Masa Ndëshkuese Për Ata që Kërkuan Dorëheqjen e Kryeshefit

Tre drejtorët si dhe kryetari i Sindikatës së Ndërmarrjes Publike “Infrakos”, i cili mban edhe pozitën e drejtorit të Departamentit të Komunikacionit, morën vërejtjet e fundit me shkrim, ndërsa njëri nga ta edhe u suspendua për një javë nga puna.

Ndëshkimet erdhën 6 muaj pasi ata kërkuan shkarkimin e Kryeshefit të kësaj Ndërmarrjeje që menaxhon infrastrukturën hekurudhore të Kosovës.

Më 13 shkurt të këtij viti, Gazeta Jeta në Kosovë, pati shkruar se Sindikata e Ndërmarrjes “Infrakos” si dhe tre drejtorë të kësaj ndërmarrje kërkuan shkarkimin e Kryeshefit Ekzekutiv, Agron Thaçit, pasi që e kishin vlerësuar atë si menaxher të dobët.

Sindikalistët, shumica e drejtorëve të ndërmarrjes dhe një pjesë e punëtorëve u patën ankuar për mosngritje të pagave në ndërmarrje gjatë tri viteve të fundit, mospagesë të beneficioneve në bazë të përvojës së punës dhe orëve të punës pas orarit zyrtar. 

Nënshkruesit e kërkesës përmendin edhe diskriminimin e profesionalistëve me kushtet e punës dhe kategorizimin e pagave, shkeljet e panumërta, shpenzimet e larta për reprezantacion, menaxhimin shkatërrues të kryeshefit dhe harxhimet jashtë kontrollit të veturës së Kryeshefit.

Por Agron Thaçi kishte deklaruar se kërkesa për shkarkimin e tij ishte “një keqkuptim dhe nguti” nga ana e drejtorëve dhe Sindikatës.

Naser Hoti, drejtor i Administratës në Ndërmarrjen publike “Infrakos”, është suspenduar për një javë, nga puna e Drejtorit të Administratës që bënte në këtë ndërmarrje. 

Ai në këtë ndërmarrje punon qysh nga viti 2009.

Në këtë kohë, ndërmarrja “Infrakos” ishte vetëm si Hekurudhat e Kosovës, por që nga viti 2011 me rekomandim të Komisionit Evropian, u nda në dy ndërmarrje: Trainkos dhe Infrakos. E para sipas kësaj ndarjeje do të menaxhojë trenat, ndërsa e dyta infrastrukturën hekurudhore

Më 4 korrik të këtij viti, Hoti mori një vendim nga Kryeshefi i tij me numër protokolli 723, se është suspenduar nga vendi i punës.

Ky suspendim ishte masë e përkohshme deri në zhvillimin e procedurës disiplinore në përputhje me legjislacionin e aplikueshëm për Ndërmarrjen Publike dhe aktet e brendshme të punësimit. 

Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhej se “i njëjti (Naser Hoti) në mënyrë të vazhdueshme ka bërë shkelje të detyrave të punës, duke mos përmbushur detyrat dhe në mënyrë të vazhdueshme dhe duke penguar punën në Kompani”.

Agron Thaçi, tha për gazetën Jeta në Kosovë se të gjitha këto vërejtje janë shqiptuar konform ligjeve dhe rregulloreve, por nuk deshi të përmendë asnjë shembull konkret.

“Janë pikat, janë rregulloret e punës aty që e përcaktojnë, neni kaq, pika kaq që i përcaktojnë shkeljet”, u shpreh ai.

Por Hoti thotë se asgjë që shkruan në arsyetimin e suspendimit nuk është e bazuar në fakte.

“Ai ka cekur shumë rregullore, shumë shkelje, shumë gjëra, por asnjërën prej tyre nuk e ka argumentuar”, u shpreh Hoti, duke thënë se në asnjërën prej tyre, nuk ka shembuj konkretë të shkeljeve.

Arsyeja e suspendimit të tij, sipas Hotit është e qëllimshme, dhe e bazuar në “hakmarrje”.

“E gjithë kjo është hakmarrje, sepse ne jemi deklaruar për ju (Gazetën Jeta në Kosovë)”, tha Hoti duke iu referuar deklaratave të mëhershme me të cilat ata kërkojnë dorëheqjen e kryeshefit Thaçi. 

Ai thotë se pasi që mediat disa herë kishin shkruar për Ndërmarrjen ku punojnë, kryeshefi kishte kërkuar vetëm arsyen se kënd ta ndëshkonte.

Por Agron Thaçi thotë se nuk është i interesuar që të flasë për këtë temë.

“A s’po keni me çka me u marrë a”, tha ai për Gazetën Jeta në Kosovë kur u thirr për t’u pyetur rreth këtyre vendimeve.

