Aventura e Çiftit Kanadez me Prishtinën

Për çiftin nga vendi banorët e të cilit sipas statistikave, zyrtare kalojnë 63 minuta në ditë duke vozitur, të vizitosh kryeqytetin e një vendi ku as semaforët nuk janë mirë të sinkronizuar nuk do të ishte shumë tragjike. 

Por për çiftin Colin e Caroline Gillespie nga Kanadaja përvoja me komunikacionin e Prishtinës ka përfunduar gati me pasoja fatale. 

Gjithçka ishte menduar që të ishte vetëm një vizitë në Kosovë,  vendin që para një dekade ka dalë nga lufta që shkatërroi gati tërë infrastrukturën publike. 

Sidomos për Colin-in që është edhe bloger, vizita në një shtet në mes të Evropës dhe me një përqindje të lartë të rinisë do të mund të përbënte një mundësi të mirë për të shkruar mbi vendin më të përfolur në Ballkan viteve të fundit.

Dhe Colin-i do të shkruante në blogun e tij, por jo rrëfime të bukura. Në vend të tyre ai ka shkruar për aventurat e këqija me një taksist në Prishtinë që aksidentoi gruan e tij dhe Qendrën Klinike Universitare ku u mjekua ajo.

“Unë nuk e di se çfarë ka ndodhur më pas në Kosovë me taksistin. Nuk jam i informuar për këtë”, tha Colin Gillespie për Gazetën Jeta në Kosovë.

Derisa Kanadaja është një vend ku njerëzit kalojnë shumë kohë duke vozitur Kosova është një vend që ka një mesatare prej 1 mijë e 500 aksidenteve në vit. 

Emisioni Drejtësia në Kosovë raportoi më  11 nëntor të vitit 2012  se në Kosovë gjatë periudhës 2002-2012 kanë vdekur 1.618 persona,36.294 mijë  janë lënduar  ndërsa 150.000 aksidente kanë ndodhur brenda asaj periudhe.  Njësoj si në Kosovë edhe në Shqipëri shifrat janë alarmante, vetëm në tetë ditët e para të muajit gusht të vitit 2013 kanë humbur jetën 15 vetë bazuar në statistikat zyrtare të këtij shteti. 

Në Maqedoni bazuar në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme ndodhin rreth 11 mijë aksidente brenda një viti dhe humbin jetën afër 200 veta. 

Lëndimi  merkelian

E enjte, 20 mars 2014. Çifti Gillespie do të dilte të ecte rrugëve të Prishtinës. Saktësisht në rrugën që mban emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e në të cilën gjendet edhe monumenti i propagandës komuniste të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë “Vllaznim- Bashkimi” i njohur si “Trekëmbëshi”. 

Më përpara gjatë ditës ata kishin ecur nëpër bulevardin “Bill Clinton”. 

“Teksa kaluam rrugën “UÇK” dhe shikonim rrugët me kubëza (pjesa e rrugës afër ndërtesës së komunës dhe objektit të Gjykatës së Apelit) drejt nesh po afronte një taksi me emrin “City Taxi”… Ai goditi gruan dhe unë sikur shumë të tjerë që veprojnë në raste të tilla i hidhem në mbrojtje, por të dytë përfunduam të rrëzuar në tokë”, shkruan Colin në blogun e tij me titull “Goditjet në rrugët e Prishtinës”. 

“Më pas, erdhi një veturë e policisë që bllokoi rrugën dhe pas 60 sekondave dukej sikur taksisti ishte arrestuar”, përshkruan ngjarjen Colin. 

Carolina që kishte pësuar lëndime më të rënda do të shtrihej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. 

Ajo ishte pranuar në Repartin Ortopedik dhe do të merrej nën kujdesin e ortopedit Blerim Qosaj. Carolina kishte pësuar dy thyerje në pelvik (legen) dhe do të shtrohej në regjim shtrati. 

“Kur e pranova i thashë se paske lëndime identike si të Angela Merkel-it e cila ishte aksidentuar  duke skijuar”, shprehet dr. Qosaj. 

Merkel ishte aksidentuar dhe kishte pësuar fraktura në pjesën e legenit më 6 janar të këtij viti gjatë kohës kur po skijonte në alpet e Zvicrës.

Në shkrimin e tij për përvojën në QKUK, Colin si një njeri që ka udhëtuar shumë, vlerëson se kushtet janë problemi i mosfunksionimit të mirë të sistemit shëndetësor në Kosovë. 

Sipas tij, pesë shtretër në një dhomë që ka kapacitet vetëm për dy shtretër, dritare të prishura të cilat nuk mbyllen në ditët e ftohta, mungesa e batanijeve, numri i madh i të afërmve të cilët janë aty për t’u kujdesur për të sëmurët, bëjnë bazë të fortë për formimin e infeksioneve në spital. Tekstin e tij e kishte titulluar në mënyrë provokative “Vetëm mos më kafsho- kontrolli i infeksionit…”  

Por Gillespie nuk kishte vetëm ankesa. Ai shkruan se ka takuar mjekë të mirë dhe rekomandimet e doktorit Qosaj i janë dhënë edhe në Kanada kur janë kthyer pas Kosovës. 

“Mjekët kosovarë janë shumë të zotë. Dhe spitali është i pastër. Vaska e ujit në kënd të secilës dhomë dezinfektohet shpesh. Dyshemetë e parrafshuara janë të pastruara dhe parvazet e dritareve të plasaritura pastrohen çdo ditë”, ka shkruar Gillespie.

“Është fakt se ky vend ka kontrollin më të mirë ndaj infeksioneve që unë kam parë- dhe i kam parë disa- duke përdorur diçka më shumë se sapuni”, thotë ai në këtë blog.

Vetë ortopedi Qosaj e pranon se ka mungesë kushtesh në QKUK.

“ Por kemi bërë përpjekje maksimale të kujdesit ndaj pacientit”, shpjegon ai për Gazetën Jeta në Kosovë.

Megjithatë kthimi në Kanada i çiftit Gillespie nuk nënkupton shkëputje nga Kosova. Ata kanë ende një “aventurë” pa e përfunduar. 

Aventura në gjykatë ende nuk ka filluar 

Aksidenti i çiftit Gillespie ka përfunduar në gjykatë. Për goditjen alla “merkeliane” do të gjykohet taksisti Liridon Dermaku. 

Por sipas tij gjithçka kishte ndodhur shpejt dhe ai ishte munduar t’i shmanget aksidentit, njësoj sikurse Merkel që kishte deklaruar se ishte munduar të mos rrëzohej gjatë skijimit. 

Por përkundër Merkel-it që pranoi se ishte në shpejtësi të madhe në skijim, Dermaku thotë se po voziste afërsisht 25 kilometra në orë. 

Dermaku është ndaluar për 24orë në polici. 

“Më nuk kam pasur ftesë as nga gjykata e as nga prokuroria për t’u paraqitur”, tha Dermaku për Gazetën Jeta në Kosovë.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë Imer Beka tregoi se lënda për këtë çështje ka ardhur më 21 mars dhe është pranuar nga prokurorja Fatmire Cacaj. 

Por ende kësaj lënde nuk i ka ardhur radha. E deri atëherë po priten ekspertizat mjekësore për shkallën e lëndimit që kishte pësuar Carolina Gillespie. 

“Sapo ta marrim ekspertizën mjekësore menjëherë do ta fusim në rend”, tha Beka për Gazetën Jeta në Kosovë. 

E kur gjykimi të fillojë, çiftit ndoshta do t’i duhet të rikthehet përsëri në vendin e aventurave të rrezikshme në komunikacion.