Lutjet që Ende nuk Bindën Selinë e Shenjtë

Edhe flamuri i shtetit të Kosovës ka qenë pjesë e dekorit të dielën në rrugët e sheshet e Tiranës, si shenjë e mikpritjes së Papës Françesk, në vizitën historike që ia bëri Shqipërisë.

Ai mbahej në duart e shumë kosovarëve që atë të diel kishin lënë anash çdo plan tjetër fundjave, të nxitur nga kureshtja për të marrë pjesë në meshën e drejtuar nga ai, ose së paku për ta parë njeriun i cili i përshëndeste pa u ruajtur nga masa të mëdha të sigurisë dhe xhamat e blinduar të makinave.

Në fakt, ndër hapat e parë që bëri kur u zgjodh Papë në mars të vitit të kaluar, argjentinasi Jorge Mario Bergoglio, ishte heqja e masave të tepërta të sigurisë si shenjë e afrimit më të madh të fesë me njerëzit.

Shqipëria e mori vizitën e Papës ashtu si i erdhi, si një bekim për harmoninë fetare e cila mbizotëron ndër shekuj te shqiptarët.

“Njohja e Kosovës nuk është çështje refuzimi por çështje protokollesh”. At Lombardi

Por Vatikani, shteti i vogël katolik i drejtuar nga Papa, ende nuk figuron në mesin e vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës kanë qarkulluar lloj-lloj deklaratash për arsyet e mosnjohjes. 

Por zëdhënësi i Papës, At Federico Lombardi, gjatë qëndrimit në Shqipëri të dielën, u tha mediave se mosnjohja nga Vatikani nuk ka të bëjë me çështje politike.

“Njohja e Kosovës nuk është çështje refuzimi por çështje protokollesh”, u shpreh At Lombardi, zëdhënës i Papës Françesk, në ditën e vizitës së Atit të Shenjtë në Shqipëri.

Lobimi për njohje nga Vatikani 

Por bllokada politike që e ka kapluar Kosovën tash e sa muaj për shkak të pamundësisë së formimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, e ka bërë të pamundur një përfaqësim diplomatik të vendit në Vatikan.

Gazeta Jeta në Kosovë ka parë disa dokumente të MPJ-së që tregojnë për takime që janë zhvilluar me përfaqësues të Vatikanit që kanë vizituar Kosovën. 

Këto dokumente flasim për deklarata jopublike nga përfaqësues të Vatikanit në lidhje me njohjen e Kosovës si shtet.

Madje në këto dokumente të MPJ-së pretendohet edhe për njohje de facto të Kosovës nga Vatikani por së cilës i ka munguar njohja formale nga ana e Selisë se Shenjtë.

“Në takimin me Ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj, sa i përket njohjes Apostolli Janosz theksoi se shumë shpejt do të kthehet nga Vatikani me lajme të mira. Kjo vizitë forcon pozicionin se Vatikani ka njohur de facto Kosovën”, thuhet në këto dokumente të MPJ-së në të cilat tregohet se çka kanë biseduar Apostolli Janosz dhe Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj në shtator të vitit 2011. 

“Ky mandatim ka ndryshuar politikën e “profilit të ulët” të ndjekur nga Selia në një profil më të lartë në politikën ndaj Kosovës”. Thuhet në letrat e para nga Gazeta Jeta në Kosovë

Në këto dokumente thuhet se hapi i parë që Vatikani ka bërë ndaj Kosovës ka qenë 10 shkurti i vitit 2011 ku Selia e Shenjtë ka mandatuar për herë të parë të deleguarin nunsin Juliusz Jonusz por i cili qëndronte në Slloveni. 

Ky mund të quhet hapi i parë ngaqë më herët Vatikani e ka mbuluar Kosovën përmes një nunsi i cili ka qenë i vendosur në Beograd . 

Në letrat që ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë thuhet se ky mandatim ka ndryshuar politikën e “profilit të ulët” të ndjekur nga Selia në një profil më të lartë në politikën ndaj Kosovës.

“Me rastin e emërimit të delegatit apostull, u shpall edhe një notë e cila theksonte se ‘misioni i një apostulli delegat nuk është i natyrës diplomatike por i përgjigjet kërkesës për të trajtuar në mënyrë adekuate nevojat pastorale të besimit Katolik”, thuhet në këto dokumente që janë siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Don Lush Gjergji përmend arsyet e mosnjohjes 

Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës numëron dy arsye pse Vatikani ende nuk e ka marrë vendimin për njohjen e Kosovës. 

