Përpjekje për të Kthyer Zanatlinjtë në “Çarshinë e Vjetër”

Komuna e Gjakovës nisi në shtator renovimin e pjesës së dytë të “Çarshisë së Vjetër”, pjesë e trashëgimisë kulturore të këtij qyteti. Ai do të përfshijë hapësirën nga Qendra Inovative deri te Sheshi “Agron Rama”, ose rrethrrotullimi i Mëhallës se Mullaisufëve.

Silvana Domi, drejtoreshë për Zhvillim Ekonomik e Gjakovës thotë se renovimi po bëhet për kthimin e zanatlinjve dhe zejeve të vjetra në këtë pjesë të qytetit.

“Ne e kemi projektin për kthimin e zanateve te vjetra që quhet ‘Fondi për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme “, ku në kuadër të këtij  fondi parashihet edhe mbështetja financiare e zanateve“, shpjegon Domi.

Sipas saj projektin e ka ndihmuar Fondacioni “Behgjet Pacolli” me 5 mijë euro dhe Fondacioni Suedez “Trashëgimia Kulturore pa Kufi” me 3.868 euro, por pjesën më të madhe të parave- 33 mijë e 626 euro e ka dhënë vetë komuna.

“Sipërfaqja totale  e këtij  segmenti është 1356  metra, kurse në  gjatësi është 301, dhe i tëri ky projekt ka kushtuar diku 42 mijë euro”, thotë drejtoresha.

Ky nuk është investimi i parë komunal në këtë çarshi. Qeverisja e kaluar e qytetit kishte restauruar pjesën e parë të Çarshisë së Gjatë në periudhën 2010-2012, duke larguar kalldrëmin e vjetër për ta zëvendësuar me rrasa Gllareve.

Kalldrëmi largohet bashkë me zanatlinjtë

Kjo gjë kishte shtyrë ministrin e Kulturës Memli Krasniqin që të urdhërojë mosprekjen e kalldrëmit me kubëza katrore, sepse sipas ministrisë shtrimi me material tjetër i “Çarshisë së Vjetër” e dëmton trashëgiminë kulturore të qytetit.

Këto përplasje ministri-pushtet lokal kishin vonuar punimet restauruese të projektit që organizatat e shoqërisë civile dhe ato që merren me trashëgimi kulturore sipas një raporti të Institutit për Studime të Avancuara-GAP e kishin vlerësuar rreth 1 milion euro, në një kohë kur zona tjera të qytetit ishin nevojë për ndërhyrje e përmirësime infrastrukturore.

Largimi i kalldrëmit dhe punimet e stërzgjatura në çarshi, larguan zanatlinjtë dhe pas renovimit nga komuna e drejtuar prej Pal Lekajt, këtij vendi të njohur për trashëgimi kulturore iu ndërrua destinimi.

Lum Hoxha, ishte i pari që hapi kafiteri në “Çarshinë e Vjetër”. Ai ka arsyetim për këtë veprim.

“Unë kafiqin këtu e kam hapur duke menduar se kjo pjesë do te jetë shëtitore, e nuk kam qenë në dijeni se kjo pjesë do të jetë pjesë e trashëgimisë kulturore“, deklaron Hoxha.

Kjo pjesë pastaj u vërshua nga kafiteritë e shumta te cilat dolën si “kërpudhat pas shiut“, duke zënë rrugën me karriget e vendosura jashtë dhe penguar banorët me muzikë deri në orët e vona.

Kjo konkurrencë nuk i pëlqen as Lum Hoxhës që ka menduar “se kafiqat tjerë do te hapen ne bazë te një plani, e jo sipas qejfit te çdokujt”. Për kafiteritë kanë ankesa edhe banorët.

“Ne si banorë të kësaj pjese e kemi shumë vështirë, sepse ne nuk mund të flejmë qetë, pasi që këtu kafiqat bëjnë muzikë deri ne orët e vona. Po ashtu ne nuk mund të hymë me vetura deri në oborret tona, pasi që tërë rruga është e zanë me karriga të  kafiqave”, thotë Elida Shasivari që jeton në “Çarshinë e Vjetër”.

Shasivari shton se “kjo pjesë është degraduar e tëra, sepse këtu e tërë puna është bërë pa plan”.

Restaurimi nisi si ndërhyrje në infrastrukturë

AAK-ja-partia që ishte në pushtet në Gjakovë, e mbron investimin në çarshi, në kohën e qeverisjes së saj.

Zyrtarë gjakovarë të subjektit që drejtohet nga Ramush Haradinaj thanë se i hynë restaurimit dhe revitalizimit në këtë pjesë, pasi ndërhynë për të përmirësuar rrjetin e ujësjellësit dhe kabllot e PTK-së, në qershorin e vitit 2012.

“[Restaurimi nisi] pasi që është paraqitur nevoja për rehabilitimin e një pjese të infrastrukturës nëntokësore siç është ujësjellësi dhe instalimet e PTK-së. Pastaj duke shfrytëzuar kanalet e njëjta është punuar në futjen e rrjetit elektrik në gypa nëntokësor dhe rrjeti i fibrit optik”, thonë në AAK-në gjakovare.

Sipas tyre restaurimi ka kushtuar 219 e 495 euro, ndërsa çarshia është gjallëruar.

“Çarshia ka ruajtur tërësinë e saj kulturore, frymon lirshëm dhe gjallëron, është rritur vlera e pasurive të patundshme, nuk kemi mbyllje të saj me muzgun e parë, ka punësuar një numër të caktuar të qytetarëve”, vazhdon shpjegimi i AAK-së me anë të postës elektronike.

Por, Ali Haraqia drejtor ekzekutiv i Bordit të Shoqatës së Zejtarëve në Gjakovë, ka nostalgji për kohën kur këtu dëgjoheshin vetëm “tingujt” e ushtrimit të zejeve.

“Zejtarët nga kjo pjesë kanë ikur, pasi që dikur në vitet ‘60 ka pasur 50 zejtarë, ndërsa tani në ketë pjesë ushtrohen diku 7 – 8 zeje. Çarshisë mund t’i kthehet nami që e ka pasur, vetëm nëse intervenon komuna duke i subvencionuar zejtarët”, thotë Haraqia.

Por nuk dihet se ku kanë mbetur kubëzat e kalldrëmit të dikushëm me të cilat çarshia ishte e shtruar përpara.

Zyrtarë të AAK-së dhe vetë ish-kryetari Pal Lekaj thonë se ato janë grumbulluar në bregun e lumit Krena, por kalldrëmi i hequr nuk ndodhet aty.

Qeverisja aktuale në krye me Mimoza Kusari-Lilën, duke kritikuar restaurimin e bërë nga komuna në kohën e Lekajt, thotë se në pjsën e dytë të projektit nuk do të përdorë rrasa Gllareve.

“Kjo pjesë e rinovuar do të jetë e shtruar me kubëza, pasi që edhe është rinovim-pra do të jetë me material të njëjtë, e assesi me pllaka të Gllarevës, ashtu edhe siç ka ndodhur me pjesë, apo segmentin e parë të kësaj pjese”, thotë drejtoresha Silvana Domi.

Sipas saj, projekti do të kryhet brenda 40 ditësh, ndërsa çarshia do të ketë krejt pamje tjetër.