Punësimet e Parregullta të Agim Bahtirit

Kur Agim Bahtiri, kishte marrë pushtetin në Mitrovicë pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në nëntor të vitit të kaluar, do të duhej të niste mbajtjen e premtimit elektoral për hapjen e 15 mijë vendeve të punës.

Pas premtimeve madhore të Bahtiri, se do ta hapte fabrikën e kërpudhave dhe se do të punësonte 15 mijë njerëz, kishin filluar të krijoheshin shaka në pjesën jugore të Mitrovicës. 

“Mos dilni në rrugë, se Agim Bahtiri menjëherë ju shti në punë”, ishte njëra prej shakave të shpërndara nëpër rrjete sociale nga mitrovicasit. 

Bahtiri, kryekomunari më i pasur në Kosovë me një pasuri të paluajtshme prej mbi 11 milionë eurosh, me ardhjen e tij në zyrat e Komunës së Mitrovicës ka filluar misionin e tij të punësimit. 

Por ai ka punësuar njerëz me të cilët ka afërsi familjare, duke shpërfillur rregullat e angazhimit të shërbyesve civilë.

Ai në kabinetin e tij, si zyrtare të protokollit ka  punësuar nusen e nipit të  tij [djalit të motrës]. 

Elidiana Budima-Haziri e ka nisur punën si zyrtare e protokollit në kohën kur edhe Bahtiri ka nisur punën e kryetarit në Komunë e Mitrovicës më 12 dhjetor të vitit të kaluar.

Nuk ka pasur konkurs publik për angazhimin e saj.

Budima-Haziri në të njejtën kohë mban edhe punën tjetër të saj. Është e punësuar edhe si profesoreshë e gjuhës angleze në Shkollën e Mesme Ekonomike “Hasan Prishtina” në Mitrovicë.

Lumnije Demi, zëdhënëse në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, thotë se përpos drejtorëve të drejtorive që janë staf politik, pjesa tjetër e të punësuarve nëpër komuna janë staf civil dhe nuk kanë të drejtë të mbajtjen e dy pozitave. 

“Stafi civil nuk kanë të drejtë të mbajnë dy pozita pune”, i ka thënë Demi Gazetës Jeta në Kosovë, duke shtuar se ata duhet të angazhohen nëpërmjet konkursit publik.

Megjithatë Budima-Haziri tash merr dy paga nga buxheti i Republikës së Kosovës, atë të profesoreshës me normë të plotë dhe atë të zyrtares së protokollit me gjysmë norme. 

Sipas Demit nga MAPL-ja, zyrtarja e protokollit për ta kryer këtë detyrë, duhet të ketë edhe kualifikime për këtë drejtim si dhe duhet te jetë e diplomuar në fakultetin juridik.

Por Budima-Haziri, ka diplomuar në Fakultetin e Gjuhës Angleze.

 Hysni Syla, shef i Zyrës për Informim në Komunën e Mitrovicës, thotë se Budima-Haziri, është njëra ndër punëtoret më të mira. 

Thotë se punësimi i saj nuk ka të bëjë asgjë me afërsinë familjare që ajo ka me Agim Bahtirin,  kryetarin e Mitrovicës. 

“Po dikush duhet me u punësu dhe me qenë i besueshëm për kryetarin”, tha zëdhënësi Syla.

Vetë Budima-Haziri nuk ka dashur të komentojë punësimin e saj.

“Jo nuk mundem të flas, këtu të gjitha çështjet shkojnë përmes zyrës për informim, ato që deshët t’i dini ua përcjella përmes zëdhënësit të Komunës”,  ka thënë ajo.

Rreth afërsisë së tij familjare me zyrtaren e protokollit, nuk është deklaruar akoma për gazetën as kryetari Bahtiri, i cili sipas shefit të Zyrës për Informim nuk kishte kohë për gazetarët të enjten [3 korrik], pasi do të udhëtonte për në Prishtinë. 

Megjithatë gjatë zhvillimit të intervistës me Sylën, Bahtiri ka hapur derën e zyrës dhe e ka ftuar jashtë shefin e Zyrës për Informim. 

Gazeta ka provuar të kontaktojë edhe gjatë ditës se premte me kryetarin Bahtiri, por ai nuk e ka hapur telefonin dhe nuk iu është përgjigjur porosive të dërguara me telefon. 

Por Agjencia Kundër Korrupsion ka filluar të trajtojë çështjen e afërsisë familjare të Bahtirit me Budima-Hazirin si dhe punësimin e saj si zyrtare e protokollit. 