“Ky suspendim është i dhënë në bazë të rregulloreve, dhe mos përmbushjes së punës”, tha Thaçi, duke thënë se “Hoti e ka merituar këtë suspendim”.

Por suspendimi i Naser Hotit nuk kishte zgjatur shumë, pasi që vendim të kundërt nga Kryeshefi, mori Bordi i Drejtorëve të “Infrakos” që më 11 korrik anuloi vendimin e datës 4 korrik.

 Sipas këtij vendimi, anulimi i këtij vendimit për suspendim bëhet pas kërkesës së Bordit për rishikimin e këtyre vendimeve.

Në lidhje me këtë anulim, Thaçi thotë se kjo është bërë “për t’ua dhënë edhe një mundësi drejtorëve”.

Vërejtje e fundit, për t’ua mbyllur gojën

Por Agron Thaçi nuk është ndalur vetëm me suspendimin e Naser Hotit.

Ai ka suspenduar edhe Sabit Thaçin, Kryetar i Sindikatës së Infrakosit, si dhe Valdrin Kosumin, drejtor i Departamentit për Planifikim dhe Zhvillim.

“Vërejtja me shkrim e cila edhe do të jetë paralajmërimi i fundit, përndryshe në përputhje me legjislacionin e aplikueshëm për NP, dhe aktet e brendshme të kompanisë, ndaj tij do të merren masa edhe me të rënda disiplinore”, thuhet në vendim. 

Sabit Thaçi që ka marrë vërejtje me shkrim nga kryeshefi i tij, në këtë Ndërmarrje punon që nga viti 1985, ndërsa që nga viti 1994 mbanë pozitën e kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të kësaj Ndërmarrje. 

Ai më 4 korrik ka marrë vërejtjen në arsyetimin e të cilit thuhet se ka bërë shkelje të detyrave të punës, ka shkelur dispozitat e rregullores së punës, tejkalim të autorizimeve, refuzim të kryerjes së punëve, si dhe kryerjen e veprimeve të cilat kanë dëmtuar imazhin e kompanisë.

Më tutje në arsyetimin e vërejtjes thuhej se Sabit Thaçi ka bërë shkelje të tejkalimit të autorizimeve, sabotim, çrregullimin e raporteve ndër njerëzore dhe refuzim të kryerjes së punëve.

Sipas arsyetimit, këto sjellje manifestohen duke mos marrë pjesë në takimet e kompanisë.

Kryeshefi në këtë arsyetim si provë paraqet edhe procesverbalet e takimeve si dhe tërheqjen e vërejtjes me shkrim kur Sabit Thaçi kishte udhëtuar jashtë vendit, siç thuhet, pa paralajmërim.

Të njëjtat vërejtje ka marrë edhe Valdrin Kosumi, i cili punën në këtë ndërmarrje qysh nga viti 2010, si Drejtor i departamentit për Planifikim dhe Zhvillim.

Atij përveç vërejtjeve që janë të njëjta me ato të Sabit Thaçit, i është thënë se ka bërë edhe dhënien e paautorizuar të sekreteve afariste- dokumenteve zyrtare.

Edhe në vërejtjen për Kosumin, thuhet se ai nuk ka marrë pjesë në takime. Arsyetimi thotë se këto çështje janë të cekura në procesverbal.

Vërejtje të pa bazuara, dhe pa prova

Sabit Thaçi e Valdrin Kosumi nuk pajtohen në asnjërën prej vërejtjeve të shqiptuara nga Kryeshefi. 

Sipas tyre, kjo është hakmarrje.

“Ne nuk kemi parë asnjë procesverbal në të cilët thirret Kryeshefi”, tha Sabit Thaçi.

Ai tha se prej se ka ardhur Agron Thaçi në pozitën e Kryeshefit, ata kurrë nuk i kanë parë procesverbalet e mbledhjeve, dhe rrjedhimisht as i nënshkruajnë ato.

“Ato vërejtje janë tendencioze dhe nuk ka argumentim për to”, tha Sabit Thaçi i cili ka një arsyetim pse nuk kishte marrë pjesë në një mbledhje të cilës i referohet Agron Thaçi.

Arsyeja që përmend ai është një vizitë e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi te Hekurudhat e Kosovës për të cilën Sabit Thaçi thotë se e ka pasur për detyrë të kujdesej që siguria të jetë në nivel.

“Kur ka vizitë të VIP-ave e sidomos të zyrtarëve të lartë të shtetit ne duhet të kujdesemi në maksimum për sigurinë”, tha ai.

Por ai thotë se asnjëherë nuk kishte parë ose nënshkruar ndonjë procesverbal, e as nuk ishte i sigurt se çka shkruhej në të.

“Krejt kjo është si pasojë e shkresës për shkarkimin e tij (kryeshefit) pastaj edhe shkrimi që doli te ju (në gazetën Jeta në Kosovë)”, tha Thaçi.

