Shkaqet e Shpërthimit në KEK Mbesin Mister (TV)

Nëna e katër fëmijëve të mbetur jetimë rrëfen për Jeta në Kosovë momentin kur kishte dëgjuar se ka ndodhur një shpërthim në Termocentralin “Kosova A”, në njësinë ku i punonte bashkëshorti qe 30 vjet.

Në ditën kritike, Xhylferija kishte marrë lajmin përmes kanaleve televizive për një shpërthim në KEK dhe pak minuta më vonë kishte pranuar një thirrje telefonike nga një koleg i Bashkimit. Për disa çaste ajo kishte mbetur si e humbur pa ditur çka të bëjë e kujt t’i drejtohej. “Më ka thënë që ka ndodhur diçka, por nuk deshi të më tregojë se çka, edhe kom provuar me thirrë në telefon, por s’kam mundur me e marrë, edhe më herët kam provuar por s’kam mundur, më vonë më kanë thirrur të afërmit, dhe më kanë thënë se diçka ka ndodhur, por që nuk po e dinë se ku”, thotë ajo.

Pasi kishte marrë lajmin, Xhylferija ishte nisur për tek Termocentrali “Kosova A”, por nuk ishte lejuar që të hynte brenda.

“Kemi shku në Obiliq, kam dashtë me qenë më afër tij, me marrë vesh diçka, ose thjesht me i ndihmu, thosha se nëse jam më afër, ndoshta mundem me i ndihmu diçka, por pritëm tërë ditën dhe në fund na erdh lajmi më i keq”.

Bashkëshortja e të ndjerit shpjegon se ajo dhe Bashkimi shpesh kishin biseduar në lidhje me rrezikshmërinë që paraqiste puna aty.

“Ka biseduar gjithmonë, ka thënë që janë vjetruar mjetet e punës, janë amortizuar, por gjithmonë me shpresë se ka me u ndërmarrë diçka dhe ndodhi që e pata unë fatin që me shkoi burri, metën fëmijët pa babë dhe ishalla ma nuk ndodhë”.

Bashkimi në Termocentralin “Kosova A”, bënte punën e manipulantit të kimisë. Ai ishte i në familjeje që punonte dhe shkollonte 4 djemtë e tij. Xhylferije Mehana thotë se ajo do të kërkojë që të zbardhen arsyet që çuan në vdekjen e bashkëshortit të saj.

“Të dy punëtorët kanë qenë punëtorë të vjetër, bashkëshorti im mbi 30 vjet ka punu aty, edhe punëtori tjetër i ka pasur 60 vjet, ne duam të dimë se pse ndodhi”.

Nga shpërthimi i që ndodhi në Termocentralin “Kosova A”, në Repartin e Elektrolizës, me 6 qershor humbën jetën 2 persona dhe mbetën të lënduar 16 të tjerë. Njëri prej tyre mori plagë më të rënda dhe është duke u trajtuar jashtë vendit. E gjithë kjo erdhi si pasojë e shpërthimit të rezervuareve të hidrogjenit, të cilët gjendeshin aty.

Edmond Nulleshi, drejtor i Shërbimeve në KEK, thotë se ende nuk e dinë se çka ka ndodhur më 6 qershor në Termocentralin “Kosova A”.

“Shkaktarët përfundimtarë ende nuk i dimë, arsyeja është se ajo zonë tani është nën kontrollin e Policisë së Kosovës dhe ekipe të specializuara të forenzikës”.

Ndërsa Arben Gjuka, drejtor në Korporatën Energjetike të Kosovës, në debatin Jeta në Kosovë me 6 qershor, kishte deklaruar se një natë me herët (5 qershor), kishte pasur një rrjedhje të hidrogjenit.

“Rrjedha është se ka pasur një ngritje të temperaturave, në bllokun A4 dhe në orën 23:30 të natës është ndaluar dhe ka hy në funksion shumë mire, njësia A5”.

Por ndryshe thotë Nulleshi.

“Deri më sot asnjë komision dhe asnjë hetues, nuk ka mundur të konfirmojë se çka ka ndodhur dhe nuk mund të ketë konkluzion të ndonjë dëmi ose shkaktari”.

Shpërthimi në Termocentralin “Kosova A”, kishte ndodhur nga rezervarët e hidrogjenit në Repartin e Elektrolizës, vend ky në të cilin bëhej prodhimi i oksigjenit dhe hidrogjenit. Në ditën kur ka ndodhur shpërthimi në Repartin e Elektrolizës gjendeshin 6 rezervuarë me hidrogjen. Si pasojë e shpërthimit të Termocentralit “Kosova A”, përveç viktimave, dëme materiale ka pësuar edhe Komuna e Kastriotit.

“Problemi kryesor i joni është humbja e dy personave dhe dëme materiale. Ato viktima nuk mund t’i kompensojë askush, edhe pse ne jemi zotuar se do të merremi me kompensimet”, tha Nulleshi. Ai shtoi se ata do të merren edhe me mbulimin e shpenzimeve për trajtim të personit të lënduar rëndë.

Ndërsa Burim Gërguri, drejtor për Shërbime Publike dhe Emergjenca në Komunën e Obiliqit, thotë se ata presin që KEK-u do t’i mbulojë dëmet që kanë ndodhur si pasojë e shpërthimit në KEK.

“Edhe Qeveria e Kosovës, edhe KEK-u do të kërkojmë ndihmë për kompensimin e të gjithë atij dëmi që është shkaktuar”.

Por një përgjegjësie të tillë nuk i ikë as menaxhmenti i KEK-ut.

“Jemi në dijeni që komuna e Obiliqit, ka angazhuar dy ekspertë për identifikimin e dëmeve materiale, edhe ne gjithashtu dhe në rast të konstatimit të komisionit vlerëson se dëmet janë shkaktuar për shkak të këtij aksidenti, ne jemi të gatshëm që të mbulojmë dëmet”, tha Nulleshi.

Në KEK që nga viti 2009 kanë pësuar lëndime në vend të punës 169 punëtorë, ndërsa në vitin 2013 kanë qenë 79 lëndime në punë, ndërsa vetëm në këtë vit kanë ndodhur 17 lëndime në vendin e punës.