Biblioteka e Drenasit Del Nga Objekti i Mykur në Shtator

950 librat e bibliotekës së Drenasit po rrezikohen nga ambienti ku janë të vendosur, në një objekt para rrëzimit e me myk të krijuar nga lagështia që depërton nga reshjet.

Drejtori i bibliotekës Habib Tahiraj e pranon se objekti nuk i plotëson kushtet, ndërsa tregon se librat e saj janë zhvendosur disa herë.

“Librat njëherë kanë qenë në Qendrën e Rinisë mandej janë sjellë në Shkollën Fillore ‘’Rasim Kiçina ‘’ e në fund kanë ardhë në këtë objekt”, shpjegon ai.

Sipas tij biblioteka ka 1150 anëtarë që vijnë e huazojnë libra, por përballet me mungesë hapësire dhe nuk mund t’u ofrojë lexim në objekt të interesuarve, e sidomos studentëve.

“Jemi në hap e sipër me ba zgjidhjen edhe për studentë, po edhe për bibliotekën e qytetit , kjo mungesë e hapësirës ka ndodhë vetëm për shkak të objektit, sepse ne e kemi orarin prej orës 8 deri në 16:00 dhe jemi të gatshëm t’u ndihmojmë”, thotë Tahiraj.

Tahiraj tregon se kjo bibliotekë ka edhe libra të vjetër që ndodh të mos gjenden as në Prishtinë.

Agron Dubovci, drejtori i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Drenasit thotë se nuk ka ankesa për bibliotekën nga lexuesit.

“Deri më tash nuk ka pasë asnjë ankesë nga asnjë qytetar për mungesë të hapësirës, edhe pse është dashtë që çdo ankesë të vijë së pari në drejtorinë tonë”, tha Dubovci.

Megjithatë, drejtori bëri me dije se bibliotekës do t’i gjendet zgjidhje.

“Komuna ka ndarë 10.000 euro për furnizimin me inventar të një objekti të ndarë nga kuvendi komunal që besoj se i plotëson kushtet për lexuesit e qytetit të Drenasit”, thotë Dubovci.

Objekti ku pritet të vendoset biblioteka ndodhet përballë Kuvendit Komunal të Drenasit. Ndarjes së mjeteve dhe objektit për bibliotekë i gëzohet edhe drejtori i saj.

“Objekti i ri i plotëson kushtet, megjithëse është në kat të dytë, është i qetë, nuk ka banues afër, kështu që kushtet janë shumë të mira aty”, thotë Habib Tahiraj.

Drejtori për Kulturë zotohet se biblioteka do të dalë në objektin e ri gjatë vjeshtës, pasi të kryhen procedurat e tenderimit.

“Objekti i ri i bibliotekës do t’i plotësojë kushtet në bazë të kërkesave sa i ka ky qytet. Është objekt me 200 metra katrorë ku do ta ketë sallën e leximit, vendin për libra dhe do të pajiset me inventar komplet”, thotë Agron Dubovci.