Ai thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se në këtë rast, Kosova ka bërë “lëshime trashanike”.

“E para është që Vatikani për afro dy vite e emëroi delegatin apostolik për Kosovë me seli në Slloveni i cili është nunsi apostolik apo ambasador i Papës ndërsa Kosova akoma nuk ka deleguar një person në Vatikan”. 

“Nëse Selia e Shenjtë ka emëruar dikë për Kosovën kjo nënkupton ka dhënë shenjtë të qartë në mënyrë që t’i ketë marrëdhëniet diplomatike”, tha Don Gjergji.

E sipas tij, njëra ndër arsyet e tjera është edhe mungesa e ligjit i cili rregullon jetën e bashkësive fetare në Kosovë.

“Mangësia tjetër po ashtu trashanike është se 15 vite pas lirisë ne nuk kemi ende një ligj i cili e rregullon jetën e bashkësive fetare jo vetëm të Kishës Katolike, por edhe të Kishës Ortodokse dhe Bashkësisë Islame”, deklaroi Don Gjergji duke shtuar se këto dy lëshime dëshmojnë se “jemi shtet në nivelin deklarativ por jo në nivelin efektiv”. 

“Vatikani nuk do shtete të tilla por dëshiron ta shoh efektivitetin e saj. Uroj që edhe pas kësaj vizite (në Shqipëri) Papa ta përshpejtojë këtë proces”, tha Don Gjergji.


Selia e Shenjtë në Vatikan | Foto: Beta

Problemet në emërimin e Petrit Hasanajt si përfaqësues në Vatikan  

E Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës thotë se ky institucion ka bërë përpjekje për të krijuar marrëdhënie mes Kosovës dhe Vatikanit. 

Ministri Enver Hoxhaj tha për Gazetën Jeta në Kosovë se ky institucion ka propozuar të emërojë një delegat Apostolik nga Kosova ashtu siç ka bërë Vatikani.

MPJ-ja më 10 shkurt 2014 e dërgoi emrin e Petrit Hasanajt si propozim në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme. 

Kandidati Petrit Hasanaj i ishte sugjeruar MPJ-së nga Kisha Katolike.

Në dokument thuhet se ky emërim duhet të bëhet me qëllim dhe vullnet për të arritur njohjen e rëndësishme nga Selia e Shenjtë njohje kjo që, sipas MPJ-së, do të hapte rrugë për shumë vende të tjera si Amerika Latine, Afrika dhe Spanja.

Ministri i MPJ-së, Enver Hoxhaj tregoi se si ka ardhur deri te propozimi për një përfaqësues të Kosovës për në Vatikan. 

Ai tha se në vitin 2012, disa muaj pasi Vatikani kishte emëruar nunsin në Lubjanë si përfaqësues për Kosovën, janë dhënë shenja që Vatikani është i gatshëm që ta mirëpresë një përfaqësues të shtetit të Kosovës i cili do të punonte drejt njohjes, si një kontakt i një bashkëpunimi ndërshtetëror, bilateral mes Selisë së Shenjtë dhe Kosovës.

“Pas konsultave që kam pasur me Presidenten, Kryeministrin dhe me Ipeshkvin e Kishës Katolike në Kosovë, Nunsin e Vatikanit në Lubjanë, unë e kam propozuar një përfaqësues sikurse është Petrit Hasanaj që të jetë përfaqësues i Kosovës në Selinë e Shenjtë”, tha Ministri Hoxhaj. 

“Kur kam shkuar herën e dytë në Komisionin për Politikë të Jashtme nga kryetari dhe anëtarët e tjerë të komisionit nuk ka pasur vullnet që ta procedojnë lëndën”. Enver Hoxhaj

Por kur ky propozim është dërguar në Komisionin për Punë të Jashtme që udhëhiqej nga Albin Kurti, ministri thotë të ketë hasur në refuzim.

“Kur kam shkuar herën e dytë në Komisionin për Politikë të Jashtme nga kryetari dhe anëtarët e tjerë të komisionit nuk ka pasur vullnet që ta procedojnë lëndën, kërkesën tonë dhe ta ftojnë Petrit Hasanaj në intervistë dhe t’ia rekomandojnë Presidentes që ajo ta dekretojë”, tha Hoxhaj.

