbante një fjalim të zjarrtë në gjuhën arabe duke e bërë copë e grimë pasaportën e tij të shtetit të Kosovës.

Derisa mllefi rritet në gjithë botën në dritën e brutalitetit të fushatës së “Shtetit Islamik” për të themeluar një të ashtuquajtur Kalifat në Siri dhe Irak, kjo vetëm sa ka forcuar vendosmërinë e autoriteteve kosovare dhe liderëve të vijës kryesore të komunitetit mysliman.  

“Ky është moment i duhur”, thotë një zyrtar nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës duke folur për aksionin kundër ekstremistëve.

Luftëtarët sirianë kundër Assad-it | Foto: You Tube

Luftëtarët kanë Shkuar me vite

Që nga shpërthimi i luftës qytetare në vitin 2011 ka qenë shumë lehtë për njerëzit për të udhëtuar nga Kosova dhe për t’iu bashkuar luftës atje. 

Në nëntor të vitit 2012, Naman Demolli ishte kosovari i parë që vdiq në luftën qytetare në Siri.  

Zyrtari nga AKI-ja shpjegon se shkuarja kushton shumë pak – duhen vetëm rreth 100 euro për të shkuar nga Kosova në zonën e luftës me avion deri në Stamboll, e pastaj me autobus drejt kufirit sirian.  

I njëjti zyrtar shpjegon se kjo praktikë ishte injoruar me të madhe, meqë nuk ekziston një ligj i veçantë i cili ndalonte këto aktivitete.  Deri pak kohë më parë autoritetet turke po ashtu kishin bërë shumë pak për të penguar luftëtarët e ardhshëm për të hyrë në Turqi.

Zyrtari thotë se ka pasur shumë raste kur autoritetet kosovare i kishin lejuar kosovarët të hyjnë në Turqi, pasi kishin marrë informacion se qëllimi i tyre ishte shkuarja për të marr pjesë në luftën në Siri dhe Irak.

Sa u përket luftëtarëve që janë kthyer në Kosovë, zyrtari thotë se shumica prej tyre i janë kthyer jetës së qetë. 

 Mirëpo, një numër i vogël i tyre janë radikalizuar edhe më tepër dhe të pajisur me përvoja luftarake kanë treguar mospërfillje ndaj shtetit.

Zyrtari thotë se agjencia kishte parandaluar tri planifikime për akte terroriste nga ish-luftëtarët.  Përmes arrestimit të personave të profilit të lartë në shtator dhe gusht, zyrtari thotë se anëtarët e dy qelizave (grupeve) terroriste janë në paraburgim, tani ndërsa qeliza (grupi) e tretë e mundshme ka mbetur në Siri dhe Irak. 

I njëjti zyrtar thotë se beson që rreth 30 kosovarë janë duke luftuar ende për “Shtetin Islamik” ose “Al-Nusran”.  

Mirëpo, tani kur autoritetet janë duke arrestuar dhe ndjekur penalisht luftëtarët, zyrtari thotë se gjasat janë të vogla që ndonjëri prej tyre të kthehet në Kosovë. Ata që kanë mbetur atje realisht kanë “blerë biletë njëdrejtimëshe”, thotë zyrtari.


Foto: facebook

Ndjenja Mbetet 

Qyteti i Kaçanikut, afër kufirit me Maqedoninë, njihet në historinë e Kosovës si vend ku ishte bërë rezistencë e fuqishme kundër Perandorisë Osmane,  e cila kishte sjellë fenë islame në Kosovë dhe kishte sunduar në Ballkan për rreth 500 vjet. 

Megjithatë, tani ky qytet njihet si qendër e islamizmit radikal dhe vendlindje e një numri të madh të luftëtarëve në Siri dhe Irak. Në mesin e tyre është lideri i vetëshpallur i tyre, Lavdrim Muhaxheri.  

Kohë më parë pas Namazit të Xhumasë, pak njerëz ishin të vullnetshëm të flisnin rreth atyre që janë duke luftuar në Siri ose Irak.  Mirëpo, një djalosh i cili nuk pranoi të tregonte emrin, shprehu vullnetin e tij për të luftuar për Shtetin Islamik.

“Unë do të mendoja seriozisht që të shkoj atje sikur dikush të më ftonte”, tha ai.