“Agjencia Kundër Korrupsionit, duke u bazuar në përgjegjësitë dhe kompetencat që ka, trajton të gjitha informatat e bazuara  që kane të bëjnë  me parandalimin dhe luftimin e korrupsionit”, ka thënë Hasan Preteni, drejtori i AKK-së. 

Edhe shefi i Zyrës për Informim punësohet pa konkurs 

Përveç zyrtares së protokollit, pa konkurs publik është pranuar në punë edhe vetë Hysni Syla që mban pozitën e shefit të Zyrës për Informim në Komunën e Mitrovicës.

Thotë se nuk e di datën e saktë, kur ka filluar punën në këtë zyre në Komunën e Mitrovicës, por tregon se në këtë pozitë është “që 2-3 muaj”.  

Syla thotë se në këtë pozitë ka ardhur pasi është rekomanduar nga disa miq të tij që janë edhe miq të Bahtirit. 

“z.Bahtiri nuk më ka ftuar që unë me ardhë në këtë zyrë, por kanë qenë miqtë tonë të përbashkët  që i kanë bërë “trysni” për me ardhur unë këtu”, i tha Syla, Gazetës Jeta në Kosovë duke mos dashur të flasë me emra për miqtë e tij. 

Kryetari Bahtiri ende nuk ka dhënë përgjigje lidhur me punësimin e Sylës dhe miqtë e përbashkët që i përmend ai.

Por Syla përmend edhe një arsye tjetër se pse ka dashur të angazhohet në këtë pozitë. 

“ Unë pas ofertës u mendova mirë, i shikova do punë të mia, ishte paga për 100  euro më e mirë dhe vendosa me u kthy”, tha ai. Paga për pozitën që e mban aktualisht  është 450 euro neto.

Syla ishte edhe më herët shef i Zyrës për Informim, por ishte tërhequr për një periudhë 20 muajshe.

Ka punuar si drejtor i Qendrës së Kulturës në Shtëpinë e Kulturës në Mitrovicë nga gushti i vitit 2012 e deri në prill të vitit 2014. 

Detyrën e drejtorit të Qendrës Kulturore e kishte pranuar pasi kishte punuar tetë vjet si zëdhënës i Komunës në qeverisjet e kaluara që nga viti 2004.  

Por thotë se puna e tij në komunë në qeverisjen e Avni Kastratit të PDK-së kishte filluar të injorohet. 

Syla, pasi thotë se nuk po ndihej i rëndësishëm në punën që po bënte, i kishte kërkuar ish-kryetari Kastrati një post tjetër. 

“Kur u shpall konkursi për drejtor të Qendrës së Kulturës, unë i interesova dhe desha të konkurroj dhe në këtë mënyrë shkova të kryetari edhe i thashë që po dua të konkurroj”, tregon Syla.

Sipas tij Kastrati i kishte thënë “konkurro, e shohim mandej qysh po ja bëjmë”. 

Syla duke dëgjuar këshillat e Kastratit kishte konkurruar për pozitën e drejtorit të Qendrës për Kulturë.

Por ai fillimisht nuk ishte pranuar. 

“Kastratit i pata thënë se nëse nuk pranohem, unë ankohem”, thotë Syla. 

Syla kishte dorëzuar ankesën në Drejtorinë e Kulturës për mospranimin e tij në këtë detyrë. Pas ankesës së tij ishte anuluar konkursi. 

Shtëpia e Kulturës është një institucion vartës i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Mitrovicës. 

Pasi me konkurs nuk kishte mundur të zgjidhej, atëherë kryetari Kastrati, sipas tij, kishte vendosur që ta emërojë në këtë pozitë. 

“Unë i thashë që nëse e keni ndërmend njëherë me më emëru dhe mandej me më shkarku, nuk po shkoj hiç në atë pozitë, po po rri këtu ku jam”, tregon Syla. 

Por ai thotë se kishte marrë premtime nga Kastrati se nuk do të shkarkohej.

Ish-kryetari Kastrati ende nuk ka dhënë përgjigje se si fillimisht ishte shpallur konkurs publik për pozitën e drejtorit të Shtëpisë së Kulturës e pas anulimit të tij ishte vendosur që Hysni Syla të emërohej  nëpërmjet emërimit politik me vendim të kryetarit.

 “A s’po keni me çka me u marrë a?…  Leni këto gjana, këto kanë ndodhur para tri vitesh, dhe s’mundem ta komentojë tani”, i ka thënë ish-kryetari Kastrati, Gazetës Jeta në Kosovë. 

Shkrimit i ka kontribuar edhe Behar Mustafa