Trafikimi dhe Prostitucioni Lulëzojnë në Ferizaj

Kryeprokurori Agron Qalaj tha se pas analizimit të të dhënave kanë kuptuar se në këtë prokurori ka shumë raste të hetimit të trafikimit me qenie njerëzore dhe prostitucion.

“Veprat karakteristike të krimeve të rënda në Ferizaj janë trafikimi me qenie njerëzore mundësimi i prostitucionit dhe droga”, ka thënë Qalaj. Ai ka potencuar se janë duke hetuar disa raste ku individë të caktuar janë përfshirë në veprimtari të tilla.

Qalaj po ashtu ka nënvizuar se prokuroria të cilën ai është duke e udhëhequr ka nisur hetime për korrupsion ku janë të përfshirë qoftë zyrtarë komunalë, qoftë ata qendrorë.

Për t’i hetuar këto raste, sipas tij, është hartuar një plan operativ i cili mundëson hetimin sa më të shpejtë të këtyre rasteve.

“Kemi marrë masat dhe kemi zhvilluar një plan operativ. Jemi në rrugë të mirë në hetimit të disa rasteve”, ka thënë Qalaj.

Ai tutje ka shtuar se një aktakuzë e ngritur nga prokuroria e tyre për një zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë ka pasur sukses në gjykatë ndërsa janë në përgatitje edhe të aktakuzave të reja.

“Kemi raste duke hetuar dhe do të ketë edhe aktakuza të tjera për korrupsion”, ka paralajmëruar Qalaj.

Mirëpo, kryeprokurori i prokurorisë më të re në vend ka thënë se po e kanë të pamundur që t’i hetojnë të gjitha rastet që ata i kanë të deponuara për shkak se prokuroria është duke punuar me kapacitet të përgjysmuar.

Në prokurorinë e krimeve të rënda e cila është kompetente për hetimin e prostitucionit, drogës, korrupsionit dhe rasteve tjera janë duke punuar vetëm dy prokurorë ndërsa sipas Qalajt në këtë departament është dashur të punojnë të paktën 5 prokurorë.

Situata nuk është më e mirë as në departamentin e përgjithshëm ku punojnë 5 prokurorë ndërsa ishte dashur të ishin 15. Kërkesë ka që edhe në departamentin për të mitur të emërohet një prokuror.

Konkursi i fundit për pranimin e prokurorëve i shpallur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës ka paraparë që në Prokurorinë e Ferizajt të emërohen edhe dy prokurorë e jo 14 sa janë nevojat. Kryeprokurori Qalaj ka kritikuar edhe planet që prokurorisë së tij t’i shtohen vetëm edhe dy prokurorë.

“Konsiderojmë që me ardhjen e dy prokurorëve vetëm do zbutet gjendja e jo të zgjidhet problemi”, ka thënë Qalaj. Ai ankohet se në prokurorinë e tij nuk kanë asnjë bashkëpunëtorë profesional.

“Nevojat tona janë për 6 bashkëpunëtorë ndërsa nuk e kemi asnjë bashkëpunëtor”, ka thënë Qalaj.

Sipas tij, arsye pse prokuroria e tij nuk ka asnjë bashkëpunëtorë profesionalë është mungesa e buxhetit ndërsa nënvizon faktin se i kanë bërë kërkesë Këshillit Prokurorial për bashkëpunëtorët profesionalë.