Ndërsa Valdrin Kosumi thotë se as që e di se për cilat dokumente është fjala, e as që i është paraqitur ndonjë provë se ai ka bërë një shkelje të tillë.

“Kryeshefi e ka problemin se dëshiron të mos na lë të flasim për media”, tha Kosumi. 

Sipas tij, presioni kishte qenë i madh që nga koha kur kishte dalë shkrimi në gazetën Jeta në Kosovë, ku kërkohej shkarkimi i Kryeshefit. 

“Ne jemi të kufizuar, nuk guxojmë të flasim”, vazhdoi ai.

Gazeta ka siguruar edhe rregulloren e punës, ku në dy nene në të cilat thirrët Kryeshefi ku hyjnë shkeljet e rënda të obligimeve të punës dhe ndërprerja e marrëdhënies së punës.

Kryeshefi Thaçi nuk deshi që t’i komentojë këto më shumë. 

“Leni këto punë, mos u merreni me mikromenaxhim, ato janë gjëra të brendshme”, tha ai.

Ai nuk ka përgjigje as ndaj deklaratave të punëtorëve të cilët morën vërejtje e edhe suspendim.

“Le bre mos u merr me ata, a jam unë Kryeshef a ata”, ka qenë përgjigja e tij.

Por kësaj historie i ka dalë para Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes “Infrakos”, i cili anuloi vendimet e Kryeshefit të ndërmarrjes.

Gazeta u mundua të kontaktojë me kryetarin e Bordit të Drejtorëve Hysen Fazliun, por kontakti me të ishte i pamundur.

Ndërsa anëtari tjetër i Bordit të Drejtorëve Halil Peci, nuk deshi të komentonte në lidhje me këtë temë.

“Për të gjitha këto çështje i autorizuar është vetëm Kryetari i Bordit”, tha ai.

Por si duket, para se Bordi i Drejtorëve të reagonte për t’i mbrojtur punëtorët, kishte reaguar edhe Departamenti i Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. 

Ramadan Sejdiu nga ky departament tha se Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike ka kërkuar nga Bordi që të ngritë nivelin e mbikëqyrjes ndaj menaxhmentit në Ndërmarrje Publike.

“Si rezultat i kësaj Bordi i Drejtoreve ka kërkuar nga Kryeshefi Ekzekutiv që të rishikojë vendimet mbi suspendimin e disa menaxherëve, me ç’rast jemi njoftuar se Kryeshefi në fjalë  me vendimin tjetër i ka anuluar vendimet e marra më herët”, tha Sejdiu. 

Veprimet e Thaçit i kundërshton edhe Inspektorati i Punës 

Kur Valdrin Kosumi kishte nënshkruar kontratën e re të punës me 13 qershor si drejtor i departamentit për Planifikim dhe Zhvillim, në  kontratë nuk kishte parë asnjë përshkrim të vendit të tij të punës.

Për këtë çështje ai ishte ankuar disa herë tek Kryeshefi i tij, por nuk kishte pasur rezultat pozitiv.

Kosumi më 27 qershor të këtij viti ishte ankuar në Inspektoratin e Punës, duke theksuar se i ishte cenuar e drejta për marrëdhënie të punës pasi nga kontrata i ishin hequr 6 pika të përshkrimit të vendit të punës, të përcaktuara me rregullore.

“Unë kam kërkuar disa herë nga Kryeshefi që të ma bëjë përshkrimin vendit të punës, por nuk e ka bërë”, tha Kosumi. 

Një kërkesë të tillë, e kishte bërë edhe Inspektorati i Punës, kur ishte takuar me Kryeshefin Agron Thaçi, për të kërkuar sqarim në lidhje me këtë çështje.

Thaçi për këtë temë kishte thënë se mendon se ka përzierje të kompetencave në mes të tij dhe pozitës së Drejtorit të Departamentit për Planifikim dhe Zhvillim.

“Konsiderojmë se detyrat e punonjësit në cilësinë e drejtorit për Planifikim dhe Zhvillim, të parapara në Rregulloren mbi Sistematizimin dhe Përshkrimin e Vendeve të Punës janë në kundërshtim me përshkrimin e detyrave të punës me ato të Kryeshefit ekzekutiv dhe se punonjësi nuk mund të posedojë kompetenca të tilla”, kishte deklaruar Thaçi kur ishte pyetur nga Inspektorati i Punës.

Inspektorati i Punës ka konstatuar se Kryeshefi nuk kishte bërë përshkrimin e vendit të punës, dhe në këtë mënyrë kishte bërë shkelje të ligjit dhe i ka dërguar letër Kryeshefit duke e paralajmëruar për sanksione në rast të mos marrjes së veprimit të kërkuar në raport.

Agron Thaçi nuk deshi të komentojë as për këtë çështje.

Ndërsa për t’i kthyer përgjigje Inspektoratit të Punës i ka 8 ditë afat, deri më 31 korrik.