Dritë në Fund të Rrethrrotullimit në Veternik

Ora 8 e mëngjesit dhe 16 e mbrëmjes nuk është shumë e këndshme për vozitësit dhe udhëtarët që u bie të kalojnë në hyrje-dalje të Prishtinës, në drejtim të magjistrales Prishtinë-Ferizaj. 

Për rreth dy vite ata çdo ditë kanë përjetuar punimet që zhvillohen në ndërtimin e rrethrrotullimit në këtë pjesë të kryeqyteti e cila u ka shkaktuar shumë pritje e pluhur.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, më 20 shkurt të këtij viti kishte paralajmëruar rifillimin e punimeve që ishin ndërprerë tek rrethrrotullimi në Veternik. Ai kishte thënë se punimet do të përfundonin në fund të muajit maj ose në fillim të muajit qershor.

“Pas përfundimit të procesit të shpronësimit tanimë plani i punimeve parasheh që më së shumti brenda 110 ditëve të përfundojë projekti”, pati shkruar Ahmeti në profilin e tij në Facebook. 


PrintScreen, profili i Ahmetiti në facebook

“Kjo do të thotë se në fund të muajit maj – fillim të muaj qershor rrethrrotullimi do të jetë i kalueshëm për qytetarët”.

Por, edhe pse fundi i muajit qershor po afrohet dhe ka kaluar afati kur Ahmeti kishte premtuar se do të përfundonin punimet, ato akoma nuk janë kryer. 

Kryetari Ahmeti, i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se kjo vonesë ka ndodhur shkaku i 40-të ditëve me shi.  

“Kontraktuesi është brenda afatit për 110 ditëve të punës dhe tashme është në fazën përfundimtare.  Asfaltimi do të përfundojë brenda 7 – 10 ditëve”, tha Ahmeti. 

Ndërsa Lirak Çelaj, i cili është këshilltar komunal nga Partia Demokratike e Kosovës, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se edhe në mbledhjen e fundit që ka mbajtur asambleja komunale e Prishtinës e kanë ngritur çështjen e përfundimit të rrethrrotullimit në hyrje të Prishtinës. 

“Ai(Shpend Ahmeti) pati deklaruar që për 110 ditë do të kryhet, ai doli tha që për një javë nuk kryhet, por edhe nëse kryhet brenda një jave, kjo ka ndodhë me një muaj e më shumë vonesë”, ka thënë Çela.“Premtimi kur jepet duhet me u mbajtë”.

Hysen Durmishi, drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës, ka thënë se këto kanë qenë 110 ditë pune. 

“Në punime në ndërtimtari nuk ka ditë kalendarike, por ka ditë pune”, ka thënë Durmishi.

Edhe Çelaj thotë se drejtori Durmishi i ka dhënë përgjigje të njëjtë gjatë asamblesë komunale që është mbajtur të martën. 

“Drejtori mu arsyetua që kanë qenë 110 ditë punë, por unë atë deklaratë nuk e kam dëgjuar atë kohë prej tyre”, tha Çela

Ndërsa, Ismet Konunshevci, nga kompania BeniCom, e cila i kryen punimet në rrethrrotullimin në Veternik, thotë se asfaltimi i kësaj pjese do të përfundojë javën e ardhshme.

“Shiu na ka penguar në kryerjen e punimeve, por asfaltimi do të përfundojë javën e ardhshme dhe rruga do të jetë e gatshme”, tha Konushevci për Gazetën Jeta në Kosovë.


Makineria e Beni Com, që po kryen punimet tek rrethi

Ndërtimi i rrethrrotullimit dhe zgjerimit të rrugës  në hyrje- dalje të Prishtinës, në drejtim të magjistrales Prishtinë – Ferizaj kishte nisur në tetor të 2012. 

Por punimet kishin mbetur disa here në gjysmë. 

Njëra prej pengesave kryesore kishte qenë edhe një prej 35 pikave të derivateve të naftës të kompanisë Kosova Petrol që operojnë pa licencë, e cila mbante pezull punimet në ndërtimin e këtij rrethrrotullimi.

Kjo pompë ishte larguar nga aty më 21 mars të këtij viti.

Më 22 tetor të vitit të kaluar parashihej përfundimi i projektit që peshon 5.4 milionë euro, i bashkëfinancuar nga Komuna e Prishtinës me 3 milionë dhe Ministria e Infrastrukturës me 2.4 milionë euro. 

Përveç ndërtimit të rrethit, projekti parasheh edhe ndërtimin e nënkalimit për qytetarë dhe tunelit me katër korsi që kalon nga Termokosi e deri afër Lagjes së Spitalit, për të mundësuar lëvizjen nga Prishtina në drejtim të rrugës për Ferizaj. 

Por nënkalimi, sipas Ismet Konunshevcit, do të përfundojë 20 ditë pasi të asfaltohen pjesët tjera të këtij rrethrrotullimi.