Prokuroria Bllokon Gjykatat

Alarmi për këtë situatë është dhënë nga kryetari i gjykatës themelore të Gjilanit, Zyhdi Haziri.

Ai në emisionin Drejtësia në Kosovë ka folur për bllokimin e punës në këto gjykata par shkak të mungesës së prokurorëve.

Sipas tij, prokuroria e Gjilanit ka bërë një orar i cili nënkupton se në këto dy gjykata prokurori shkon një ditë në javë dhe brenda asaj dite gjykatësit duhet t’i mbajnë gjykimet.

“Në Kamenicë punojnë tre gjykatës, dy prej të cilëve gjykojnë lëndë penale. Ata po caktojnë seanca vetëm një ditë në javë për shkak se nuk ka prokuror. Kjo po e vështirëson shumë punën e kësaj gjykate”, është shprehur Haziri.

Situata, sipas tij, është e njëjtë edhe në gjykatën e Vitisë.

Haziri ka thënë se po të kishte prokurorë gjykata do mund të zgjidhte më shumë lëndë. Raportet e statistikave të KGJK-së tregojnë se në këto dy gjykata janë të pazgjidhura 12 mijë lëndë.

Jetish Maloku, kryeprokuror në Gjilan, thotë se e kanë të pamundur të dërgojnë më shumë prokurorë në gjykime.

“Prokuroria e Gjilanit është dashtë t’i ketë 15 prokurorë ndërsa i ka vetëm 12 prokurorë kjo po na e pamundëson veprimin me kohë në gjykata”, tha Maloku.

Ai si shembull ka marrë rastin kur një prokuror ka shkuar në gjykatën e Vitisë për të përfaqësuar 30 aktakuza. “Kemi një rast kur një prokuror është dashtë të shkojë në 30 gjykime për një ditë”, është shprehur Maloku.

Sipas tij, kjo situatë ka qenë e vështirë të përballohet nga prokurori i cili është dashur të marrë pjesë në 30 gjykime brenda një dite.

Ai ka shfaqur shpresën që Këshilli Prokurorial i Kosovës do ta zgjidhë këtë problem.

“Jemi në fazën e përzgjedhjes së prokurorëve. Presim edhe dy prokurorë dhe mendoj se do të zbutet situata”, ka thënë Maloku.

Sipas tij Gjilanit i duhen të paktën edhe tre prokurorë për ta sjellë situatën në normalitet.