Auditori Kritikon Komunën e Suharekës

Sipas raportit të Auditorit të Përgjithshëm, komuna e Suharekës kishte bërë regjistrim të gabuar të pasurive.

“Rreziqet domethënëse në Pasqyrat Vjetore Financiare ishin regjistrimi i gabuar i pasurive. Mbi 5.2 milionë të investimeve në vijim (të pa përfunduara) ishin regjistruar si pasuri”, thuhet në raportin e Auditorit.

Rreziqet tjera që ishin materializuar në këtë raport, ishin edhe raportimi i gabuar i pagesave nga palët e treta në shumën prej 207,544 euro, pagesa këto të kryera nga ministritë e linjës.

Komuna kishte bërë edhe regjistrim të gabuar të pagesave në kode ekonomike në një shumë të konsiderueshme (486,383euro).

Kjo shumë e destinuar për investime kapitale ishte paguar për mallra dhe shërbime dhe subvencione. Po ashtu, shuma e llogarive të arkëtueshme ishte keq pohuar për 130,000 euro.

Kryetari i komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, pranon gjetjet e auditorit, ndërsa përgjegjësinë për to ia bart qeverisjes së kaluar të komunës, e cila deri ën dhjetor të vitit 2013 udhëhiqej nga Blerim Kuqi i AAK-së.

“Po është e vërtetë që raporti ka ardhur me shumë vërejtje, me shumë rekomandime dhe të gjetura që ka bërë auditimi për vitin 2013, por mendoj që ato vërejtje dhe rekomandime. Mendoj që raporti është i butë karshi vërejtjeve që kemi ne, tash që e udhëheqim komunë, me krejt ato parregullsi që i kemi vërejtur”, thotë Asllanaj për KALLXO.com.

Por, për dallim nga Asllanaj, partia që ka drejtuar komunën në katër vitet e kaluara, AAK, këtë raport e sheh si raport “pozitiv dhe të suksesshëm” për komunën.

Arian Zenelaj, këshilltar në asamblenë komunale nga AAK, raportin e auditimit vlerëson se çdo qeverisje i ka mangësitë e veta.

“Ne si grup parlamentar, raportin e auditimit përgjithësisht e vlerësojmë pozitiv, raport i cili si çdo qeverisje tjetër i ka mangësitë e veta, por përgjithësisht ka qenë një raport i suksesshëm, një raport i cili ka pasqyruar saktë gjendjen financiare”, tha Zenelaj.

Raporti i Auditorit gjithashtu thekson se komuna e Suharekës nuk i kishte përfillur fare rekomandimet e vitit 2012, duke mos i implementuar fare ato dhe kjo “do të rezultojë në kontroll të dobët financiar dhe humbje të vazhdueshme financiare”.

Në raport, komuna e Suharekës kritikohet për mungesën e inkasimit të hyrave, ku të hyrat për vitin 2013 ishin 100% më të vola se ato të vitit 2012.

“Trendi jonormal i inkasimit të hyrave ngrit nevojën e një planifikimi shumë më të mirë të burimeve vetjake financiare.Të hyrat e mbledhura në vitin 2013 ishin 100% më të vogla sesa ato në vitin 2012, por 138% më të mëdha se në vitin 2011. Duket se komuna nuk ka konsistencë në planifikim dhe si rezultat i kësaj, planifikimi i të hyrave nga tatimi në pronë ishte për 14% më i ulët se faturimet”, thuhet në raport.