Ministri thotë se ky komision nuk ka pasur argumente as politike e as ligjore rreth refuzimit që kandidati Hasanaj të jetë përfaqësues i Kosovës në Vatikan.

“Ka qenë mungesë totale e vullnetit politik që ta dërgojnë një përfaqësues të Kosovës. Kur ne po flasim tashmë, do ta kishim pasur përfaqësuesin tonë në Seli të Shenjtë”, tha i pari i MPJ-së.

Gazeta ka pritur që nga e hëna përgjigjet në pyetjet drejtuar ish kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të jashtme, Albin Kurti, të dërguara përmes zyrës për informim të Vetëvendosjes.

Në emër të tij përgjigja ka dhënë Puhie Demaku. Ajo, sipas zëdhënësit Erzen Vraniqi, ka ndjekur punimet e këtij komisioni dhe që i ka ndihmuar kryetarit Kurti. 

“Komisioni as nuk i ndalon e as nuk i zgjedhë kandidatët për ambasador. Komisioni, thjesht, ia raporton Presidentes rezultatet e seancës dëgjimore për kandidatin e propozuar”, tha Demaku për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Ndërkohë Albin Kurti, në një letër dërguar Papës Françesk, në prag të vizitës së tij në Shqipëri, ka kërkuar nga ai që Vatikani ta njohë shtetin e Kosovës.

“ Unë me mirësi kërkoj nga Shenjtëria Juaj të lutet për ne dhe të kërkojë të vërtetën dhe drejtësinë në zemër të kësaj çështjeje”, shkruan Kurti.

Refuzimi nga komisioni

Ndërsa ish ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, tha se janë dy arsye se përse kërkesa e ministrit Hoxhaj nuk është pranuar.

“Arsyeja e parë është shpërndarja e parlamentit dhe nuk kemi pasur kohë që i nominuari të thirret në intervistë.  Arsyeja tjetër është se Komisioni interviston vetëm kandidatë që dërgohen në vendet me të cilat Kosova ka marrëdhënie të plota diplomatike”, tha Hyseni.

Ai u shpreh se MPJ ka shkelur Kushtetutën me propozimin që ka bërë  pasi që, sipas tij, nuk mund të dërgohet një ambasador me një shtet që akoma nuk e ka njohur Kosovën. 

“Nuk mund të dërgosh ambasador me një vend që nuk të ka njohur. Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë një gabim shumë të madh sepse ka kërkuar të dërgojë ambasador në një vend që nuk na ka njohur e që është gabim elementar”, theksoi Hyseni.

Ngjashëm thotë edhe Demaku e Vetëvendosje. Sipas saj nuk mund të emërohet ambasador në Vatikan pa pasur njohje nga ky shtet.

“Njohja e Kosovës nga Vatikani nuk është vetëm veprim diplomatik ndërkombëtar por edhe shpirtëror e fetar”. Behlul Beqaj

“Nëse ministri do ta bënte një gjë të tillë (ta emëronte ambasadorin në Vatikan), ajo do të ishte shkelje e Kushtetutës”, thotë Demaku.

Por në shkresën e ministrit Hoxhaj dërguar komisionit parlamentar për punë të jashtme përmendet se emërimi i Petrit Hasanajt  është para-diplomatik.

 “Kemi vendosur të hyjmë në marrëdhënie para-diplomatike”, thuhet në këtë dokument të MPJ-së.

Ish ministri Hyseni tha se për të dalë nga kjo gjendje ai i kishte propozuar që MPJ ta nominoj në një shtet tjetër kandidatin e propozuar për Vatikan.

“Ka qenë propozim i imi që Petrit Hasanaj të nominohet aty ku Kosova ka ambasadë e pastaj në cilësinë e ambasadorit në një vend, ambasadorin mund ta akomodojë dhe caktoj në çfarëdo zyre, qoftë edhe për kontakt me Vatikanin”, tha Hyseni.

Ndërsa analisti Belul Beqaj thotë se njohja nga Vatikani do t’i ndihmonte shumë  Kosovë.

“ …por se di sa dhe si do të ndikonte në prestigjin e Vatikanit në botën e trazuar”, tha Beqaj për gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas tij, Ministria e Punëve të Jashtme mund të fajësohet për shumëçka edhe për shumë mos njohje tjera, por jo edhe për mosnjohje të Vatikanit.

“Njohja e Kosovës nga Vatikani nuk është vetëm veprim diplomatik ndërkombëtar por edhe shpirtëror e fetar”, pohoi Beqaj.