Ndëshkimet e Menaxhmentit të RTK-së Shqetësojnë Gazetarët

Kryetari i AGK-së Zekirja Shabani tha se situata në media nuk lë shumë për të dëshiruar.

“ Prej muajit prill deri në fund të muajit korrik janë evidentu dhjetë raste të presioneve, kërcënimeve dhe sulmeve ndaj kolegëve tanë gazetarë dhe kameramanë në media të ndryshme”, tha ai. 

Anëtari tjetër i AGK-së Arsim Halili foli më konkretisht për problemet e gazetarëve, duke marrë shembull për to mediumin publik ku punon. 

Halili është pjesë e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, ndërsa tregoi se ai vetë është në para përjashtim nga ky institucion, pasi që sipas tij ky ka ngritur zërin ndaj parregullsive atje.

 “Unë vetëm po e shprehi shqetësimin për presionin e vazhdueshëm me të cilin jemi duke u përballur, sepse nuk jam vetëm unë që përballet me këto raste në mediumin publik”, u shpreh ai. 

Halili në RTK mban pozitën e ndihmës redaktorit.

Lidhur me konferencën e AGK-së dhe akuzat ndaj RTK-së reagoi të martën Liridon Cahani, në emër të komisionit disiplinor të këtij mediumi.

Ai tha se komisioni nuk dëshiron të futet në debatet mes menaxhmentit dhe sindikatës së RTK-së, por punon në bazë të Rregullores për Përgjegjësi Materiale dhe Disiplinore të RTK-së dhe Ligjit të Punës.

 “Duhet të dihet nga të gjithë që Komisioni merret vetëm më rastet për të cilat iniciohet procedurë disiplinore. Komisioni nuk e ka në mandatin e vet që të marrë rolin e “policisë hetuese” dhe të hetojë se kush po i shkel rregulloret e kush jo”, tha Cahani në sqarim.

Sipas tij komisioni nuk është duke punuar kundër sindikatës, edhe pse dy anëtarëve të Kryesisë së saj u janë shqiptuar masa disiplinore.

Cahani tregoi versionin e komisionit pse ka marrë masën parapërjashtim Arsim Halili.

 “Z. Halili ka tentuar të dëshmojë se ka qenë në punë në kohën kur në të vërtetë nuk ka qenë. Si duket nuk e ka fare problem të deklarohet rrejshëm publikisht, natyrisht gjithnjë duke shfrytëzuar edhe angazhimet e tij ne Sindikatë apo në organizata tjera profesionale”, shpjegon Cahani në sqarim.

Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi edhe me Behare Bajraktarin, gazetare dhe ndihmëse e redaktorit në Radio-Kosovë. Ngashëm si Halili edhe ajo është suspenduar nga puna dhe është pjesë e sindikatës.

 “Para dy ditësh kam marrë një vendim për suspendim nga puna me gjashtë muaj me pesëdhjetë për qind të pagës, me arsyetimin që unë nuk i kam dëgjuar urdhrat e eprores”, tha Bajraktari. 

Sipas saj ky arsyetim nuk ka vlerë pasi ajo ka si prova e-mail-at me anë të të cilëve ka kontaktuar me eproren e saj çdo ditë.

Cahani në sqarimin e tij kur flet për Bajraktarin, thotë se procedurën disiplinore ndaj saj nuk e ka ngritur menaxhmenti i RTK-së, por eprorja e gazetares.

Cahani mendon se komisioni ka pasur mjaft prova për ta ndëshkuar punonjësen e Radio-Kosovës.

 “Dëshmitë [e eprores] me shkrim si dhe audio-incizimet janë pjesë e dëshmive që Komisioni, së bashku edhe më dëshmitë e eprorëve tjerë të Radios, ka marrë për bazë kur ka marrë vendimin. Ndërkaq kolegia Bajraktari ka refuzuar të japë dëshminë e saj me shkrim lidhur me procedurën e ngritur disiplinore kundër saj”, shkruan Cahani.

Ai nuk ka sqaruar në reagim se për çfarë audio-incizimesh bëhet fjalë.

Afërdita Rushiti, eprore e Bajraktarit nuk deshi të komentojë duke thënë se për këtë situatë mund të flasin vetëm zyrtarët e RTK-së.

Gazeta kontaktoi edhe me Azem Bujupin, drejtorin e Radio-Kosovës, por ai me arsyetimin se është i zënë, nuk iu përgjigj interesimit tonë, duke kërkuar që të kontaktohet më vonë.

Ai deri më tash nuk i është përgjigjur interesimit të Gazetës Jeta në Kosovë.

Më pas Zekirja Shabani, kryetari i asociacionit që tubon dhe mbron gazetarët, tha se probleme tjera që duhet të zgjidhen, janë edhe punëtorët pa kontratë dhe mosrespektimi i Ligjit të Punës.

Anëtarja tjetër e AGK-së Blerta Aliu shpalosi në konferencë planet për regjistrimin e gazetarëve nga ky asociacion, një proces që sipas saj ka nisur sot, ndërsa do të përfshijë edhe pjesëtarët e komuniteteve që punojnë nëpër medie.

Çdo gazetar në Kosovë do të ketë një kartelë identifikuese me anë të së cilës do të tregojë se është pjesë e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe në rast se ka nevojë do ta ketë përkrahjen e këtij grupi.

Aliu shpjegoi mënyrën se si do të realizohet procesi i regjistrimit të gazetarëve.

 “Ne do të shkojmë fizikisht nëpër redaksi fillimisht në ato në Prishtinë në pesëmbëdhjetë ditët e para, e pastaj do të dalim në mediet lokale në pesëmbëdhjetëditëshin tjetër”, tha ajo.   

Sipas saj, gazetarët e rinj dhe ata që mbesin pa u regjistruar mund ta bëjnë këtë pastaj në formën online.

AGK-ja sipas zyrtarëve të saj nuk do të ketë obligim ndaj gazetarëve që nuk anëtarësohen në të.