Fabrika e Kërpudhave Pas Vendimit të Gjykatës

Kjo ishte njëra nga pikat të cilat u diskutuan sot në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, ku të pranishëm ishin edhe disa banorë të fshatit Zhabar.

Kryetari Agim Bahtiri propozoi që këta banorë të pranishëm të marrin fjalën nga tre minuta.

Kështu fjalën e mori Bashkim Sadiku, banor i këtij fshati, i cili po ashtu ka të ndërtuar një fabrikë në atë vend.

“Unë kam të ndërtuar një fabrikë në atë vend dhe sipas babagjyshit ajo tokë ka qenë e jona, por na është marrë nga pushteti dikur”, tha Sadiku.

Pastaj fjalën e mori asamblisti i PDK-së Eset Ujkani, i cili kërkoi sqarime për materialin e operatorit ekonomik “Mushroom Park L.L.C.”.

“Keni sjellë material të kotë. Këtë duhet ta dinë të gjithë dhe ky material për mua është i pavlefshëm, sepse siç shihet askush se ka hapur”, tha Ujkani, të cilit menjëherë iu përgjigj kryetari Bahtiri.

“Në qoftë se edhe ky nuk ka dokumentacion të mjaftushum, t’i s’ke me gjet kërkend tjetër qe ka me kompletu atë“, theksoi Bahtiri.

Pas kësaj filluan polemikat mes Bahtirit dhe Ujkanit, ku kryetari i Mitrovicës e akuzoi asamblistin se partia e tij PDK-ja nuk po lejon asgjë të shkojë përpara, ndërsa Ujkani tha se nuk merret me politika populiste.

Këto polemika e nervozuan shumë kryetarin e Mitrovicës, i cili kërkoi që ky projekt të pezullohet dhe në mënyrë demonstrative e lëshoi sallën e kuvendit.

Pas kësaj situatë kryesuesi Bislim Ymeri dha 10 minuta pauzë pas së cilës në sallë u kthye edhe Agim Bahtiri.

“Të nderuar këshilltarë dhe qytetarë të Mitrovicës, ju po e shihni se në çfarë situate jam. Meqenëse disa qytetarë të fshatit Zhabar ju kanë drejtuar gjykatës për këtë çështje, unë po propozoj që ta presim vendimin e gjykatës së kujt i përket ajo pronë”, tha Bahtiri.

Ky propozim u votua me 28 vota pro, asnjë kundër dhe 2 abstenime nga dy deputetë të PDK-së Ujkani dhe Muja.