Burri 24-vjeçar thotë se ka praktikuar islamin në mënyrë rigoroze për një vit e gjysmë dhe tani ndjen afërsi për “Shtetin Islamik” sepse, siç thotë vetë, “zemra më rrah për Ligjin e Sheriatit, sepse dëgjo or vëlla, mendoj se ISIS-i është vullnet i Allahut”, vazhdoi ai.

I njëjti person po ashtu bëri një krahasim me luftën 1998-1999 në të cilën Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte luftuar kundër forcave serbe.  Ai thotë se është i njëjti detyrim sot për të shkuar dhe për të luftuar në Lindjen e Mesme.

Mentori, një burrë rreth të dyzetave nga Kaçaniku, pajtohet me të dhe krahason intervenimin e forcave të NATO-s në Kosovë me pjesëmarrjen e kosovarëve në luftën në Siri dhe Irak.

“Kur të huajt erdhën të na ndihmonin neve në Kosovë, askush nuk ankohej atë kohë”, tha ai.  “Tani, kosovarët janë duke bërë të njëjtën gjë.  Ata po shkojnë të ndihmojnë një popull të çlirohet”. 

Zyrtari i AKI-së pajtohet se përvoja nga lufta është një faktor i cili i bën kosovarët e rinj të luftojnë jashtë vendit sot.

“Shumica prej tyre kanë qenë të rinj në kohën kur kishte ndodhur lufta në Kosovë.  Ata duan ta provojnë luftën – duan ta ndiejnë atë”, thotë zyrtari, duke shtuar se megjithatë në bazë të intervistave të Agjencisë së Inteligjencës shumë prej tyre kthehen të dëshpëruar.  

Për  shumë vjet kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës Naim Tërnava, është akuzuar se ka mbyllur sytë përpara rritjes së ekstremizmit në xhamitë e Kosovës.  Që nga përfundimi i luftës, një formë e rreptë e islamit, e importuar dhe e financuar nga Lindja e Mesme, është futur në Kosovë.  

Derisa radikalët mbesin pakicë në mesin e myslimanëve në Kosovë, megjithatë ata janë bërë shumë të dukshëm dhe të zëshëm.  Njëri nga të arrestuarit nga policia në shtator është Shefqet Krasniqi, imam i xhamisë më të madhe në Prishtinë.  

Pas arrestimit të tij, Tërnava megjithatë ka ashpërsuar fjalorin kundër ekstremistëve. Në një intervistë kohë më parë në “Klan Kosova”, Tërnava ka tërhequr vërejtjen për rritjen e islamizmit radikal, i sjellë nga njerëzit jashtë Kosovës, të cilët “kanë mbjellë një lloj fare të sherrit.”

“Tani kjo farë në një pjesë është rritur dhe është e pranishme.  Për shembull, kemi njerëz të cilët thonë se myftiu i Kosovës është jobesimtar, sepse nuk mban mjekër,” ka thënë ai.

“Kjo nuk është në përputhje me islamin real. Ka individë të cilët duan ta interpretojnë islamin shumë ngushtë, dhe ta keqinterpretojnë islamin”, shtoi ai.

Skender Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë e fajëson gjendjen e vështirë ekonomike dhe sistemin e dobët të arsimit si dhe islamin e radikalizuar për krijimin e kushteve që kosovarët të shkojnë të luftojnë në Siri dhe Irak. Ai thotë se aksionet e fundit të policisë janë trimëruese.  

“Kjo dërgon një mesazh se shteti mund të përballet me të gjitha kërcënimet kundër shtetit, përfshirë terrorizmin”, tha ai.

Megjithatë, mbetet të shihet në qoftë se aksioni policor do të ndalojë shkuarjen e luftëtarëve në afat të gjatë.  

Muhamet Musliu vazhdon të ndihet krenar për dy vëllezërit e tij që kanë shkuar për të luftuar në Irak dhe Siri, edhe pse njëri prej tyre është i vdekur, ndërsa për tjetrin nuk dihet ku është.

“Ata shkuan për të luftuar për Allahun, për të mbrojtur fjalët e Allahut”, tha ai.

“Do të dëshiroja që edhe unë të shkoj atje, por ende nuk më është forcuar imani.”