Arsimtarët e Larguar Ia Zënë Derën Begajt

Vetëm në shkollën Qendra e Kompetencës në Malishevë, 27 profesorëve u është shpallur vendi i lirë i punës dhe më pastaj nuk janë pranuar në punë 27 profesorë.

Të gjithë këta konsiderojnë se këto largime janë politike, ngase deri në zgjedhjet e nëntorit në këtë komunë udhëhiqte PDK-ja, e cila u zëvendësua nga Nisma e Fatmir Limajt.

Kryetari i komunës, Ragip Begaj, i priti në takim tre përfaqësues të arsimtarëve, të cilit kërkuan nga kryetari i komunës rishqyrtimin dhe rishpalljen e konkursit. Takim ky që në disa raste u përcoll me debate të nxehta.

Shemsi Morina, përfaqësues i mësimdhënësve të larguar tha se arsyeja e largimit është politike sipas tij vetëm pse nuk janë pjesë e Nismës. Sipas tij komuna ka larguar nga puna rreth 200 mësimdhënës.

“Me rishqyrtuar edhe rishpallë konkursin për zgjedhjen e kuadrit në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme e të lartat të Komunës së Malishevës, po ashtu edhe rishpalljen e konkursit për drejtor në shkolla, ku në mënyrë të paligjshme janë larguar të gjithë drejtorët e shkollave për arsye të bindjeve politike, për arsye të mendimeve ndryshe të udhëheqësve të Nismës”, tha Morina.

Përfaqësuesi i mësimdhënësve tha se nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre, atëherë do të vazhdojnë protestat e duke mos shmangur edhe radikalizmin e protestave.

“Rrugët tona janë prapë protestat në këtë formë. Qysh kemi veprua sot do të vazhdojmë, por nëse nuk ndërmerren masa mund edhe të radikalizojmë protestat, sepse tek e fundit secili prej neve e sigurojmë kafshatën e gojës prej punës që e kemi bë”, tha Morina

Dashurie Kryeziu, profesorrshë që 2 vjet në Qendrën e Kompetencës në Malishevë ishte duke pritur para komunës rezultatet e takimit më krytarin Begaj.

“Që dy vjet punoj, kam hy me konkurs të rregullt, kanë qenë të hapur katër vende pune dhe padrejtësisht mendoj që tash më kanë larguar prej pune bile me pikëpamje politike”, tha ajo.

Por, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj tha se vetë Ministria e Arsimit ka kërkuar që të hapen vendet e lira të punës për të gjithë ata njerëz që kanë hyrë pa konkurs.

“Neve na është kërkuar nga Ministria e Arsimit, që të shpallim vendet e punës, ku janë pranuar njerëz pa konkurs, në ato vende ku janë kanë joadekuatë dhe disa vende që kanë pas tepricë të punëtorëve”, tha Begaj.

Kryetari Begaj, nuk hezitoi t’i priste përfaqësuesit e arsimtarëve për çka lejoi edhe mediat ta përcjellin takimin, por kryetari nuk u gjeti zgjidhje problemeve të tyre, ndërsa i udhëzoi t’i drejtohen gjykatës.

“Ata të cilët mendojnë që ju ka ba padrejtë, unë kam me qen krah i tyre, le t’u drejtohen organeve gjyqësore me padi, le t’i mbrojnë vendet e punës”, tha Begaj.

Valon Hoti sekretar i Lëvizjes Vetëvendosje në Malishevë dhe njëherëësh kryetar i Komitet për Arsim në Asamblenë Komunale e akuzon Fatmir Limajn për këto pakënaqësi.

“Fatmir Limaj po e mban fjalën e tij që të gjithë ata që nuk e kanë votuar do t’i përjashtojë nga puna nga sistemi arsimor. Është për të ardhur keq dhe e dhimbshme që sot një kryepartiak fëmijët e tij i arsimon nëpër shkolla me renome ndërkombëtare, kurse nxënësve malishevas u sjellë profesorë pa eksperiencë dhe pa fije arsimimi”, tha Hoti.

Ndërkohë përmes një e-maili ka reaguar Zyra për Informim Publik e Komunës së Malishevës, duke demantuar se numri i mësimdhënësve të larguar është 200.

Sipas këtij reagimi, Drejtoria Komunale për Arsim dhe Edukim bazuar në rekomandimet e MASHT-it, ka shpallur konkurs për 147 vende në të gjitha shkollat për nivelet e arsimit parashkollor, fillor, të mesëm të ulët dhe shkollat e mesme.

 

“Ne ju informojmë se shumica prej 147 vendeve të lira të cilët kanë plotësuar kriteret, janë pranuar në procesin mësimor”, shkruan komuna në reagim.

Blerim Thaqi, drejtor i Arsimit në këtë komunë, kishte pasur fatin e njëjtë vitin e kaluar kur edhe ai ishte larguar nga procesi arsimor, vetëm pse nga PDK-ja kishte kaluar në Nisma. Kështu kishte deklaruar për Gazetën Jeta në Kosovë.